Njësia 15: Dita 4
Alma 8–10
Hyrje
Pasi Alma dha mësim në Zarahemla, Gideon e Melek dhe shumë njerëz e kishin pranuar mesazhin e tij, njerëzit në Amoniha nuk e pranuan mesazhin e tij dhe e dëbuan nga qyteti i tyre. Megjithatë, i bindur ndaj urdhrit të Zotit, Alma u kthye në Amoniha. Zoti e përgatiti Amulekun që të pranonte Almën në Amoniha dhe të bashkohej me të për t’u dëshmuar njerëzve. Alma dhe Amuleku e paralajmëruan popullin e Amonihës se, nëse nuk pendoheshin, ata do të shkatërroheshin. Amuleku iu bind me besnikëri Perëndisë dhe e përdori famën, emrin e mirë dhe ndikimin e tij për ta përkrahur profetin Alma dhe për të dëshmuar për Jezu Krishtin.
Alma 8
Alma kthehet në mënyrë të bindur drejt Amonihës, ku ai e përgatit Amulekun të predikojë
Pasi Alma u mësoi ungjillin në Zarahemla dhe Gideon (shih Alma 5–7), ai udhëtoi për në Melek. Lexoni tek Alma 8:4–5 dhe përcaktoni se si e priti populli i Melekut mësimdhënien e Almës. (Shprehja “urdhrit të shenjtë të Perëndisë” tek Alma 8:4 nënkupton priftërinë, siç do ta shihni tek Alma 13.)
Pasi Alma përfundoi së dhëni mësim në Melek, ai udhëtoi drejt Amonihës për të predikuar. Ai pati një përvojë shumë të ndryshme me njerëzit që jetonin atje. Studioni figurat dhe fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta dhe më pas shkruani një titull për secilin, duke përmbledhur atë që i ndodhi Almës ndërkohë që ishte në Amoniha:
Merrni parasysh pyetjet vijuese (ju nuk keni nevojë t’i shkruani përgjigjet tuaja):
-
Engjëlli që iu shfaq Almës, ishte i njëjti engjëll që iu shfaq atij dhe bijve të Mosias më parë. Si mund të kenë qenë ngushëlluese fjalët e engjëllit për Almën (shih Alma 8:15)?
-
Përse mund të ketë qenë e vështirë për Almën që të kthehej në Amoniha (shih Alma 8:16)?
Pavarësisht nga vështirësia e urdhrit, Alma “u kthye me të shpejtë në tokën e Amonihës” (Alma 8:18). Presidenti Hauard W. Hanter na mësoi se Zotit i pëlqen shumë një bindje e tillë: “Sigurisht Zoti do, më shumë se ndonjë gjë tjetër, një vendosmëri të patundur për t’iu bindur këshillës së tij” (“Commitment to God”, Ensign, nëntor 1982, f. 58).
-
Zgjidhni një ose më shumë nga situatat vijuese. Pastaj shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si mund të bekohet një individ nëse ai apo ajo do të ishte i/e bindur:
-
Teksa një e re po niset për në shkollë, nëna e saj i kërkon të veshë një këmishë më të thjeshtë.
-
Një prift i ri ftohet nga peshkopi ose presidenti i tij i degës që të fitojë çmimin e tij të Detyrës ndaj Perëndisë.
-
Dy misionarë ndiejnë përshtypjen se duhet të vizitojnë një familje më pak aktive, në të cilën nëna nuk është anëtare e Kishës.
-
Ju mund të dëshironi ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta në anë të Almës 8:18–20: Nëse i përgjigjemi me të shpejtë fjalës së Zotit, Ai do të na ndihmojë t’i përmbushim urdhërimet e Tij.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një kohe kur ndiet se Zoti ju ndihmoi të jeni të drejtë e të bindur pavarësisht nga rrethanat sfiduese.
Lexoni tek Alma 8:27–32, duke kërkuar më shumë mënyra në të cilat Zoti e ndihmoi Almën të bënte atë që ishte urdhëruar të bënte.
Alma 9
Alma e paralajmëron popullin e Amonihës për t’u penduar dhe përgatitur për ardhjen e Jezu Krishtit
Alma 9 shënon përpjekjet e Almës për t’i mësuar popullit të Amonihës rreth nevojës së tyre për t’u penduar e për t’u shëlbuar nëpërmjet Shpëtimtarit, Jezu Krishtit. Në orvatje për t’i ndihmuar këta njerëz të ligj që ta pranonin nevojën e tyre për t’u penduar, Alma u bëri thirrje atyre të kujtonin atë që Perëndia kishte bërë për ta dhe për etërit e tyre.
Shihni tek Alma 9:8–10, 13 për përsëritje të fjalëve mbani mend dhe harruar. Si mendoni se do të kishin qenë të ndryshëm banorët e Amonihës nëse do t’i kishin mbajtur mend gjërat për të cilat foli Alma?
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni se është e rëndësishme t’i mbani mend përvojat shpirtërore që keni pasur në të shkuarën? Pastaj shkruani për një përvojë shpirtërore që nuk dëshironi ta harroni.
Pasi u bëri thirrje që të pendoheshin njerëzve në Amoniha, Alma i mësoi se ata duhej të përgatiteshin për kohën kur Shpëtimtari do të vinte në tokë. Lexoni tek Alma 9:26–27 dhe shenjoni fjalë dhe shprehje që ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë karakteristikat e Shpëtimtarit. (Fjala drejtësi do të thotë paanësi dhe barazi.) Çfarë ju mësojnë këto fjalë dhe shprehje rreth Shpëtimtarit? Gjatë javës që vjen, gjeni kohë për t’u menduar rreth tyre.
Alma 10
Amuleku përshkruan përvojën e tij me një engjëll dhe i nxit njerëzit të pendohen
Rrethoni pohimin që përshkruan më mirë se si u zgjuat nga gjumi këtë mëngjes:
-
U zgjova vetë, pa përdorur një zile zgjimi apo pa më thirrur dikush.
-
U zgjova me herën e parë që ra zilja ose me herën e parë që më thirrën.
-
Zilja ime e zgjimit ra disa herë ose u desh të më thërrisnin disa herë përpara se të zgjohesha.
Lexoni tek Alma 10:6 dhe gjeni sa “thirrje zgjimi” mori Amuleku ndërsa vazhdonte të ngrinte krye kundër Zotit. Në rreshtat e dhënë, shkruani përgjigjen tuaj për këtë pyetje: Çfarë mendoni se tregojnë shprehjet “nuk doja të dëgjoja” dhe “nuk doja t’i dija” rreth gjendjes shpirtërore të Amulekut përpara se engjëlli të vinte tek ai?
Sikurse shënohet tek Alma 10:2–11, Amuleku e përshkroi jetën e tij përpara se të vizitohej nga një engjëll dhe përpara kthimit të tij në besim tek ungjilli. Kërkoni Almën 10:1–6 për të gjetur hollësi që ju ndihmojnë të dini më shumë për Amulekun.
Amuleku tregoi se si një engjëll e udhëzoi që ta merrte Almën në shtëpi e të kujdesej për të. Lexoni tek Alma 10:7–11 dhe kërkoni mënyrat se si u bekuan Amuleku dhe njerëz të tjerë ngaqë Amuleku iu bind engjëllit.
Shkruajeni këtë parim në anë të Almës 10:11–12: Kur e dëgjojmë dhe i bindemi thirrjes së Zotit, bekime na vijnë neve dhe të tjerëve. Ka shumë mënyra në të cilat Zoti mund të na “thërrasë” – nëpërmjet një nxitjeje nga Shpirti; nëpërmjet një ndjenje; nëpërmjet një ëndrre; nëpërmjet fjalëve të një udhëheqësi të Kishës, mësuesi apo prindi; nëpërmjet marrjes së një thirrjeje për një pozicion në Kishë; nëpërmjet vështirësisë; ose nëpërmjet mënyrave të tjera.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjes vijuese: Kur keni ndier se u bekuat ngaqë iu bindët një “thirrjeje” nga Zoti?
Sikurse përshkruhet në pjesën tjetër të Almës 10, shumë njerëz në Amoniha nuk do t’i dëgjonin fjalët e Amulekut. Amuleku i paralajmëroi se, nëse nuk pendoheshin, do të vinte dita kur ata do të shkatërroheshin. Lexoni tek Alma 10:22–23 dhe përcaktoni arsyen përse njerëzit po kurseheshin nga shkatërrimi në atë kohë. Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth rëndësisë së të qenit i drejtë, edhe kur njerëzit përreth jush nuk janë?
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 8–10 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: