Njësia 15: Dita 1
Alma 5:1–36
Hyrje
Kur Kisha u kërcënua nga ligësia dhe grindja (shih Alma 4:9–11), Alma e dinte se reforma e vërtetë mund të vinte vetëm nëpërmjet një ndryshimi të madh në zemrat e anëtarëve të Kishës. Si prifti i lartë i Kishës, Alma e filloi misionin e tij për të rifituar njerëzit e Zarahemlës duke u dhënë dëshmi për Jezu Krishtin dhe duke u bërë thirrje njerëzve për pendim. Ai i nxiti të përgatiteshin për gjykimin e Zotit duke pasur besim në fjalën e Perëndisë dhe duke e vlerësuar gjendjen shpirtërore të zemrave të tyre. Ndërsa e studioni gjysmën e parë të Almës 5, mendoni rreth mënyrës se si mund t’i vini në zbatim ato që mësoni, që të mund ta përjetoni ose të vazhdoni ta përjetoni ndryshimin e madh të zemrës të diskutuar në kapitull.
Alma 5:1–13
Alma tregon kthimin në besim të atit të tij dhe të atyre që e ndoqën atë
Sa shumë keni ndryshuar që kur ishit 8 vjeç? Sa shumë keni ndryshuar që kur ishit 12 vjeç? Mendoni për mënyrat e ndryshme se si njerëzit mund të ndryshojnë, të tilla si pamja e tyre e jashtme, sjellja ose qëndrimi i tyre. Përsiatni për atë që mund t’i sjellë ose t’i bëjë të ndodhin disa nga këto ndryshime te njerëzit. Pastaj lexoni tek Alma 5:12 dhe kërkoni atë që ndryshoi tek Alma Plaku. Teksa studioni Almën 5:1–13, mendoni rreth mënyrës se si mund të ndryshojë zemra e një njeriu.
Plaku Xherald N. Land, që më vonë shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, na mësoi se kur përdoret fjala zemër në shkrimet e shenjta, ajo shpesh nënkupton “njeriun e vërtetë, të brendshëm” (“Understanding Scriptural Symbols”, Ensign, tetor 1986, f. 25). Merrni parasysh për një çast se si “një ndryshim i madh i zemrës” është i ndryshëm nga mënyrat e tjera në të cilat njerëzit mund të ndryshojnë – përfshirë mënyrat rreth të cilave menduat kur e filluat këtë mësim.
Sillni në mendje që populli i mbretit Beniamin përjetoi një “ndryshim të madh” në zemrat e tyre, i cili shkaktoi që ata të mos kishin “më prirje të bë[nin] keq, por të bë[nin] mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2). Ju mund të dëshironi ta shkruani sqarimin nga Plaku Land dhe referencën e shkrimit të shenjtë Mosia 5:2 në krah të shkrimeve tuaja të shenjta ngjitur me Almën 5:11–13.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Ju mund të pyesni: ‘Përse ky ndryshim i madh nuk më ndodh mua më shpejt?’ Duhet të kujtoni se shembujt e mrekullueshëm të popullit të mbretit Beniamin, Almës dhe disa të tjerëve në shkrimet e shenjta janë thjesht të tillë – të mrekullueshëm dhe jo të zakonshëm. Për shumicën prej nesh, ndryshimet janë më graduale dhe ndodhin me kalimin e kohës. Të qenit i lindur përsëri, ndryshe nga lindja jonë fizike, është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe përfshirja në atë proces është qëllimi thelbësor i vdekshmërisë” (“I Lindur Përsëri”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 78).
Lexoni tek Alma 5:3–7 dhe kërkoni atë që i tha Alma popullit të Zarahemlës për t’i ndihmuar zemrat e tyre që të përgatiteshin për të ndryshuar.
Përgjigjiuni pyetjes në vijim në këtë manual: Alma i tregoi popullit të Zarahemlës rreth kthimit në besim të atit të tij dhe të të tjerëve, si edhe për çlirimin e tyre nga robëria. Si mendoni se këto përvoja i ndihmuan njerëzit të përgatiteshin për të përjetuar një ndryshim të zemrës?
Lexoni tek Alma 5:10 dhe rrethoni pikëpyetjet në fund të tri pyetjeve që Alma i bëri popullit. Pastaj kërkoni vargjet tek Alma 5:11–13, në të cilat Alma filloi t’iu përgjigjej pyetjeve, për të gjetur mbështetje për këtë pohim: Kur besojmë në fjalën e Perëndisë dhe ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës.
Besimi në fjalën e Perëndisë çon te një ndryshim i madh i zemrës, sepse fjala e Perëndisë na mëson rreth Shpëtimtarit. Populli i Almës besoi në fjalën e Perëndisë, që iu dha atyre nga profetët e shenjtë. Ata mësuan rreth fuqisë shëlbuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe zemrat e tyre u ndryshuan teksa zhvillonin besim te Shpëtimtari.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni me vetë fjalët tuaja se si të besuarit në Shlyerjen e Jezu Krishtit çon drejt një ndryshimi të madh të zemrës.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si është ndryshuar zemra juaj. Nëse keni vënë re një ndryshim zemre teksa keni studiuar Librin e Mormonit këtë vit në seminar, ju mund ta përshkruani përvojën tuaj si pjesë të përgjigjes suaj.
Alma 5:14–36
Alma na mëson se kërkohet një ndryshim i madh i zemrës për të hyrë në mbretërinë e qiellit
Pasi Alma u mësoi se besimi në fjalën e Perëndisë na ndihmon të fillojmë procesin e marrjes së një ndryshimi të madh të zemrës, ai u kërkoi njerëzve të merrnin parasysh pyetje të shumta. Këto pyetje mund të na ndihmojnë të vlerësojmë gjendjen e zemrave tona shpirtërore – dëshirave dhe ndjenjave të njeriut të brendshëm.
Lexoni tek Alma 5:14 dhe shenjoni tri pyetjet që Alma u kërkoi njerëzve t’i shqyrtonin rreth vetvetes. Këto tri pyetje përshkruajnë ndryshimin që përjetojmë teksa ushtrojmë besim në shëlbimin e ofruar përmes Jezu Krishtit. Kujtoni nga mësimet e mëparshme (shih Mosia 5 dhe Mosia 27) se të qenit të “lind[ur] rishtas” nënkupton ndryshimin që një njeri përjeton kur ai ose ajo e pranon Jezu Krishtin dhe fillon një jetë të re, jo vetëm si dishepull i Tij, por edhe si biri ose bija e Tij shpirtërisht (shih Mosia 27:25).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth mënyrës se si një ndryshim i zemrës mund të pasqyrohet në pamjen e fytyrës së dikujt. Në këtë kontekst, fjala pamje do të thotë dukje e fytyrës së dikujt, që pasqyron qëndrimin, humorin ose gjendjen shpirtërore të njeriut. Përshkruani dikë që njihni, që ka marrë shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në pamjen e tij apo të saj.
Në praktikën mjekësore, një kardiogramë është një tabelë që doktorët nganjëherë e përdorin për të vlerësuar gjendjen e zemrës sonë fizike. Ajo i ndihmon të përcaktojnë gjendjet që kanë nevojë për kurim. Studioni vargjet nga Alma 5 që janë renditur në fund të kardiogramës shpirtërore më poshtë. Ndërsa e studioni secilin varg, shenjoni kutinë në tabelë që e përshkruan më mirë mënyrën se si do t’i përgjigjeshit pyetjes ose pyetjeve në secilin varg. (Nëse do t’ju pëlqente t’i mbanit më të fshehta përgjigjet tuaja, ju mund ta kopjoni këtë tabelë në një fletë letre më vete ose në ditarin tuaj vetjak dhe më pas plotësojeni atë.)
Alma 5 Kardiograma Shpirtërore | ||||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Gjithmonë | ||||||||
Pothuajse gjithmonë | ||||||||
Zakonisht | ||||||||
Ndonjëherë | ||||||||
Rrallë, ndoshta asnjëherë | ||||||||
Vargje nga Alma 5 |
15 |
16 |
19 |
26 |
27 |
28 |
29 |
30–31 |
Kur ta keni plotësuar kardiogramën tuaj shpirtërore, lexoni tek Alma 5:21–25. Kërkoni atë që Alma u mësoi për këtë të vërtetë: Duke përjetuar një ndryshim të zemrës, ne përgatitemi për të marrë një vend në mbretërinë e qiellit (mbretërinë çelestiale).
-
Bëni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Bëni një listë të fjalëve dhe shprehjeve që Alma përdori tek Alma 5:21–25 për të përshkruar gjendjen në të cilën do t’ju pëlqente të ishit tani.
-
Shpjegoni si mendoni se na përgatit ndryshimi i zemrës për të marrë një vend në mbretërinë e qiellit.
-
Lexoni tek Alma 5:33–36 dhe merrni parasysh mënyrën se si ndiheni rreth mesazhit të Almës. Kërkoni fjalë dhe shprehje që ju ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese:
-
Çfarë po më fton Zoti të bëj?
-
Cilat janë shpërblimet për pranimin e kësaj ftese?
-
Çfarë më mësojnë këto vargje rreth Shpëtimtarit?
Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Ezra Taft Benson që tregon se si dëshirojnë të jetojnë njerëzit që kanë pasur një ndryshim të zemrës:
“Kur zgjidhni të ndiqni Krishtin, ju zgjidhni të ndryshoheni. …
Zoti vepron nga brenda jashtë. Bota vepron nga jashtë brenda. Bota do t’i nxirte njerëzit nga llumrat. Krishti i nxjerr llumrat nga njerëzit dhe më pas, ata e nxjerrin vetveten nga llumrat. Bota do t’i brumoste njerëzit duke ndryshuar mjedisin e tyre. Krishti ndryshon njerëzit, të cilët më pas e ndryshojnë mjedisin e tyre. Bota do t’i jepte formë sjelljes njerëzore, por Krishti mund ta ndryshojë sjelljen njerëzore. …
Burrat [dhe gratë] e ndryshuara për Krishtin do të kryesohen nga Krishti. Si Pali ata do të pyetin: ‘Zot, ç’don ti të bëj unë?’ (Veprat e Apostujve 9:6.) …
Vullneti i tyre përpihet brenda vullnetit të Tij. (Shih Gjoni 5:30.)
Ata gjithmonë bëjnë ato gjëra që i pëlqejnë Zotit. (Shih Gjoni 8:29.)
Jo vetëm që ata do të vdisnin për Zotin, por, më e rëndësishme, ata dëshirojnë të jetojnë për Të.
Hyni në shtëpitë e tyre dhe pikturat në muret e tyre, librat në raftet e tyre, muzika që dëgjohet, fjalët dhe veprimet e tyre i shfaqin ata si të krishterë.
Ata qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat, dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet. (Shih Mosia 18:9.)
Ata kanë Krishtin në mendje, ndërsa shohin tek Ai në çdo mendim. (Shih DeB 6:36.)
Ata kanë Krishtin në zemër, ndërsa dashuria e tyre vendoset tek Ai përgjithmonë. (Shih Alma 37:36.)
Pothuajse çdo javë ata marrin sakramentin dhe i dëshmojnë sërish Atit të tyre të Amshuar se janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit të Tij, gjithmonë ta kujtojnë Atë dhe t’i zbatojnë urdhërimet e Tij. (Shih Moroni 4:3.)” (“Born of God”, Ensign, nëntor 1985, f. 5–7).
Për ta përfunduar këtë mësim, nënvizoni një ide nga thënia e Presidentit Benson që ju ndihmon të mendoni rreth mënyrës se si dëshironi të jetoni si një njeri që po përjeton një ndryshim të zemrës. Caktoni një synim që do t’ju ndihmojë t’i vini në zbatim ato që keni ndier, teksa keni studiuar mësimet e Almës rreth përjetimit të një ndryshimi të zemrës (ju mund të dëshironi ta shkruani atë në ditarin tuaj vetjak ose në një fletë letre më vete). Teksa kërkoni vazhdimisht të lindeni nga Perëndia dhe të përjetoni një ndryshim të zemrës, ju do të përgatiteni të hyni në mbretërinë e Perëndisë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 5:1–36 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: