Njësia 13: Dita 2
Mosia 19–20
Hyrje
Pasi Alma dhe populli i tij u arratisën prej ushtrisë së mbretit Noe, njerëzit që mbetën me Noeun, filluan të vuajnë pasojat e profetizuara nga Abinadi. Rrëfimi i nefitëve në tokën e Lehi-Nefit na kujton se, kur nuk e pranojmë këshillën e shërbëtorëve të Zotit, ne përjetojmë pasoja të rënda. Nga ana tjetër, kur u bindemi profetëve, ne gëzojmë paqe e siguri edhe përgjatë sprovave tona. Ndërkohë që e studioni këtë mësim, mendoni rreth mënyrës se si mund të merrni paqe dhe siguri, të cilat vijnë kur ia vëmë veshin këshillës së profetëve bashkëkohorë të Zotit.
Mosia 19–20
Nefitët në tokën e Lehi-Nefit përjetojnë përmbushjen e profecive të Abinadit
Lexoni përvojën që vijon, të treguar nga Plaku Dejvid R. Stoun, i cili atëherë po shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, dhe mendoni rreth rëndësisë së paralajmërimeve shpirtërore që i marrim nëpërmjet profetëve:
“Një të diel në mëngjes … ne u zgjuam një ditë të bukur në Santo-Domingo në Republikën Dominikane. Dielli i Karaibeve po ndriçonte dhe qielli ishte i kthjellët. Po frynte një fllad i butë, [që] mezi shpupuriste gjethet në pemë; ishte ngrohtë, si dhe qetësi e prehje. Por diku larg në det, përtej aftësive perceptuese të shqisave tona fizike atë ditë, shkatërruesi vdekjeprurës po vinte drejt nesh, i paqetësueshëm dhe i pafrenueshëm. Qendra e Uraganeve, me përgjegjësinë për të ndjekur dhe për të parashikuar drejtimin e Uraganit Xhorxhis, po freskonte vazhdimisht të dhënat e gjendura në internet. Në qetësinë e patrazuar e të pazhurmshme të atij mëngjesi, përmes atyre syve vëzhgues satelitorë në qiell, unë pashë udhën e parashikuar të stuhisë, të drejtuar si shigjetë për në zemër të Santo-Domingos.
Brenda 48 orëve stuhia goditi ishujt me forcë … [e] tërbim, duke lënë në udhën e vet shkatërrim, shkretim dhe vdekje. …
Po aq të mëdha sa mund të jenë dëmtimi dhe shkatërrimi e vdekja nga këto fenomene të tmerrshme të forcës fizike, ka edhe më tepër shkretim të shkaktuar në jetën e njerëzve nga uraganet shpirtërorë. Këto forca të tërbuara shpesh shkaktojnë shumë më tepër dëmtim rrënues sesa ciklonet fizikë, pasi ato shkatërrojnë shpirtrat tanë dhe na grabisin të ardhmen dhe premtimin e përjetshëm. …
Ne e vendosim vetveten në shtegun e këtyre uraganeve shpirtërorë kur jepemi pas zemërimit, alkoolit dhe abuzimit; epshit dhe shthurjes; imoralitetit dhe pornografisë; drogave, krenarisë, lakmisë, dhunës, zilisë dhe gënjeshtrave – lista është e gjatë. …
Por ne gjithashtu kemi rojet tona ndaj uraganeve shpirtërorë, ata, thirrja e të cilëve është të vëzhgojnë dhe të paralajmërojnë, duke na ndihmuar të shmangim dëmtimin shpirtëror, shkatërrimin dhe madje vdekjen. Rojet tona mbi kullë njihen nga ne si apostuj dhe profetë. Ata janë sytë tanë shpirtërorë në qiell dhe ata e dinë, përmes frymëzimit dhe tejshikimit e inteligjencës së pastër, drejtimin që mund të marrin këto stuhi. Ata vazhdojnë t’i ngrenë zërat e tyre të paralajmërimit për të na treguar pasojat tragjike nga shkeljet e vullnetshme dhe të papërmbajtshme të urdhërimeve të Zotit. T’i shpërfillësh me qëllim paralajmërimet e tyre është t’i bësh shoqëri mjerimit, brengës dhe rrënimit. T’iu bindesh atyre është t’iu bindesh shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit nëpër kullotat shpirtërore të paqes dhe begatisë” (“Spiritual Hurricanes”, Ensign, nëntor 1999, f. 31–32).
Gjeni një çast dhe përsiatni rreziqet për të cilat keni dëgjuar profetët dhe apostujt të na paralajmërojnë. Si mund të na mbrojnë fjalët e tyre nga “uraganet shpirtërorë”?
Perëndia dërgoi Abinadin për ta paralajmëruar popullin e Lehi-Nefit për shkatërrimin që po vinte nëse nuk pendoheshin.
-
Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për të shkruar nën secilën referencë:
Profeci rreth popullit të mbretit Noe (Mosia 12:1–2)
Përmbushja (Mosia 19:10, 14–15; 20:20–21; 21:3–4, 8, 10–13)
Profeci rreth mbretit Noe (Mosia 12:3)
Përmbushja (Mosia 19:18–20)
A.
B.
Rishikoni profecitë e Abinadit për nefitët në tokën e Lehi-Nefit duke lexuar referencat e shkrimeve të shenjta në kolonën e majtë të tabelës. Nën referencat e duhura të shkrimeve të shenjta, shkruani pasojat që Abinadi tha se do t’i hasnin mbreti Noe dhe populli i tij nëse nuk pendoheshin. Në fund të kolonës së majtë (A), shkruani se si mendoni ju se mund të ishit ndier dhe çfarë mund të kishit bërë nëse ju do t’i kishit dëgjuar paralajmërimet e Abinadit.
Përpara se të filloni të punoni në kolonën e djathtë të tabelës, kryeni veprimtarinë më poshtë në manual. Kjo veprimtari do t’ju ndihmojë të njiheni më mirë me ngjarjet e Mosias 19–20 dhe të dalloni përmbushjen e profecive të Abinadit, të shënuara në këta kapituj.
Ndërkohë që studioni Mosian 19–20, renditni 11 ngjarjet vijuese sipas rendit në të cilin ato ndodhin në shkrimet e shenjta. Përmbledhjet e kapitujve në fillimin e secilit kapitull do të japin të dhëna të dobishme për t’ju udhëzuar.
-
Gideoni përpiqet të vrasë mbretin Noe.
-
Gratë dhe fëmijët nefitë u luten lamanitëve që të mos i vrasin.
-
Mbreti Noe vuan vdekjen nga zjarri.
-
Një ushtri lamanite vjen në kufijtë e Shemlonit.
-
Priftërinjtë e mbretit Noe rrëmbejnë 24 bija të lamanitëve.
-
Mbreti lamanit i lutet ushtrisë së tij që ta kursejë popullin e Limhit.
-
Disa nga njerëzit e Noeut ia mbathin para lamanitëve, duke i lënë gratë dhe fëmijët e tyre pas.
-
Limhi e urdhëron popullin e tij të mos e vrasë mbretin lamanit.
-
Për dy vjet ka paqe mes nefitëve dhe lamanitëve.
-
Limhi premton që populli i tij do t’u paguajë lamanitëve gjysmën e zotërimeve të tyre.
-
Nefitët zmbrapsin një sulm lamanit dhe kapin mbretin lamanit.
(Përgjigjet për këtë veprimtari gjenden në fund të këtij mësimi.)
-
Pasi t’i keni renditur me sukses të 11-të thëniet, kthehuni tek tabela në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Hetoni shkrimet e shenjta në kolonën e djathtë për hollësi rreth mënyrës se si profecitë e Abinadit u përmbushën. I shënoni këto hollësi në tabelën tuaj në kolonën e djathtë. Në fund të kolonës së djathtë (B), shpjegoni se çfarë keni mësuar rreth pasojave të mospranimit të fjalëve paralajmëruese të profetëve.
Lexoni Mosian 20:21 dhe i vini shenjë thënies së Gideonit që tregon të kuptuarin e tij se mospranimi i fjalëve të shërbëtorëve të Zotit sjell vuajtje dhe hidhërim.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 133:63, 70–72 për të parë se si ky parim gjen zbatim tek ata njerëz të ditëve të fundit, të cilët nuk do ta dëgjojnë Zotin ose shërbëtorët e Tij. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë referencë në shkrimet tuaja të shenjta si një referencë-kryq për Mosian 20:21. Shihni bisedat e konferencës së përgjithshme më të fundit në revistat Ensign ose Liahona (botimet e majit dhe nëntorit) ose në LDS.org për të gjetur fjalët e profetëve lidhur me këto çështje.
Përsiatni këtë pyetje: Çfarë i keni dëgjuar profetët t’ju mësojnë kohët e fundit, që do t’i ndihmojë individët, familjet dhe kombet t’i shmangen vuajtjes dhe hidhërimit?
Për të kuptuar një shembull të hidhërimit dhe vuajtjes që mund të vijnë kur i mohojmë profetët e Zotit, shihni pasojat që Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se do t’u vinin atyre që përfshihen në pornografi:
“Pornografia dëmton aftësinë e një njeriu për të gëzuar një marrëdhënie normale emocionale, romantike dhe shpirtërore me një njeri të gjinisë së kundërt. Ajo gërryen pengesat morale që qëndrojnë kundër sjelljes së papërshtatshme, jonormale ose të paligjshme. Ndërsa ndërgjegjja bëhet e pandjeshme, përdoruesit e pornografisë drejtohen për të vepruar sipas asaj që kanë parë, pavarësisht nga ndikimet e saj në jetën e tyre dhe në jetën e të tjerëve.
Pornografia gjithashtu krijon varësi. Ajo i dëmton aftësitë për të marrë vendime dhe i ‘lidh me ganxha’ përdoruesit e saj, duke i tërhequr mbrapa në mënyrë ngulmuese gjithnjë e më shumë” (“Pornography”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 89).
Mendoni për disa shembuj të hidhërimit dhe vuajtjes që vijnë kur e shpërfillim këshillën e profetëve lidhur me tema të tilla si kumari, pornografia, Fjala e Urtësisë, mashtrimi, tatuazhet, shpuarja e trupit, veshja e pahijshme ose dalja në takime përpara moshës 16-vjeçare.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’i ndihmojë individët dhe familjet ndjekja e këshillës së shërbëtorëve të Zotit mbi tema të tilla si forcimi i familjeve, të jetuarit e ligjit të dëlirësisë ose bindjes ndaj Fjalës së Urtësisë që të shmangin një pjesë të vuajtjes dhe hidhërimit që përjetojnë?
Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi se ne mund të kemi paqe dhe të kthehemi në praninë e Perëndisë duke i ndjekur profetët:
“Jap dëshminë time se profetët e kësaj kohe kanë cilësitë e profetëve të lashtë dhe të profetëve të tjerë të kësaj periudhe ungjillore. …
… Siguria jonë shpirtërore gjendet kur kthehemi për të dëgjuar zërin e qartë të profetit tonë të gjallë. Nëse e dëgjojmë zërin e tij dhe i bindemi këshillës së tij, ne vërtet do të jemi në gjendje të jetojmë ashtu si Krishti do të donte që të jetonim dhe do të durojmë deri në fund në mënyrë që një ditë ne, së bashku me familjet tona, do të kthehemi sërish në praninë e Atit tonë Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit” (“Hear the Prophet’s Voice and Obey”, Ensign, maj 1995, f. 17).
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si ju do të donit që studimi juaj i Mosias 19–20 të ndikojë në mënyrën se si ju e dëgjoni këshillën e profetëve të Zotit. Mendoni për një përvojë rreth mënyrës se si keni marrë paqe dhe siguri shpirtërore duke ndjekur këshillën e shërbëtorëve të Zotit dhe shënojeni atë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Mosian 19–20 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:
Përgjigjet e veprimtarisë sipas rendit të duhur: 1, 4, 5, 2, 8, 11, 3, 10, 7, 6, 9.