Njësia 12: Dita 1
Mosia 7–8
Hyrje
Mbreti Mosia ishte biri i mbretit Beniamin, i cili qe biri i Mosias së parë të përshkruar në Librin e Mormonit. Afro 80 vjet përpara se Mosia të bëhej mbret, një burrë me emrin Zenif i priu një grupi nefitësh nga Zarahemla për t’u kthyer të banonin në tokën e Nefit (shih Omni 1:27–30). Mosia 7 shpjegon që mbreti Mosia ngarkoi “një burrë të fortë dhe të fuqishëm”, që quhej Amon (Mosia 7:3) dhe një grup të vogël të udhëtonin drejt tokës së Nefit (nganjëherë e quajtur toka e Lehi-Nefit) dhe të përcaktonin fatin e grupit të Zenifit. Amoni zbuloi pasardhësit e popullit të Zenifit, të cilët tani udhëhiqeshin nga nipi i Zenifit, Limhi. Mbërritja e Amonit u solli shpresë Limhit dhe popullit të tij, paudhësitë e të cilëve kishin lejuar që ata të viheshin në robëri të lamanitëve. Më parë, teksa përpiqeshin të gjenin Zarahemlën e të kërkonin ndihmë, një grup i popullit të Limhit gjeti 24 fletë të arta që përmbanin gdhendje. Kur Limhi e pyeti Amonin nëse mund t’i përkthente gdhendjet, Amoni i shpjegoi se një shikues, sikurse mbreti Mosia, mund t’i përkthente analet e lashta.
Vështrim i përgjithshëm i Mosias 7–24
A keni dashur ndonjëherë të çliroheshit nga ndjenja të këqija, një gjendje e dhimbshme, një rrethanë sfiduese apo shtypëse ose nga faji prej mëkatit? Përvojat e popullit për të cilat do të studioni në Mosia 7–24, mund t’ju mësojnë për çlirimin – ku ta kërkoni, si ta ftoni dhe madje si të prisni për të. Vëzhgoni mënyra se si mund t’i përdorni në jetën tuaj ngjarjet e popullit të Zenifit dhe të pasardhësve të tyre, së bashku me një dëshirë për t’u çliruar nga diçka që ju mban nën zgjedhë.
Përpara studimit të Mosias 7, do të jetë e dobishme që të familjarizoheni me udhëtimet e ndryshme që shënohen te Mosia 7–24. Veprimtaria e mëposhtme do t’ju japë një vështrim të përmbledhur për këto udhëtime, të cilat ndodhën gjatë një periudhe prej afro 80 vitesh (200 pr.K. deri 120 pr.K.). Informacioni në kuadratet me ngjyrosje të errët të tabelës shpjegon se çfarë ndodhi midis udhëtimeve.
Udhëtimi |
Cilët Udhëtuan Dhe Për Ku |
---|---|
1 |
Zenifi dhe nefitë të tjerë udhëtuan prej Zarahemlës drejt tokës së Nefit, e cila qe pushtuar nga lamanitët. Këta nefitë luftuan mes njëri-tjetrit dhe të mbijetuarit u kthyen në Zarahemla (shih Omni 1:27–28; Mosia 9:1–2). |
2 |
Zenifi dhe të tjerë u larguan nga Zarahemla dhe u vendosën në tokën e Nefit (shih Omni 1:29–30; Mosia 9:3–7). |
Pasi Zenifi vdiq, i biri, Noeu, mbretëroi në ligësi. Zoti dërgoi profetin Abinadi për t’i paralajmëruar njerëzit që të pendoheshin. Alma, një nga priftërinjtë e mbretit Noe, iu bind mesazhit të Abinadit dhe ua mësoi atë të tjerëve (shih Mosia 11–18). | |
3 |
Alma ikën për tek Ujërat e Mormonit dhe më vonë i prin një grupi besimtarësh drejt tokës së Helamit (shih Mosia 18:4–5, 32–35; 23:1–5, 19–20). |
Lamanitët sulmuan popullin e Noeut në tokën e Nefit. Noeu më vonë u vra dhe mbretëroi i biri, Limhi. Populli i Limhit ishte nën robërinë e lamanitëve (shih Mosia 19–20). | |
4 |
Limhi dërgoi një grup nefitësh për të gjetur Zarahemlën. Pasi humbi në vendin e shkretë, grupi zbuloi rrënojat e një kombi të shkatërruar dhe një dokument shënimesh të shkruar në 24 fletë të arta (shih Mosia 8:7–9; 21:25–27). |
5 |
Amoni dhe 15 të tjerë udhëtuan nga Zarahemla për të gjetur ata që ishin kthyer në tokën e Nefit (shih Mosia 7:1–6; 21:22–24). |
6 |
Limhi dhe populli i tij ikën prej lamanitëve dhe u udhëhoqën nga Amoni dhe vëllezërit e tij drejt Zarahemlës (shih Mosia 22:10–13). |
Pas ikjes së popullit të Limhit, lamanitët u dërguan një ushtri nga pas. Ushtria kishte humbur në vendin e shkretë, kur ata zbuluan Almën dhe njerëzit e tij në tokën e Helamit. Lamanitët i vunë ata nën robëri. Populli i Almës u lut për ndihmë që të arratiseshin (shih Mosia 22–24). | |
7 |
Zoti e çliroi Almën dhe popullin e tij dhe i udhëhoqi drejt Zarahemlës (shih Mosia 24:20–25). |
Vini numrin e secilit udhëtim në rrethin e duhur të hartës:
Mosia 7:1–8:4
Amoni gjen tokën e Nefit (Lehi–Nefit) dhe mbreti Limhi përshkruan se si hyri në robëri populli i tij
Në Mosia 7, Amoni dhe 15 burra të tjerë të fuqishëm udhëtuan prej Zarahemlës për të mësuar se çfarë u ndodhi njerëzve që Zenifi i kishte udhëhequr drejt tokës së Nefit 80 vite më përpara (shih Mosia 7:2; shih edhe udhëtimin 5 në hartë). Me mbërritjen në tokën e Nefit, Amonin dhe tre prej vëllezërve të tij i zunë rob dhe i futën në burg (shih Mosia 7:6–11). Pas dy ditësh u nxorën nga burgu dhe u morën në pyetje nga mbreti Limhi, që ishte nipi i Zenifit. Lexoni Mosia 7:12–15 për të parë se si e shpjegoi Amoni praninë e vet në tokën e Nefit dhe si reagoi Limhi.
Merrni parasysh se poshtëshënimi b për vargun 25 te Mosia 21:25–26 ka lidhje me vargun Mosia 7:14. Lexojini ato vargje për të kuptuar më tej përse Limhi ishte “jashtëzakonisht i kënaqur” të mësonte se nga kishte ardhur Amoni.
Duke përdorur atë që mësuat te Mosia 21:25–26, shpjegoni shkurtimisht përse Limhi ishte aq i kënaqur që mësoi se Amoni ishte nga Zarahemla:
Grupi që Limhi dërgoi për të kërkuar ndihmë, gjeti rrënojat e kombit jaredit. Ata besuan gabimisht se ishte Zarahemla dhe se nefitët e atjeshëm qenë asgjësuar (shih udhëtimin 4 në hartë). Ju do të mësoni për kombin jaredit në librin e Ethërit.
Mbreti Limhi mblodhi popullin e vet për t’i paraqitur Amonin. Limhi i foli popullit të tij për robërinë prej lamanitëve dhe shprehu shpresën se Perëndia do t’i çlironte së shpejti (shih Mosia 7:17–19). Lexoni Mosia 7:20, 24–26 dhe shenjojini arsyet përse populli i Limhit u soll nën robëri. (Profeti që përshkruhet te Mosia 7:26, është Abinadi, të cilin populli e kishte djegur deri në vdekje gjatë mbretërimit të mbretit të lig Noe, përpara mbërritjes së Amonit në vend.)
Mund të jetë mirë ta shenjoni shprehjen “të mëdha janë arsyet që ne kemi për të vajtuar” te Mosia 7:24, që t’ju ndihmojë të kujtoni se paudhësia, ose mëkati, ka pasojat e saj. Në këtë rast, shumë veta u vranë kur sulmuan lamanitët dhe populli u soll nën robëri. Të vajtosh, do të thotë të ndiesh trishtim ose keqardhje. Mendohuni për një çast nëse keni vajtuar ndonjëherë “për shkak të paudhësisë”.
Sidoqë është më mirë të mos mëkatoni, mësimi nga gabimet tuaja, kthimi te Perëndia për ndihmë dhe pendimi ju sjellin më pranë Perëndisë. Lexoni Mosia 7:29–32 dhe kërkoni të gjeni më shumë tregues që Limhi e kuptonte lidhjen midis paudhësisë së popullit të tij dhe trishtimit që po përjetonin. (Shprehja “të korrë byk”, te vargu 30, do të thotë të marrësh diçka të padobishme; “të korrë erën e lindjes”, te vargu 31, do të thotë të shkatërrohesh.)
-
Përgjigjiuni këtyre pyetjeve në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Në cilat mënyra mund të jenë të dobishme në jetën tonë pasojat nga mëkati? Si mund ta vëmë në zbatim atë që mësuam, dhe të mos e përsëritim mëkatin?
-
Pse është e rëndësishme të kuptojmë e të pranojmë sa serioze janë mëkatet tona? Pse është e rëndësishme të ndiejmë për to trishtim sipas Perëndisë? (Shih 2 Korintasve 7:10; trishtimi sipas Perëndisë është vetëdije e thellë se veprimet tona e kanë fyer Atin tonë në Qiell). Pse është e rëndësishme të mos e vonojmë pranimin dhe ndierjen e trishtimit për mëkatet tona?
-
Pasi Limhi i shpjegoi popullit të tij seriozitetin e mëkateve të tyre, ai i nxiti të bënin disa gjëra. Shenjoni ato që Limhi e nxiti popullin e tij t’i bënte, te Mosia 7:33.
Nga përvoja e popullit të Limhit mësojmë se pranimi i paudhësive tona dhe trishtimi sipas Perëndisë i ndier për to, mund të na bëjnë që t’i drejtohemi për çlirim Zotit.
Përfytyroni që një mik ose pjesëtar i familjes ndien keqardhje për mëkatet e veta dhe ka dëshirë të sinqertë të pendohet e të kthehet te Zoti, por nuk është i sigurt se si ta bëjë këtë. Kërkoni te Mosia 7:33 dhe shqyrtoni shprehjet që na mësojnë se si “të ktheheni te Zoti” me të vërtetë.
-
Në ditarin e shkrimeve të shenjta, i shkruani një letër këtij shoku ose pjesëtari të familjes, për t’i mësuar se si të kthehet te Zotit. Tregojani të trija shprehjet që zbuluat nga Mosia 7:33, dhe shpjegojani kuptimin e secilës shprehje 1) ose duke e thënë atë me fjalët tuaja, 2) ose duke dhënë një shembull për ato veprime apo qëndrime që mund të shohim në jetën e dikujt që po përpiqej ta vinte atë shprehje në zbatim.
Merrni parasysh a keni mëkate për të cilat nuk jeni penduar që mund t’ju shkaktonin trishtim dhe keqardhje juve dhe atyre që i doni. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë këshillë për fillimin e procesit të pendimit: “Studioni dhe thellohuni për të përcaktuar se sa të rëndë e quan shkeljen tuaj Zoti. Kjo do të sjellë pikëllim shërues dhe brejtje të ndërgjegjes. Gjithashtu do të sjellë një dëshirë të sinqertë për ndryshim dhe një gatishmëri për t’iu nënshtruar çdo kërkese për falje” (“Finding Forgiveness”, Ensign, maj 1995, f. 76).
Mosia 8:5–21
Amoni mëson për 24 fletët jaredite dhe i tregon Limhit për një shikues i cili mund t’i përkthejë ato
Rikujtoni nga udhëtimi 4 i hartës, në fillim të këtij mësimi, që njerëzit të cilët u përpoqën të gjenin udhën drejt Zarahemlës, zbuluan rrënojat e një kombi të tërë që ishte shkatërruar. Ata gjithashtu gjetën 24 fletë të arta, të cilat i ia çuan Limhit (shih Mosia 8:5–9). Limhi e pyeti Amonin nëse njihte dikë që kishte aftësinë t’i përkthente fletët (shih Mosia 8:12). Amoni i shpjegoi se disa personave mund t’u jepej fuqi nga Perëndia për të përkthyer. Lexoni Mosian 8:13 dhe shenjoni se si i quajti Amoni ata të cilëve u jepej kjo aftësi.
Amoni shpjegoi se Mosia, mbreti nefit në Zarahemla, ishte një shikues. Kërkoni te Mosia 8:16–18 dhe shenjoni aftësitë që i jepen një shikuesi përveç fuqisë për të përkthyer.
Këto vargje na mësojnë se Zoti jep profetë, shikues dhe zbulues për dobinë e njerëzimit. Sot, çdo pjesëtar i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve është profet, shikues dhe zbulues.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Këtyre 15 burrave që ne i mbështetim si profetë, shikues dhe zbulues, u jepet fuqi hyjnore për të parë atë që [të tjerët] nganjëherë nuk e shohin” (“Beware of the Evil behind the Smiling Eyes”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 47).
-
Përgjigjiuni këtyre pyetjeve në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:
-
Si mendoni ju, përse është mençuri t’i dëgjoni me vëmendje ata që mund të shohin gjërat që ju nuk mundeni?
-
Si keni përfituar ju nga dëgjimi me vëmendje i profetëve, shikuesve dhe zbuluesve?
-
Cilat janë disa mënyra si mund të mësoni prej profetëve, shikuesve dhe zbuluesve?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
E kam studiuar Mosian 7–8 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: