Njësia 18: Dita 4
Alma 32
Hyrje
Pasi dëshmuan për mënyrën braktisëse të adhurimit të zoramitëve, Alma dhe shokët e tij u predikuan atyre fjalën e Perëndisë. Ata filluan të përjetonin pak sukses mes njerëzve që ishin të varfër dhe që ishin dëbuar nga sinagogat e zoramitëve. Duke përdorur një analogji të mbjelljes dhe të ushqyerjes së një fare, Alma u mësoi atyre atë që duhet të bëjnë për ta marrë dhe ushqyer besimin te fjala e Perëndisë. Alma i ftoi ata (dhe ne) që të eksperimentonin me fjalën e ta ushqenin besimin dhe dëshminë e tyre çdo ditë.
Alma 32:1–16
Alma mëson zoramitët që ishin përulur për shkak të varfërisë së tyre
-
Përfytyroni se një mik ju pyeti se si mund ta dijë një njeri nëse Kisha është e vërtetë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përgjigjen tuaj rreth mënyrës si të merret një dëshmi. Pastaj shkruani Si ta marrësh e ta forcosh një dëshmi në rreshtin tjetër të ditarit tuaj. Ndërkohë që studioni Almën 32, bëni një listë nën këtë kre me pikëpamjet që zbuloni rreth mënyrës se si ta merrni e ta forconi një dëshmi. Ju do të vazhdoni të shtoni gjëra në këtë listë gjatë gjithë mësimit; prandaj, do të jetë e dobishme të lini njëfarë hapësire shtesë midis kësaj detyre të parë në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta dhe detyrës 2.
Në mësimin e mëparshëm (Alma 31), ju lexuat se si Alma dhe vëllezërit e tij vëzhguan adhurimin e rremë të zoramitëve, një grup nefitësh që ishin larguar nga e vërteta. Pas lutjes me besim të Almës, ai dhe vëllezërit e tij filluan të predikonin ungjillin mes këtyre njerëzve. Lexoni tek Alma 32:1–3 dhe gjeni se cili grup i zoramitëve shfaqi interes për mesazhin e misionarëve.
Lexoni tek Alma 32:4–6 dhe përcaktoni se si qenë efektet e varfërisë së tyre një bekim.
Një parim i ilustruar në këto vargje është: Përulësia na përgatit për të marrë fjalën e Perëndisë. Shkruani ji mirënjohës në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nën kreun “Si ta marrësh e ta forcosh një dëshmi”.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse mendoni se përulësia është thelbësore për marrjen dhe forcimin e një dëshmie.
Lexoni tek Alma 32:13–16, duke kërkuar mënyra të ndryshme se si njerëzit mund të bëhen të përulur. Në bazë të asaj që dha mësim Alma, a do të parapëlqenit të zgjidhnit të jeni të përulur apo që të jeni të detyruar të jeni të përulur? Përse?
Merrni parasysh çfarë do të thotë të përuleni “për shkak të fjalës” (Alma 32:14). Si mund të zbatohet kjo tek qëndrimi juaj kundrejt aktivitetit në Kishës, seminarit apo mbrëmjes familjare të shtëpisë?
Zgjidhni të jeni të përulur duke vënë në praktikë ndonjë nxitje që keni marrë lidhur me përulësinë tuaj vetjake.
Alma 32:17–43
Alma i mëson zoramitët se si ta shtojnë besimin e tyre
Ndërkohë që u jepte mësim zoramitëve, Alma dalloi një ide të rreme që e kishin shumë njerëz rreth marrjes së një dëshmie. Lexoni tek Alma 32:17–18 dhe përcaktojeni këtë ide të rreme.
Merrni parasysh për një çast se si mund të jetë pengesë pritja e një e shenje për formimin e besimit dhe të dëshmisë. (Ju mund të dëshironi të shkruani DeB 63:9–11 në anë të shkrimeve tuaja të shenjta ngjitur me Almën 32:17–18 dhe ta lexoni atë për më shumë ide.)
Lexoni tek Alma 32:21, një fragment zotërimi i shkrimit të shenjtë, dhe kërkoni përkufizimin e Almës për atë që besimi është dhe për atë që nuk është. (Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, me qëllim që të mund ta gjeni ku është në të ardhmen.)
Lexoni Almën 32:22. Përsiatni se çfarë mund të bëni për të zhvilluar besim dhe dëshmi vetjake më të madhe.
Shtoni shprehjet kujto mëshirën e Perëndisë dhe zgjidh të besosh te lista “Si ta marrësh e ta forcosh një dëshmi” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Alma u mësoi zoramitëve se si mund të fillonin të besonin te fjala e Perëndisë duke bërë një eksperiment. Mendoni për disa eksperimente që keni kryer në orët mësimore të kimisë apo të shkencave të tjera, dhe hapat që ndoqët. Vini në dukje se eksperimentet duan veprim nga ana e punonjësit shkencor. Po njësoj, procesi i marrjes apo i forcimit të dëshmisë kërkon veprim nga ana juaj. Lexoni tek Alma 32:27 dhe kërkoni eksperimentin që Alma i ftoi zoramitët të provonin.
Mund të jetë e dobishme të dini se fjala aftësitë do të thotë fuqitë ose mundësitë me të cilat bekohemi për ta njohur dhe kuptuar botën përreth nesh. Ato përfshijnë gjëra të tilla si shqisat tona të të dëgjuarit, të parit dhe të prekurit; të menduarit logjik dhe kujtesës.
Shtoni shprehjen eksperimento (ose vepro) mbi fjalën te lista “Si ta marrësh e ta forcosh një dëshmi” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Teksa lexoni Almën 32:28, mund të doni të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta shprehje të tilla si “të fillojë të fryhet”, “të zmadhojë shpirtin tim”, “të ndriçojë kuptimin tim” dhe “e këndshme për mua”. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se si rritet besimi ynë:
“Ne rritemi në besim; ne shkojmë hap pas hapi nga një shkallë më e ulët drejt një shkalle më të lartë. Ne i shtojmë hir hirit derisa në fund arrijmë në një gjendje ku e kemi përsosur besimin tonë, së paku për aq sa mundet pjesa më e madhe e njerëzve të drejtë, të vdekshëm dhe ne atëherë jemi në gjendje të vazhdojmë në përjetësi në përparim të përjetshëm. …
Punoni me projektet që keni përpara, dhe, kur të keni hedhur një hap drejt të fituarit të besimit, ai do t’ju japë sigurinë në shpirtin tuaj se mund të shkoni përpara dhe të hidhni hapin tjetër dhe hap pas hapi fuqia apo ndikimi juaj do të rritet” (Lord, Increase Our Faith, Brigham Young University Speeches of the Year [31 tetor 1967], f. 9, 11).
-
Pas leximit të Almës 32:28, plotësoni një ose më shumë prej detyrave vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë veprimesh duhet të bëjmë ose të mos bëjmë ndërkohë që kryejmë këtë eksperiment mbi fjalën? (Një listë me disa përgjigje të mundshme përfshihet në fund të mësimit.)
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë të “bëni vend që [fjala e Perëndisë] të mund të mbillet në zemrën tuaj?
-
Kur e keni ndier fjalën e Perëndisë ta zmadhojë shpirtin tuaj dhe ta ndriçojë kuptimin tuaj? Përshkruani me vetë fjalët tuaja se si u ndiet.
-
Lexoni tek Alma 32:29–34 dhe shenjoni fjalët ose shprehjet që përshkruajnë se çfarë do të mësojë një njeri rreth fjalës së Perëndisë ndërsa ai ose ajo kryen eksperimentin. Fjala ushqejmë do të thotë të japim ushqim, ta mbajmë ose të kujdesemi.
Mendoni për një çast se si procesi për ta ndihmuar një pemë të rritet, ngjason me të ndihmuarit e dëshmisë suaj që të rritet. Merrni parasysh edhe arsyen përse besimi dhe dëshmia e dikujt nuk është e përsosur pas kryerjes së eksperimentit me fjalën e Perëndisë. Çfarë mendoni ju se është e nevojshme të bëhet më shumë për të marrë një dëshmi të përhershme të ungjillit?
Lexoni tek Alma 32:35–40, duke kërkuar me kujdes atë që Alma tha se duhet të bëjmë për ta përfunduar eksperimentin. Përsiatni se çfarë duhet të bëni për pemën, apo dëshminë tuaj, që ajo të rritet. Çfarë do të ndodhë nëse nuk ia dilni t’i bëni këto gjëra?
Mbyllini shkrimet tuaja të shenjta dhe shihni se sa prej pyetjeve vijuese mund t’ju përgjigjeni:
-
Çfarë duhet të bëjmë që besimi ynë te fjala e Perëndisë të bëhet një pemë që jep fryt?
-
Si mendoni ju, çfarë përfaqëson fryti?
-
Çfarë ndodh kur e lëmë pas dore një pemë ose nuk arrijmë ta ushqejmë atë?
-
Si mendoni që kjo është e ngjashme me atë që ndodh kur e lëmë pas dore ose nuk arrijmë ta ushqejmë një dëshmi?
Nëse nevojitet, hapni shkrimet tuaja të shenjta dhe rishikoni Almën 32:35–40 për t’ju ndihmuar t’u përgjigjeni pyetjeve. Shtoni shprehjen ushqeje me zell te lista juaj “Si ta merrni dhe ta forconi një dëshmi” në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Përmblidheni me një fjali atë që mësuat nga Alma 32 rreth asaj që kërkohet për ta marrë ose forcuar një dëshmi, dhe shkruajeni këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë Almës 32:37–43.
Ju mund të keni shkruar diçka si: Nëse e ushqejmë me zell në zemrat tona besimin tonë në fjalën e Perëndisë, besimi ynë dhe dëshmia jonë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij do të rriten.
Lexoni tek Alma 32:41–43 duke kërkuar mënyrën si e përshkroi Alma frytin që u vjen atyre që i ushqejnë me besnikëri dëshmitë e tyre. Alma 32:42 përmend zellin dhe durimin. Përse mendoni se kërkohet zell dhe durim që pema – ose dëshmia juaj – të rritet?
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Alma 32:21
-
Lexojeni përsëri Almën 32:21. Përpiquni ta mësoni përmendsh këtë varg dhe më pas ia thoni përmendsh një miku apo pjesëtari të familjes. Shkruani disa fjali në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke shpjeguar se çfarë ju mëson ky varg për besimin.
Përgjigje të mundshme për detyrën 3a: a) bëni vend për fjalën (ose farën) që të mbillet në zemrën tuaj, b) mos e shkulni farën nëpërmjet mosbesimit juaj dhe c) dalloni rritjen e farës.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 32 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: