Seminari
Njësia 16: Dita 3, Alma 13


Njësia 16: Dita 3

Alma 13

Hyrje

Alma i mësoi popullit rebel të Amonihës rreth priftërinjve të lartë të Priftërisë Melkizedeke, të cilët shugurohen për t’i ndihmuar njerëzit të pendohen dhe të hyjnë në prehjen e Zotit. Ai dha shembullin e Melkizedekut, i cili e ndihmoi popullin e tij të pendohej e të jetonte në paqe. Alma u përpoq ta mësonte popullin e Amonihës që të kishte besim e shpresë dhe ta nxiste atë të ndryshonte me qëllim që ata të mund të përgatiteshin të hynin në prehjen e Zotit.

Alma 13:1–12

Alma i jep mësim popullit të Amonihës rreth thirrjes së priftërinjve të lartë

  1. ikona e ditaritLexojeni citimin vijues dhe më pas përgjigjiuni pyetjeve:

    “Në botën e shpirtrave para lindjes, Perëndia emëroi shpirtra të caktuar, me qëllim që të përmbushnin misione të veçanta gjatë jetës së tyre të vdekshme. Kjo quhet parashugurim.

    Parashugurimi nuk është garanci që individët do të marrin thirrje ose përgjegjësi të caktuara. Mundësi të tilla vijnë në këtë jetë si rezultat i ushtrimit të drejtë të lirisë së zgjedhjes, pikërisht ashtu siç erdhi parashugurimi si një rezultat i drejtësisë në ekzistencën para lindjes” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 69).

    1. Cila është lidhja midis zgjedhjeve të bëra gjatë jetës para lindjes dhe parashugurimit?

    2. Si ndikojnë te parashugurimi zgjedhjet e bëra gjatë jetës në vdekshmëri?

Edhe pse tek Alma 13 diskutohen mbajtësit e priftërisë, Presidenti Spenser W. Kimball na kujtoi se edhe motrave iu dhanë thirrje fisnike në ekzistencën para lindjes: “Mbani mend, në botën përpara se të vinim këtu, grave besnike iu dhanë detyra të caktuara, ndërsa burra besnikë u parashuguruan në detyra të caktuara priftërie” (“The Role of Righteous Women”, Ensign, nëntor 1979, f. 102).

Këshilli i Madh

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Jeta para lindjes nuk është një doktrinë rehatuese. Për secilin prej nesh, ka zgjedhje për t’u bërë, detyra të pareshtura dhe të vështira për t’u kryer, ironi dhe vështirësi për t’u përjetuar, kohë për t’u harxhuar mirë, talente dhe dhunti për t’u përdorur mirë. Thjesht ngaqë ne u zgjodhëm ‘atje dhe atëherë’, sigurisht nuk do të thotë se ne mund të jemi mospërfillës ‘këtu dhe tani’. Qoftë parashugurim për meshkujt apo paracaktim për gratë, ata që thirren dhe përgatiten, duhet edhe të vërtetojnë se janë ‘të zgjedhur dhe besnikë’. (Shih Zbulesa 17:14; DeB 121:34–36.)” (“Premortality, a Glorious Reality”, Ensign, nëntor 1985, f. 17).

Alma i mësoi popullit të Amonihës se shumë burra u parashuguruan në jetën para lindjes për të marrë priftërinë. Lexoni tek Alma 13:1, 8–9 dhe përcaktoni se për cilën priftëri diskutoi Alma. Mund të jetë e dobishme të dihet se në këtë kapitull, shprehja “urdhër i shenjtë” do të thotë Priftëria Melkizedeke ose “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë” (DeB 107:3). Merrni parasysh ta shenjoni shprehjen “urdhër i shenjtë” ndërsa studioni pjesën tjetër të këtij kapitulli (shih Alma 13:2, 6–7, 10–11, 16, 18). Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli: “Nefitët, që ishin besnikë dhe të vërtetë në zbatimin e ligjit të Moisiut, patën Priftërinë Melkizedeke, që do të thotë se ata patën plotësinë e ungjillit” (The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 421). Kjo do të thotë se profetët e Librit të Mormonit e patën Priftërinë Melkizedeke dhe e dinin si funksiononte.

Kërkoni tek Alma 13:2–6, 10 për të gjetur përgjigje për pyetjet vijuese dhe shkruajini përgjigjet në manualin tuaj:

  • Çfarë karakteristikash kishin ata që ishin shuguruar në Priftërinë Melkizedeke? (Shih Alma 13:3–5, 10.)

  • Çfarë u shuguruan të bënin këta mbajtës të Priftërisë Melkizedeke? (Shih Alma 13:6.)

  • Si e keni parë këtë të bëhet nga mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke që njihni në lagjen ose degën tuaj, dhe si e ka bekuar kjo jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve?

Alma 13 përmban një diskutim të thellë mbi Priftërinë Melkizedeke. Na mëson se njerëzit që e marrin këtë priftëri, u parashuguruan për ta marrë atë (shih vargun 3). Ata që e mbajnë këtë priftëri duhet t’u mësojnë të tjerëve urdhërimet e Perëndisë, me qëllim “që edhe ata të mund të hyjnë në pushimin e tij” (vargu 6). Priftëria është e përjetshme (shih vargun 9) dhe u dhurohet burrave “për shkak të besimit të tyre të jashtëzakonshëm dhe pendimit dhe drejtësisë së tyre para Perëndisë” (vargu 10). Mbajtësit e priftërisë bëhen të shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë kur mësojnë të kenë urrejtje të madhe për mëkatin dhe kështu ata “pastr[ohen] dhe hy[j]në në prehjen e Zotit, Perëndisë së tyre” (vargu 12).

Lexoni tek Alma 13:11–12 dhe përcaktoni efektin shenjtërues të Shlyerjes së Jezu Krishtit që morën ata mbajtës të priftërisë për shkak të besimit, pendimit dhe drejtësisë së tyre.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mësoni nga shembulli i këtyre mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke rreth asaj që mund të bëni për të marrë efektin shenjtërues të Shlyerjes në jetën tuaj?

  2. ikona e ditaritShkruajeni të vërtetën e mëposhtme në shkrimet tuaja shenjta përgjatë Almës 13:1–12 ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Burrat që janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe ushtrojnë besim të madh dhe zgjedhin drejtësinë, thirren në Priftërinë Melkizedeke për të sjellë të tjerë te Perëndia. Pastaj shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth faktit se si dijenia për këtë parim të ungjillit mund të ndikojë te mënyra se si reagoni ndaj udhëheqësve të priftërisë gjatë gjithë jetës suaj.

Alma 13:13–20

Alma jep mësim rreth Melkizedekut, një prift i lartë, i madhërishëm, i cili vendosi paqe mes popullit të tij

Melkizedeku Bekon Abramin

Lexoni tek Alma 13:13–18 dhe kërkoni fjalët që Alma përdori për të përshkruar Melkizedekun dhe atë që Melkizedeku bëri për popullin e tij. Mendoni se si këto fjalë përshkruajnë jetën e Melkizedekut, të ngjashme me të Krishtit. Alma dha mësim se mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke janë “sipas urdhrit të Birit, të Vetëmlindurit të Atit” (Alma 13:9; shih edhe DeB 107:2–4), i cili është Jezu Krishti, dhe se ata na drejtojnë tek Ai nëpërmjet shembullit të tyre dhe mësimeve të tyre. Plaku Brus R. Mek-Konki deklaroi: “Pa dyshim që ka shumë ngjarje në jetën e shumë profetëve që i veçojnë ata njerëz të drejtë si modele dhe shëmbëllime të Mesias së tyre. Është diçka e duhur dhe me vend që të kërkosh shëmbëlltyra për Krishtin kudo dhe t’i përdorësh ato në mënyrë të përsëritur për t’i mbajtur atë dhe ligjet e tij më kryesoret në mendjen tonë” (The Promised Messiah, f. 453).

Lexoni tek Alma 13:19 dhe kërkoni atë që na thotë ky varg për Melkizedekun. Shikojeni edhe një herë Almën 13:17 për të parë se si e përshkroi Alma popullin e Salemit kur Melkizedeku u bë mbreti i tyre. Vini re se si këto fjalë mund të përshkruanin edhe popullin e Amonihës (shih Alma 8:9; 9:28). Çfarë bëri populli në Salem si rrjedhim i përpjekjeve të Melkizedekut? (Shih Alma 13:18.)

Vini re se çfarë ushtroi, mori dhe predikoi Melkizedeku tek Alma 13:18. Mendoni për atë që mësoni rreth mënyrës se si duhet të jetë një udhëheqës i priftërisë nga shembulli i Melkizedekut.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kur keni përjetuar paqe ju ose dikush që e njihni, pas ndjekjes së këshillës së një udhëheqësi të drejtë të priftërisë?

Alma 13:21–31

Alma i fton njerëzit t’i binden zërit të Zotit dhe të hyjnë në prehjen e Tij

Kërkoni dhe shenjoni shprehjen e përsëritur “prehja e Zotit” (ose një frazë të ngjashme) tek Alma 13:12, 13, 16 dhe 29. Alma i mësoi popullit të Amonihës se Zoti thirri burra në priftëri që ta ndihmonin popullin të hynte në prehjen e Zotit. Ai e përdori shembullin e Melkizedekut për t’u treguar atyre se njerëzit që ishin plot paudhësi e ligësi, mund të pendoheshin dhe të hynin në prehjen e Zotit (shih Alma 13:17–18; shih edhe DeB 84:24).

Presidenti Jozef F. Smith tha se të hysh në prehjen e Perëndisë “do të thotë të futesh në njohurinë dhe dashurinë e Perëndisë, duke pasur besim në qëllimin e Tij dhe në planin e Tij, në një masë të atillë që e dimë se jemi korrekt, dhe që nuk po kërkojmë për diçka tjetër, nuk shqetësohemi nga çdo erë doktrine, apo nga dhelpëria dhe dinakëria e njerëzve që rrinë në pritje për të mashtruar. Ne dimë për doktrinën që është e Perëndisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef F. Smith [1998], f. 56).

Si do të prisnit të ishte sjellja e dikujt nëse ai ose ajo do të kishte hyrë në prehjen e Zotit në këtë jetë, ashtu siç e përshkroi Presidenti Jozef F. Smith atë?

Plaku Brus R. Mek-Konki na mësoi: “Shenjtorët e vërtetë hyjnë në prehjen e Zotit ndërkohë që janë në këtë jetë dhe, duke u mbështetur tek e vërteta, ata vazhdojnë në atë gjendje të bekuar derisa të prehen me Zotin në qiell. … Prehja e Zotit, në përjetësi, është të trashëgosh jetë të përjetshme, të fitosh plotësinë e lavdisë së Zotit” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 633).

Pasi Alma e paralajmëroi popullin e Amonihës që të përgatitej për ardhjen e Krishtit (shih Alma 13:21–26), ai dha udhëzim shtesë mbi mënyrën se si të hynin në prehjen e Zotit. Lexoni tek Alma 13:27–29 për të parë se cilat ishin ato udhëzime.

Mësimet e Almës mund të përmblidhen duke ndjekur parimin: Kur përgjigjemi me përulësi ndaj ftesës për t’u penduar, Shpirti përfundimisht do të na udhëheqë drejt prehjes së Zotit.

  1. ikona e ditaritPërcaktoni një prej bekimeve të përmendura tek Alma 13:27–29 që do të donit të merrnit. Pasi ta përcaktoni bekimin, kërkoni këshillën që dha Alma, e cila do t’ju ndihmojë të përgatiteni për ta marrë atë bekim. Pastaj shkruani një synim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta lidhur me mënyrën se si do ta vini në jetë këshillën e Almës, që të mund të hyni në prehjen e Zotit në këtë jetë dhe në tjetrën.

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 13 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: