Seminari
Njësia 19: Dita 4, Alma 38


Njësia 19: Dita 4

Alma 38

Hyrje

Biri i Almës, Shibloni, shërbeu me të si misionar te zoramitët. Pas këtij misioni, Alma shprehu gëzim në qëndrueshmërinë dhe besnikërinë që kishte treguar Shibloni, ndërkohë që vuante përndjekje mes zoramitëve. Alma i dëshmoi Shiblonit për fuqinë e Jezu Krishtit për çlirim dhe e këshilloi të vazhdonte ta jepte mësim ungjillin.

Alma 38:1–3

Alma shpreh gëzim për besnikërinë e Shiblonit

Gjeni një minutë për të menduar për një kohë kur prindërit tuaj ndien gëzim për shkak të një vendimi të mirë që morët ju apo një pjesëtar tjetër i familjes, ose për shkak të mënyrës se si po e jetoni jetën.

një familje në tavolinë për darkë

Lexoni tek Alma 38:1–3 dhe kërkoni shprehje që përshkruajnë se si Alma u ndje rreth Shiblonit dhe përse u ndje ashtu. Shkruani disa nga shprehjet që gjetët:

Nga këto vargje ne mësojmë këtë parim: Kur fillojmë në rininë tonë të jemi të qëndrueshëm dhe besnikë në zbatimin e urdhërimeve, ne mund t’u sjellin gëzim të madh prindërve tanë.

  1. ikona e ditaritGjeni një çast për ta pyetur njërin prej prindërve, kujdestarëve ose udhëheqësve tuaj të Kishës se si ndikojnë vendimet e mira tek ai apo ajo. Shkruajini përgjigjet e tyre në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

Alma 38:4–9

Alma dëshmon për fuqinë e Shpëtimtarit për të çliruar

Alma i kujtoi Shiblonit se të dy ata e kishin përjetuar fuqinë e Shpëtimtarit për çlirim, edhe pse në mënyra të ndryshme. Lexoni tek Alma 38:4–8 dhe plotësoni tabelën më poshtë. Gjithashtu përdoreni atë që dini për Shiblonin nga Alma 38:2–3 dhe atë që keni mësuar për Almën nga kapituj të tjerë në Librin e Mormonit, për t’ju ndihmuar ta plotësoni tabelën.

Shibloni (Alma 38:2–5)

Alma (Alma 38:6–8)

Nga çfarë u çlirua ai?

Si e mori ai bekimin e çlirimit?

Nga përvoja e Shiblonit ne mund të mësojmë se: Nëse i durojmë të gjitha gjërat me durim dhe besim te Perëndia, Ai do të na çlirojë nga sprovat, shqetësimet e mundimet dhe do të na ngrejë në ditën e fundit. Nga përvoja e Almës ne mësojmë gjithashtu: Për të marrë heqje të mëkateve tona dhe për të gjetur paqe për shpirtrat tanë, ne duhet të ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe ta kërkojmë mëshirën e Tij.

Kristus-i
  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë mësoni nga tregimi i Shiblonit dhe i Almës rreth fuqisë së Shpëtimtarit për t’ju çliruar?

    2. Zgjidhni një nga parimet e treguara me shkrim të theksuar në paragrafin paraardhës dhe shkruani disa fjali rreth mënyrës si mund ta zbatoni atë parim në jetën tuaj.

Lexoni tek Alma 38:9 dhe kërkoni se çfarë dëshironte Alma që Shibloni të mësonte. Ju mund të doni të shenjoni një shprehje në këtë varg që mendoni se e përmbledh atë që Alma dëshironte që i biri të kuptonte.

Mendoni për një kohë kur fuqia e Shpëtimtarit ju çliroi nga sprovat, shqetësimet apo padenjësia juaj. Çfarë bëtë ju që ta kërkonit atë çlirim? A keni sprova apo mëkate në jetën tuaj tani? Si mund të ktheheni te Shpëtimtari për çlirim?

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni, përse është e rëndësishme për ju që të dini se e vetmja “udhë ose [i vetmi] mjet”, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet, është nëpërmjet Shpëtimtarit? (shih Alma 38:9).

Alma 38:10–15

Alma e këshillon Shiblonin që të vazhdojë të zhvillojë tipare të drejta

Mendoni për një mësues apo udhëheqës të Kishës që ka pasur një ndikim për mirë në jetën tuaj. Merrni parasysh cilësitë që admironi tek ai njeri.

Siç shënohet tek Alma 38:10–15, Alma e nxiti Shiblonin që të vazhdonte të zhvillonte cilësi që do ta ndihmonin atë, ndërkohë që ai vazhdoi t’u mësonte ungjillin dhe t’u shërbente të tjerëve. Këshilla që Alma i dha Shiblonit, mund të gjejë zbatim për këdo që dëshiron të ndikojë tek të tjerët për mirë nëpërmjet shërbimit, mësimdhënies dhe mënyrave të tjera. Studioni Almën 38:10–15 dhe përcaktoni ndonjë këshillë që ndieni se mund të jetë veçanërisht e dobishme për ju. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

  1. ikona e ditaritMë poshtë është një udhëzues studimi për t’ju ndihmuar ta kuptoni e ta zbatoni më tej këshillën e Almës për birin e tij Shiblonin (shih Alma 38:10–15). Nga kolona e majtë zgjidhni dy ose tri pjesë të këshillës së Almës që ndieni se do të jenë më të vlefshmet për ju. Plotësoni veprimtaritë përkatëse mësimore në kolonën e djathtë. Shkruajeni përgjigjen tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

    Udhëzuesi i Studimit për Almën 38:10–12

    Këshilla e Almës

    Veprimtari Mësimore

    “Të jesh i zellshëm dhe i përmbajtur në të gjitha gjërat” (Alma 38:10).

    Një njeri që është i zellshëm, bën përpjekje të qëndrueshme dhe energjike për veprimtaritë e jetës. Një njeri që është i përmbajtur, përdor maturi në të gjitha gjërat dhe ushtron vetëkontroll. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse nevojiten këto dy tipare kur u shërbeni të tjerëve. Shkruani se si mund të jeni më i zellshëm ose më i përmbajtur në një ose më shumë fusha të jetës suaj dhe si mund t’ju ndihmojë bërja e kësaj që t’u shërbeni të tjerëve në mënyrë më të efektshme.

    “Vër re të mos ngrihesh në krenari; po shiko të mos lëvdohesh” (Alma 38:11).

    Krenari, në shkrimet e shenjta, është kur dikush ka më shumë mirëbesim te vetja sesa te Perëndia. Ajo të thotë edhe që një njeri mendon se ai apo ajo është më i lartë se të tjerët. E kundërta e kësaj krenarie të padrejtë është përulësia. Ata që janë të përulur, përpiqen të mendojnë për të tjerët në të njëjtën mënyrë si mendojnë për veten dhe e duan Perëndinë dhe e vënë Atë të parin në jetën e tyre. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mund të ndodhte nëse një anëtar i Kishës ishte plot krenari dhe mburrje në thirrjen e tij ose të saj. Mendoni për thirrjen tuaj në Kishë ose për një mundësi tjetër që keni për të shërbyer. Shkruani një ose dy mënyra në të cilat do të përpiqeni të jeni të përulur dhe ta shmangni krenarinë ose mburrjen ndërsa shërbeni.

    “Ki guxim, por të mos jesh arrogant” (Alma 38:12).

    Të jesh i guximshëm do të thotë të jemi të sigurt se Perëndia është me ne dhe mund të na ndihmojë të veprojmë pa frikë në shërbim të Tij. Të jesh arrogant mund të nënkuptojë që t’ua detyrojmë bindjet ose qëndrimet tona të tjerëve pa qenë të ndjeshëm ndaj nevojave e ndjenjave të tyre. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse mendoni se Zoti do të dëshironte që ne të jemi të guximshëm. Shënoni edhe një mënyrë të caktuar në të cilën ju mund ta vini në jetë këshillën për të përdorur guxim, por jo arrogancë teksa kërkoni t’u shërbeni të tjerëve.

    “Të frenosh të gjitha pasionet e tua” (Alma 38:12).

    frenosh do të thotë të drejtosh ose të kontrollosh. Një pasion është një emocion i fortë. Përsiatni pyetjet e mëposhtme dhe shënojini përgjigjet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni se është e rëndësishme që ne t’i frenojmë pasionet tona – ose me fjalë të tjera, t’i drejtojmë apo kontrollojmë emocionet tona të forta? Si mendoni se frenimi i pasioneve tuaja mund t’ju ndihmojë të mbusheni me dashuri? Çfarë do të bëni për të ndjekur këshillën e Almës për t’i frenuar të gjitha pasionet tuaja?

    “Të përmbahesh nga përtacia” (Alma 38:12).

    Gjeni fjalët “Përtoj, Përtaci” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.lds.org) ose “Përtaci, Përtoj, Përtac” tek Udhëzuesi Tematik për të mësuar më tepër rreth asaj që do të thotë të jesh përtac. Zgjidhni dy nga vargjet e renditura nën atë temë dhe studiojini ato. Shënojeni atë që mësoni nga këto vargje, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Shkruani rreth mënyrës se si këshilla për t’u përmbajtur nga përtacia do t’ju ndihmojë t’u shërbeni të tjerëve në mënyrë më të efektshme. Së fundi, shkruani për një mënyrë të veçantë sipas së cilës ju do të përpiqeni të përmbaheni nga përtacia.

Këshilla e Almës për Shiblonin tek Alma 38:10–15 na mëson këtë parim: Zhvillimi i tipareve të drejta na përgatit për t’i mësuar të tjerët dhe për t’u shërbyer atyre. Përsiatni se si mund ta bekojë jetën tuaj dhe të njerëzve përreth jush zhvillimi i tipareve të drejta për të cilat lexuat tek Alma 38.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 38 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: