Njësia 31: Dita 3
Moroni 6
Hyrje
Moroni iu afrua përfundimit të shkrimeve të tij në fletët, duke shpjeguar disa nga cilësitë e një individi që të jetë i përgatitur për pagëzim në Kishë. Më pas, ai përvijoi përgjegjësitë që kanë anëtarët e Kishës për t’u kujdesur për anëtarët e tjerë. Moroni shpjegoi gjithashtu qëllimin e mbledhjeve të Kishës dhe theksoi nevojën që mbledhjet e Kishës të drejtohen me anë të ndikimit të Frymës së Shenjtë.
Moroni 6:1–3
Moroni shtjellon kërkesat për pagëzim
Përfytyroni sikur të keni një vëlla ose motër shtatëvjeçare që do të bëhet tetë vjeç/e brenda pak muajve. Prindërit ju kanë kërkuar të jepni mësim në një mbrëmje familjare mbi atë se si duhet përgatitur për pagëzim.
-
Në qoftë se do të jepnit atë mësim pikërisht tani, çfarë do të thoshit për ta ndihmuar vëllanë ose motrën tuaj që të përgatitej për t’u pagëzuar? Shkruajini mendimet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Pasi përfshiu lutjet e sakramentit në analin e tij (shih Moroni 4–5), Moroni shtoi një udhëzim lidhur me ordinancën e pagëzimit. Kërkoni te Moroni 6:1–3, duke parë për kërkesat për pagëzim. Ju mund të doni t’i shenjoni kërkesat që gjeni te shkrimet tuaja të shenjta.
Çfarë do të thotë se ata që duan të pagëzohen, duhet të sjellin “fryt, që ata [të jenë] të denjë për të”? (Moroni 6:1).
Përsiatni atë që mendoni se do të thotë të kesh “një zemër të thyer dhe shpirt të penduar” (Moroni 6:2) përpara se të pagëzohesh. Siç shënohet te Moroni 6:1–3, Moroni shpjegoi se nëpërmjet pagëzimit ne bëjmë besëlidhje të marrim përsipër emrin e Jezu Krishtit dhe t’i shërbejmë Atij deri në fund. Çfarë keni bërë për ta ruajtur dhe forcuar vendosmërinë tuaj për t’i shërbyer Jezu Krishtit?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani disa mënyra që keni përdorur qysh prej pagëzimit tuaj, që të ruani dhe forconi vendosmërinë tuaj për t’i shërbyer Jezu Krishtit.
Moroni 6:4
Moroni shpjegon si të kujdesemi për anëtarët e Kishës dhe t’i ushqejmë ata shpirtërisht
Pasi shpjegoi kërkesat që duhet të plotësojnë individët përpara se të pagëzohen, Moroni më pas shpjegoi se si ata që ishin pagëzuar rishtas, u qëndruan besnik besëlidhjeve të tyre. Lexoni Moronin 6:4 dhe shihni për atë që u bë, për t’i ndihmuar të kthyerit rishtas në besim që të qëndronin besnikë.
Përmblidhni atë që mësoni nga Moroni 6:4, rreth përgjegjësive tuaja ndaj anëtarëve të tjerë të Kishës.
Çfarë bekimesh, tregon Moroni 6:4, do të vijnë nga të ushqyerit me fjalën e Perëndisë?
Një e vërtetë e rëndësishme e dhënë mësim te Moroni 6:4 është që ne kemi përgjegjësi të kujtojmë dhe të ushqejmë shpirtërisht anëtarët e tjerë të Kishës.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për rëndësinë e të ushqyerit të njëri-tjetrit me fjalën e Perëndisë: “Shumë njerëz nuk vijnë në kishë thjesht për të kërkuar disa fakte të reja ungjillore ose për të takuar miq të vjetër, edhe pse e gjithë kjo është e rëndësishme. Ata vijnë në kërkim të një përvoje shpirtërore. Ata duan paqe. Ata duan që besimi i tyre të përforcohet dhe shpresa e tyre të përtërihet. Ata duan, shkurt, të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë, të forcohen nga fuqitë e qiellit. Ata prej nesh që thirren për të folur apo për të dhënë mësim ose udhëhequr, kanë një detyrim që të ndihmojnë të sigurohet ajo sa më mirë që të mundemi” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26).
A keni menduar ndonjëherë për numrin e madh të njerëzve që janë lutur për ju, kanë përgatitur mësime për ju, ju kanë nxitur ju e veprimtarinë tuaj në Kishë dhe ju kanë ndihmuar nëpër sfida?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth dy ose tre njerëzve që ju kanë kujtuar në një mënyrë domethënëse ose ju kanë ushqyer shpirtërisht.
Në një rast së shpejti, diskutoni me një anëtar të familjes ose mik se si keni qenë bekuar ngaqë dikush ju ka kujtuar ose ju ka ushqyer me fjalën e Perëndisë.
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tregoi historinë e një dhjaku në lagjen e tij, i cili kuptoi nevojën për të përmbushur përgjegjësinë e tij ndaj anëtarëve të tjerë të kuorumit të tij:
“Një nga anëtarët e kuorumit të tij jetonte pranë shtëpisë sime. Ai djalë fqinj nuk kishte marrë pjesë kurrë në mbledhje kuorumi, as kishte bërë ndonjë gjë me anëtarët e kuorumit të tij. Njerku i tij nuk ishte anëtar dhe nëna e tij nuk vinte në kishë.
Presidenca e kuorumit të tij të dhjakëve u takua në këshill një të diel në mëngjes. … Në mbledhjen e presidencës së tyre, ata barinj 13-vjeçarë u kujtuan për djalin që nuk vinte kurrë. Ata folën për nevojën e madhe që kishte ai për atë që merrnin ata. Presidenti caktoi këshilltarin e tij që të shkonte pas asaj deleje që endej.
Unë e njihja këshilltarin dhe e dija që ai ishte i turpshëm dhe e dija vështirësinë e detyrës, kështu që po shihja me kureshtje nga dritarja ime ballore kur këshilltari kaloi mundimshëm pranë shtëpisë sime, duke iu ngjitur rrugës për te shtëpia e djalit që nuk vinte kurrë në kishë. Bariu i kishte duart në xhepa. Sytë i shihnin përdhe. Ai ecte ngadalë, ashtu si do të ecnit ju nëse nuk do të ndiheshit i sigurt që do të donit të shkonit për ku ishit nisur. Pas afërsisht 20 minutash, ai u kthye duke zbritur rrugës me dhjakun e humbur që ecte përkrah tij. Ajo skenë u përsërit për disa të diela të tjera. Pastaj djali që pati humbur dhe qe gjetur, u largua.
… Vite më vonë, isha në një konferencë kunji, një kontinent larg nga dhoma ku ajo presidencë ishte mbledhur me këshillin. Një burrë i thinjur erdhi tek unë dhe tha qetësisht: ‘Nipi im jetonte në lagjen tuaj vite përpara’. Me dhembshuri, ai më tregoi për jetën e atij djali. Dhe pastaj pyeti nëse unë mund ta gjeja atë dhjak që ngjitej ngadalë asaj rruge. Dhe ai pyeste veten nëse unë mund ta falënderoja dhe t’i thoshja se nipi i tij, tani i rritur e bërë burrë, ende e kujtonte” (“Watch with Me”, Ensign, maj 2001, f. 38–39).
Shqyrtoni individë të veçantë, të cilët Zoti mund të dojë që t’i “kujtoni” apo t’i “ushqeni”. Planifikoni një mënyrë si mund të ndihmoni për t’i ushqyer shpirtërisht ata. Shkruajini emrat e tyre në një copë letër dhe vendoseni në një vend që do t’ju ndihmojë t’i kujtoni ata.
Moroni 6:5–9
Moroni përshkruan qëllimet e mbledhjeve të Kishës dhe se si duhet të drejtohen ato
Përfytyroni sikur të ishit prind i një adoleshenti, që gjatë disa javëve të kaluara ka thënë se ai apo ajo nuk dëshiron të shkojë në kishë, sepse i duket pa kuptim dhe e mërzitshme. Shqyrtoni çfarë do të thoshit për të ndihmuar që ta nxitnit fëmijën tuaj të merrte pjesë në kishë dhe të kuptonte arsyet e vërteta për të marrë pjesë rregullisht.
Në analin e tij, Moroni u frymëzua që të përshkruante arsyet pse anëtarët e Kishës takohen së bashku në ditën e Tij. Studioni Moronin 6:5–6 dhe shihni për atë se si mund ta plotësoni thënien vijuese: Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi shpesh së bashku për .
Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një pjesë nga një letër prej një miku, i cili shprehte një ndryshim në qëndrimin rreth pjesëmarrjes në kishë:
“Një mik i urtë shkroi:
‘Vite më parë unë ndryshova qëndrim lidhur me vajtjen në kishë. Nuk shkoj më në kishë për interesin tim, por që të mendoj për të tjerët. Caktoj si qëllim të përshëndes njerëzit që ulen vetëm, të mirëpres vizitorët, … të dal vullnetar për ndonjë detyrë. …
Shkurt, unë shkoj në kishë çdo javë me qëllim që të jem aktiv, jo pasiv, dhe të sjell një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve. Si rrjedhim, pjesëmarrja ime në mbledhjet e Kishës është shumë më e gëzueshme dhe përmbushëse.’
E gjitha kjo ilustron parimin e përjetshëm që ne jemi më të lumtur dhe më të plotësuar kur veprojmë dhe shërbejmë për atë që japim, jo për atë që marrim” (“Unselfish Service”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 96).
Ju mund ta keni plotësuar thënien e mësipërme me disa nga idetë vijuese.
Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi shpesh së bashku:
-
Për të agjëruar dhe për t’u lutur.
-
Për ta forcuar njëri-tjetrin shpirtërisht.
-
Për të marrë sakramentin në kujtim të Zotit Jezu Krisht.
Mendoni mbi përvojat që keni pasur, të cilat ju kanë mësuar mbi rëndësinë e të luturit dhe të agjëruarit së bashku me anëtarët e lagjes apo të degës suaj.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si do të ndryshonte përvoja juaj në kishë nëse do të merrnit pjesë me dëshirën për t’i forcuar të tjerët shpirtërisht?
-
Përse është me vlerë ta marrësh shpesh sakramentin në kujtim të Jezu Krishtit?
-
Si mund të ndihmojë të shkuarit në kishë për qëllimet e renditura më sipër, që të “mba[heni] në udhën e drejtë”? (Moroni 6:4).
-
Lexoni Moronin 6:7–8 dhe kërkoni atë për të cilën anëtarët e Kishës në kohën e Moronit ishin “të kujdesshëm”, ose me fjalë të tjera, atë që i kushtonin vëmendje të veçantë. Përse mendoni se është e rëndësishme që t’i japim mësim dhe ta nxitim njëri-tjetrin për ta shmangur dhe për t’u penduar për mëkatin?
Moroni dëshmoi se për sa herë që pendohemi dhe kërkojmë falje me dëshirë të sinqertë, ne do të falemi. Ju mund të doni ta shenjoni këtë të vërtetë te Moroni 6:8.
Moroni e përfundoi këtë kapitull duke dhënë mësim se si duhet të drejtohen mbledhjet tona të Kishës. Lexoni Moronin 6:9 dhe përcaktoni se cili duhet t’i udhëheqë mbledhjet tona në Kishë. Mendoni për një rast kur keni qenë veçanërisht të vetëdijshëm për ndikimin e Frymës së Shenjtë gjatë një mbledhjeje në Kishë.
Si mund të zbatohet te ju parimi që mbledhjet e Kishës duhet të drejtohen nga fuqia e Frymës së Shenjtë? Në qoftë se do t’ju kërkohej të jepni një bisedë ose të jepni një mësim gjatë një mbledhjeje të Kishës, si do të arrinit të siguroni se ajo që thoni ndihmon në udhëheqjen dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë gjatë asaj mbledhjeje?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një plan se si do t’u qaseni mbledhjeve të Kishës të dielën që vjen. Ju mund të doni të përfshini mënyra për ta ftuar Frymën e Shenjtë në adhurimin tuaj dhe se si mund t’i kujtoni dhe ushqeni të tjerët nëpërmjet pjesëmarrjes suaj.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Moronin 6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: