Njësia 6: Dita 2
2 Nefi 6–8
Hyrje
Anali i Nefit i pjesës së parë të predikimit të dhënë mësim nga vëllai i tij më i vogël, Jakobi, gjendet te 2 Nefi 6–8. (Pjesa e dytë e predikimit të Jakobit gjendet te 2 Nefi 9–10.) Jakobi profetizoi se, që nga koha kur Lehi u largua nga Jerusalemi, judenjtë ishin marrë robër dhe ishin shpërndarë për shkak të ligësisë së tyre. Sidoqoftë, Zoti në mëshirë do t’i mblidhte sërish judenjtë në Jerusalem. Jakobi profetizoi edhe se judenjtë do të shpërndaheshin për herë të dytë pasi të hidhnin poshtë Shpëtimtarin gjatë shërbesës së Tij të vdekshme; përsëri Zoti do të tregonte mëshirë dhe do t’i mblidhte në ditët e fundit ndërsa vinin në njohurinë e Shpëtimtarit. Përveç kësaj, Jakobi citoi profecitë e Isaias që tregojnë besnikërinë e Shpëtimtarit ndaj popullit të Tij të besëlidhjes, mëshirën e Tij dhe madhështinë e premtimeve të Tij për besnikët.
2 Nefi 6
Jakobi profetizon për shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit
Si do të vepronit nëse njerëzit që doni, do t’ju trajtonin pa dashamirësi? Po nëse do të tregonin me veprimet ose qëndrimet e tyre që marrëdhënia juaj nuk ishte më e rëndësishme për ta? Përsiatni nëse keni vepruar ndonjëherë në këtë mënyrë kundrejt Zotit. Te 2 Nefi 6–8, Jakobi dha mësim se si Zoti u përgjigjet atyre të cilëve, me anë të qëndrimeve dhe veprimeve të tyre, janë larguar nga Ai.
Lexoni 2 Nefin 6:3–5; 9:1, 3 dhe kërkoni arsyet përse Jakobi e dha këtë predikim.
Ndërsa studioni sot, shikoni se si mësimet e Jakobit mund t’ju ndihmojnë “të mësoni dhe të lavdëroni emrin e Perëndisë tuaj” (2 Nefi 6: 4), të kuptoni më mirë besëlidhjet që keni bërë me Zotin (shih 2 Nefi 9:1) dhe t’ju japin arsye “të gëzoheni dhe të ngrini kokat përgjithmonë” (2 Nefi 9:3).
-
Përgjigjiuni pyetjeve në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Jakobi e fillon predikimin e tij duke profetizuar mbi atë çfarë u ndodhi judenjve pasi Lehi u largua nga Jerusalemi për shkak se ata nuk e kishin pranuar Zotin. Si e përshkroi ai këtë te 2 Nefi 6:8?
-
Lehi, Jeremia dhe profetë të tjerë profetizuan për këtë shkatërrim. Kur babilonasit pushtuan judenjtë rreth vitit 587 pr.K., shumë u vranë dhe të tjerë u morën robër në Babiloni. Judenjtë përfundimisht i zbutën zemrat e tyre kundrejt Zotit. Sipas fjalisë së parë te 2 Nefi 6:9, çfarë profetizoi Jakobi se do t’u ndodhte atyre?
-
Jakobi profetizoi se Shpëtimtari do ta jetonte jetën e Tij të vdekshme mes judenjve pasi ata të ktheheshin nga robëria. Sipas 2 Nefit 6:9–10, si do të vepronin e do të ndiheshin judenjtë kundrejt Shpëtimtarit?
-
Sipas 2 Nefit 6:10–11, çfarë do t’u ndodhte judenjve që nuk do ta pranonin Shpëtimtarin?
-
Lexoni 2 Nefin 6:11, 14 dhe kërkoni fraza që përshkruajnë se si ndihet Zoti për shtëpinë e Izraelit megjithëse ata nuk e pranuan Atë. Ju mund të dëshironi t’i rrethoni frazat “i mëshirshëm me ta” dhe “t’i shpëtojë ata” në shkrimet tuaja të shenjta.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përgjigjet tuaja për pyetjet në vijim:
-
Çfarë do të thotë ta “shpëto[sh]” dikë apo diçka?
-
Si e tregon gatishmëria e Zotit për ta shpëtuar Izraelin për herë të dytë mëshirën e Tij?
-
Në po këto vargje, Jakobi dha mësim se çfarë duhet të bëjnë judenjtë në mënyrë që t’i marrin këto bekime nga Zoti. Lexoni përsëri 2 Nefin 6:11, 14 dhe gjeni frazën “kur ata” në çdo varg. Theksoni me ngjyra fjalët që e plotësojnë frazën. Sipas këtyre vargjeve, si do të cilësohet Izraeli për mëshirën e Zotit? Këto vargje japin mësim parimin: Zoti është i mëshirshëm ndaj atyre që kthehen tek Ai.
-
Përsiatni mënyrat si keni dëshmuar mëshirën dhe gatishmërinë e Zotit për t’i falur ata që kthehen tek Ai. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani: Unë e di se Zoti është i mëshirshëm ngaqë … Pastaj plotësojeni thënien me mendimet dhe ndjenjat tuaja vetjake. Ju mund të dëshironi ta përsëritni këtë ushtrim ndërsa mendoni për mënyrat e ndryshme se si Zoti ka treguar që Ai është i mëshirshëm.
Te 2 Nefi 6 ka një premtim të madh shprese për Izraelin – i cili na përfshin të gjithëve ne. Lexoni 2 Nefin 6:17–18 dhe plotësoni premtimet në vijim të dhëna nga Shpëtimtari:
“Perëndia i Fuqishëm do ta ” (2 Nefi 6:17).
“Dhe çdo mish do të dijë se ” (2 Nefi 6:18).
2 Nefi 7–8
Jakobi citon profecitë e Isaias rreth besnikërisë së Shpëtimtarit ndaj popullit të besëlidhjes dhe aftësisë së Tij për të na shëlbuar
Siç shënohet te 2 Nefi 7–8, Jakobi citoi profecitë e Isaias lidhur me dëshirën dhe aftësinë e Zotit për ta shëlbuar Izraelin nga vuajtjet e shkaktuara nga mëkatet e tyre. Lexoni 2 Nefin 7:1–2 dhe përcaktoni pyetjet që Zoti i bëri Izraelit të cilat tregojnë se Ai ende i donte ata dhe dëshironte t’i shëlbonte ata.
Mund të jetë e dobishme të kuptoni se Zoti përdori gjuhë simbolike lidhur me divorcin e robërinë dhe zakonet shoqërore të njohura për njerëzit e asaj kohe që t’i mësonte në një mënyrë ndikuese dhe të paharrueshme. Frazat “të kam shporrur”, “letra e shkurorëzimit të nënës suaj” dhe “të kam shitur” i referohen idesë së shkeljes apo prishjes së një besëlidhjeje. Pyetjet mund të riformulohen si vijon: “A ju jam larguar? A e kam lënë mënjanë besëlidhjen që kemi bërë?” Përgjigjja për këto pyetje është: “Jo”. Zoti nuk do të largohet kurrë prej nesh apo të harrojë besëlidhjet që Ai ka bërë. Pyetjet e Tij janë një mënyrë për të theksuar se Ai kurrë nuk do ta shkelë besëlidhjen e Tij me Izraelin.
Në fund të 2 Nefit 7:1, nënvizoni shpjegimin e Zotit se përse Izraeli qe ndarë nga Perëndia dhe vuante në robëri.
-
Përgjigjiuni njërës prej pyetjeve në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Përse është e rëndësishme të kuptojmë se mendimet, vendimet dhe veprimet tona mund të na ndajnë nga Perëndia?
-
Përse është e rëndësishme për ju që të dini se Zoti kurrë nuk na harron apo braktis, edhe pse ne mund ta harrojmë e braktisim Atë?
-
Te 2 Nefi 7:2 Zoti i bëri Izraelit një pyetje jetësore që gjen zbatim për secilin prej nesh. Gjejeni dhe theksojeni me ngjyra pyetjen.
Çfarë mendoni se donte të thoshte Zoti kur pyeti: “Është shkurtuar dora ime kaq shumë, që ajo nuk mund të shëlbojë?” Për t’ju ndihmuar ta përfytyroni këtë, imagjinoni sikur po e shtrini dorën tuaj duke u përpjekur të arrini dikë në nevojë. Nëse do të zgjateshit për ta arritur, çfarë do të përpiqeshit të bënit për personin në nevojë? Nëse përkundrazi nuk do të zgjateshit ose do ta tërhiqnit dorën tuaj, çfarë do të thoshte kjo rreth dëshirës suaj për ta ndihmuar personin? Me këtë shëmbëlltyrë në mendje, një mënyrë tjetër për ta shprehur pyetjen e Zotit drejtuar Izraelit është: “A mos po përmbahem unë e nuk po zgjatem për t’ju shëlbuar?”
Fraza “nuk kam fuqi të shpëtoj?” e ftoi Izraelin që të përsiaste besimin e tij se Zoti kishte fuqinë t’i shpëtonte ata nga vuajtja e shkaktuar prej mëkateve të tyre.
Në pjesën e mbetur të 2 Nefit 7–8, Isaia dha disa shembuj të dëshirës dhe të fuqisë së Shpëtimtarit për ta shëlbuar popullin e Tij të besëlidhjes.
Lexoni 2 Nefin 7:5–7 dhe kërkoni fraza në këtë profeci që tregojnë atë çfarë do të bënte dhe do të përjetonte Mesia si pjesë e sakrificës së Tij shlyese për të na shëlbuar. Te 2 Nefi 7:6, shënimi a në fund të faqes, ka referenca kryq që shpjegojnë dhe tregojnë plotësimin e kësaj profecie. Ju mund të dëshironi ta shenjoni Mateun 27:26 te shënimi në fund të faqes; më pas lexoni Mateun 27:26–31, duke parë për mënyra se si u përmbush profecia e Isaias.
-
Përgjigjiuni pyetjes në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë na tregon 2 Nefi 7:2, 5–7 rreth dëshirës dhe gatishmërisë së Shpëtimtarit për të na shëlbuar?
Për t’ju ndihmuar të zbuloni dëshmi të mëtejshme për mëshirën dhe fuqinë e Zotit në pjesën e mbetur të profecisë së Isaias, përfytyroni sikur ju është kërkuar të jepnit bisedë në kishë mbi parimin: Shpëtimtari dëshiron ta shëlbojë popullin e Tij të besëlidhjes dhe e ka të gjithë fuqinë për ta bërë këtë. Që të përgatiteni për bisedën tuaj, lexoni 2 Nefin 8:3, 11–13, 16, 22 dhe zgjidhni frazat që ndieni se ofrojnë siguri lidhur me dëshirën dhe fuqinë e Zotit për të na shëlbuar.
-
Përpiloni një plan të bisedës suaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nëpërmjet:
-
Renditjes së dy ose tri frazave që ju bënë përshtypje, dhe shpjegimit se si secila frazë është shembull i dëshirës së Shpëtimtarit për të na shëlbuar ose i fuqisë së Tij për ta bërë këtë.
-
Përzgjedhjes së një prej atyre frazave dhe përshkrimit se si ose e keni përjetuar ose do të dëshironit ta përjetonit atë bekim në jetën tuaj.
-
Ndërsa e mbaroni këtë mësim, kujtoni se Jakobi i dha mësim të vërtetat që keni studiuar sot “që ju të mund të mësoni dhe të lavdëroni emrin e Perëndisë tuaj” (2 Nefi 6: 4), “që ju të mund të dini për besëlidhjet e Zotit” (2 Nefi 9:1) dhe “që ju të gëzoheni dhe të ngrini kokat përgjithmonë” (2 Nefi 9:3). Kërkoni mundësi sot që të ndani me dikë vlerësimin tuaj për Zotin dhe dashurinë e Tij për ju.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Nefin 6–8 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: