Njësia 23: Dita 1
Helamani 10
Hyrje
Pasi u mbyll gjyqi për vrasjen e kryegjykatësit (shih Helamani 7–9), Nefi u nis të kthehej në shtëpinë e tij. Ai po përsiaste atë që Zoti i kishte shfaqur, dhe gjithashtu u shqetësua për ligësinë e popullit. Në momentin e shkurajimit të Nefit, Zoti i foli dhe e bekoi përgjithmonë me pushtetin e vulosjes. Zoti e urdhëroi Nefin të vazhdonte t’i predikonte pendim popullit, një urdhër të cilit Nefi iu bind menjëherë.
Helamani 10:1–11
Nefi merr pushtetin e vulosjes
Mendoni për një kohë kur u përpoqët në mënyrën më të mirë të bënit atë që ishte e drejtë, por reagimi që morët nga të tjerët ose rezultatet që arritët, ishin të ndryshme nga sa pritnit. Te Helamani 10 ju do të lexoni se si Zoti e bekoi Nefin ndërsa ai vijoi të ishte besnik në rrethana të vështira.
Pasi doli i pafaj për vrasjen e kryegjykatësit, Nefi zbuloi se njerëzit nuk u përgjigjën me besim dhe nuk u penduan pasi dëshmuan ngjarjet dramatike të përfshira te Helamani 9. Nefi filloi të kthehej në shtëpi duke u ndier i shkurajuar. Lexoni Helamanin 10:1–3 dhe shihni për atë që po përsiaste [meditonte] Nefi teksa po ecte për në shtëpi. Ju mund të dëshironi ta shenjoni sa herë që fjala medituar përmendet në këto vargje. Të meditosh do të thotë të përsiatësh dhe të mendosh thellë, shpesh për shkrimet e shenjta apo gjëra të tjera të Perëndisë. Kur ndërthuret me lutjen, përsiatja e gjërave të Perëndisë mund të sjellë zbulesë dhe të rritë aftësinë për të kuptuar.
Mendoni për pyetjet vijuese:
-
Për çfarë po meditonte [përsiaste] Nefi?
-
Përse ndihej “i mërzitur” apo i trishtuar ai?
-
Çfarë ndodhi ndërsa po meditonte [përsiaste]?
Një parim që tregohet te Helamani 10:1–3, është: Meditimi i gjërave të Zotit na përgatit për të marrë zbulesë. Edhe shembuj të tjerë në shkrimet e shenjta e ilustrojnë këtë parim: Nefi përsiati rreth gjërave që i ati, Lehi, i kishte mësuar dhe mësoi për vërtetësinë e tyre (shih 1 Nefi 10:17; 11:1); i riu Jozef Smith “mendo[i] … herë pas here” rreth Jakobit [Bibël] 1:5 dhe e vërteta iu zbulua atij (shih Joseph Smith—Historia 1:11–19); edhe Presidenti Jozef F. Smith përsiati dhe reflektoi për shkrimet e shenjta që kanë të bëjnë me shëlbimin e të vdekurve dhe e vërteta iu zbulua atij (shih DeB 138:1–6, 11).
Pjesën më të madhe të zbulesës njerëzit e marrin kur përsiatin gjërat e Zotit, megjithatë, ajo nuk vjen përmes dëgjimit të zërave, të shikuarit të vegimeve ose mënyrave të tjera të tilla dramatike. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Zbulesat përcillen me një larmi mënyrash, duke përfshirë, për shembull, ëndrrat, vegimet, bashkëbisedime me lajmëtarë qiellorë dhe frymëzimin. Disa zbulesa merren përnjëherësh dhe ngjeshur; disa dallohen shkallë-shkallë dhe hollë-hollë. …
… Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. Kumtime të tilla nga Ati Qiellor, gradualisht e butësisht ‘[pikojnë] mbi shpirtin [tonë] sikurse vesat nga qiejt’ (DeB 121:45). Kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë dhe shihet te përvojat e Nefit, kur ai provoi disa përqasje të ndryshme para se t’ia dilte t’i merrte Labanit fletët e tunxhit (shih 1 Nefi 3–4). …
… Të vërtetat themelore të ungjillit të rivendosur nuk iu dorëzuan Profetit Jozef Smith njëherazi në Korijen e Shenjtë. Këto thesare të paçmuara u zbuluan sikurse e kërkonin rrethanat dhe ndërsa ishte koha e duhur.
Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi se si i ndodhte kjo mënyrë zbulese në jetën e tij: ‘Në djalëri … unë shpeshherë … do t’i kërkoja Zotit të më tregonte ndonjë gjë të mahnitshme, që unë të merrja një dëshmi. Por Zoti m’i mbajti tej çuditë dhe ma tregoi të vërtetën rresht pas rreshti … derisa Ai më bëri ta di të vërtetën që nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve të mia dhe derisa dyshimi e frika të më ishin spastruar krejt. …’ (në Conference Report, prill 1900, f. 40–41).
Ne, si anëtarë të Kishës, priremi për t’i theksuar aq shumë shfaqjet shpirtërore të mahnitshme e dramatike, saqë nuk arrijmë të vlerësojmë e madje mund të mos vëmë re mënyrën tipike me të cilën Fryma e Shenjtë përmbush punën e Tij” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88).
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta lidhur me një rast që ju mendoni se morët zbulesë personale. Cilat ishin rrethanat që e sollën zbulesën? Si ju ka ndihmuar përsiatja të merrni zbulesë? (Mbani mend që zbulesa mund të vijë në shumë mënyra. Ajo mund të përfshijë momente të papritura ose graduale të ndriçimit të mendjes dhe të të kuptuarit apo ndjenja të paqes dhe të sigurisë.)
Rezervoni kohë për të përsiatur rregullisht në jetën tuaj, të tilla si gjatë mbledhjeve të kishës, para dhe pas lutjeve e studimit vetjak të shkrimeve të shenjta, pas ndjekjes ose dëgjimit të konferencës së përgjithshme, kur agjëroni apo nderoni Shabatin.
Përfytyroni sikur të kishit diçka me vlerë të madhe për ju dhe ju duhej ta linit nën kujdesin e dikujt tjetër. Kujt do t’i besonit që të kujdesej për të? Përse do ta zgjidhnit atë individ? Çfarë ka bërë ai person për të fituar besimin tuaj?
Lexoni Helamanin 10:4–5 dhe kërkoni arsyen përse Zoti kishte mirëbesim te Nefi. Me ngulm do të thotë “pa u lodhur kurrë”. Përsiatni shembujt e njerëzve që njihni, të cilët duket se i shërbejnë Zotit me ngulm pavarësisht se si mund të jenë rrethanat.
Përgjigjja e Zotit për Nefin te Helamani 10:4 na mëson parimin: Zoti na mirëbeson bekime e përgjegjësi kur ne e vëmë vullnetin e Tij përpara vullnetit tonë.
-
Përgjigjiuni njërës ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Në çfarë mënyrash arrini të dalloni se cili është vullneti i Zotit në lidhje me jetën tuaj?
-
Çfarë keni bërë kohët e fundit në jetën tuaj për t’i treguar Zotit se vullneti i Tij është më i rëndësishëm se vetë vullneti juaj dhe se vullneti i Tij është ai që dëshironi të zbatoni gjithnjë?
-
Për cilën sferë të jetës suaj mund ta kërkonit dhe ta zbatonit më mirë vullnetin e Zotit në vend të vullnetit tuaj?
-
Lexoni Helamanin 10:5–7 dhe përcaktoni bekimet e premtimet që Zoti i dha Nefit ngaqë ishte i besueshëm. Shkruajini bekimet dhe premtimet pranë vargjeve përkatëse:
Bekimi i përcaktuar te Helamani 10:7 është një doktrinë qendrore e ungjillit të Jezu Krishtit: Fuqia e vulosjes lidh dhe zgjidh në tokë e në qiell. A dini për njerëz të tjerë në shkrimet e shenjta të cilëve u ishte dhënë kjo fuqi vulosëse? Ju mund të dëshironi ta bëni Helamanin 10:7 referencë-kryq me shkrimet e shenjta vijuese: 1 Mbretërve 17 (Elija); Mateu 16:15–19 (Pjetri); Doktrina e Besëlidhje 132:46 (Jozef Smithi).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 128:9 dhe përcaktoni atë që mësoi Profeti Jozef Smith për fuqinë vulosëse.
Po këta çelësa të fuqisë vulosëse mbahen sot nga Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ashtu si Zoti ishte në gjendje t’i mirëbesonte Nefit, Zoti gjithashtu e di se Presidenti i Kishës nuk do ta përdorë këtë fuqi në ndonjë mënyrë në kundërshtim me vullnetin e Tij. Ky autoritet i vulosjes iu jepet mbajtësve të tjerë të denjë të priftërisë nëpër botë, duke bërë të mundur që ordinancat e priftërisë të jenë lidhëse në tokë dhe në qiell.
Mendoni rreth thënies vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, lidhur me rëndësinë e kësaj fuqie vulosëse:
“Të gjitha gjërat që nuk janë të vulosura nga kjo fuqi, e kanë një fund kur njerëzit vdesin. Përveçse nëse një pagëzim ka këtë vulë të qëndrueshme, ai nuk do ta lejojë një person në mbretërinë çelestiale; përveçse nëse një besëlidhje e përjetshme e martesës është e vulosur nga ky autoritet, ajo nuk do t’i çojë palët pjesëmarrëse në një ekzaltim në qiellin më të lartë brenda botës çelestiale.
Të gjitha gjërat fitojnë një forcë të qëndrueshme dhe vlefshmërinë për shkak të fuqisë së vulosjes” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 683).
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Sipas Plakut Mek-Konki, çfarë ndodh në qoftë se një ordinancë nuk është e vulosur nga autoriteti i duhur?
-
Si ka ndikuar fuqia vulosëse në jetën tuaj dhe si do të dëshironit që ta bekonte jetën tuaj në të ardhmen?
-
Lexoni pohimin vijues nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, se fuqia vulosëse e Perëndisë është rivendosur: “Tempujt, ordinancat, besëlidhjet, indaumentet dhe vulosjet u rivendosën, saktësisht siç u profetizua. Ordinancat e tempullit sigurojnë pajtim me Zotin dhe i vulosin familjet së bashku përgjithmonë. Bindja ndaj besëlidhjeve të shenjta të bëra në tempuj, na cilëson të përshtatshëm për jetë të përjetshme – dhurata më e madhe e Perëndisë për njeriun” (“Përgatituni për Bekimet e Tempullit”, Ensign, tetor 2010, f. 42).
Sipas Plakut Nelson, çfarë na kualifikon për të marrë bekimet e premtuara të fuqisë vulosëse?
Helamani 10:12–19
Nefi i bindet urdhrit të Zotit për t’i predikuar pendim popullit
A ju është kërkuar ndonjëherë të bëni diçka nga një prind, punëdhënës apo udhëheqës dhe u vonuat ta bënit atë ose nuk ia dolët ta bënit atë që iu ishte kërkuar? Mendoni se çfarë mesazhi përçoni kur vononi që të veproni lidhur me atë që është kërkuar prej jush.
Lexoni Helamanin 10:11–12 dhe kërkoni mënyrën se si iu përgjigj Nefi urdhrit të Zotit për të, që t’i predikonte pendim popullit. Çfarë i tregojmë Zotit kur reagojmë me shpejtësi dhe menjëherë ndaj këshillës dhe urdhërimeve të Tij?
-
Lexoni Helamanin 10:13–18. Pastaj, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani disa fjali në lidhje me atë që mësoni nga shembulli që dha Nefi kur iu përgjigj urdhërimit të Zotit. Shkruani një mënyrë si mund ta zbatoni këtë në jetën tuaj.
Besnikëria e Nefit tregoi se Zoti mund t’i mirëbesonte atij dhe ai u bekua me fuqi të madhe dhe mbrojtje.
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë
Për një përsëritje të zotërimit të shkrimit të shenjtë, lexoni1 Nefin 3:7; 2 Nefin 2:27; 2 Nefin 31:19–20 dhe Mosian 2:17. Merrni parasysh se si këto vargje të zotërimit të shkrimit të shenjtë gjejnë zbatim për Nefin dhe shërbesën e tij te Helamani 10.
Kërkoni mënyra se si ta vini vullnetin e Zotit para vullnetit tuaj vetjak dhe të bindeni me shpejtësi. Ndërsa i shërbeni Zotit me besnikëri ashtu siç bëri Nefi, Ai do t’ju besojë dhe do t’ju bekojë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Helamanin 10 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: