Seminari
Njësia 32: Dita 2, Moroni 8–9


Njësia 32: Dita 2

Moroni 8–9

Hyrje

Moroni 8 është një letër që Mormoni ia shkroi birit të tij, Moronit, mbi arsyen përse fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë për pagëzim. Në letër, Mormoni gjithashtu na mësoi rreth mënyrës se si mund të përgatitemi që të jetojmë me Perëndinë. Ai përfundoi duke shprehur shqetësim për ligësinë dhe shkatërrimin e pashmangshëm të nefitëve. Moroni 9 përmban letrën e fundit të shkruar të Moronit për birin e tij. Ai shprehu hidhërim për gjendjen në ligësi të nefitëve dhe e nxiti Moronin të punonte me zell për t’i ndihmuar nefitët të pendoheshin. Pavarësisht nga gjendja e korruptuar e popullit të tij, ai e nxiti birin e vet që të ishte besnik në Krisht dhe ta mbante premtimin për jetë të përjetshme përgjithmonë në mendjen e tij.

Moroni 8:1–24

Mormoni i shkroi birit të tij, Moronit, rreth atyre që kanë nevojë të pagëzohen

A e keni pyetur ndonjëherë veten përse fëmijët në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk pagëzohen gjersa të bëhen tetë vjeç? Në një letër drejtuar birit të tij Moronit, Mormoni dha mësim disa të vërteta të rëndësishme rreth shpëtimit të fëmijëve të vegjël dhe pagëzimit, përfshirë arsyen përse fëmijët nuk pagëzohen derisa të bëhen tetë vjeç. Mormoni e filloi letrën e tij për Moronin duke folur rreth një debati (mosmarrëveshjeje) që kishin nefitët. Lexoni Moronin 8:4–6 dhe kërkoni doktrinën për të cilën nefitët po debatonin. (Ndërsa lexoni, mund të jetë e dobishme të dini se i madh në këtë kontekst do të thotë tepër i rëndë.)

Lexoni Moronin 8:7 dhe gjeni atë që bëri Mormoni kur dëgjoi për këtë problem. Shpëtimtari iu përgjigj lutjes së Mormonit duke shpjeguar përse fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë të pagëzohen përpara moshës së përgjegjshmërisë. Lexoni Moronin 8:8–9 dhe kërkoni atë që tha Shpëtimtari rreth arsyes përse të miturit dhe fëmijët e vegjël nuk pagëzohen.

Te Moroni 8:8, “mallkimi i Adamit” i referohet ndarjes nga prania e Perëndisë si rrjedhim i Rënies. Dukshëm, disa nefitë nuk e kuptonin doktrinën e pagëzimit. Prandaj, ata besonin gabimisht se fëmijët e vegjël qenë të padenjë të ishin në praninë e Perëndisë pa ordinancën e pagëzimit dhe donin t’i pagëzonin fëmijët kur ata ishin shumë të vegjël. Në kuptimin e këtij vargu, mund të jetë gjithashtu me dobi të shënohet se mëkati është “mosbindje e vullnetshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mëkat”, scriptures.lds.org). Për ta kuptuar më plotësisht doktrinën në këtë varg, mund të doni të krahasoni Moronin 8:8 me nenin e dytë të neneve të besimit.

Lexoni Moronin 8:10 dhe kërkoni fjalë që plotësojnë të vërtetën vijuese: Pendimi dhe pagëzimi janë të nevojshëm për të gjithë ata që .

Për shkak se pendimi dhe pagëzimi janë të nevojshëm vetëm për ata që janë të përgjegjshëm dhe të aftë të bëjnë mëkat, Mormoni dha mësim se është gabim të pagëzohen fëmijë të vegjël përpara se ata të jenë të përgjegjshëm. Lexoni Moronin 8:11–13, 18–22 dhe shihni për shpjegimin e Mormonit përse pagëzimi i fëmijëve të vegjël është i gabuar. Këto vargje na mësojnë këtë doktrinë: Fëmijët e vegjël shpëtohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Zoti e ka vendosur moshën kur fillon përgjegjshmëria – tetë vjeç (shih DeB 68:25–27; PJS, Zanafilla 17:11 [te Përzgjedhje nga Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it]). Përpara se fëmijët të bëhen tetë vjeç, ata nuk mund të mëkatojnë sepse Satanit nuk i është dhënë fuqi të tundojë fëmijë të vegjël (shih DeB 29:46–47). Çfarëdo gabimi që fëmijët bëjnë përpara moshës tetë vjeç, nuk konsiderohet mëkat.

vajzë duke u pagëzuar
Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi përse fëmijët nuk mund të bëjnë mëkate: “Ne e kuptojmë nga doktrina jonë se përpara moshës së përgjegjshmërisë një fëmijë ‘nuk mund të bëj[ë] mëkat’ (Moroni 8:8). Gjatë asaj kohe, fëmijët mund të bëjnë gabime, madje shumë të rënda dhe dëmtuese që duhet të korrigjohen, por veprimet e tyre nuk vlerësohen si mëkate” (“Sins and Mistakes”, Ensign, tetor 1996, f. 65).

Si një pjesë e letrës së tij, Mormoni gjithashtu dëshmoi se fëmijët e vegjël janë “të gjallë në Krisht” dhe se, nëse vdesin përpara se të bëhen tetë vjeç, ata janë të shëlbuar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Moroni 8:12–15, 22).

Ndërsa shpjegon përse të miturit dhe fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë për pagëzim, Mormoni dëshmoi për këtë parim: Perëndia është përsosmërisht i drejtë në punët e të Tij me fëmijët e Tij. Kjo do të thotë që Perëndia do të sigurojë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe të ndershme për të marrë shpëtim.

  1. journal iconVeprimtaria në vijim mund t’ju ndihmojë të mësoni si të shpjegoni doktrinat e dhëna mësim në pjesën e parë të Moronit 8. Zgjidhni një (ose të dyja) situatat e mëposhtme dhe, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përcaktoni një ose dy vargje nga Moroni 8:8–24 që ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të personit te situata. Pastaj shkruani një ose dy paragrafë që i përgjigjen situatës. Përdorni vargjet e shkrimeve të shenjta në përgjigjen tuaj.

    1. Si misionar, ju takoni një njeri që po kërkon sinqerisht të vërtetën. Ai shpjegon se gjithë jetën e tij i është mësuar se fëmijët e vegjël janë mëkatarë kur lindin për shkak të shkeljes së Adamit. Ai është i sigurt se, kur fëmijët vdesin pa qenë të pagëzuar, ata janë mëkatarë dhe nuk mund të shpëtohen.

    2. Një i kthyer në besim së fundi bie dakord që pagëzimi për fëmijët tetëvjeçarë është një ide e mirë, por ai pyet: “Nuk ka rëndësi vërtet nëse njerëzit pagëzohen kur janë tetë muajsh ose tetë vjeç, apo jo?”

Moroni 8:25–30

Mormoni na mëson se çfarë duhet të bëjmë që të banojmë me Perëndinë

Pasi dha mësim përse fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë të pagëzohen, Mormoni na mësoi se njerëzit që kanë arritur moshën e përgjegjshmërisë, duhet të pagëzohen. Ai gjithashtu shpjegoi se çfarë duhet të bëjmë pas pagëzimit tonë me qëllim që të jetojmë me Perëndinë.

Lexoni Moronin 8:25–26 dhe shihni për atë që duhet të bëjmë dhe karakteristikat që duhet të zhvillojmë me qëllim që të jetojmë me Perëndinë. Ju mund të doni t’i shenjoni këto gjëra në shkrimet tuaja të shenjta. Mund të jetë e dobishme të kuptohet se “bindje” do të thotë të jesh i nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë dhe “përulësi në zemër” do të thotë të jesh vërtet i përulur.

Ju mund të doni ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta te Moroni 8:25–26: Nëpërmjet bindjes besnike ndaj urdhërimeve, ne mund të marrim Frymën e Shenjtë, që na përgatit të jetojmë me Perëndinë.

  1. journal iconPyetjet vijuese mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë Moronin 8:25–26. Shqyrtojini të gjitha pyetjet dhe pastaj zgjidhni dy ose më shumë për t’iu përgjigjur në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse mendoni se marrja e heqjes së mëkateve tuaja mund të çojë në bindje dhe përulësi në zemër?

    2. Si mundet të qenit i bindur dhe i përulur në zemër ta ftojë Frymën e Shenjtë në jetën tuaj?

    3. Përse të pasurit e Frymës së Shenjtë ju ndihmon të përgatiteni të jetoni me Perëndinë?

    4. Mormoni dha mësim se, nëse duam të mbushemi me dashuri që qëndron, ne duhet të lutemi me zell. Përse mendoni se një lutje e zellshme është e nevojshme nëse duam të mbushemi me dashuri?

Siç është shënuar te Moroni 8:27, Mormoni e dënoi mëkatin e krenarisë midis nefitëve. Lexoni Moronin 8:27 dhe shihni për rezultatin e krenarisë së nefitëve. Pastaj krahasojeni këtë rezultat me rezultatet e të qenit të bindur dhe të përulur në zemër, që gjenden te Moroni 8:26.

Mormoni e nxiti Moronin të lutej për nefitët, kështu që ndoshta ata mund të pendoheshin dhe të merrnin bekimet që ai përshkroi në letrën e tij (shih Moronin 8:28–30). Duke përdorur këshillën e Mormonit për birin e tij, merrni parasysh të luteni për individë të veçantë që njihni, të cilët kanë nevojë të marrin bekimet e ungjillit, dhe kërkoni të gjeni mënyra për t’i ndihmuar ata individë.

Moroni 9:1–20

Mormoni përshkruan ligësinë e nefitëve dhe të lamanitëve

Kujtoni një rast kur jeni përpjekur të ndihmoni dikë dhe ai person i refuzoi përpjekjet tuaja. Si mund të reagojnë disa njerëz kur qëllimet e tyre të mira refuzohen vazhdimisht nga ata që po përpiqen t’i ndihmojnë? Ndërsa studioni letrën e dytë të Mormonit për djalin e tij, Moroni, që gjendet te Moroni 9, kërkoni atë që tha Mormoni për ta nxitur birin e tij që të mos hiqte dorë nga nefitët.

Lexoni Moronin 9:1 dhe kërkoni fjalën që përdori Mormoni për të përshkruar situatën që do të trajtonte në letrën e tij. Vini re se e dhimbshme në këtë kontekst do të thotë tepër shqetësuese. Siç është shënuar te Moroni 9:2–19, Mormoni përshkroi disa gjëra shqetësuese që ndodhnin midis njerëzve, duke treguar sa të ligj ishin bërë njerëzit. Sikurse Ethëri, që ishte një profet midis jareditëve, Mormoni dëshmoi zemërimin dhe ligësinë që kishte pushtuar popullin e tij. Ai kishte frikë se Shpirti i Zotit pati pushuar së përpjekuri me ta (shih Moroni 9:4).

Përsiatni përse Mormoni vazhdoi të punonte midis nefitëve edhe pse ata i kishin ngurtësuar zemrat e tyre ndaj fjalës së Perëndisë dhe nuk pranonin përpjekjet e profetëve për t’i ndihmuar ata.

Mormoni i dha disa këshilla të fuqishme Moronit, mbi atë se si duhej t’u shërbente njerëzve zemrat e të cilëve nuk qenë hapur. Lexoni Moronin 9:3–6 dhe shenjoni fjalë ose fraza që japin mësim këtë parim: Ne duhet të punojmë me zell në shërbim të Perëndisë, edhe nëse ata, të cilëve u shërbejmë, nuk përgjigjen pozitivisht.Vargu 6 është veçanërisht i dobishëm për ta dhënë mësim këtë parim.

Moroni 9:21–26

Mormoni e nxit Moronin të jetë besnik

Mendoni rreth ngjarjeve të kohëve të fundit në komunitetin, kombin tuaj, ose në botë, për të cilat njerëzit mund të ndihen të shkurajuar. Lexoni Moronin 9:25–26 për të zbuluar këshillën që Mormoni i dha Moronit se çfarë të bënte në rrethana shkurajuese.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë i tha Mormoni Moronit se duhej të “qëndro[nte] në mendjen [e tij] përherë”? (Moroni 9:25). Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e Shpëtimtarit dhe të Shlyerjes së Tij kur jeni në vështirësi apo kur jeni të rrethuar nga ligësia?

Nga këshilla e Mormonit për Moronin, ne mund të mësojmë këtë parim: Nëse jemi besnikë në Jezu Krishtin, Ai mund të na ngrejë edhe kur vështirësitë dhe ligësia na rrethojnë. Të qenit “besnik në Krisht” mund të nënkuptojë të përpiqesh gjithmonë të veprosh si dishepull i vërtetë i Shpëtimtarit, duke kujtuar Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij dhe duke mbajtur besnikërisht urdhërimet e Tij.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje në jetën tuaj ose të dikujt pranë jush që tregon se parimi i mësipërm është i vërtetë.

Mendoni rreth një mënyre se si mund të jeni edhe më besnik në Krisht kur jeni të rrethuar nga ligësi ose rrethana të vështira.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Moronin 8–9 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: