Seminari
Njësia 15: Dita 3, Alma 6–7


Njësia 15: Dita 3

Alma 6–7

Hyrje

Pasi u dha mësim njerëzve në Zarahemla dhe vuri rregull në Kishë, Alma shkoi në qytetin e Gideonit. Ai i gjeti banorët atje më besnikë sesa kishin qenë ata në Zarahemla. Si rrjedhim, ai i nxiti njerëzit në Gideon që të mbështeteshin vazhdimisht te Zoti dhe të përpiqeshin ta zbatonin Shlyerjen e Tij në jetën e tyre. Dëshmia e Almës për Jezu Krishtin mund t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë gjerësinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe mund t’ju mësojë se si t’i merrni bekimet e Shlyerjes së Tij çdo ditë, ndërsa vazhdoni përgjatë shtegut të mbretërisë së Perëndisë.

Alma 6

Alma e forcon Kishën në Zarahemla dhe shkon të predikojë në Gideon

Plotësojeni fjalinë vijuese: Unë shkoj në kishë, sepse .

Teksa studioni Almën 6, mendoni rreth mënyrës se si të kuptuarit e qëllimeve të mbledhjeve të kishës mund t’i bëjë mbledhjet më kuptimplote për ju.

Përpara se Alma të largohej nga Zarahemla, ai e forcoi Kishën atje. Lexoni tek Alma 6:1–4 dhe përcaktoni dy ose tri shprehje që përshkruajnë përgjegjësitë e udhëheqësve të priftërisë në Kishë.

Një parim i rëndësishëm që mësojmë nga përvoja e Almës, është ky: Në kohën tonë, sikurse në kohët e Librit të Mormonit, Kisha është themeluar për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Lexoni tek Alma 6:5–6 dhe shenjoni dy shprehjet vijuese: “për të dëgjuar fjalën e Perëndisë” dhe “të bashkoheshin në agjërim dhe lutje të fuqishme për mirëqenien e shpirtrave të atyre që nuk e njihnin Perëndinë”. Këto shprehje përcaktojnë mënyra në të cilat Kisha siguron mundësi për të gjithë njerëzit që të rriten shpirtërisht e të ndihmojnë të tjerët. Mendoni rreth mënyrës se si anëtarët e Kishës në Zarahemla mund ta kishin plotësuar fjalinë që plotësuat ju më lart.

  1. ikona e ditaritShkruani disa ide në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth faktit se si të shkuarit në kishë për arsyet e përcaktuara tek Alma 6:5–6 mund të sjellë një ndryshim në përvojën tuaj në kishë.

Bekimet e anëtarësisë në Kishë u takojnë të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Xhefri R. Holland

Gjithsecili lutet për misionarët. Qoftë kështu përgjithmonë. Në po atë shpirt, ne gjithashtu duhet të lutemi për ata që janë duke u takuar (ose që kanë nevojë të takohen) me misionarët. Në Zarahemla, anëtarët u urdhëruan të ‘bashkoheshin në agjërim dhe lutje të fuqishme’ [Alma 6:6] për ata që nuk ishin bashkuar ende me Kishën e Perëndisë. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë.

Ne gjithashtu mund të lutemi çdo ditë për përvojat tona vetjake misionare. Lutuni që, nën drejtimin hyjnor të gjërave të tilla, mundësia misionare që dëshironi po përgatitet tashmë në zemrën e dikujt, i cili mezi pret dhe kërkon atë që ju keni. ‘Ka shumë vetë akoma mbi tokë … të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë’ [DeB 123:12]. Lutuni që ata t’ju gjejnë juve! Dhe më pas jini të vëmendshëm, sepse ka turma njerëzish në botën tuaj që ndiejnë uri në jetën e tyre, jo uri për bukë, as etje për ujë, por për të dëgjuar fjalën e Zotit [shih Amosi 8:11]” (“Witnesses unto Me”, Ensign, maj 2001, f. 15).

Për ta ndjekur këshillën e Plakut Holland, merrni parasysh t’i luteni Atit Qiellor për t’ju ndihmuar që t’i dalloni mundësitë misionare dhe të veproni sipas mundësive që po përgatiten për ju. Kërkoni mundësi për t’i ftuar të tjerët që t’iu tregoni bekimet që gëzoni si anëtar i Kishës.

Alma 7:1–13

Alma i mëson popullit të Gideonit rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit

Përfytyroni se po bëni një bisedë rreth pendimit, me miq që janë anëtarë aktivë të Kishës. Miqtë tuaj mendojnë se nuk kanë bërë ndonjë mëkat të madh dhe pyetin veten se si mund ta përjetojnë me të vërtetë fuqinë e Shlyerjes. Mendoni për atë që mund t’iu tregoni këtyre miqve. Kujtojini këto ide ndërsa studioni Almën 7:1–13.

Pasi u largua nga Zarahemla, Alma foli me njerëzit në qytetin e Gideonit. Lexoni tek Alma 7:3–6 për të parë se ç’gjendje shpirtërore shpresoi Alma të gjente mes njerëzve në Gideon. Më pas lexoni tek Alma 7:17–19 për të zbuluar nëse shpresat e Almës u vërtetuan. Në rreshtat vijues, përshkruani gjendjen shpirtërore të popullit të Gideonit:

Lexoni tek Alma 7:7–10 dhe kërkoni ngjarjen që Alma ndjeu se ishte më e rëndësishmja për t’u ditur nga njerëzit dhe ato që duhej të bënin njerëzit për t’u përgatitur për të.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni se Alma do t’u thoshte njerëzve që tashmë kishin besim të fortë (shih Alma 7:17), se ata duhej të pendoheshin që të përgatiteshin për ardhjen e Shpëtimtarit? (Shih Romakëve 3:23.)

Alma i mësoi popullit të Gideonit këtë parim të rëndësishëm: Jezu Krishti vuajti për të na shpëtuar nga mëkati e vdekja dhe për të na ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë. Lexoni tek Alma 7:11–13 dhe shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta gjendjet që Shpëtimtari qe i gatshëm të “m[errte] përsipër” për dobinë tonë.

Mund të jetë e dobishme të dini se dobësitë janë ligështi, paaftësi ose sëmundje – fjala përfshin shumë lloje problemesh. Fjala ndihmojë do të thotë t’i gjendesh dikujt në kohë nevoje ose shqetësimi. Rrënja e saj nga latinishtja do të thotë të vraposh në ndihmë të dikujt, që përçon dëshirën e thellë të Perëndisë për të na ndihmuar.

Në krah të Almës 7:11–13 në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, mund të dëshironi të shkruani thënien vijuese nga Plaku Brus C. Hejfën, që shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve: “Shlyerja nuk është vetëm për mëkatarët” (“Beauty for Ashes: The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, prill 1990, f. 7). (Alma 7:11–13 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme që të mund ta gjeni ku është në të ardhmen.)

  1. ikona e ditaritTabela e mëposhtme përmban fjalë nga Alma 7:11–13 të cilat përshkruajnë gjendjet që Shpëtimtari mori mbi Vete. Vizatojeni tabelën në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta dhe më pas zgjidhni disa nga këto fjalë dhe shkruani shembuj të mënyrave se si ju apo njerëz që njihni, i kanë përjetuar këto gjendje. Mendoni për atë që do të thotë që të kesh Jezu Krishtin që i merr mbi Vete këto gjëra.

Dhembje

Hidhërime

Tundime

Sëmundje

Vdekje

Dobësi

Mëkate

Plaku Xhefri R. Holland dha dëshminë vijuese se Shlyerja mund të na i ngrejë barrat tona:

“A po ndesheni me një demon të varësisë – duhanin ose drogën, apo bixhozin ose murtajën bashkëkohore, shkatërruese të pornografisë? Është martesa juaj në vështirësi apo fëmija juaj në rrezik? … A ndiheni i hutuar lidhur me identitetin gjinor apo duke kërkuar për vetëvlerësim? A ndesheni ju – ose dikush që doni – me sëmundje apo depresion ose vdekje? Çfarëdo hapash të tjerë mund t’ju duhet të ndërmerrni për t’i zgjidhur këto shqetësime, ejani fillimisht tek ungjilli i Jezu Krishtit. Besoni te premtimet e qiellit. Lidhur me këtë, dëshmia e Almës është dëshmia ime: ‘Unë e di njëmend’, thotë ai, ‘se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij’ [Alma 36:3].

Kjo mbështetje te natyra e mëshirshme e Perëndisë është vërtet në qendër të ungjillit që na mësoi Krishti. Unë dëshmoj se Shlyerja e Shpëtimtarit ngre nga ne jo vetëm barrën e mëkateve tona, por edhe barrën e zhgënjimeve dhe hidhërimeve tona, të dhembjeve tona dhe dëshpërimit tonë [shih Alma 7:11–12]. Që nga fillimi, të besuarit në një ndihmë të tillë ishte që të na jepte si një arsye, ashtu edhe një mënyrë për t’u përmirësuar, një nxitës për t’i ulur poshtë barrat tona dhe për të ngritur shpëtimin tonë” (“Gjëra të Rrënuara për t’u Rimëkëmbur”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 70–71).

  1. ikona e ditaritShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth ndjenjave tuaja për Jezu Krishtin dhe atë që Ai ka bërë për ju nëpërmjet Shlyerjes. Pastaj përgjigjiuni njërit ose të dy grupeve të mëposhtme të pyetjeve:

    1. Kur ju ka ndihmuar Shlyerja në një nga mënyrat e përshkruara tek Alma 7:11–13? Si ju ndihmoi Shlyerja gjatë asaj kohe?

    2. Si mund t’ju ndihmojë Shlyerja e Shpëtimtarit me një sfidë që po ndesheni aktualisht? Çfarë do të bëni për t’u mbështetur te Shlyerja, ndërkohë që ndesheni me këtë sfidë?

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Alma 7:11–13

Edhe pse Alma 7:11–13 është një fragment i gjatë i zotërimit të shkrimit të shenjtë, ai përmban fjalë të veçanta që mund t’ju ndihmojnë ta kujtoni shtrirjen dhe fuqinë e Shlyerjes gjatë gjithë jetës suaj. Për t’ju ndihmuar që t’i mësoni përmendsh këto fjalë kyçe, rishkruajeni Almën 7:11–13 në një fletë letre më vete, duke mos i përfshirë fjalët që gjenden në tabelën më përpara në këtë mësim. Lexoni deri në fund variantin tuaj të shkruar të këtij shkrimi të shenjtë derisa t’i plotësoni fjalët që mungojnë, pa parë te shkrimet tuaja të shenjta. Ju mund të dëshironi t’i shqyrtoni këto vargje në disa nga ditët në vijim, për t’ju ndihmuar të mbani mend atë që mund të bëjë Shpëtimtari për ju dhe të tjerët gjatë gjithë jetës suaj. Vëreni në provë zotërimin tuaj të shkrimit të shenjtë Alma 7:11–13, duke ia thënë me zë të lartë vetes, një pjesëtari të familjes apo një miku, ose duke e shkruar në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Më e Madhja e të Gjithave

Alma 7:14–27

Alma i nxit njerëzit të vazhdojnë përgjatë shtegut të mbretërisë së Perëndisë

Lexoni tek Alma 7:19 për të kujtuar mënyrën se si e përshkroi Alma gjendjen shpirtërore të njerëzve në Gideon. Alma po u mësonte këtë parim të rëndësishëm: Duke jetuar parimet e ungjillit, ne ndjekim shtegun drejt mbretërisë së Perëndisë. (Mbretëria e Perëndisë është mbretëria çelestiale.) Kërkoni Almën 7:14–16 dhe nënvizoni fjalët e shprehjet që tregojnë atë që duhet të bëjmë me qëllim që të ndjekim shtegun që do të na çojë drejt mbretërisë së Perëndisë. Pastaj kërkoni Almën 7:22–25 dhe nënvizoni fjalët e shprehjet që tregojnë atë që duhet të jemi me qëllim që ta ndjekim këtë shteg.

  1. ikona e ditaritVizatoni një shteg në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nga cepi i poshtëm majtas i një faqeje deri në cepin e sipërm djathtas të faqes. Shkruani Vdekshmëria në fund të shtegut dhe shkruani Mbretëria e Perëndisë në krye të shtegut. Përgjatë shtegut, shkruani atë që duhet të bëni dhe atë që duhet të jeni që do t’ju çojnë drejt mbretërisë së Perëndisë.

  2. ikona e ditaritZgjidhni një veprim nga shtegu dhe shkruani rreth mënyrës se si e keni parë dikë ta bëjë këtë. Më pas zgjidhni një cilësi nga shtegu dhe shkruani rreth mënyrës se si e keni parë dikë të jetë kështu. Caktoni një synim që do t’ju ndihmojë të përmirësoheni në këto dy fusha që të mund të hyni një ditë në mbretërinë e Perëndisë.

Lexoni tek Alma 7:27 dhe kërkoni bekimet që Alma e dinte se do të merrnin njerëzit, në qoftë se vazhdonin me besim dhe vepra të mira. Mbani mend se, teksa e ndiqni me besnikëri shtegun që të çon te mbretëria e Perëndisë, edhe ju mund t’i merrni këto bekime.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 6–7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: