Seminari
Njësia 32: Dita 1, Moroni 7:20–48


Njësia 32: Dita 1

Moroni 7:20–48

Hyrje

Siç shënohet te Moroni 7:20–48, Mormoni e vazhdoi predikimin e tij në sinagogë duke u mësuar dëgjuesve të tij të “[mbështeten] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:20–21, 25). Ai shpjegoi rëndësinë e besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore. Ai e mbylli predikimin e tij me një kërkesë që dëgjuesit e tij t’i luteshin Atit me gjithë forcën e zemrave të tyre për dhuratën e dashurisë hyjnore – që Mormoni e përkufizoi si “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47).

Moroni 7:20–39

Mormoni jep mësim rreth besimit te Jezu Krishti

Rishikoni Moronin 7:12–13 dhe shqyrtoni atë që mësuat në mësimin e mëparshëm rreth mënyrës se si të dallojmë gjërat e mira nga gjërat e liga. Në hapësirën e dhënë, renditni shembuj të gjërave të mira (gjëra që vijnë nga Perëndia dhe na bindin të besojmë në Krisht) dhe gjërave të liga (gjëra që na bindin të mos besojmë në Krisht dhe të mos i shërbejmë Perëndisë):

Gjëra të Mira

Gjëra të Liga

Vini re që Mormoni na nxiti të “mbështete[mi] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:19). Përsiatni se çfarë mendoni se do të thotë të mbështetesh në çdo gjë të mirë.

Mormoni u bëri dëgjuesve të tij një pyetje të rëndësishme, që ai pastaj vazhdoi t’i përgjigjej. Lexoni Moronin 7:20 dhe gjeni pyetjen që Mormoni synonte të trajtonte. Pastaj kërkoni te Moroni 7:21–26, duke parë për përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Ndërsa shihni te Moroni 7:21, 25, shenjoni fjalë ose fraza që japin mësim këtë parim: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të mbështetemi në çdo gjë të mirë.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:

    1. Sipas Moronit 7:22–26, në çfarë mënyrash Ati Qiellor përpiqet të na ndihmojë të ndërtojmë besim te Jezu Krishti?

    2. Kur ju ka ndihmuar besimi tuaj te Jezu Krishti të mbështeteni në gjëra të mira ose ju ka ndihmuar të largoni diçka të ligë?

Mormoni vazhdoi të përshkruajë disa nga gjërat e mira që u vijnë atyre që ushtrojnë besim te Jezu Krishti. Lexoni Moronin 7:32–34 dhe shenjoni të paktën një bekim në secilin nga këto vargje, që vjen nga të pasurit besim te Jezu Krishti.

  1. journal iconMendoni dhe lutuni rreth diçkaje që mund të bëni për të ushtruar besim më të madh te Jezu Krishti. Kur keni një qëllim në mendje, shkruajeni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Ky qëllim mund të jetë për të bërë diçka të veçantë që do t’ju ndihmojë të ndiqni fjalët e profetëve (shih Moroni 7:23), të luteni me besim më të madh (shih Moroni 7:26), ose të pendoheni për një mëkat (shih Moroni 7:34). Ndërsa shkruani qëllimin tuaj, përfshini hollësi të veçanta rreth mënyrës se si do ta arrini atë. Gjithashtu shkruani se si ky qëllim do të sjellë gjëra të mira në jetën tuaj.

Moroni 7:40–43

Mormoni jep mësim rreth shpresës

Te predikimi i shënuar te Moroni 7, Mormoni përcaktoi tri parime hyjnore që janë të domosdoshme për jetë të përjetshme. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se këto “tri parime hyjnore formojnë themelin mbi të cilin ne mund të ndërtojmë godinën e jetës sonë”. Ai tha se këto tri parime “së bashku na japin një bazë mbështetjeje si këmbët e një stoli me tri këmbë” (“The Joy of Hope Fulfilled”, Ensign, nëntor 1992, f. 33).

stol me tri këmbë

Materiali vijues do t’ju ndihmojë të gjeni tri parimet që përcaktoi Mormoni. Parimi i parë është besimi, të cilin sapo e studiuat te Moroni 7:20–39. Emërtojeni një nga këmbët e stolit të mësipërm Besim te Jezu Krishti. Gjeni çfarë përfaqëson këmba e dytë duke lexuar Moronin 7:40. Shkruajeni atë parim te një këmbë tjetër e stolit.

Lexoni Moronin 7:41–42 dhe gjeni se për çfarë na mësoi Mormoni se duhet të kemi shpresë. (Moroni 7:41 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë.) Ju mund të doni të shtoni “për jetë të përjetshme” te emërtimi që vendosët te këmba e dytë e stolit, në mënyrë që të lexojë “Shpresë për jetë të përjetshme”.

President Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, foli rreth shpresës së cilës iu referua Mormoni:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shpresa është një dhunti e Shpirtit. Ka një shpresë që, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe fuqisë së Ringjalljes së Tij, ne do të ngrihemi në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tonë te Shpëtimtari. …

Shpresa nuk është njohuri, por më shumë besimi i qëndrueshëm që Zoti do të plotësojë premtimin që na ka dhënë. Ajo është besimi se, nëse jetojmë sipas ligjeve të Perëndisë dhe fjalëve të profetëve të Tij tani, ne do të marrim bekimet e dëshiruara në të ardhmen. Ajo është të besuarit dhe të priturit që lutjet tona do të marrin përgjigje. Ajo manifestohet në besimin te vetja, optimizmin, entuziazmin dhe këmbënguljen me durim” (“The Infinite Power of Hope”, Ensign ose “Forca e Pafundme e Shpresës” Liahona, nëntor 2008, f. 21–22).

Një parim që mësojmë nga Moroni 7:40–42, është: Nëse ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të marrim shpresë, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, që të ngrihemi në jetën e përjetshme.

Lexoni Moronin 7:43 dhe gjeni karakteristikat që kërkohen me qëllim që një person të ketë besimin dhe shpresën për të cilat foli Mormoni.

Të jesh “i bindur dhe i përvuajtur në zemër” do të thotë të jesh vërtet i përulur, i dashur dhe i nënshtruar ndaj vullnetit të Zotit. Si mendoni ju, përse të qenit i bindur dhe i përvuajtur në zemër janë të nevojshme për të pasur besim dhe shpresë te Shlyerja e Jezu Krishtit?

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani se si besimi tuaj te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij ju ka dhënë shpresë.

Moroni 7:44–48

Mormoni jep mësim rreth dashurisë hyjnore

Drejtojuni sërish vizatimit të stolit në fillim të mësimit. Lexoni Moronin 7:44 dhe përcaktoni parimin e tretë që u dha mësim nga Mormoni. Emërtojeni këmbën e tretë të stolit me këtë parim të fundit.

Siç është shënuar te Moroni 7:44–48, Mormoni dha një shpjegim të fuqishëm për dashurinë hyjnore. Lexoni Moronin 7:45–47 dhe shenjoni fjalët ose frazat që përdori Mormoni për të përkufizuar dashurinë hyjnore. (Moroni 7:45, 47–48 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë.) Për t’ju ndihmuar të kuptoni më mirë atë që po jepte mësim Mormoni, ju mund të doni të shkruani disa nga këto përkufizime në shkrimet tuaja të shenjta: “është e duruar” do të thotë të durosh me durim, “nuk ka smirë” do të thotë të mos jesh xheloz, “nuk krekoset” do të thotë të jesh i përulur dhe i butë, “nuk kërkon të mirën e vet” do të thotë të vësh Perëndinë dhe të tjerët përpara, “nuk nxitet lehtë” do të thotë të mos inatosesh lehtësisht dhe “beson të gjitha gjërat” do të thotë ta pranosh të gjithë të vërtetën.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni njërës ose më shumë pyetjeve vijuese:

    1. Bazuar në përkufizimin te Moroni 7:45–47, përse mendoni se dashuria hyjnore është dhurata më e madhe shpirtërore që mund të marrim?

    2. Çfarë mendoni se do të thotë që dashuria hyjnore nuk do të dështojë kurrë?

    3. Si mendoni ju, përse ne nuk jemi asgjë nëse nuk kemi dashuri hyjnore?

Pasi përmend mësimin nga Apostulli Pal mbi dashurinë hyjnore te 1 Korintasve 13, Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Shkaku që dashuria hyjnore nuk dështon kurrë dhe shkaku përse dashuria hyjnore është më e madhe edhe se veprat më të rëndësishme të mirësisë që ai citoi, është se ‘dashuria hyjnore e Krishtit’ (Moroni 7:47), nuk është një vepër por një gjendje ose mënyrë të qeni. Dashuria hyjnore arrihet nëpërmjet një vargu veprash që çojnë te kthimi në besim. Dashuria hyjnore është diçka që dikush bëhet. Kështu, siç deklaroi Moroni, ‘në qoftë se njerëzit nuk kanë dashuri hyjnore, ata nuk do të mund ta trashëgojnë’ vendin që është përgatitur për ta në pallatet e Atit (Ethëri 12:34; theksimi i shtuar)” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34.)

Lexoni situatat vijuese dhe shqyrtoni se si mund të përgjigjeshit nëse do t’ju mungonte dhurata e dashurisë hyjnore dhe si mund të përgjigjeshit nëse do të ishit mbushur me dashuri hyjnore:

  • Studentë të tjerë tallen me ju ose dikë tjetër në shkollë.

  • Ju keni një vëlla apo motër që shpesh ju bezdis.

  • Ju nuk e pëlqeni njërin nga këshilluesit e rinj të kuorumit apo të klasës aq sa pëlqenit udhëheqësin e mëparshëm.

Pasi shpjegoi sa me rëndësi është që të zhvillojmë dashurinë hyjnore në jetën tonë, Mormoni shpjegoi se si mund ta fitojmë këtë tipar jetik të karakterit. Lexoni Moronin 7:48 dhe shenjoni fjalë ose fraza që japin mësim këtë parim: Nëse i lutemi Atit me të gjithë fuqinë e zemrës dhe jetojmë si pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, ne mund të mbushemi me dashuri hyjnore. Përsiatni përse është e rëndësishme që të luteni me gjithë fuqinë e zemrës suaj për dhuratën e dashurisë hyjnore në vend që të luteni në mënyrë rastësore për këtë dhuratë.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një kohe kur ndiet se Zoti ju ndihmoi të kishit dashuri hyjnore. Ose shkruani rreth një kohe kur ju patë dikë tjetër të kishte dashuri hyjnore. Përveç kësaj, vendosni një qëllim të veçantë për mënyrën se si do të përmirësoheni në një nga karakteristikat e dashurisë hyjnore të renditura te Moroni 7:45. Lutuni për dhuratën e dashurisë hyjnore ndërsa përpiqeni ta përmbushni qëllimin tuaj.

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Moroni 7:41

Shkruajeni të gjithë vargun në një copë letër. Recitojeni vargun disa herë. Fshini (ose hiqni) fjalë ose fraza derisa të mund ta recitoni të gjithë vargun përmendsh.

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Moroni 7:45, 47–48

Shkruajeni germën e parë të çdo fjale të këtyre tre vargjeve në një copë letër. Referojuni letrës për ndihmë që të recitoni vargjet. Pasi t’i recitoni vargjet disa herë, fshini ose hiqni germat derisa të mund t’i thoni vargjet përmendsh. Pastaj zgjidhni një nga grupet vijuese të njerëzve për të cilët do t’ju pëlqente të keni më shumë dashuri hyjnore: familja, anëtarët e kuorumit të Kishës ose të klasës, shokët e shkollës, miqtë ose fqinjët. Mendoni rreth njerëzve që zgjodhët ndërsa lexoni Moronin 7:45, dhe shqyrtoni mënyra me të cilat do t’u shfaqni këtyre njerëzve më shumë dashuri si të Krishtit.

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një ose dy mënyra me të cilat ju do të tregoni dashuri hyjnore më të madhe për këta njerëz. Gjatë javës që vjen, lutuni për ndihmën e Zotit në zhvillimin e një dashurie hyjnore më të madhe për ta. Në fund të javës, ndani përvojën tuaj me një mik ose anëtar të familjes.

  2. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Moronin 7:20–48 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: