Seminari
Njësia 11: Dita 3, Mosia 4


Njësia 11: Dita 3

Mosia 4

Hyrje

Mësimet e mbretit Beniamin patën një ndikim të thellë te njerëzit që e dëgjuan atë. Këta njerëz ushtruan besim te Shlyerja, u penduan dhe morën një heqje të mëkateve të tyre. Më pas mbreti Beniamin u mësoi se ç’duhet të bënin për ta mbajtur heqjen e mëkateve. Ai bëri të ditur që ne jemi si lypësit, ngaqë varemi krejtësisht nga Perëndia për shpëtimin tonë. Mbreti Beniamin na paralajmëroi se duhet t’i mbikëqyrim përherë mendimet, veprat dhe veprimet tona.

Mosia 4:1–8

Turma pushtohet nga Shpirti dhe merr heqje të mëkateve

Përfytyroni sikur një shok të pyeste: “Si mund ta di që një mëkat i caktuar më është falur?” Si do të përgjigjeshit?

Studioni Mosia 4:1–3 dhe kërkoni të gjeni ide që ju ndihmojnë t’i përgjigjeni pyetjes së shokut tuaj. Shkruani se si mund të përgjigjeshit:

Një nga parimet që mësojnë këto vargje, është ky: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe pendohemi sinqerisht, ne marrim heqje të mëkateve tona. Një pendim i tillë është pjesë e rëndësishme në marrjen e gëzimit dhe të paqes së ndërgjegjes.

Si rregull, kur dikush na bën një pyetje, ne dëshirojmë të japim një përgjigje. Këtë herë, ndërsa mendoni si t’i përgjigjeni pyetjes së shokut tuaj, merrni parasysh se si mund t’i përgjigjeshit pyetjes me një pyetje. Mendohuni mbi vargjet Mosia 4:1–3 dhe mbi këtë thënie të Plakut F. Burton Hauard, një anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve: “Kur jeni penduar plotësisht, ju ndieni një paqe të brendshme. E dini në njëfarë mënyre se jeni falur, sepse barra që e keni mbajtur aq gjatë, fare papritur nuk gjendet më. Ka ikur dhe ju e dini se ajo ka ikur” (“Repentance”, Ensign, maj 1983, f. 59).

Mendoni një pyetje që mund t’ia bënit shokut apo shoqes suaj, që ta ndihmojë atë të zbulojë se si mund ta dimë që jemi falur.

Mund të jetë e dobishme të kuptoni dy shprehje te Mosia 4:1–3, teksa mendoni të bëni një pyetje. Të shikojmë vetveten në “gjendjen trupore”, do të thotë të njohim gjendjen tonë të rënë ose tokësore. Të shikojmë vetveten si “më të paktë se pluhuri i tokës”, do të thotë se pluhuri i tokës u bindet urdhërimeve të Perëndisë (shih Helamani 12:7–8), por fëmijët e Perëndisë jo gjithnjë u binden urdhërimeve të Tij.

Një shembull i përgjigjes me pyetje për pyetjen e shokut tuaj mund të jetë: A e ndieni paqen e ndërgjegjes kur mendoni që jeni penduar për mëkatin tuaj? A mbusheni me gëzim?

  1. journal iconPërgjigjiuni këtyre pyetjeve në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Populli i mbretit Beniamin u fal për shkak të “besimit të jashtëzakonshëm që ata kishin në Jezu Krishtin” (Mosia 4:3). Cilat veprime që shënohen te Mosia 4:1–2, vërtetojnë besimin e tyre? Ç’qëndrim e ndjenja duhet të kishit ju, që do të ishin të ngjashme me ato të popullit të Mosias?

    2. Në ç’mënyrë mund ta ushtroni besimin tuaj te Jezu Krishti ndërsa përpiqeni për heqjen e mëkateve tuaja?

Pasi i dëshmoi qëndrimet e penduara të popullit të tij, mbreti Beniamin u mësoi atyre disa nga gjërat që duhet të bënin për të fituar shpëtim. Ndërsa lexoni Mosia 4:4–8, kërkoni të gjeni se ç’duhet të bëjmë që të marrim shpëtimin.

Shpjegoni ose jepni shembuj se si po përpiqeni t’i bëni gjërat që përshkroi mbreti Beniamin:

“[Vendose] besimin [tënd] në Zotin”:

“[Ji] i zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të tij”:

“[Vazhdo] në besim, madje deri në fund të jetës [sate]”:

Mosia 4:9–30

Mbreti Beniamin jep mësim se si të mbahet heqja e mëkateve

Pasi nefitët morën një heqje të mëkateve të tyre, mbreti Beniamin i mësoi se si ta mbanin (ose ta ruanin) atë gjendje të pastër e të dëlirë. Në Mosia 4:9–11, 26, 28, 30, kërkoni të gjeni se çfarë duhet të besojmë e të bëjmë që ta mbajmë heqjen e mëkateve tona. Ato që gjeni, shënojini në tabelën që vijon:

Mbajtja e Heqjes së Mëkateve

Besoni

Bëni

Mbreti Beniamin i mësoi popullit të tij shumë gjëra, sikurse shënohen te Mosia 4:9–30, por një nga parimet më të rëndësishme që u mësoi, është: Nëse e përulim veten para Perëndisë dhe përpiqemi të zhvillojmë cilësi krishtërore, ne mund ta mbajmë heqjen e mëkateve tona.

  1. journal iconMbreti Beniamin na mësoi se ne duhet të “besojmë në Perëndinë” (Mosia 4:9) dhe ta kujtojmë gjithmonë “madhështinë e Perëndisë” (Mosia 4:11). Në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani se çfarë përvojash keni pasur ju ose ndokush që njihni, të cilat ju kanë ndihmuar të kuptoni se Perëndia është real, se Ai është i fuqishëm dhe se ju do. Si mendoni, përse është e rëndësishme të kuptoni e të kujtoni fuqinë, mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë? Kur ju i kujtoni këto gjëra, si ndikojnë ato mbi jetën tuaj?

Mbreti Beniamin përshkroi veprimet e njerëzve të cilët po përpiqen ta mbajnë heqjen e mëkateve të tyre. Studioni Mosia 4:12–16 që të mësoni disa nga veprimet që përcaktoi mbreti Beniamin. (Fjala ndihmoni te Mosia 4:16 do të thotë të japësh lehtësim ose ndihmë në kohë nevoje.)

  1. journal iconNë ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta shkruani se në ç’mënyrë tregojnë veprimet e përshkruara nga mbreti Beniamin se dikush po përpiqet ta mbajë heqjen e mëkateve të veta. A mund të renditni disa veprime të tjera që do të tregonin se dikush po përpiqet ta mbajë heqjen e mëkateve? Renditni një a më shumë mënyra se si u keni dhënë ndihmë nevojtarëve.

Mbreti Beniamin e krahasoi secilin prej nesh me lypësin, ngaqë ne, secili, varemi plotësisht nga Perëndia për çdo gjë që kemi. Kjo ngjashmëri mund të na ndihmojë t’i çmojmë bekimet që kemi marrë nga Zoti. Lexoni Mosia 4:19–21, duke kërkuar të gjeni se si ngjan me lypësin secili prej nesh në këndvështrimin e Perëndisë.

Mendoni për varësinë tuaj nga Perëndia. Për çfarë bekimi mund ta falënderonit Atin Qiellor në këtë çast?

Pasi na mësoi se kemi nevojë të vazhdueshme për ndihmë nga Perëndia, mbreti Beniamin na kërkoi të mendojmë se si duhet t’i trajtojmë ata që na kërkojnë ndihmë. Studioni Mosia 4:26–27, duke kërkuar të gjeni se si duhet t’i trajtojmë nevojtarët.

  1. journal iconNë ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta shënoni përgjigjen tuaj për këtë pyetje: Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e mësimeve të mbretit Beniamin te Mosia 4, që ju të jeni më të dhembshur ndaj atyre që kanë nevojë shpirtërore ose materiale?

  2. journal iconNdaluni një çast që të mendoheni për shkrimet e shenjta që keni studiuar sot. A ndiet ju një mbresë nga Fryma e Shenjtë se çfarë duhet të bënit, në bazë të atyre që mësuat nga mësimet e mbretit Beniamin? Shkruajeni këtë mbresë në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta.

Mbani mend që Zoti ka dashuri të thellë për ju. Kur pendoheni për çdo keqbërje dhe bëni më të mirën për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, ju mund ta mbani heqjen e mëkateve tuaja.

scripture mastery icon
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë Mosia 4:30

Lexojeni me zë Mosian 4:30. Cila është lidhja ndërmjet mendimeve, fjalëve dhe veprave tuaja?

thoughts diagram

Presidenti Ezra Taft Benson e përshkroi këtë lidhje: “Kini mendime të pastra. Ata që kanë mendime të pastra, nuk bëjnë veprime të pista. Ju nuk jeni përgjegjës përpara Perëndisë vetëm për veprimet tuaja, por edhe për kontrollimin e mendimeve tuaja. … Thënia e vjetër është ende e vërtetë, që ju mbillni mendime e korrni vepra, mbillni vepra dhe korrni zakone, mbillni zakone dhe korrni një karakter dhe karakteri juaj përcakton fatin tuaj të përjetshëm. ‘Ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai.’” (Shih Fjalët e Urta 23:7.) (Në Conference Report, tetor 1964, f. 60).

  1. journal iconKur mësoni t’i kontrolloni mendimet tuaja, ju do të korrni bekimin e të qenit më krishtërorë në fjalë dhe në veprime. Në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një a më shumë mënyra se si mund t’i kontrolloni mendimet tuaja e t’i mbani ato edhe më krishtërore.

  2. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

    E kam studiuar Mosian 4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: