Seminari
Njësia 11: Dita 4, Mosia 5–6


Njësia 11: Dita 4

Mosia 5–6

Hyrje

Mosia 5 përfundon fjalën e mbretit Beniamin drejtuar popullit të tij, që filloi te Mosia 2. Si rrjedhojë e besimit të tyre në fjalët e mbretit Beniamin, njerëzit përjetuan një ndryshim të madh në zemër. Ata hynë në besëlidhje me Perëndinë dhe morën mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Siç shënohet te Mosia 6, mbreti Beniamin ia kaloi pushtetin e tij qeverisës të birit, Mosia, dhe Mosia sundoi me drejtësi, duke ndjekur shembullin e atit të tij.

Mosia 5:1–4

Populli i mbretit Beniamin përjeton një ndryshim të madh

Mendoni mbi pyetjet që vijojnë: A keni dëshiruar ndonjëherë të mund të ndryshoni diçka te vetja juaj? Çfarë bëtë për këtë?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkroi nevojën që ka secili nga ne të përjetojë një ndryshim të madh në jetën tonë: “Thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit ngulmon për një ndryshim themelor e të përhershëm në vetë natyrën tonë, i mundësuar nga mbështetja mbi ‘meritat dhe mëshirën dhe hirin e Mesias së Shenjtë’ (2 Nefi 2:8). Kur zgjedhim që ta ndjekim Mësuesin, ne zgjedhim të ndryshohemi – të rilindemi shpirtërisht” (“Duhet të Lindni Sërish”, Liahona, maj 2007, f. 20).

Mund të jetë mirë që shprehjen në vijim ta shkruani te shkrimet e shenjta përbri Mosias 5:2: “Kur zgjedhim që ta ndjekim Mësuesin, ne zgjedhim të ndryshohemi”.

Në cilat mënyra mendoni se zgjedhim të ndryshohemi, kur zgjedhim të ndjekim Jezu Krishtin?

Rishikoni përmbledhjet e kapitujve për Mosian 3 dhe Mosian 4 për të rikujtuar përqendrimin kryesor të fjalimit të mbretit Beniamin. Në mbyllje të predikimit të tij, mbreti Beniamin e pyeti popullin nëse i besoi fjalët që i kishte mësuar për Shlyerjen e Jezu Krishtit (shih Mosia 5:1). Lexoni Mosia 5:2–4 dhe kërkoni se çfarë ndryshoi në zemrën e njerëzve pasi i dëgjuan fjalët e mbretit të tyre. Ndërsa lexoni, do të jetë e dobishme të dini se “prirje” (Mosia 5:2) është thënë për qëndrimet, dëshirat ose temperamentin e një individi.

Plaku Dejvid A. Bednar

Lexoni këtë thënie nga Plaku Dejvid A. Bednar: “Ungjilli i Jezu Krishtit përfshin shumë më tepër se shmangien, mposhtjen dhe pastrimin nga mëkati e ndikimet e këqija në jetën tonë; ai gjithashtu në thelb kërkon të bësh të mirën, të jesh i mirë dhe të bëhesh më i mirë. … Përgjegjësia që kemi pranuar me besëlidhje, është që me anë të Shpirtit të Shenjtë të ndryshojmë zemrën aq sa ‘ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht’ (Mosia 5:2), ashtu si bëri populli i mbretit Beniamin. Ky ndryshim i madh nuk është thjesht rezultat i një pune më të zellshme ose i vendosjes së një disipline më të fortë vetjake. Më saktë, ai është rrjedhoja e një ndryshimi themelor të dëshirave tona, shtysave tona dhe natyrës sonë, të mundësuar përmes Shlyerjes së Krishtit Zot. Qëllimi ynë shpirtëror është që të mposhtim edhe mëkatin, edhe dëshirën për mëkat” (“Clean Hands and a Pure Heart”, Liahona, nëntor 2007, f. 81–82).

  1. journal iconNë ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni këtyre pyetjeve:

    1. Si mendoni ju, çfarë do të thotë të përjetosh një “ndryshim të madh” në zemrën tënde? (Mosia 5:2).

    2. Kur zgjedhim të ndjekim Jezu Krishtin, përse na nevojitet të ndryshojmë prirjet tona dhe jo thjesht sjelljen?

    3. Si mendoni ju, përse Shlyerja e Jezu Krishtit është e domosdoshme që brenda nesh të ndodhë një ndryshim?

Studioni Mosian 5:2, 4, duke kërkuar se çfarë bënë njerëzit që lejoi t’u ndodhte përbrenda një ndryshim i madh i zemrës. Ju mund t’i shenjoni këto gjëra në librat tuaja të shkrimeve të shenjta. Mbani mend se fjalët e mbretit Beniamin ishin për fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe se populli pati besim të madh në këto fjalë.

Një nga parimet që mësojmë nga këto vargje, është ky: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe marrim Shpirtin e Shenjtë, ne mund të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës.

  1. journal iconBazuar në studimin tuaj të Mosias 5:1–4 dhe në parimin e mësipërm, shkruani në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë mund të bëni për të ushtruar më shumë besim te Shpëtimtari. Çfarë gjërash konkrete mund të bëni, duke filluar nga sot, që të ushtroni më shumë besim, në mënyrë që të nxitni e të mbani në jetën tuaj një ndryshim të madh të zemrës?

Mosia 5:5–15

Populli i mbretit Beniamin hyn në besëlidhje me Perëndinë dhe i jepet një emër i ri

Pasi populli i mbretit Beniamin përjetoi një ndryshim të madh të zemrës, ai dëshironte të hynte në besëlidhje me Zotin. Në Mosia 5:5 përcaktoni fjalë ose shprehje që tregojnë nivelin e zotimit që ndjeu populli i mbretit Beniamin në drejtim të bërjes dhe të mbajtjes së kësaj besëlidhjeje.

Kur bëjmë besëlidhje me Perëndinë, Ai përcakton kushtet e besëlidhjeve dhe ne biem dakord me kushtet. Atëherë Perëndia na premton bekime të caktuara për shkak të bindjes sonë (shih DeB 82:10). Bërja e besëlidhjeve është një mënyrë për t’i treguar Zotit se jemi të sinqertë në dëshirat për t’i shërbyer Atij.

  1. journal iconPërgjigjiuni këtyre pyetjeve në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat shprehje te Mosia 5:5 ju kujtojnë premtimet që i përtërijmë sa herë marrim sakramentin?

    2. Si mendoni se na ndihmon bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve që ta ruajmë “ndryshimin [e madh] të zemrës”?

Rikthehuni te Mosia 1:11–12. Një nga qëllimet e mbretit Beniamin për mbledhjen e popullit të tij ishte që t’u vinte një emër. Lexoni Mosian 5:6–7 dhe shenjoni emrin që mbreti Beniamin i vuri popullit të vet mbasi patën bërë besëlidhjen e tyre me Zotin.

Këto vargje na mësojnë këtë parim: Ne e marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta. Lexoni Mosian 5:8–14 dhe kërkoni të gjeni përse është e nevojshme që ne të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit.

Cilat janë disa bekime nga shkruarja e emrit të Jezu Krishtit në zemrën tonë?

Çfarë mund ta bëjë emrin të “fshihet” nga zemra juaj ose zemra e dikujt?

Lexoni Mosian 5:15 dhe kërkoni të gjeni premtimet që Zoti u bën atyre që i zbatojnë besëlidhjet.

  1. journal iconNë ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta shkruani se si ndiheni kur mendoni për shkruarjen e emrit të Jezu Krishtit në zemrën tuaj. Shkruani një a më shumë arsye përse doni që këtë emër ta mbani dhe të mos e humbisni asnjëherë.

Mosia 6:1–7

Mosia fillon mbretërimin e tij si mbret

Lexoni Mosian 6:3 dhe përcaktoni se çfarë bëri mbreti Beniamin para se ta linte turmën të ikte.

Çfarë bëri mbreti Beniamin për ta ndihmuar popullin e tij të kujtonte besëlidhjet që kishin bërë?

  1. journal iconNë ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta shënoni se si ju ndihmojnë udhëheqësit e priftërisë dhe mësuesit që t’i zbatoni besëlidhjet.

Mbreti Beniamin vdiq tre vjet pasi mbajti ligjëratën e tij. Lexoni Mosian 6:6–7 dhe kërkoni mënyrën se si e ndoqi mbreti Mosia shembullin e të atit si udhëheqës i drejtë.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    E kam studiuar Mosian 5–6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: