Seminari
Njësia 17: Dita 4, Alma 23–24


Njësia 17: Dita 4

Alma 23–24

Hyrje

Pas kthimit të tij në besim, mbreti i lamanitëve shpalli liri fetare mes popullit të tij. Kjo shpallje i lejoi Aaronin dhe vëllezërit e tij ta predikonin ungjillin dhe të krijonin kisha në shumë qytete lamanite. Mijëra lamanitë u kthyen në besim dhe nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre. Ata lamanitë që u kthyen në besim te Zoti, bënë një besëlidhje që t’i ulnin armët e tyre të luftës. Ata morën mbi vete emrin anti-nefi-lehitë. Kur lamanitët e pakthyer në besim i sulmuan ata, shumë anti-nefi-lehitë flijuan jetën e tyre në vend që ta thyenin besëlidhjen e tyre.

Alma 23

Mijëra lamanitë kthehen në besim te Zoti dhe e ndryshojnë emrin e tyre në anti-nefi-lehitë.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni një figurë të një fytyre të lumtur dhe të një fytyre të trishtuar. Emërtojeni fytyrën e lumtur Besnik dhe fytyrën e trishtuar I paqëndrueshëm. Teksa e lexoni thënien në vijim nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kërkoni fjalë ose shprehje që i përshkruajnë këto dy lloje të ndryshme njerëzish. Shkruajini këto fjalë ose shprehje nën figurën e duhur.

Plaku Riçard G. Skot

“Secili prej nesh ka vëzhguar se si disa individë e kalojnë jetën e tyre duke bërë gjëra të drejta në mënyrë të vazhdueshme. Ata duken të lumtur, madje entuziastë për jetën. Kur duhet të bëhen zgjedhje të vështira, ata duket se i bëjnë zgjedhjet e duhura pa u lëkundur, edhe pse ka mundësi të tjera joshëse në dispozicion të tyre. Ne e dimë se ata ndeshen me tundimin, por duken se janë të pavëmendshëm ndaj tij. Në mënyrë të ngjashme, ne kemi parë se si të tjerët nuk janë kaq guximtarë në vendimet që marrin. Në një mjedis të fuqishëm shpirtëror, ata marrin vendim të bëjnë më mirë, ta ndryshojnë drejtimin e tyre të jetës, t’i lënë mënjanë zakonet dobësuese. Ata janë shumë të sinqertë në vendosmërinë e tyre për të ndryshuar, por shpejt kthehen te bërja e gjërave të njëjta, të cilat vendosën t’i braktisnin.

Cila është gjëja që e sjell ndryshimin në jetën e këtyre dy grupeve? Si mund t’i bëni vazhdimisht zgjedhjet e drejta?” (“Full Conversion Brings Happiness”, Ensign, maj 2002, f. 24).

Përsiatni për mënyrën se si do t’iu përgjigjeshit dy pyetjeve që bëri Plaku Skot. Ndërsa studioni Almën 23–24, mendoni rreth arsyes përse shumë anëtarë të Kishës mbeten besnikë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës së tyre.

Pasi mbreti i lamanitëve u bë i kthyer në besim në ungjillin e Jezu Krishtit, ai dërgoi një shpallje mes gjithë popullit të tij dhe ndodhi një mrekulli. Mijëra lamanitë u kthyen në besim gjithashtu. Lexoni tek Alma 23:1–5 për të parë cila ishte ajo shpallje dhe si ndodhi mrekullia.

Lexoni tek Alma 23:6–7. Sa prej mijëra vetave që u “kthyen në besim te Zoti” qëndruan të kthyer në besim gjatë gjithë jetës së tyre?

Pasi këta lamanitë u kthyen në besim, ata dëshiruan të quheshin me një emër të ri, me qëllim që të mos njiheshin më si lamanitë. Lexoni tek Alma 23:16–18 dhe përcaktoni emrin që ata zgjodhën, dhe bekimet që u erdhën për shkak të besnikërisë së tyre.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, nën figurën e quajtur “Besnik” shkruani atë që keni mësuar nga anti-nefi-lehitët rreth të qenit besnik ndaj Zotit gjatë gjithë jetës suaj.

Shkruajeni të vërtetën e mëposhtme në shkrimet tuaja shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kthim në besim do të thotë të ndryshosh shpirtërisht dhe të bëhesh një njeri i ri nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Njësoj siç ndryshuan anti-nefi-lehitët, nëse jeni të gatshëm ta merrni fuqinë e Shlyerjes në jetën tuaj me anë të besimit dhe pendimit tuaj, ju mund të bëheni një njeri i ri nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe të mbeteni besnik gjatë gjithë jetës suaj.

Shikojini përsëri dy pyetjet e Plakut Skot dhe më pas lexoni përgjigjen e tij: “Kthimi i vërtetë në besim është fryti i besimit, pendimit dhe bindjes së qëndrueshme. … Kthimi i vërtetë në besim do ta forcojë aftësinë tuaj për të bërë atë që e dini se duhet të bëni, kur duhet ta bëni, pavarësisht nga rrethanat” (“Full Conversion Brings Happiness”, f. 25).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Sipas Almës 23:18, lamanitët e kthyer në besim filluan të ishin punëtorë dhe miqësorë me nefitët. Kur njerëzit po përpiqen të pendohen e ta ndryshojnë jetën e tyre, përse është e rëndësishme që ata të shoqërohen me njerëz të tjerë që po përpiqen gjithashtu të jetojnë drejtësisht?

  2. ikona e ditaritShqyrtoni termat që keni renditur nën figurën “Besnik”, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Mendoni se sa mirë e përkufizojnë këto terma nivelin tuaj të kthimit në besim. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëni për t’u bërë më plotësisht të kthyer në besim te Zoti.

Alma 24

Anti-nefi-lehitët lidhin besë që të mos i marrin armët më kurrë

Siç shënohet tek Alma 24:3, mbreti i lamanitëve ia la mbretërinë birit të tij pikërisht përpara vdekjes së tij dhe i vuri birit të tij emrin Anti-Nefi-Lehi. Lexoni tek Alma 24:1–5 për të parë se çfarë problemi u zhvillua shpejt, i cili i çoi Amonin dhe vëllezërit e tij në mbajtjen e një këshilli me mbretin. Kur u bë e njohur se lamanitët e pakthyer në besim po shkonin në luftë kundër anti-nefi-lehitëve, këta njerëz të drejtë vendosën se nuk do të bënin asnjë përgatitje për t’u mbrojtur (shih Alma 24:6). Lexoni tek Alma 24:7–14 dhe përcaktoni përse anti-nefi-lehitët e morën këtë vendim.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që mësoni nga anti-nefi-lehitët rreth asaj që do të thotë t’i braktisim mëkatet tona kur pendohemi.

Anti-Nefi-Lehitët Duke Varrosur Shpatat e Tyre

Lexoni tek Alma 24:15–18, duke kërkuar atë që bënë anti-nefi-lehitët për t’i treguar Zotit se ishin penduar me të vërtetë. Pse i varrosën njerëzit shpatat dhe armët e tjera të tyre thellë në tokë? (Shih Alma 24:17–18.)

Presidenti Spenser W. Kimball

Në vetë jetën tonë kur pendohemi për mëkatet, ne duhet të përpiqemi të mos i kryejmë më kurrë ato mëkate. Lexoni atë që Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi për braktisjen e mëkatit si një anë e rëndësishme e pendimit: “Në braktisjen e mëkatit dikush nuk mund të urojë thjesht për kushte më të mira. Ai duhet t’i krijojë ato. … Ai duhet të jetë i sigurt jo vetëm që e ka braktisur mëkatin, por që ka ndryshuar situatat që e rrethonin mëkatin. Ai duhet t’u shmanget vendeve, kushteve dhe rrethanave ku ndodhi mëkati, sepse këto ka shumë mundësi të mund ta shkaktojnë atë përsëri. Ai duhet t’i braktisë njerëzit me të cilët u krye mëkati. Ai mund të mos i urrejë njerëzit që u përfshinë, por duhet t’u shmanget atyre dhe gjithçkaje që shoqërohet me mëkatin. Ai duhet … të ndërtojë një jetë të re. Ai duhet të zhdukë çdo gjë që do t’i trazonte kujtimet e vjetra” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 171–172).

Tek Alma 24:10–12, shenjoni fjalë ose shprehje që tregojnë pendimin e anti-nefi-lehitëve dhe faljen e mëkateve të tyre nga Perëndia. Shkruajeni parimin vijues në anë të këtyre vargjeve: Nëse ne bëjmë gjithçka mundemi për t’u penduar, Perëndia do ta heqë fajin tonë dhe do të na ndihmojë të mbetemi të pastër. Drejtojuni tregimit të varrosjes së armëve në tokë nga anti-nefi-lehitët. Në kohën tonë, ne ende kemi nevojë t’i “varrosim” mëkatet tona për t’i treguar Zotit se po bëjmë gjithçka mundemi për t’u penduar e për të mos bërë të njëjtat mëkate përsëri.

  1. ikona e ditaritMerrni parasysh si mund të sigurohen njerëzit në situatat vijuese, se nuk do t’i bënin të njëjtat mëkate përsëri. Shkruani sugjerimet tuaja për secilën situatë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Dikush pa një skenë pornografike në një film ngaqë miqtë e nxitën personin ta shikonte filmin me ta.

    2. Dikush e theu fshehtas Fjalën e Urtësisë me miqtë, kur dolën si grup së bashku natën.

    3. Dikush i tregoi përgjigjet nga një provim i përfunduar një miku që po përgatitej të bënte po atë provim më vonë gjatë asaj dite.

Përsiatni pyetjen që vijon: Çfarë duhet të “varrosni” në jetën tuaj, me qëllim që të mos tundoheni për të bërë mëkate për të cilat jeni penduar?

Lexoni tek Alma 24:19–22 për të parë atë që bënë anti-nefi-lehitët kur lamanitët erdhën në betejë kundër tyre. Këta njerëz e treguan përkushtimin e tyre ndaj Zotit duke qenë të gatshëm të vdisnin në vend që të shkelnin një premtim që i kishin bërë Zotit. Ata ia kishin dhënë jetën tërësisht Zotit dhe mbetën tërësisht besnikë ndaj Tij gjatë gjithë jetës së tyre.

Lexoni atë që na mësoi Presidenti Ezra Taft Benson rreth dhënies së jetës sonë Zotit:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Njerëzit e ndryshuar për Krishtin do të kryesohen nga Krishti. Si Pali ata do të pyetin: ‘Zot, ç’don t’i të bëj unë?’ (Veprat e Apostujve 9:6.) …

Vullneti i tyre përpihet në vullnetin e Tij. (Shih Gjoni 5:30.)

Ata gjithmonë bëjnë ato gjëra që e kënaqin Zotin. (Shih Gjoni 8:29.)

Jo vetëm ata do të vdisnin për Zotin, por për më tepër ata dëshirojnë të jetojnë për Të.

… Hyni në shtëpitë e tyre dhe pikturat në muret e tyre, librat në raftet e tyre, muzika që dëgjohet, fjalët dhe veprimet e tyre i tregojnë ata si të krishterë.

Ata qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat, dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet. (Shih Mosia 18:9.)

Ata kanë Krishtin në mendje, ndërsa shohin tek Ai në çdo mendim. (Shih DeB 6:36.)

Ata kanë Krishtin në zemër, ndërsa dashuria e tyre vendoset tek Ai përgjithmonë. (Shih Alma 37:36.)” (“Born of God”, Ensign, nëntor 1985, f. 6–7).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Gjatë kësaj jave, cilat janë disa mënyra se si mund të tregoni se ia keni dhënë jetën tuaj tërësisht Zotit?

Lexoni Almën 24:23–27, që përshkruan reagimin e lamanitëve kur panë se anti-nefi-lehitët nuk do të luftonin. Ndërsa lexoni, gjeni fjalë ose shprehje që na mësojnë këtë parim: Duke qenë besnikë ndaj Zotit, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen të kthyer në besim. Mendoni rreth mënyrës se si pjesëtarë të caktuar të familjes suaj ose disa miq mund të ndikohen nga vendimi juaj për të qenë besnikë ndaj Zotit.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 23–24 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: