Seminari
Njësia 27: Dita 2, 3 Nefi 24–26


Njësia 27: Dita 2

3 Nefi 24–26

Hyrje

Te 3 Nefi 24–25, Jezu Krishti përmbushi urdhërimin e Atit Qiellor për t’u dhënë njerëzve disa prej profecive të Malakias. Malakia kishte shpallur se shtëpia e Izraelit duhej të pendohej dhe të kthehej te Zoti në përgatitje për ardhjen e Shpëtimtarit. Siç është shënuar te 3 Nefi 26:3, Jezu Krishti u shpjegoi njerëzve “të gjitha gjërat, madje që nga fillimi dhe deri në kohën që ai do të vijë në lavdinë e tij”. Mormoni na mësoi se ata që e besojnë Librin e Mormonit, do të kenë madje gjëra më të mëdha që do t’iu tregohen atyre (shih 3 Nefi 26:9).

3 Nefi 24:1–6

Jezu Krishti citon fjalët e dhëna Malakias në lidhje me Ardhjen e Dytë

Ardhja e Dytë

Ndërsa u tregoi nefitëve disa prej profecive të Malakias, Jezu Krishti iu referua shëmbëlltyrave të zjarrit dhe sodës. Përfytyroni një zjarr flakërues dhe një sasi sode. Mendoni se çfarë mund të kenë të përbashkët këto dy objekte si agjentë dëlirësues dhe pastrues.

Lexoni 3 Nefin 24:2–3. Te 3 Nefi 24:2, Jezu Krishti krahasohet me zjarrin e një rafinuesi dhe me sodën e larësve për shkak të asaj që do të bëjë në Ardhjen e Tij të Dytë. Te 3 Nefi 24:3, Ai krahasohet me një pastrues argjendi, i cili pastron argjendin. Për t’i kuptuar këto vargje, është e dobishme të dini se procesi i pastrimit të argjendit kërkon që pastruesi i argjendit të mbajë një copë argjend mbi pjesën më të nxehtë të zjarrit për të djegur papastërtitë. Pastruesi duhet ta shikojë me kujdes argjendin, pasi nëse argjendi qoftë edhe për një çast lihet tepër gjatë në flakë, ai do të shkatërrohet. Një larës është një person që i pastron rrobat ose i zbardh ato duke përdorur sodë [larëse]. “Bijtë e Levit” ishin ata që mbanin priftërinë në Izraelin e lashtë; kjo frazë mund të gjejë zbatim për të gjithë njerëzit e Zotit sot.

Përsiatni se çfarë sugjeron kjo shëmbëlltyrë se do të ndodhë në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Në shkrimet tuaja të shenjta, pranë 3 Nefit 24:2–3, ju mund të dëshironi të shkruani: Në Ardhjen e Tij të Dytë, Jezu Krishti do t’i pastrojë njerëzit e Tij.

Lexoni 3 Nefin 24:5–6 dhe përcaktoni se kush do të konsumohet, ose shkatërrohet, dhe kush jo në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. (Vini re se në këtë fragment “bijtë e Jakobit” janë populli i besëlidhjes së Zotit në shtëpinë e Izraelit.) Këto vargje na mësojnë parimin: Jezu Krishti do t’i gjykojë të ligjtë në Ardhjen e Tij të Dytë.

  1. journal iconShkruani titullin vijues në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë duhet të bëj që të përgatitem për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ndërsa vazhdoni të studioni 3 Nefin 24–26, renditni nën këtë titull ato që mësoni e që do t’ju ndihmojnë të përgatiteni për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

3 Nefi 24:7–18

Malakia i mëson shtëpisë së Izraelit mënyrën se si të kthehet te Zoti

Përfytyroni sikur një shok i ngushtë ose pjesëtar i familjes nuk duket se shqetësohet rreth mënyrës se si veprimet e një individi mund të ndikojnë tek ai në Gjykim, Ardhjen e Dytë ose në përjetësi. Mendoni për atë që mund të thoni për t’u përpjekur që ta ndihmoni këtë person. Lexoni 3 Nefin 24:7 dhe përcaktoni atë që Zoti u tha bijve të Jakobit, të cilët kishin filluar të largoheshin prej Tij. Si mendoni ju, çfarë do të thotë që njerëzit ishin “larguar” nga ordinancat e Zotit?

Në Kishë, një ordinancë është një akt i shenjtë, zyrtar i kryer me anë të autoritetit të priftërisë. Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin tonë. Këto ordinanca quhen “ordinanca shpëtuese”. Ato përfshijnë pagëzimin, konfirmimin, shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), indaumentin në tempull dhe vulosjen në tempull. Me secilën nga këto ordinanca, ne hyjmë në besëlidhje solemne me Zotin. Ju mund të dëshironi t’i renditni ordinancat shpëtuese nën titullin te detyra nr. 1 e ditarit. Mendoni se si këto ordinanca na ndihmojnë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë.

Pavarësisht se njerëzit e Zotit ishin larguar nga ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit, vini re premtimin te 3 Nefi 24:7, të cilin Zoti ua dha atyre nëse do të ktheheshin tek Ai. Ju mund të dëshironi ta shenjoni këtë premtim në shkrimet tuaja të shenjta për t’ju ndihmuar të kujtoni se, nëse kthehemi te Zoti, Ai do të kthehet te ne.

Lexoni 3 Nefin 24:8–10 dhe kërkoni një mënyrë si Zoti tregoi se bijtë e Jakobit mund të ktheheshin tek Ai dhe kështu të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë. Ju mund të dëshironi ta përfshini pagimin e të dhjetave dhe ofertave te lista nën titullin e detyrës 1 të ditarit.

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli rreth pagimit të së dhjetës: “Ne mund ta paguajmë të dhjetën tonë. Kjo nuk është dhe aq një çështje parash, se sa është një çështje besimi” (“Let Us Move This Work Forward”, Ensign, nëntor 1985, f. 85).

Përsiatni për një çast se si gatishmëria jonë për t’i dhënë të dhjetat dhe ofertat Zotit është një tregues i besimit tonë tek Ai. Lexoni 3 Nefin 24:10–12 dhe përqendrohuni te bekimet për ata që paguajnë një të dhjetë të plotë dhe të ndershme.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë bekimesh keni marrë nga bindja ndaj ligjit të së dhjetës?

    2. Në ç’mënyrë mendoni se mbajtja e urdhërimeve për të paguar të dhjetat dhe ofertat tuaja ju ka ndihmuar të përgatiteni shpirtërisht për Ardhjen e Dytë?

Disa njerëz në Izraelin e lashtë murmuritën se mbajtja e urdhërimeve të Zotit nuk u kishte sjellë asnjë të mirë. Ata ndienin se përpjekjet e tyre kishin qenë të kota ose të pakuptimta (shih 3 Nefi 24:14). Nga ana tjetër, ata argumentuan se kryelartët dhe të ligjtë ishin “të lumtur”, “të lartësuar” dhe “të shpëtuar” (3 Nefi 24:15). Me fjalë të tjera, këta njerëz pretendonin se të ligjtë ishin shumë më mirë se të drejtët. Zoti iu përgjigj këtyre ankesave duke thënë se ata që kanë frikë nga Zoti dhe mendojnë për emrin e Tij dhe mblidhen së bashku shpesh për të folur me njëri-tjetrin, do t’i gjenin emrat e tyre në “një libër kujtimi” (3 Nefi 24:16). Ata do të ishin personat që ishin të përgatitur për ardhjen e Zotit dhe do të faleshin si vetë “xhevahiret” e Tij (shih 3 Nefi 24:16–17). Zoti i nxiti ata të cilët ankoheshin, që të prisnin dhe të shikonin rezultatin përfundimtar, kur ata atëherë do të mund “të kthehe[shin] dhe do të dalloni[n] mes të drejtit dhe të ligut” (3 Nefi 24:18). Ata do të shohin se në fund të drejtët janë mjaft më mirë.

3 Nefi 25

Jezu Krishti citon profecinë e Malakias se Elija do të kthehej përpara Ardhjes së Dytë

Elija Rivendos Çelësat e Fuqisë Vulosëse të Priftërisë

Lexoni 3 Nefin 25:1–3 dhe kërkoni arsyen përse Ardhja e Dytë do të jetë një bekim për ata që janë besnikë ndaj Jezu Krishtit. Fjala rrënjë te vargu 1 u referohet paraardhësve dhe degë u referohet pasardhësve. Kështu, në jetën që vjen, të ligjtë nuk do të gëzojnë bekimet e të qenit të vulosur as me paraardhësit e tyre, as me pasardhësit e tyre. Viçat që “rriten … [në] stall[ë]” janë simbol i fëmijëve për të cilët ka mbrojtje, përkujdesje dhe kanë të gjitha gjërat e nevojshme për t’u rritur.

Shpëtimtari u tregoi nefitëve atë që Malakia shkroi rreth një ngjarjeje që do të ndodhte përpara Ardhjes së Dytë dhe që do të përfshinte profetin e Dhiatës së Vjetër, Elijan. Lexoni 3 Nefin 25:5–6 dhe kërkoni për atë që Malakia na mësoi se do të bënte Elija për ta ndihmuar botën të përgatitej për ardhjen e Zotit.

Kthimi i Elijas në tokë ishte pjesë thelbësore e Rivendosjes së ungjillit. Më 3 prill 1836, Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit në Tempullin e Kirtlandit të sapopërkushtuar (shih DeB 110). Ai u dha atyre fuqinë vulosëse të priftërisë, duke bërë të mundur që familjet të vulosen përgjatë brezave. Si mendoni ju, çfarë do të thotë thënia se “ai do të kthejë zemrat e etërve te bijtë dhe zemrat e bijve tek etërit e tyre” (3 Nefi 25:6)?

Këto vargje na mësojnë se, kur zemrat tona kthehen tek etërit tanë, ne ndihmojmë për ta përgatitur tokën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një përvojë që keni pasur ju ose familja juaj, që ju ka ndihmuar ta ktheni zemrën tuaj te paraardhësit tuaj. Kjo mund të përfshijë vulosjen në tempullin e shenjtë, kërkimin për historinë tuaj familjare ose marrjen pjesë në pagëzimin për të vdekurit. Në qoftë se nuk ju vjen në mendje një përvojë, shkruani një paragraf të shkurtër rreth dëshirës suaj për të marrë pjesë në këtë punë. (Nën detyrën 1 të ditarit, ju mund të dëshironi të shkruani: marrja e ordinancave të tempullit për veten dhe familjen tuaj, frekuentimi i tempullit dhe mbledhja e të dhënave të historisë familjare.)

3 Nefi 26

Çfarë duhet bërë për të marrë gjërat më të mëdha që zbuloi Jezu Krishti

Ne mësojmë nga 3 Nefi 26:3 se Shpëtimtari u mësoi nefitëve “të gjitha gjërat që do të ndodhin mbi faqen e dheut”. Lexoni 3 Nefin 26:6–8 duke kërkuar se sa nga predikimi i Shpëtimtarit u shënua në Librin e Mormonit. Studioni 3 Nefin 26:9–11 për të zbuluar se përse Mormoni nuk përfshiu çdo gjë.

Zoti e udhëzoi Mormonin që të përfshinte vetëm një pjesë të vogël të atyre mësimeve në mënyrë që të provonte besimin tonë. Nga 3 Nefi 26:1–21 ne mësojmë se, kur e besojmë atë që Perëndia ka zbuluar, ne e përgatitim veten tonë për të marrë zbulesë më të madhe. Si mendoni ju, përse të besuarit e të vërtetave që tashmë kemi marrë, është thelbësor përpara se të marrim të vërteta të tjera? (Shih Alma 12:9–11.) Si mund të tregojmë se ne e besojmë atë që ka zbuluar Zoti?

  1. journal iconPër të zbatuar parimin me germa të theksuara më sipër, përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë po bëni në jetën tuaj për të shfaqur besimin tuaj në Librin e Mormonit?

Siç është shënuar te pjesa tjetër e 3 Nefit 26, Mormoni përmblodhi shërbesën e Shpëtimtarit dhe ndikimet e saj te nefitët. Lexoni 3 Nefin 26:13–21 dhe merrni parasysh të shenjoni se si njerëzit i vënë në veprim fjalët e Jezu Krishtit.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 3 Nefin 24–26 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: