Seminari
Njësia 17: Dita 1, Alma 17–18


Njësia 17: Dita 1

Alma 17–18

Hyrje

Alma 17–18 përmban atë që Mormoni shkroi për misionet e bijve të Mosias te lamanitët. Këto rrëfime japin një shembull të mënyrës se si misionarët sot duhet të përgatiten e të shërbejnë. Bijtë e Mosias kërkuan udhërrëfimin e Zotit teksa u përgatitën për t’ua predikuar ungjillin lamanitëve. Ndërsa shkuan secili në rrugën e tij, Zoti i ngushëlloi e u premtoi se ata do të sillnin shpirtra tek Ai. Amoni shkoi në tokën e Ishmaelit dhe filloi të jepte mësim duke i shërbyer një mbreti lamanit të quajtur Lamoni. Mbreti Lamoni u mahnit nga fuqia e Amonit kur ai i mbrojti grigjat e mbretit. Ky shërbim ia zbuti zemrën mbretit dhe popullit të tij për t’i dëgjuar mësimet e Amonit rreth Perëndisë dhe planit të shpëtimit. Mbreti Lamoni i besoi ato që i mësoi Amoni, e pranoi nevojën e tij për një Shpëtimtar, i thërriti Zotit për mëshirë dhe u mposht nga Shpirti.

Alma 17:1–18

Bijtë e Mosias përgatiten për t’u predikuar ungjillin lamanitëve

Mendoni rreth gjatësisë së kohës që djemtë dhe vajzat misionare shërbejnë në misionet e tyre sot. Lexoni tek Alma 17:4 dhe nënvizoni numrin e viteve gjatë të cilëve bijtë e Mosias e dhanë mësim ungjillin mes lamanitëve.

Teksa Alma po udhëtonte për në tokën e Mantit, ai takoi bijtë e Mosias, ndërkohë që ata po ktheheshin në shtëpi nga misionet e tyre të gjata dhe ata të gjithë u gëzuan. Lexoni tek Alma 17:2–4 dhe theksoni fjalët e shprehjet që përshkruajnë se çfarë lloji misionarësh ishin bijtë e Mosias.

  1. ikona e ditaritShqyrtoni Almën 17:2–4 Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, bëni sa vijon:

    1. Renditni atë që bënë bijtë e Mosias që të përgatiteshin për t’u bërë misionarë të efektshëm dhe përshkruajini rrjedhojat e përgatitjes së tyre.

    2. Përzgjidhni diçka që bënë këta misionarë, që ju do të dëshironit ta bënit më mirë në jetën tuaj ose një karakteristikë që do të dëshironit ta zhvillonit më plotësisht. Shkruani një paragraf rreth mënyrës se si mund ta bëni këtë.

Përsiatni për faktin se sa shpesh luteni dhe i kërkoni shkrimet e shenjta në mënyrë individuale dhe në familjen tuaj, dhe mendoni për mundësitë që keni për të agjëruar. Në çfarë mënyrash ju kanë ndihmuar këto praktika që të bëheni “të përforcuar në njohurinë e së vërtetës” (Alma 17:2)?

Nga shembulli i bijve të Mosias, ne mësojmë këtë parim: Kur i hetojmë shkrimet e shenjta, lutemi dhe agjërojmë, ne mund të marrim Frymën e Shenjtë dhe mund të japim mësim me fuqi.) Duke marrë Frymën e Shenjtë, ne mund të përgatitemi më mirë që ta ndajmë ungjillin me të tjerët.

Lexoni thënien e mëposhtme nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në të cilën ai u mësoi të rinjve se si mund të përgatiten për të qenë misionarë. Kërkoni mënyra të posaçme në të cilat mund ta përgatitni veten për ta shpërndarë ungjillin, sikurse bënë bijtë e Mosias.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Ju mund ta shtoni dëshirën tuaj për t’i shërbyer Perëndisë (shih DeB 4:3) dhe mund të filloni të mendoni siç mendojnë misionarët, të lexoni ato që lexojnë misionarët, të luteni sikurse luten misionarët dhe të ndieni atë që ndiejnë misionarët. Ju mund t’iu shmangeni ndikimeve të botës që e bëjnë të largohet Frymën e Shenjtë, dhe mund të rriteni në besim te vetja që të dalloni dhe që t’iu përgjigjeni nxitjeve shpirtërore. Rresht pas rreshti dhe parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje, ju dalëngadalë mund të bëheni misionari që shpresoni të bëheni, dhe misionari që Shpëtimtari pret [të bëheni]. …

Shpallja e ungjillit … nuk është thjesht një veprimtari në të cilën përfshihemi për një kohë të kufizuar ose një detyrë që duhet ta plotësojmë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përkundrazi, puna misionare është një shfaqje e identitetit dhe trashëgimisë sonë shpirtërore” (“Becoming a Missionary”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 46–47).

të rinj duke lexuar broshurën e Jozef Smithit

Lexoni tek Alma 17:9 dhe nënvizoni atë për të cilën u lutën bijtë e Mosias teksa përgatiteshin për të shërbyer. Lexoni tek Alma 17:11 dhe reflektoni mbi atë që Zoti u tha atyre rreth mënyrës se si të ishin një mjet në duart e Tij. Këto vargje na mësojnë parimin: Duke qenë një shembull i mirë, veçanërisht kur vuajmë, Zoti mund të na bëjë një mjet në duart e Tij.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një situatë në të cilën mendoni se mund të ishit një shembull i mirë. Mendoni rreth situatave në shkollë, situatave në shtëpi me familjen ose me farefisin tuaj dhe situatave shoqërore që i keni ballë për ballë ose në internet. Përshkruani se si do të tregoni një shembull të mirë në atë situatë.

Është më e vështirë të jesh një shembull i mirë në disa situata sesa në të tjera. Shikoni se si përshkruhen lamanitët tek Alma 17:12–16 dhe mendoni rreth arsyes përse bijtë e Mosias do ta kishin pasur të vështirë të jepnin mësim në këtë situatë.

Si mendoni ju, përse bijtë e Mosias ishin të gatshëm të duronin vuajtje me qëllim që të ndihmonin një popull i cili i urrente nefitët? Për t’ju ndihmuar të kuptoni se çfarë shpresonin të arrinin bijtë e Mosias, plotësoni vendin bosh me një fjalë nga Alma 17:16: Bijtë e Mosias dëshironin që lamanitët të silleshin në , sepse ata donin që lamanitët të dinin për planin e shëlbimit.

Për t’ju ndihmuar të kuptoni se si të jeni një shembull i mirë për të tjerët, plotësojeni këtë detyrë brenda disa ditëve të ardhshme: Kërkojini një pjesëtari të familjes ose një miku që t’ju tregojë se si shembulli i dikujt, i ngjashëm me të Krishtit, ka sjellë një ndryshim në jetën e tij apo të saj.

Alma 17:19–39

Amoni bëhet shërbëtor i mbretit Lamoni dhe ruan grigjat e tij

Ndërsa lexoni tek Alma 17:19–39, kërkoni mënyrën se si u shërbeu Amoni mbretit Lamoni dhe shërbëtorëve të mbretit. Mendoni rreth mënyrës se si shërbimi i Amonit i ndihmoi lamanitët të përgatiten për të marrë ungjillin. Planifikoni t’ia tregoni historinë e shpëtimit të grigjave të mbretit nga Amoni një pjesëtari të familjes ose një miku. Theksoni të vërtetën në vijim teksa tregoni historinë: Nëpërmjet shërbimit, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të përgatiten për ta pranuar ungjillin. Diskutoni me atë njeri për dikë që do t’ju pëlqente ta ndihmonit të bëhej më i fortë shpirtërisht. Mendoni se si mund t’i shërbeni këtij njeriu dhe vendosni si mund t’ia jepni shërbimin.

Alma 18

Besnikëria e Amonit i bën përshtypje mbretit Lamoni dhe Amoni i mëson ungjillin mbretit

Shërbëtorët e mbretit Lamoni i treguan atij atë që Amoni kishte bërë në mbrojtjen e grigjave të mbretit. Lexoni tek Alma 18:4–6 dhe kërkoni reagimin e mbretit ndaj asaj që kishte bërë Amoni.

Kur mbreti i pyeti shërbëtorët e tij se ku ishte Amoni, ata i treguan se Amoni po përmbushte një kërkesë të mëparshme nga mbreti për t’i përgatitur kuajt për një udhëtim në tokën e Nefit, ku jetonte i ati i mbretit. Lexoni tek Alma 18:12–15 dhe shikoni për ndikimin që pati shërbimi i Amonit te mbreti Lamoni.

Amoni Mbron Grigjat e Mbretit Lamoni

Lexoni tek Alma 18:16–21 dhe kërkoni fakte që Zoti po e udhëzonte Amonin teksa ai po i jepte mësim mbretit Lamoni. Në hapësirën e dhënë, shkruani si e ndihmoi Shpirti i Perëndisë Amonin në këtë situatë.

Ndërsa lexoni tek Alma 18:22–32, kërkoni të vërteta të caktuara të ungjillit që Amoni ia mësoi Lamonit. Ju mund të doni t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Ndërsa Amoni jepte mësim, ai po ndërtonte mbi bindjet që ai dhe Lamoni i kishin të përbashkëta. Lamoni besonte në një perëndi – të cilin e quante Shpirti i Madh – por ai nuk e kuptonte natyrën e vërtetë të Perëndisë.

Lexoni tek Alma 18:33–35 dhe kërkoni mënyrën se si u përgjigj Amoni kur mbreti e pyeti nëse ai ishte dërguar nga Perëndia.

  1. ikona e ditaritNga studimi juaj i Almës 17–18, shkruani një paragraf të shkurtër në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta që përmbledh atë që Amoni mundi të bënte mes lamanitëve me ndihmën e Perëndisë.

Ju mund të dëshironi ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta në anë të Almës 18:35: Kur i shërbejmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, Ata do ta rritin aftësinë tonë për ta bërë punën e Tyre.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese:

    1. Si mund t’ju ndihmojë parimi paraprirës në përgjegjësitë tuaja të tanishme dhe të ardhshme në Kishë?

    2. Si mund t’i shërbeni më me besnikëri Zotit që Ai të mund ta rritë aftësinë tuaj për të bërë punën e Tij?

Për shkak të shembullit dhe shërbimit besnik të Amonit, ai qe në gjendje t’i mësonte Lamonit për planin e shëlbimit të Atit Qiellor. Kujtoni se Lamoni po ndiente faj për vrasjet që kishte bërë (shih Alma 18:4–6). Lexoni tek Alma 18:36–43 dhe kërkoni mënyrën se si Amoni ia mësoi Lamonit planin e shëlbimit dhe si reagoi Lamoni ndaj këtyre mësimeve.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni se Shlyerja e Jezu Krishti do të ishte veçanërisht e rëndësishme për t’u kuptuar nga mbreti Lamoni?

Merrni parasysh si mund ta kishte ndihmuar Lamonin të mësuarit e doktrinave të Krijimit, të Rënies dhe të Shlyerjes për ta dalluar nevojën e tij për një Shpëtimtar. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth rëndësisë së Krijimit, të Rënies dhe të Shlyerjes:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Këto tri ngjarje hyjnore – tri shtyllat e përjetësisë – thuren së bashku në mënyrë të pandashme në një tapiceri të madhe, të njohur si plani i përjetshëm i shpëtimit. Ne e shohim shlyerjen e Zotit Jezu Krisht si qendrën, thelbin dhe zemrën e fesë së zbuluar. Ajo bën të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut. Shpëtimi është në Krishtin.

Po të mos kishte pasur rënie, nuk do të kishte pasur as shlyerje. Rënia e Adamit solli vdekje fizike e shpirtërore në botë dhe është prej këtyre vdekjeve që njeriu dhe të gjitha format e jetës shpaguhen nëpërmjet shlyerjes së bërë nga Zoti Jezu Krisht. Adami solli vdekshmërinë; Krishti solli pavdekshmërinë. Shpëtimi vjen për shkak të rënies dhe të shlyerjes.

Por nëse toka, njeriu dhe të gjitha gjërat e gjalla nuk do të ishin krijuar në gjendjen e tyre fizike dhe parajsore, në një gjendje pa vdekje, nuk do të kishte pasur rënie. … Prandaj shpëtimi u bë i mundur në dhe nëpërmjet dhe për shkak të krijimit të qiejve e tokës dhe të gjitha gjërave që janë në ta dhe mbi ta. Shpëtimi vjen për shkak të krijimit, rënies dhe shlyerjes; këto të tria janë secila pjesë e të njëjtit plan hyjnor” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 81–82).

Nga përvoja e Lamonit ne mund të mësojmë këtë të vërtetë: Kur e kuptojmë nevojën tonë për Shpëtimtarin, ne do të kemi dëshirë të pendohemi.

Mbylleni mësimin e sotëm duke përsiatur se çfarë mund të bëni që do t’ju ndihmojë ta kujtoni nevojën tuaj për Shpëtimtarin.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 17–18 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: