Seminari
Njësia 28: Dita 2, Mormoni 1–2


Njësia 28: Dita 2

Mormoni 1–2

Hyrje

Megjithëse Mormoni u rrit në një kohë ligësie të madhe, ai zgjodhi të ishte besnik. Për shkak të besnikërisë së tij, ai u thirr të kujdesej për analet e nefitëve. Kur ishte 15 vjeç, Mormoni u “vizit[ua] nga Zoti dhe provo[i] e njoh[u] mirësinë e Jezusit” (Mormoni 1:15). Në po atë vit, nefitët e caktuan atë për të udhëhequr ushtritë e tyre (shih Mormoni 2:1). Ai dëshironte që t’i ndihmonte nefitët të pendoheshin por, për shkak se kishin ngritur krye me qëllim, ai u ndalua nga Zoti që t’u predikonte. Nefitët e humbën Frymën e Shenjtë dhe dhurata të tjera të Perëndisë dhe u lanë vetëm me forcën e tyre ndërsa luftonin lamanitët.

Mormoni 1–5

Mormonit iu dhanë në ngarkim analet e shenjta

Cilat janë disa fjalë që do të dëshironit që njerëzit t’i përdornin kur ju përshkruajnë ju?

A jeni përshkruar ndonjëherë si një mormon? Çfarë do të thotë për ju të keni dikë që t’ju përshkruajë si mormon?

Presidenti Gordon B. Hinkli foli rreth nofkës mormon, që disa njerëz e përdorin kur u referohen anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ndonëse herë pas here ndjej keqardhje që njerëzit nuk e quajnë këtë kishë sipas emrit të saj të duhur, unë jam i lumtur që nofka që ata përdorin, është një nofkë me nder të madh, e bërë kështu nga një njeri i mrekullueshëm dhe një libër që jep një dëshmi të pashoqe në lidhje me Shëlbuesin e botës.

Kushdo që arrin ta njohë burrin [me emrin] Mormon, nëpërmjet leximit dhe përsiatjes së fjalëve të tij, kushdo që lexon këtë thesar të çmuar të historisë, i cili u mblodh dhe u ruajt në një masë të madhe prej tij, do të arrijë të dijë se mormon nuk është një fjalë diskreditimi, por përfaqëson të mirën më të madhe – atë të mirë që është nga Perëndia” (“Mormon Should Mean ‘More Good’”, Ensign, nëntor 1990, f. 52–53).

Mormoni, profeti, u lind në një kohë kur thuajse kushdo në vend po jetonte në ligësi. Në këtë kohë një profet i quajtur Amaron, qe urdhëruar të fshihte të gjitha analet e shenjta (shih 4 Nefi 1:47–49). Amaroni e vizitoi djalin Mormon, 10-vjeçar atëherë, dhe i dha udhëzime lidhur me përgjegjësinë e tij të ardhshme për analet. Lexoni Mormonin 1:2 dhe kërkoni fjalë apo fraza që Amaroni i përdori për të përshkruar Mormonin e ri.

Një fjalë që Amaroni e përdori për të përshkruar Mormonin, ishte i matur. Fjala i matur do të thotë serioz, solemn, i drejtë ose i perëndishëm. Ju mund të doni ta shkruani këtë përkufizim në anë të shkrimeve tuaja të shenjta. Rreth çfarë çështjesh apo situatash në jetë mendoni se duhet të jeni të matur? Është e rëndësishme të kuptojmë se njerëzit e matur mund të argëtohen dhe qeshin, por ata e kuptojnë se kur duhet të jesh gazmor dhe kur duhet të jesh më serioz.

Amaroni e përshkroi Mormonin gjithashtu si të “shpejtë për të vënë re” (Mormoni 1:2). Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh “i shpejtë për të vënë re”? Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se fjala vë re përdoret në shkrimet e shenjta në dy mënyra:

“[Një] dhuratë shpirtërore në dukje e thjeshtë dhe ndoshta e nënvleftësuar – aftësia për të qenë ‘i shpejtë për të vënë re’ (Mormoni 1:2) – është me rëndësi jetike për ju dhe për mua në botën ku ne jetojmë tani dhe do të jetojmë ende. …

Ju lutemi, shqyrtojeni rëndësinë e kësaj dhurate të rëndësishme shpirtërore. Siç përdoret në shkrimet e shenjta, fjala vë re ka dy përdorime parësore. Njëri do të thotë ‘të vështrosh’ ose ‘të shohësh’ ose ‘të vëresh’ – siç mësojmë tek Isaia 42:20. …

Përdorimi i dytë i fjalës vë re do të thotë ‘të bindesh’ ose ‘të mbash’ – siç duket qartë te [Doktrina e Besëlidhje 54:6]. …

Kështu, kur jemi të shpejtë për të vënë re, ne shohim ose vëmë re me shpejtësi dhe bindemi. Të dyja këto elemente themelore – të shikuarit dhe të bindurit – janë thelbësore për të qenë i shpejtë për të vënë re. Dhe profeti Mormon është një shembull mbresëlënës për këtë dhuratë në veprim” (“Quick to Observe”, Ensign, dhjetor 2006, f. 31–32).

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani mendimet tuaj rreth asaj se si kjo prirje karakteri e të qenit të shpejtë për të vënë re mund t’ju ndihmojë në jetën tuaj të përditshme.

Lexoni Mormonin 1:3–5 dhe përcaktoni udhëzimet e Amaronit për Mormonin. Si mundet që tiparet e karakterit të Mormonit për të qenë i matur dhe i shpejtë për të vënë re, e ndihmojnë atë për këto përgjegjësi?

Mormoni 1:6–19

Mormonit i është ndaluar nga Zoti të predikojë për shkak se njerëzit ngritën krye me qëllim.

Mormoni

A keni humbur ndonjëherë diçka shumë të çmueshme? Ndërsa ishte ende në rininë e vet, Mormoni dëshmoi një numër betejash midis nefitëve e lamanitëve dhe përhapjen e ligësisë së madhe në vend (shih Mormoni 1:6–13). Për shkak se ligësia e nefitëve u bë aq e madhe, Mormoni shënoi se ata humbën shumë dhurata të çmuara nga Zoti.

  1. journal iconBëni dy kolona në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Titulli i kolonës së parë “Dhurata që Nefitët i Humbën”. Lexoni Mormonin 1:13–14, 18 dhe kërkoni për dhuratat që Zoti ua hoqi nefitëve. Shkruajini gjetjet tuaja në kolonën e parë. Titulli i kolonës së dytë “Përse Zoti i Tërhoqi Dhuratat e Tij”. Lexoni Mormonin 1:14, 16–17, 19 dhe kërkoni shkaqet përse Zoti ua hoqi dhuratat e Tij nefitëve. Shkruajini gjetjet tuaja në kolonën e dytë.

Nga këto vargje ne mund të mësojmë se ligësia dhe mosbesimi i largojnë dhuratat e Zotit dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë. Edhe pse rebelimi i nefitëve ishte i skajshëm, ky parim zbatohet edhe për ne individualisht kur nuk i bindemi ndonjë urdhërimi të Perëndisë.

Nëse do të jetonit në kohën e Mormonit, cilat dhurata të Perëndisë që përmenden te Mormoni 1:13–14, 18, do t’ju dëshpëronte më shumë po t’i humbisnit?

Lexoni Mormonin 1:15 dhe kërkoni për atë që po përjetonte Mormoni ndërsa pjesa tjetër e nefitëve po humbiste dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe dhurata të tjera të Perëndisë. Përse mendoni se Mormoni ishte në gjendje të kishte përvoja shpirtërore, edhe pse ishte në mes të ligësisë së madhe?

Mormoni 2:1–15

Mormoni udhëheq ushtritë nefite dhe hidhërohet për ligësinë e tyre

Shqyrtoni situatat që vijojnë: Një 30-vjeçar jeton në shtëpi me prindërit e tij dhe nuk zgjedh të kërkojë punë. Në vend të kësaj, ai jeton me punën e prindërve dhe e shpërdoron kohën në veprimtari të pafrytshme të tilla si kalimi i shumicës së saj në video-lojëra. Krahasojeni këtë situatë me përshkrimin e djalit Mormon ndërsa studioni Mormonin 2.

Lexoni Mormonin 2:1–2 dhe kërkoni atë përgjegjësi që iu dha Mormonit dhe në çfarë moshe ishte kur e mori atë.

Jo shumë kohë pas caktimit të Mormonit si udhëheqës i ushtrive nefite, ushtria lamanite i sulmoi nefitët me një forcë të tillë saqë nefitët u trembën dhe u tërhoqën. Lamanitët i dëbuan ata nga qyteti në qytet derisa nefitët u mblodhën në një vend. Përfundimisht, ushtria e Mormonit u bëri ballë lamanitëve dhe bëri që ata të largoheshin (shih Mormoni 2:3–9).

  1. journal iconLexoni Mormonin 2:10–15 dhe shihni për gjendjen shpirtërore të nefitëve pas këtyre betejave. Pastaj, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse nefitët po ndienin keqardhje?

    2. Sipas Mormonit 2:14, si e dinte Mormoni se keqardhja e njerëzve nuk ishte një shenjë e pendesës së vërtetë?

    3. Çfarë ndryshimesh mund të shihni te Mormoni 2:13–14, midis atyre që ndienin keqardhje në pendesë dhe atyre që dëshpërimi i çoi në mallkim (duke ndaluar përparimin e tyre)?

Këto vargje na mësojnë se, nëse keqardhja jonë për mëkatin është në pendesë, ajo do të na udhëheqë të vijmë në Krisht me zemër të përulur. Ato ilustrojnë gjithashtu parimin se keqardhja vetëm për pasojat e mëkatit, çon në mallkim (ose ndalim në përparimin tonë drejt jetës së përjetshme).

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mundet dikush që ka mëkatuar, të tregojë keqardhje si të botës, – atë lloj keqardhje që çon në mallkim?

    2. Si mundet dikush që ka mëkatuar, të shfaqë atë lloj keqardhjeje që çon në pendim?

Përsiatni se si reagoni kur kuptoni që keni bërë gabime apo keni mëkatuar. Nëse vini te Shpëtimtari me një zemër të përulur dhe pendoheni, ju mund të përjetoni paqe dhe të pajtoheni me Perëndinë.

Mormoni 2:16–29

Mormoni merr fletët dhe shkruan një rrëfim të ligësisë së popullit të tij

Ndërkohë që betejat me lamanitët vazhdonin, Mormoni u gjend afër një kodre ku Amaroni kishte fshehur analet nefite. Ai i hoqi fletët e Nefit dhe filloi të shënonte atë që kishte vëzhguar mes njerëzve që nga koha që ishte fëmijë (shih Mormoni 2:16–18). Lexoni Mormonin 2:18–19 dhe shënoni disa nga frazat që përshkruajnë kushtet shpirtërore në të cilat u rrit Mormoni.

Nga ajo që keni mësuar rreth Mormonit, përse mendoni se ai ishte i sigurt se do të “ngrihe[j] lart në ditën e fundit”? (Mormoni 2:19). (Në këtë kontekst, “ngrihem lart në ditën e fundit” do të thotë të ekzaltohesh – të ringjallesh me një trup qiellor dhe të sillesh në praninë e Perëndisë për të qëndruar me Të përgjithmonë.)

Jeta e Mormonit është një dëshmi se ne mund të zgjedhim të jetojmë drejtësisht në një shoqëri të ligë.

Shqyrtoni këshillën vijuese: “Ju jeni përgjegjës për zgjedhjet që bëni. Perëndia është i vëmendshëm ndaj jush dhe do t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mira, edhe nëse familja dhe miqtë tuaj e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra jo të drejta. Kini kurajën morale të qëndroni të vendosur për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë, edhe nëse ju duhet të qëndroni vetëm. Ndërsa e bëni këtë, ju vendosni një shembull për t’u ndjekur nga të tjerët” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 2).

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një kohe kur patë një mik apo anëtar familjeje të qëndrojë i vendosur në bindje ndaj vullnetit të Perëndisë edhe kur të tjerët nuk ishin. Gjithashtu shkruani mendimet tuaja rreth asaj se si shembulli i personit dhe shembulli i Mormonit janë të dobishëm për ju.

Motoja e Të Rejave është “Qëndroni për të Vërtetën dhe të Drejtën”. Nëse jeni e re apo i ri, mendoni për një fushë të veçantë të jetës suaj ku ju mund të jeni më të vendosur të qëndroni për atë që është e drejtë. Zoti do t’ju ndihmojë ndërsa përpiqeni të qëndroni për atë që është e drejtë, edhe kur të tjerët rreth jush mund të mos e bëjnë këtë.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Mormonin 1–2 dhe e plotësova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: