Njësia 26: Dita 2
3 Nefi 18
Hyrje
Ndërsa Jezu Krishti përmbylli ditën e parë të shërbesës së Tij mes nefitëve, Ai administroi sakramentin dhe i urdhëroi njerëzit t’i luteshin Atit gjithmonë dhe t’u ofronin shoqërim të gjithë njerëzve. Shpëtimtari u premtoi bekime të mëdha atyre që i mbajnë këto urdhërime. Ai më pas u dha dymbëdhjetë dishepujve të Tij nefitë udhëzime që lidheshin me shërbesën e tyre në Kishë. Përpara se të ngjitej në qiell, Ai u dha atyre fuqi për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë.
3 Nefi 18:1–14
Jezu Krishti u administron sakramentin nefitëve
Lexoni historinë vijuese nga Plaku Xherald N. Land, i cili shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, dhe përfytyroni se si do të ishit ndier po të ishit njeriu në këtë histori:
“Ca kohë më parë, ishte një artikull interesant rreth alpinizmit [që përmbante] një histori që i jep një përgjigje të mrekullueshme pyetjes: ‘Çfarë mund të bëjmë ne si shërbëtorë të padobishëm për t’i kthyer Krishtit atë që Ai ka bërë për ne?’
Artikulli ishte rreth një njeriu të quajtur Zenkush, i cili drejton një shkollë alpinizmi. … Zenkushi po i përshkruante intervistuesit sistemin e sigurimit në alpinizëm. Ky është sistemi me anë të të cilit alpinistët e mbrojnë veten nga rëniet. Një alpinist arrin në një pozitë të sigurt dhe siguron litarin për alpinistin tjetër, zakonisht rreth trupit të vet. ‘Je i siguruar’, do të thotë, ‘të kam siguruar. Nëse ndodh diçka, nuk do të të le që të biesh.’ Është pjesë e rëndësishme e alpinizmit. Tani, vini re atë që vazhdon më pas në artikull: ‘Procesi i sigurimit i ka sjellë Zenkushit çastet më të mira dhe më të këqija të ngjitjes. Zenkushi dikur ra prej një humnere të lartë, duke tërhequr tri mbështetje mekanike dhe duke e shkëputur siguruesin e tij nga buza e shkëmbit. Ai u ndal, me kokëposhtë, rreth 3 metra nga toka, kur siguruesi, me krahët e hapur si shqiponjë, e ndaloi rënien me forcën e krahëve të tij të tejshtrirë. “Doni më shpëtoi jetën”, thotë Zenkushi. “Si i përgjigjeni një njeriu si ai? T’i japësh një litar të përdorur alpinizmi si dhuratë Krishtlindjeje? Jo, ti e kujton atë. Gjithmonë e kujton atë”’ [Eric G. Anderson, “The Vertical Wilderness”, Private Practice, nëntor 1979, f. 21; theksimi i shtuar]” (“The Grace and Mercy of Jesus Christ”, te Jesus Christ: Son of God, Savior, red. Paul H. Peterson, Gary L. Hatch dhe Laura D. Card [2002], f. 48).
Lexoni 3 Nefin 18:1–11 dhe shikoni se çfarë u kërkoi Jezu Krishti nefitëve që të bënin për ta kujtuar Atë. Ju mund të dëshironi t’i shenjoni fjalët për të kujtuar dhe kujtoni te vargjet 7 dhe 11. Përse është e rëndësishme ta kujtoni gjithnjë sakrificën shlyese të Shpëtimtarit për ju? Si janë veprimet tuaja të ndryshme kur e kujtoni Shpëtimtarin?
Urdhri i Shpëtimtarit për ta kujtuar trupin dhe gjakun e Tij duhet të ketë qenë veçanërisht domethënës për njerëzit pasi ata sapo kishin prekur plagët në trupin e Tij vetëm pak kohë më parë. Megjithëse nuk i keni parë plagët në trupin e Shpëtimtarit, siç bënë njerëzit në Librin e Mormonit, ju mund ta kujtoni sakrificën e Tij shlyese kur merrni sakramentin.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjes vijuese: Si ju ka ndihmuar të kujtuarit e sakrificës së Shpëtimtarit gjatë sakramentit që të ndieni mirënjohje për Të?
Fjalët e Jezu Krishtit të shënuara te 3 Nefi 18:7–11 na mësojnë parimet vijuese: Kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit se jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që na ka urdhëruar Ai. Kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit se do ta kujtojmë gjithmonë Jezu Krishtin. Rishikoni 3 Nefin 18:7–11 dhe shenjoni fjalë ose fraza që na i mësojnë këto parime. Ndërsa lexoni vargun 11, mendoni se si do të ndiheshit nëse Shpëtimtari do t’ua thoshte ato fjalë juve.
-
Zgjidhni që t’iu përgjigjeni dy prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Cilat janë disa aspekte të jetës dhe shërbesës së Shpëtimtarit që mund t’i kujtoni gjatë ordinancës së sakramentit?
-
Çfarë mund të bëni për ta kujtuar gjithnjë Shpëtimtarin gjatë pjesës së mbetur të javës?
-
Nëse përpiqeni me sinqeritet që ta kujtoni Shpëtimtarin gjatë sakramentit, si mund t’ju ndikojë kjo gjatë javës që vijon?
-
Përcaktoni një parim tjetër që jepet mësim te 3 Nefi 18:7, 11 duke e plotësuar thënien vijuese me një frazë që shpjegon se çfarë u premtoi Shpëtimtari atyre që e marrin sakramentin dhe e kujtojnë Atë. Ndërsa marrim sakramentin dhe e kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin, ne vërtet do të .
-
Krahasoni 3 Nefin 18:12–14 dhe Helamanin 5:12. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si marrja e sakramentit çdo javë mund t’ju ndihmojë që ta bëni Jezu Krishtin themelin mbi të cilin e ndërtoni jetën tuaj.
-
Për t’ju ndihmuar ta kujtoni më shumë Shpëtimtarin, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni çdo ditë gjatë javës së ardhshme se çfarë bëtë për ta kujtuar Shpëtimtarin atë ditë. Ju mund të përfshini se për çfarë menduat gjatë sakramentit ose se si të kujtuarit e Shpëtimtarit ndikoi te mendimet, fjalët dhe veprat tuaja.
3 Nefi 18:15–25
Jezusi i mësoi nefitët t’i luten gjithnjë Atit dhe të mblidhen shpesh së bashku
Pasi Jezu Krishti u administroi sakramentin nefitëve, Ai u mësoi parime të rëndësishme për lutjen. Një prej parimeve që Ai dha mësim, është: Nëse do të jemi vërtet syhapur dhe do t’i lutemi Atit gjithnjë, ne mund t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanit. Kur jemi syhapur, ne jemi shpirtërisht vigjilentë, syçelë ose gati.
Lexoni 3 Nefin 18:15–21 dhe shenjoni fjalë ose fraza që na mësojnë parimin e treguar më sipër. Përse mendoni që si mbajtja hapur e syve ashtu edhe lutja janë thelbësore për t’i bërë ballë tundimit?
Vini re që 3 Nefi 18:15, 20–21 është një referencë e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Merrni parasysh t’i shenjoni këto vargje në shkrimet tuaja të shenjta.
-
Lexoni dhe mendoni për pyetjet vijuese dhe pastaj përgjigjiuni dy ose më shumë prej pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si ju ka ndihmuar të luturit që t’u bëni ballë tundimeve të Satanit?
-
Çfarë mund të bëni për t’i përmirësuar lutjet tuaja vetjake?
-
Çfarë bekimesh keni përjetuar nga të luturit me familjen tuaj? (shih 3 Nefi 18:21).
-
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar familjen tuaj që të ketë lutje familjare të vazhdueshme dhe domethënëse?
-
Ndërsa i lutemi Atit Qiellor dhe i afrohemi më shumë Shpëtimtarit, Jezu Krishtit, ne shpesh duam t’i ndihmojmë edhe të tjerët t’i afrohen më shumë Atij. Mendoni për dikë që do të donit ta ndihmonit t’i afrohej më shumë Shpëtimtarit. Lexoni 3 Nefin 18:22–24 dhe kërkoni te vargjet parimin vijues: Ndërsa u shërbejmë të tjerëve, ne mund t’i ndihmojmë ata të vijnë te Krishti.
Siç është shënuar te 3 Nefi 18:24, Shpëtimtari na mësoi që secili nga ne duhet ta mbajë lart dritën e vet që ta ndriçojë botën. Ai tha edhe se Ai është drita që ne duhet ta mbajmë lart. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se ne e mbajmë lart dritën e Shpëtimtarit duke mbajtur urdhërimet e Tij dhe duke ndjekur shembullin e Tij:
“Ne duhet të jemi si Shpëtimtari, ashtu siç na këshilloi: ‘Eja e më ndiq’. A nuk do të ishte e kënaqshme për Jezusin nëse do ta linim dritën tonë të shkëlqente kaq shumë sa ata që na ndoqën ne, do të ndiqnin Shpëtimtarin? Ka njerëz që po e kërkojnë dritën, [të cilët] me gëzim do të kalojnë përmes portës së pagëzimit nëpër udhën e ngushtë dhe të ngushtuar që çon drejt jetës së përjetshme (shih 2 Nefi 31). A do të jeni ju ajo dritë që i udhëheq ata drejt një porti të sigurt? …
A keni ndaluar ndonjëherë që të mendoni se ju jeni drita e dërguar nga Ati Qiellor për të udhëhequr dikë tjetër të sigurt në shtëpi ose për të qenë një far në një largësi, për t’u treguar udhën e kthimit për te shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar që çon drejt jetës së përjetshme? Drita juaj është një fener dhe nuk duhet të ndalojë kurrë së ndriçuari ose t’i largojë nga rruga e drejtë ata që po kërkojnë udhën për në shtëpi. …
… Jezu Krishti është drita që na është dhënë me qëllim që ta ndjekim dhe ta dimë se ku të shkojmë. [Unë lutem] që secili nga ne të zgjedhë të drejtën [me qëllim që ne të mund t’i] ngremë dhe forcojmë njerëzit rreth nesh” (“That Ye May Be Children of Light” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 3 nëntor 1996], f. 6–7).
Të luturit për të tjerët, të ftuarit e tyre për të ardhur në mbledhjet e Kishës dhe dhënia e një shembulli sikurse Krishti, janë mënyra se si ne mund t’u shërbejmë të tjerëve. Reflektoni se si u ndiet kur ndoqët shembullin e Jezu Krishtit dhe ndihmuat dikë tjetër t’i afrohej më shumë Shpëtimtarit. Çfarë do të bëni sot ose këtë javë për ta lënë dritën tuaj të ndriçojë me qëllim që ata që ju ndjekin juve, do të ndjekin Shpëtimtarin gjithashtu?
3 Nefi 18:26–39
Shpëtimtari u mëson dishepujve të Tij që t’iu japin shoqërim të gjithë njerëzve
Pasi Shpëtimtari filloi sakramentin dhe i mësoi nefitët për lutjen, Ai u kthye nga të dymbëdhjetë dishepujt që kishte zgjedhur, dhe i udhëzoi se si t’i udhëhiqnin e drejtonin punët e Kishës (shih 3 Nefi 18:26–39). Vini re te 3 Nefi 18:26 se Shpëtimtari ndaloi së foluri turmës dhe u kthye nga udhëheqësit “që kishte zgjedhur”. Mesazhi i Tij te vargjet 28–29 iu dha atyre udhëheqësve të priftërisë si një paralajmërim kundër lejimit të atyre që janë të padenjë për të marrë sakramentin.
Anëtarët e Kishës duhet të përqendrohen te denjësia e tyre vetjake për të marrë sakramentin dhe t’ia lënë përgjegjësinë e përcaktimit të denjësisë së të tjerëve për të marrë sakramentin, atyre që Zoti ka thirrur t’i bëjnë këto gjykime, të tillë si peshkopi ose presidenti i kunjit. Lexoni 3 Nefin 18:32, duke parë për atë se si Shpëtimtari i mësoi dishepujt e Tij që të kujdeseshin për ata që ishin larguar nga besimi. Mendoni për mënyrën se si mund “të vazhdoni t’[i] shërbeni” një miku, anëtari të familjes ose një personi në lagjen apo degën tuaj i cili është larguar nga besimi.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë — 3 Nefi 18:15, 20–21
Merrni parasysh të kaloni disa minuta për ta mësuar përmendsh 3 Nefin 18:15, 20–21. Shkruajini të tri vargjet në një copë letër dhe pastaj ushtrohuni duke i thënë ato. Pasi t’i keni lexuar disa herë, filloni të fshini ose të hiqni pjesë të ndryshme të vargjeve ndërsa vazhdoni t’i thoni vargjet. Ju mund të dëshironi ta përsëritni këtë proces derisa të gjitha fjalët të jenë fshirë ose hequr.
Ndërsa i mësoni përmendsh këto vargje, mendoni për atë që po jepte mësim Shpëtimtari. Siç është shënuar te 3 Nefi 18:15, Jezu Krishti u mësoi nefitëve se si t’u bënin ballë tundimeve të djallit. Vini re fuqinë që vjen nga lutja. Përmes lutjes ne mund të na jepet fuqi për t’i rezistuar tundimit.
Siç është shënuar te 3 Nefi 18:20–21, Jezu Krishti dha mësim se, kur lutemi në besim, Ati gjithnjë iu përgjigjet lutjeve tona, por Ai përgjigjet në përputhje me planin e Tij për fëmijët e Tij dhe atë që Ai e di se është e drejtë për ne. Përsëriteni vargun 20 me zë: “Dhe çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet”. Çfarë mendoni se do të thotë fraza “që është e drejtë” në këtë fragment? (Ju mund të dëshironi t’i referoheni Jakobit [Bibël] 4:3.)
Presidenti Gordon B. Hinkli ndau këtë dëshmi: “Perëndia, Ati ynë i Amshuar, jeton. Ai është Krijuesi dhe Sunduesi i universit dhe prapëseprapë Ai është Ati ynë. Ai është i Plotfuqishmi dhe është mbi gjithçka. Ai mund të arrihet me lutje. … A e dëgjon Ai lutjen e një fëmije? Sigurisht që e dëgjon. A i përgjigjet Ai asaj? Sigurisht që i përgjigjet. Jo përherë si mund të dëshirojmë ne, por Ai përgjigjet. Ai dëgjon dhe përgjigjet” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 468).
Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “[Te 3 Nefi 18:20] Shpëtimtari na kujtoi se besimi, pavarësisht se sa i fortë është, nuk mund të prodhojë një rezultat në kundërshtim me vullnetin e atij të cilit i takon fuqia. Ushtrimi i besimit në Zotin Jezu Krisht është gjithmonë subjekt i rendit të qiellit, mirësisë, vullnetit, urtësisë dhe kohës së caktuar nga Zoti. Kjo është arsyeja se pse ne nuk mund të kemi besim të vërtetë te Zoti pa pasur edhe një mirëbesim të plotë në vullnetin e Zotit dhe në kohën që Ai zgjedh” (“Faith in the Lord Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 100).
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 3 Nefin 18 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: