Njësia 25: Dita 1
3 Nefi 11:18–12:48
Hyrje
Pasi njerëzit që ishin në tempull në tokën e Begatisë, kishin prekur individualisht shenjat e plagëve në anën, duart dhe këmbët e Jezu Krishtit, Shpëtimtari iu dha Nefit dhe të tjerëve fuqinë për të pagëzuar. Shpëtimtari i paralajmëroi njerëzit ta shmangnin grindjen dhe u premtoi se ata që e jetojnë ungjillin, do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Ai gjithashtu i mësoi ata se si të merrnin bekimet e ungjillit të Tij dhe i udhëzoi që të ndikonin tek të tjerët për mirë. Shpëtimtari shpalli se Ai e kishte përmbushur ligjin e Moisiut dhe u dha njerëzve një ligj më të lartë për t’i përgatitur të bëheshin si Ai dhe si Ati ynë në Qiell.
3 Nefi 11:18–30
Jezu Krishti iu jep Nefit dhe të tjerëve fuqinë për të pagëzuar dhe dënon grindjen
A ju kujtohen mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa po përgatiteshit për pagëzimin tuaj, ose keni parë një mik apo anëtar të familjes të përgatitet për t’u pagëzuar? Shumë njerëz kanë pyetje të tilla si: “Kush mund të më pagëzojë mua?” dhe “Si kryhet ordinanca e pagëzimit?” Merrni parasysh se si do t’u përgjigjeshit atyre pyetjeve.
Ndërsa studiuat 3 Nefin 11:1–17, ju mësuat për shfaqjen e Jezu Krishtit mes “popullit të Nefit rreth e përqark tempullit që ishte në vendin Begati” (3 Nefi 11:1). Këta njerëz prekën shenjat e plagëve të Tij dhe u bënë dëshmitarë personalë të Ringjalljes dhe hyjnisë së Tij. Menjëherë pas kësaj përvoje, Shpëtimtari i mësoi rreth pagëzimit, duke përfshirë se kush mund të pagëzojë dhe se si duhet të kryhen pagëzimet.
Lexoni 3 Nefin 11:18–22, 24–25 dhe shkruani një përgjigje për pyetjen “Kush mund të më pagëzojë mua?”
Siç shënohet te 3 Nefi 11, nga ajo që Shpëtimtari tha dhe bëri, ne mësojmë: Pagëzimi duhet të kryhet nga një njeri që mban autoritetin e duhur. Zbulesa moderne sqaron se pagëzimi mund të kryhet vetëm nga një njeri që mban detyrën e priftit në Priftërinë Aarone (shih DeB 20:46) ose që ka Priftërinë Melkizedeke (shih DeB 20:38–39; 107:10–11). Për më tepër, ai duhet të veprojë nën drejtimin e një udhëheqësi të priftërisë i cili mban çelësat e priftërisë, të nevojshëm për ta autorizuar ordinancën (të tillë si një peshkop, president dege, president misioni ose Autoritet i Përgjithshëm).
Lexoni 3 Nefin 11:23–27 dhe shkruani një përgjigje për pyetjen: “Si kryhet ordinanca e pagëzimit?”
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani arsyen përse mendoni që pagëzimi duhet të bëhet sipas mënyrës së caktuar nga Zoti. Çfarë ndodh nëse fjalët e ordinancës së pagëzimit nuk thuhen siç duhet ose nëse personi që pagëzohet, nuk zhytet tërësisht nën ujë?
-
Përgjigjiuni njërës ose më shumë prej grupeve vijuese të pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mbani mend rreth arsyes përse u pagëzuat dhe rreth shërbesës së pagëzimit? Kush ju pagëzoi? Sa vjeç ishit? Çfarë ndjenjash patët kur u pagëzuat? Çfarë do të thotë për ju që jeni pagëzuar nga një njeri që mbante autoritetin e duhur dhe në mënyrën e caktuar nga Zoti?
-
A keni parë ndonjë njeri duke u pagëzuar kohët e fundit? Çfarë ndjenjash patët?
-
Nëse mbani detyrën e priftit në Priftërinë Aarone, si ndiheni që e dini se keni autoritetin për të pagëzuar? Nëse keni pasur mundësinë të pagëzonit dikë, çfarë ndiet dhe mësuat gjatë [asaj] përvoje?
-
Siç është shënuar te 3 Nefi 11:28–30, Zoti i këshilloi njerëzit të mos grindeshin apo ziheshin (debatonin) me njëri-tjetrin rreth pagëzimit ose pikave të tjera të doktrinës. Ai dha mësim që grindja vjen nga djalli dhe duhet t’i jepet fund.
3 Nefi 11:31–41
Jezu Krishti shpall doktrinën e Tij
Mendoni për diçka që bëtë sot (një veprim) i cili dha një pasojë pozitive. Shkruajeni veprimin dhe pasojën në anët e duhura të skicës vijuese. Pastaj mendoni për diçka që bëtë sot që dha një pasojë negative.
Lidhja e një veprimi me një pasojë ndonjëherë quhet ligji i korrjes. Zbulesa moderne e përshkruan atë në këtë mënyrë: “Sepse çfarë të mbillni, atë edhe do të korrni; prandaj, në qoftë se mbillni mirësi, ju gjithashtu do të korrni mirësi për shpërblimin tuaj” (DeB 6:33).
Lexoni 3 Nefin 11:31 dhe përcaktoni se çfarë tha Jezu Krishti se do t’u shpallte njerëzve.
-
Siç është shënuar te 3 Nefi 11:32–39, Jezu Krishti shpalli doktrinën e Tij, “që Ati [i] dha [Atij]” (3 Nefi 11:32). Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Lexojeni secilën referencë të shkrimit të shenjtë dhe përcaktoni mësimet dhe pasojat që Jezu Krishti dha mësim se lidheshin me doktrinën e Tij. Shënojeni atë që zbuloni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Veprimet
Pasojat
Sipas tabelës suaj, cilat janë veprimet kyç që Jezu Krishti dha mësim se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor duhet t’i bëjnë që të hyjnë në mbretërinë e qiellit?
Ju mund të keni vënë re se 3 Nefi 11:32 bën të ditur që Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Përsiatni rastin më të fundit kur Fryma e Shenjtë ju ka dhënë dëshmi për realitetin dhe dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit.
3 Nefi 12:1–16
Jezu Krishti e mëson turmën rreth bekimeve që marrim kur e jetojmë ungjillin e Tij
Plotësojeni provimin me alternativa në vijim me përgjigje të llojit e vërtetë [V] ose e rreme [Rr], duke rrethuar përgjigjet në vijim:
-
Ati Qiellor dëshiron që ne të jemi të përsosur.
-
Ne duhet të jemi të përsosur në këtë jetë në mënyrë që të hyjmë në mbretërinë çelestiale.
-
Ne mund të bëhemi të përsosur.
Për t’ju ndihmuar të kontrolloni përgjigjet tuaja, lexoni së pari 3 Nefin 12:48. (Ky është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme me qëllim që të mund ta gjeni në të ardhmen.)
Si është e mundur bërja i përsosur? Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon rreth urdhërimit për të qenë i përsosur: “Nuk ka nevojë që të tutemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme [të vështira] dhe të pafundme. Përsosja pret. Mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. I pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij” (“Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 88).
Përsiatni pyetjen vijuese: Si mendoni ju, çfarë do të thotë që përsosja mund të vijë “vetëm nëpërmjet Zotit”?
Rikthejuni provimit me alternativat e vërtetë apo e rreme që sapo bëtë, dhe ndryshoni ndonjë prej përgjigjeve tuaja bazuar te ajo që keni mësuar nga 3 Nefi 12:48 dhe thënia e Plakut Nelson.
Mësimet e Jezu Krishtit te 3 Nefi 12–14 ndonjëherë quhen “predikimi në tempull” pasi ato i ngjajnë aq shumë Predikimit të mirënjohur në Mal të Shpëtimtarit dhe shpesh e rrisin aftësinë tonë për ta kuptuar atë (shih Mateu 5–7). Presidenti Harold B. Li dha mësim: “Në Predikimin e Tij në Mal, Mësuesi na ka dhënë njëfarë zbulese të vetë karakterit të Tij, që ishte i përsosur, ose që mund të thuhet të jetë ‘një autobiografi, çdo rrokje të së cilës Ai e kishte shkruar me vepra’ dhe duke bërë kështu, Ai na ka dhënë një model për jetën tonë” (Decisions for Successful Living [1973], f. 56). Ndërsa e studioni 3 Nefin 12–14, kërkoni mënyrat se si Shpëtimtari dëshiron që ju të përpiqeni në drejtim të përsosjes.
Ashtu si te Predikimi në Mal, Shpëtimtari e filloi predikimin e Tij te nefitët me disa lumturi – shpallje të gjendjes së bekuar dhe të lumtur të atyre që janë besnikë (shih 3 Nefi 12:1–12). Ndërsa i lexoni ato, kërkoni se cilat tipare na nxit Shpëtimtari që t’i zhvillojmë dhe çfarë bekimesh premton si rezultat i të vepruarit tonë në atë mënyrë. Ndërsa lexoni, ju mund të dëshironi t’i shenjoni këto cilësi dhe bekime të premtuara. Mund të jetë e dobishme të dini se skamës në shpirt (3 Nefi 12:3) do të thotë të jesh i përulur dhe i varur nga Zoti, të vajtosh (3 Nefi 12:4) i referohet ndjenjës së keqardhjes për mëkatet tona që çon në pendim dhe të jesh zemërbutë (3 Nefi 12:5) mund të ketë kuptimin të jesh i përulur dhe i sjellshëm, të jesh i nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë ose të jesh këmbëngulës në durimin e padrejtësisë pa mëri.
-
Përcaktoni një cilësi për të cilën sapo lexuat, që po përpiqeni apo do të përpiqeni ta përvetësoni. Shënoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë bekimesh po merrni ose shpresoni të merrni ndërsa e zhvilloni atë cilësi.
Nga të vërtetat e shumta te 3 Nefi 12:1–12, ne mësojmë se, në qoftë se jetojmë në përputhje me mësimet e Jezu Krishtit, ne vërtet do të bekohemi dhe përgatitemi për të hyrë në mbretërinë e qiellit. Teksa e bëjmë këtë, ne gjithashtu do të jemi një shembull dhe dritë për botën (shih 3 Nefi 12:14–16).
3 Nefi 12:17–48
Jezu Krishti i mëson turmës ligjin më të lartë që do t’i ndihmojë të bëhen si Ai dhe Ati Qiellor
Jezu Krishti i mësoi nefitët se si të vinin tek Ai duke u penduar dhe duke iu bindur urdhërimeve të Tij (shih 3 Nefi 12:19–20). Në pjesën e mbetur të 3 Nefit 12, Ai përmendi pjesë të ligjit të Moisiut dhe pastaj dha mësim një ligj më të lartë. Ai paraqiti pjesë të ligjit të Moisiut me fraza të tilla si “është thënë nga të lashtët” dhe “është shkruar”. Pastaj Ai paraqiti ligjin e ri dhe më të lartë, që Ai dëshiron që ne ta jetojmë sot, me frazën “unë ju them juve …”.
-
Lexoni referencat vijuese të shkrimit të shenjtë dhe shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se cilat sjellje tha Shpëtimtari që do të çonin në përsosje:
-
3 Nefi 12:21–22. Mund të jetë e dobishme të kuptoni që fjala raka është një term poshtërues që shpreh përbuzje, mospëlqim të hapur ose urrejtje.
-
3 Nefi 12:23–24. Përdorni shënimin 24a në fund të faqes për t’ju ndihmuar të zbuloni se çfarë do të thotë të pajtohesh me dikë.
-
3 Nefi 12:25. Mund të jetë e dobishme të kuptoni se të “merr[esh] vesh shpejt me kundërshtarin tënd” i referohet zgjidhjes së konflikteve me të tjerët shpejt dhe mos lejimit që ato të acarohen dhe të rriten në probleme më të mëdha. Plaku Dejvid E. Sorensen, ndërsa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Ky parim nuk zbatohet askund më mirë se në familjet tona” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 11).
-
3 Nefi 12:27–30. Mund të jetë e dobishme të kuptoni se për ta dëshiruar i referohet një dëshire të papërshtatshme, të ligë dhe egoiste.
-
Një parim që mësojmë nga këto vargje te 3 Nefi 12, është: Kur vijmë te Krishti dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, ne mund të bëhemi më shumë si Ai dhe si Ati ynë Qiellor, të cilët janë të përsosur.
Ndërkohë që vërtet nuk do ta arrijmë përsosjen në këtë jetë, Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, shpjegoi se ne duhet të përpiqemi të përparojmë drejt përsosjes tani në mënyrë që të jemi në gjendje ta arrijmë atë në jetën tjetër: “Përsosja është një qëllim i përjetshëm. Edhe pse nuk mund të jemi të përsosur në vdekshmëri, përpjekja për të është një urdhërim, që më së fundi, nëpërmjet Shlyerjes, ne mund ta mbajmë” (“This Is Our Day”, Ensign, maj 1999, f. 19).
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë — 3 Nefi 12:48
-
Shihni nëse mund ta mësoni përmendsh 3 Nefin 12:48 në mënyrë të përsosur. Shkruajeni fragmentin në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta kur të mendoni se e keni mësuar përmendsh.
Kujtoni, Zoti nuk pret që ne të bëhemi të përsosur në të gjitha gjërat gjatë jetës sonë të vdekshme, por ndërsa përpiqemi me zell ta ndjekim Atë dhe të marrim bekimet e Shlyerjes, ne përfundimisht mund të bëhemi të përsosur.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 3 Nefin 11:18–12:48 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: