Doktrinat Bazë
Doktrinat Bazë duhet të vihen në dukje si në orët mësimore të seminarit ashtu edhe të institutit. Mësuesit duhet t’i ndihmojnë studentët që t’i përcaktojnë, kuptojnë, besojnë, shpjegojnë dhe zbatojnë këto doktrina të ungjillit. Të vepruarit në këtë mënyrë do t’i ndihmojë studentët që t’i forcojnë dëshmitë e tyre dhe ta rritin vlerësimin e tyre për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Një studim i këtyre doktrinave gjithashtu do t’i ndihmojë studentët të përgatiten më mirë për t’ua dhënë mësim të tjerëve këto të vërteta të rëndësishme.
Pjesa më e madhe e 100 fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë, të përzgjedhura nga Seminaret dhe Institutet e Fesë, u zgjodhën për të mbështetur kuptueshmërinë e studentëve për Doktrinat Bazë. Shumica e referencave të shkrimeve të shenjta, të renditura në këtë dokument, u drejtohen fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ato janë përfshirë për të treguar mënyrën se si lidhen ato me Doktrinat Bazë.
1. Kreu Perëndi
Ka tri personazhe të veçanta në Kreun-Perëndi: Perëndia, Ati i Përjetshëm; Biri i Tij, Jezu Krishti; dhe Fryma e Shenjtë (shih Joseph Smith – Historia 1:15–20). Ati dhe Biri kanë trupa të prekshëm, prej mishi e kockash dhe Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit (shih DeB 130:22–23). Ata janë një në qëllim e doktrinë. Ata janë përsosurisht të bashkuar që të bëjnë të ndodhë plani hyjnor i Atit Qiellor për shpëtimin.
Perëndia, Ati
Perëndia, Ati, është Sundimtari më i Lartë i gjithësisë. Ai është Ati i shpirtrave tanë (shih Hebrenjve 12:9). Ai është i përsosur, ka gjithë fuqinë dhe i di të gjitha gjërat. Ai gjithashtu është një Perëndi mëshire, mirësie dhe dashurie hyjnore të përkryer.
Jezu Krishti
Jezu Krishti është i Parëlinduri i Atit në shpirt dhe është i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Jehova i Dhiatës së Vjetër dhe Mesia i Dhiatës së Re.
Jezu Krishti jetoi një jetë pa mëkat dhe kreu një Shlyerje të përkryer për mëkatet e gjithë njerëzimit (shih Alma 7:11–13). Jeta e Tij është shembulli i përsosur se si duhet të jetojë i gjithë njerëzimi (shih Gjoni 14:6; 3 Nefi 12:48). Ai ishte personi i parë në këtë tokë që u ringjall (shih 1 Korintasve 15:20–22). Ai do të vijë sërish në fuqi e lavdi dhe do të mbretërojë në tokë gjatë Mijëvjeçarit.
Të gjitha lutjet, bekimet dhe ordinancat e priftërisë duhet të bëhen në emrin e Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 18:15, 20–21).
Referenca përkatëse: Helamani 5:12; DeB 19:23; DeB 76:22–24
Fryma e Shenjtë
Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ai është një personazh i shpirtit pa një trup prej mishi e kockash. Atë shpesh e quajnë Shpirti, Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit dhe Ngushëlluesi.
Fryma e Shenjtë sjell dëshmi për Atin dhe Birin, zbulon të vërtetën e të gjitha gjërave dhe i shenjtëron ata që pendohen e pagëzohen (shih Moroni 10:4–5).
Referenca përkatëse: Galatasve 5:22–23; DeB 8:2–3
2. Plani i Shpëtimit
Në ekzistencën para lindjes, Ati Qiellor paraqiti një plan për të na krijuar mundësinë të bëhemi si Ai dhe për të marrë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme (shih Moisiu 1:39). Shkrimet e shenjta i drejtohen këtij plani si plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë, plani i shëlbimit dhe plani i mëshirës.
Plani i shpëtimit përfshin Krijimin, Rënien, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe të gjitha ligjet, ordinancat dhe doktrinat e ungjillit. Liria morale e zgjedhjes – aftësia për të zgjedhur dhe vepruar për veten tonë – është gjithashtu thelbësore në planin e Atit Qiellor (shih 2 Nefi 2:27). Për shkak të këtij plani, ne mund të përsosemi nëpërmjet Shlyerjes, mund të marrim plotësi të gëzimit dhe mund të jetojmë përgjithmonë në praninë e Perëndisë (shih 3 Nefi 12:48). Marrëdhëniet tona familjare mund të zgjatin gjatë gjithë përjetësive.
Referenca përkatëse: Gjoni 17:3; DeB 58:27
Jeta Para Lindjes
Përpara se të lindeshim në tokë, ne jetuam në praninë e Atit tonë Qiellor si fëmijët e Tij shpirtërorë (shih Abraham 3:22–23). Në këtë ekzistencë para lindjes, ne morëm pjesë në një këshill me fëmijë të tjerë shpirtërorë të Atit Qiellor. Gjatë atij këshilli, Ati Qiellor paraqiti planin e Tij dhe Jezu Krishti paratokësor besëlidhi se do të ishte Shpëtimtari.
Ne e përdorëm lirinë tonë të zgjedhjes për ta ndjekur planin e Atit Qiellor. Ne u përgatitëm për të ardhur në tokë, ku mund të vazhdonim të përparonim.
Ata që e ndoqën Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, u lejuan të vinin në tokë për ta përjetuar vdekshmërinë dhe për të përparuar drejt jetës së përjetshme. Luciferi, një tjetër bir shpirtëror i Perëndisë, ngriti krye kundër planit. Ai u bë Satani, dhe ai e pasuesit e tij u dëbuan nga qielli, dhe atyre iu mohuan privilegjet e marrjes së një trupi fizik dhe të përjetimit të vdekshmërisë.
Referencë përkatëse: Jeremia 1:4–5
Krijimi
Jezu Krishti i krijoi qiejt dhe tokën nën drejtimin e Atit. Toka nuk u krijua nga hiçi; ajo u organizua nga materia ekzistuese. Jezu Krishti ka krijuar botë të panumërta (shih DeB 76:22–24).
Krijimi i tokës ishte thelbësor në planin e Perëndisë. Ai siguroi një vend ku ne mund të fitonim një trup fizik, të viheshim në provë e të provoheshim dhe të zhvillonim tipare hyjnore.
Ne duhet t’i përdorim burimet e tokës me urtësi, gjykim dhe falënderim (shih DeB 78:19).
Adami ishte njeriu i parë i krijuar në tokë. Perëndia i krijoi Adamin dhe Evën sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij. Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – krijohen sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (shih Zanafilla 1:26–27).
Rënia
Në Kopshtin e Edenit, Perëndia i urdhëroi Adamin dhe Evën që të mos merrnin nga fryti i pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes; pasoja e këtij veprimi do të ishte vdekja shpirtërore dhe fizike. Vdekja shpirtërore është ndarja nga Perëndia. Vdekja fizike është ndarja e shpirtit nga trupi i vdekshëm. Për shkak se Adami dhe Eva e shkelën urdhrin e Perëndisë, ata u dëbuan nga prania e Tij dhe u bënë të vdekshëm. Shkelja e Adamit dhe e Evës dhe ndryshimet pasuese që ata përjetuan, duke përfshirë vdekjen shpirtërore dhe fizike, quhen Rënia.
Si rrjedhojë e Rënies, Adami dhe Eva dhe pasardhësit e tyre mund të përjetojnë gëzim dhe hidhërim, të njohin të mirën e të keqen dhe të kenë fëmijë (shih 2 Nefi 2:25). Si pasardhës të Adamit dhe Evës, ne trashëgojmë një gjendje të rënë gjatë vdekshmërisë. Ne veçohemi nga prania e Zotit dhe i nënshtrohemi vdekjes fizike. Ne gjithashtu vihemi në provë nëpërmjet vështirësive të jetës dhe tundimeve të kundërshtarit. (Shih Mosia 3:19.)
Rënia është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Ajo ka një drejtim të dyfishtë – zbritës, por edhe që shkon përpara. Përveç paraqitjes së vdekjes fizike dhe shpirtërore, ajo na dha mundësinë të lindemi në tokë dhe të mësojmë e të përparojmë.
Jeta në Vdekshmëri
Jeta në vdekshmëri është një kohë për të mësuar, kur ne mund të përgatitemi për jetë të përjetshme dhe të vërtetojmë se do ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të bërë gjithçka që ka urdhëruar Zoti. Gjatë kësaj jete në vdekshmëri, ne duhet t’i duam të tjerët dhe t’u shërbejmë atyre (shih Mosia 2:17; Moroni 7:45, 47–48).
Në vdekshmëri, shpirtrat tanë bashkohen me trupat tanë fizikë, duke na dhënë mundësinë të rritemi dhe të zhvillohemi në mënyra që nuk ishin të mundura në jetën para lindjes. Trupat tanë janë një pjesë e rëndësishme e planit të shpëtimit dhe duhet të respektohen si një dhuratë nga Ati ynë Qiellor (shih 1 Korintasve 6:19–20).
Referenca përkatëse: Jozueut 24:15; Mateu 22:36–39; 2 Nefi 28:7–9; Alma 41:10; DeB 58:27
Jeta pas Vdekjes
Kur vdesim, shpirtrat tanë hyjnë në botën e shpirtrave dhe presin Ringjalljen. Shpirtrat e të drejtëve pranohen në një gjendje lumturie, që quhet parajsë. Shumë nga besnikët do ta predikojnë ungjillin tek ata që ndodhen në burgun e shpirtrave.
Burgu i shpirtrave është një vend i përkohshëm në botën pas vdekjes për ata që ndërrojnë jetë pa njohurinë e së vërtetës dhe për ata që janë të pabindur në vdekshmëri. Atje, shpirtrave u mësohet ungjilli dhe kanë mundësi të pendohen dhe t’i pranojnë ordinancat e shpëtimit që kryhen për ta në tempuj (shih 1 Pjetër 4:6). Ata, të cilët e pranojnë ungjillin, do të banojnë në parajsë deri në Ringjallje.
Ringjallja është ribashkimi i trupave tanë shpirtërorë me trupat tanë fizikë të përkryer prej mishi e kockash (shih Lluka 24:36–39). Pas ringjalljes, shpirti dhe trupi nuk do të ndahen më kurrë dhe do të jenë të pavdekshëm. Çdo person i lindur në tokë do të ringjallet ngaqë Jezu Krishti e mposhti vdekjen (shih 1 Korintasve 15:20–22). Të drejtët do të ringjallen përpara të ligjve dhe do të vijnë në Ringjalljen e Parë.
Gjykimi Përfundimtar do të ndodhë pas Ringjalljes. Jezu Krishti do ta gjykojë çdo person për të përcaktuar lavdinë e përjetshme që ai ose ajo do të marrë. Ky gjykim do të bazohet në bindjen e secilit person ndaj urdhrave të Perëndisë (shih Zbulesa 20:12; Mosia 4:30).
Ka tri mbretëri lavdie (shih 1 Korintasve 15:40–42). Më e larta e këtyre mbretërive është mbretëria çelestiale. Ata që janë të guximshëm në dëshminë për Jezusin dhe të bindur ndaj parimeve të ungjillit, do të banojnë në mbretërinë çelestiale, në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit (shih DeB 131:1–4).
E dyta nga tri mbretëritë e lavdisë është mbretëria terrestriale. Ata që banojnë në këtë mbretëri, do të jenë burra e gra të nderuar të tokës, që nuk ishin të guximshëm në dëshminë për Jezusin.
Mbretëria telestiale është më e ulëta e tri mbretërive të lavdisë. Ata që e trashëgojnë këtë mbretëri, do të jenë ata që zgjodhën ligësinë në vend të drejtësisë gjatë jetës së tyre në vdekshmëri. Këta individë do ta marrin lavdinë e tyre pasi të shëlbohen nga burgu i shpirtrave.
Referencë përkatëse: Gjoni 17:3
3. Shlyerja e Jezu Krishtit
Të shlyesh nënkupton të vuash ndëshkimin për mëkatin, duke hequr kështu pasojat e mëkatit nga mëkatari/ja i/e penduar dhe ta lejosh atë të pajtohet me Perëndinë. Jezu Krishti ishte i vetmi që ishte në gjendje të bënte një shlyerje të përsosur për të gjithë njerëzimin. Shlyerja e Tij përfshiu vuajtjen e Tij për mëkatet e njerëzimit në Kopshtin e Gjetsemanit, derdhjen e gjakut të Tij, vuajtjen dhe vdekjen e Tij në kryq dhe Ringjalljen e Tij nga varri (shih Lluka 24:36–39; DeB 19:16–19). Shpëtimtari ishte në gjendje ta kryente Shlyerjen pasi Ai e mbajti veten e Tij të pastër nga mëkati dhe pati fuqi mbi vdekjen. Nga nëna e Tij e vdekshme, Ai trashëgoi aftësinë për të vdekur. Nga Ati i Tij i pavdekshëm, Ai trashëgoi fuqinë për ta marrë sërish jetën e Tij.
Nëpërmjet hirit, të bërë të mundur me anë të sakrificës shlyese të Shpëtimtarit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe do ta marrin pavdekësinë. Shlyerja e Jezu Krishtit gjithashtu e bën të mundur për ne marrjen e jetës së përjetshme (shih Moroni 7:41). Për ta marrë këtë dhuratë, ne duhet ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, i cili përfshin të pasurit e besimit në Të, pendimin për mëkatet tona, të qenit të pagëzuar, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund me besnikëri (shih Gjoni 3:5).
Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti jo vetëm vuajti për mëkatet tona, por gjithashtu mori mbi veten e Tij dhembjet, sëmundjet dhe dobësitë e të gjithë njerëzve (shih Alma 7:11–13). Ai e kupton vuajtjen tonë, sepse Ai e ka përjetuar atë. Hiri i Tij, ose fuqia shëlbuese, na forcon për t’i mbajtur barrët dhe për t’i përmbushur detyrat që nuk mund t’i bëjmë vetë (shih Mateu 11:28–30; Filipianëve 4:13; Ethëri 12:27).
Referenca përkatëse: Gjoni 3:5; Veprat e Apostujve 3:19–21
Besimi në Jezu Krishtin
Besimi është një “[shpresë] për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta” (Alma 32:21; shih edhe Ethëri 12:6). Është një dhuratë nga Perëndia.
Besimi duhet të përqendrohet te Jezu Krishti me qëllim që ta udhëheqë një njeri drejt shpëtimit. Të kesh besim te Jezu Krishti do të thotë të mbështetesh tërësisht tek Ai dhe të mirëbesosh te Shlyerja, fuqia dhe dashuria e Tij e pafundme. Ky përfshin besimin në mësimet e Tij dhe besimin se, ndonëse nuk i kuptojmë të gjitha gjërat, Ai i kupton (shih Fjalët e Urta 3:5–6; DeB 6:36).
Më shumë se bindje jovepruese, besimi shprehet me mënyrën se si ne jetojmë (shih Jakob [Bibël] 2:17–18). Besimi mund të rritet kur lutemi, i studiojmë shkrimet e shenjta dhe u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme gjithashtu kanë besim te Perëndia, Ati, te Fryma e Shenjtë dhe fuqia e priftërisë, si edhe tek aspekte të tjera të rëndësishme të ungjillit të rivendosur. Besimi na ndihmon të marrim shërim dhe forcë shpirtërore e fizike për të shkuar përpara, për t’u bërë ballë vështirësive dhe për ta mposhtur tundimin (shih 2 Nefi 31:19–20). Zoti do të bëjë mrekulli të fuqishme në jetën tonë sipas besimit tonë.
Nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, një njeri mund të fitojë heqje të mëkateve dhe përfundimisht të jetë në gjendje të banojë në praninë e Perëndisë.
Referencë përkatëse: Mateu 11:28–30
Pendimi
Pendimi është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës që na jep një pamje të qartë rreth Perëndisë, rreth vetes sonë dhe rreth botës. Ai përfshin largimin nga mëkati dhe kthimin te Perëndia për falje. Ai nxitet nga dashuria për Perëndinë dhe dëshira e sinqertë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
Mëkatet tona na bëjnë të papastër – të padenjë për t’u kthyer e për të banuar në praninë e Atit tonë Qiellor. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, Ati ynë në Qiell ka siguruar të vetmen mënyrë që ne të falemi për mëkatet tona (shih Isaia 1:18).
Pendimi gjithashtu përfshin ndjenjën e hidhërimit për mëkatin e kryer, rrëfimin para Atit Qiellor dhe të tjerëve nëse është e nevojshme, braktisjen e mëkatit, përpjekjen për të rivendosur aq sa është e mundur të gjithçkaje që është dëmtuar nga mëkatet e personit, dhe të jetuarit e një jete me bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë (shih DeB 58:42–43).
Referenca përkatëse: Isaia 53:3–5; Gjoni 14:6; 2 Nefi 25:23, 26; DeB 18:10–11; DeB 19:23; DeB 76:40–41
4. Periudha Ungjillore, Braktisja dhe Rivendosja
Periudha Ungjillore
Një periudhë ungjillore është një periudhë kohore kur Zoti zbulon doktrinat, ordinancat dhe priftërinë e Tij. Është një periudhë në të cilën Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë, i cili mban priftërinë e shenjtë dhe i cili ka një detyrë hyjnore për ta përhapur ungjillin dhe më pas për të administruar ordinancat. Sot po jetojmë në periudhën e fundit ungjillore – periudhën e plotësisë së kohëve, e cila filloi me zbulesën e ungjillit te Jozef Smithi.
Periudhat e mëparshme ungjillore përcaktohen me Adamin, Enokun, Noeun, Abrahamin, Moisiun dhe Jezu Krishtin. Veç këtyre, ka pasur periudha të tjera ungjillore, duke përfshirë ato midis nefitëve dhe jareditëve. Plani i shpëtimit dhe ungjilli i Jezu Krishtit janë zbuluar dhe dhënë mësim në çdo periudhë ungjillore.
Braktisja
Kur njerëzit largohen nga parimet e ungjillit dhe nuk i kanë çelësat e priftërisë, ata janë në një gjendje braktisjeje.
Gjatë historisë së botës kanë ndodhur periudha të braktisjes së përgjithshme. Një shembull është Braktisja e Madhe, e cila ndodhi pasi Shpëtimtari e krijoi Kishën e Tij (shih 2 Thesalonikasve 2:1–3). Pas vdekjes së Apostujve të Shpëtimtarit, parimet e ungjillit u korruptuan dhe u bënë ndryshime të paautorizuara në organizimin e Kishës dhe tek ordinancat e priftërisë. Për shkak të kësaj ligësie të përhapur gjerësisht, Zoti i largoi nga toka autoritetin dhe çelësat e priftërisë.
Gjatë Braktisjes së Madhe, njerëzit ishin pa drejtim hyjnor nga profetë të gjallë. Shumë kisha u krijuan, por ato nuk e kishin autoritetin për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë ose për të kryer ordinanca të tjera të priftërisë. Pjesë të shkrimeve të shenjta u shkatërruan ose u humbën dhe njerëzit nuk kishin më një kuptim të saktë për Perëndinë.
Kjo braktisje zgjati derisa Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur iu shfaqën Jozef Smithit dhe filluan Rivendosjen e plotësisë së ungjillit.
Rivendosja
Rivendosja është rithemelimi nga Perëndia i të vërtetave dhe ordinancave të ungjillit të Tij mes fëmijëve të Tij në tokë (shih Veprat e Apostujve 3:19–21).
Gjatë përgatitjes për Rivendosjen, Zoti ngriti burra fisnikë gjatë asaj që quhet Reformimi. Ata u përpoqën t’i kthejnë doktrinën, parimet dhe organizimin fetar drejt mënyrës se si i kishte krijuar Shpëtimtari. Megjithatë, ata nuk e kishin priftërinë ose plotësinë e ungjillit.
Rivendosja filloi në vitin 1820 kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në përgjigje të lutjes së tij (shih Joseph Smith – Historia 1:15–20). Disa nga ngjarjet kryesore të Rivendosjes ishin përkthimi i Librit të Mormonit, rivendosja e Priftërive Aarone e Melkizedeke dhe organizimi i Kishës më 6 prill 1830.
Priftëria Aarone iu rivendos Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit nga Gjon Pagëzori më 15 maj 1829. Priftëria Melkizedeke dhe çelësa të mbretërisë gjithashtu u rivendosën në vitin 1829, kur Apostujt Pjetri, Jakobi dhe Gjoni ua dhanë ato Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.
Plotësia e ungjillit është rivendosur dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30). Kisha më së fundi do ta mbushë të gjithë dheun dhe do të ekzistojë përjetë.
Referenca përkatëse: Isaia 29:13–14; Ezekiel 37:15–17; Efesianëve 4:11–14; Jakob [Bibël] 1:5–6
5. Profetët dhe Zbulesa
Një profet është një njeri i cili është thirrur nga Perëndia që të flasë për Të (shih Amos 3:7). Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe e japin mësim ungjillin e Tij. Ata e bëjnë të njohur vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë. Ata e dënojnë mëkatin dhe paralajmërojnë për pasojat e tij. Me raste, ata profetizojnë ngjarje të së ardhmes (shih DeB 1:37–38). Shumë mësime të profetëve gjenden në shkrimet e shenjta. Ndërsa i studiojmë fjalët e profetëve, ne mund të mësojmë të vërtetën dhe të marrim udhërrëfim (shih 2 Nefi 32:3).
Ne e mbështetim Presidentin e Kishës si profet, shikues e zbulues dhe si të vetmin njeri në tokë që merr zbulesë për ta drejtuar të gjithë Kishën. Ne gjithashtu i mbështetim këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues.
Zbulesa është komunikim nga Perëndia për fëmijët e Tij. Kur Zoti ia zbulon vullnetin e Tij Kishës, Ai flet nëpërmjet profetit të Tij. Shkrimet e shenjta – Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe – përmbajnë zbulesa të dhëna nëpërmjet profetëve të lashtë dhe profetëve të ditëve të mëvonshme. Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është profeti i Perëndisë në tokë sot.
Individët mund të marrin zbulesë për t’i ndihmuar me nevojat, përgjegjësitë dhe pyetjet e tyre të veçanta dhe për t’i ndihmuar ata t’i forcojnë dëshmitë e tyre. Shumica e zbulesave të dhëna udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës vijnë nëpërmjet mbresave dhe mendimeve nga Fryma e Shenjtë. Fryma e Shenjtë u flet mendjeve e zemrave tona me një zë të qetë e të ulët (shih DeB 8:2–3). Zbulesa gjithashtu mund të vijë nëpërmjet vegimeve, ëndrrave dhe vizitave nga engjëjt.
Referenca përkatëse: Psalmeve 119:105; Efesianëve 4:11–14; 2 Timoteut 3:15–17; Jakob [Bibël] 1:5–6; Moroni 10:4–5
6. Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë
Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Me anë të priftërisë, Perëndia i krijoi dhe i qeveris qiejt dhe tokën. Nëpërmjet kësaj fuqie, Ai i shëlbon dhe i ekzalton fëmijët e Tij, duke bërë të ndodhë “pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
Perëndia ua jep autoritetin e priftërisë anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës, në mënyrë që ata të mund të veprojnë në emrin e Tij për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Çelësat e priftërisë janë të drejtat e presidencës, ose fuqia e dhënë burrit nga Perëndia, për të udhëhequr dhe drejtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë (shih Mateu 16:15–19). Përmes këtyre çelësave, mbajtësit e priftërisë mund të autorizohen ta predikojnë ungjillin dhe të administrojnë ordinancat e shpëtimit. Të gjithë ata që shërbejnë në Kishë, thirren nën drejtimin e një personi i cili mban çelësat e priftërisë. Si rrjedhojë, ata kanë të drejtë ndaj fuqisë së nevojshme për të shërbyer dhe për t’i përmbushur përgjegjësitë e thirrjeve të tyre.
Referencë përkatëse: DeB 121:36, 41–42
Priftëria Aarone
Priftëria Aarone shpesh quhet priftëria përgatitore. Detyrat në Priftërinë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop. Në Kishë sot, anëtarët e denjë meshkuj mund ta marrin Priftërinë Aarone duke filluar nga mosha 12 vjeç.
Priftëria Aarone “mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit” (DeB 13:1).
Priftëria Melkizedeke
Priftëria Melkizedeke është priftëria më e lartë, ose më e madhe, dhe administron në gjëra shpirtërore (shih DeB 107:8). Kjo priftëri më e madhe iu dha Adamit dhe ka qenë në tokë sa herë që Zoti e ka zbuluar ungjillin e Tij.
Ajo fillimisht quhej “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë” (DeB 107:3). Më vonë ajo u njoh si Priftëria Melkizedeke, e quajtur sipas një prifti të lartë, të shquar, i cili jetoi gjatë kohës së profetit Abraham.
Brenda Priftërisë Melkizedeke janë detyrat e plakut, priftit të lartë, patriarkut, Të Shtatëdhjetit dhe Apostullit. Presidenti i Priftërisë Melkizedeke është Presidenti i Kishës.
Referencë përkatëse: Efesianëve 4:11–14
7. Ordinancat dhe Besëlidhjet
Ordinancat
Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një ordinancë është një veprim i shenjtë, zyrtar që ka domethënie shpirtërore. Secila ordinancë u përcaktua nga Perëndia për të na mësuar të vërteta shpirtërore. Ordinancat e shpëtimit kryhen me anë të autoritetit të priftërisë dhe nën drejtimin e atyre që i mbajnë çelësat e priftërisë. Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin dhe quhen ordinanca shpëtuese.
Ordinanca e parë shpëtuese e ungjillit është pagëzimi me zhytje në ujë nga një person që ka autoritet. Pagëzimi është i domosdoshëm që një individ të bëhet anëtar i Kishës dhe të hyjë në mbretërinë çelestiale (shih Gjoni 3:5).
Fjala pagëzim vjen nga një fjalë greke që do të thotë të kridhesh ose të zhytesh. Zhytja është simbol i vdekjes së jetës mëkatare të një njeriu dhe i rilindjes së tij apo të saj në një jetë shpirtërore, që i kushtohet shërbimit ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Është gjithashtu simbol i vdekjes dhe i ringjalljes.
Pasi një person pagëzohet, një apo më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre mbi kokën e personit dhe e konfirmojnë atë anëtar të Kishës. Si pjesë e kësaj ordinance, të quajtur konfirmim, personit i jepet dhurata e Frymës së Shenjtë.
Dhurata e Frymës së Shenjtë është e ndryshme nga ndikimi i Frymës së Shenjtë. Përpara pagëzimit, një njeri mund ta ndiejë ndikimin e Frymës së Shenjtë herë pas here dhe përmes atij ndikimi mund të marrë një dëshmi për të vërtetën (shih Moroni 10:4–5). Pas marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, një person ka të drejtën e shoqërimit të vazhdueshëm të Tij, nëse ai ose ajo i mban urdhërimet.
Ordinancat e tjera shpëtuese përfshijnë shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), marrjen e dhurimit [indaumentit] në tempull dhe vulosjen e martesës (shih DeB 131:1–4). Të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhjet. Në tempull, këto ordinanca shpëtuese mund të kryhen gjithashtu në mënyrë mëkëmbëse për të vdekurit. Ordinancat mëkëmbëse hyjnë në fuqi vetëm kur njerëzit e vdekur i pranojnë ato në botën e shpirtrave dhe i nderojnë besëlidhjet që lidhen me to.
Ordinanca të tjera, të tilla si administrimi i të sëmurëve, vënia e emrit dhe bekimi i fëmijëve, janë gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin tonë shpirtëror.
Referencë përkatëse: Veprat e Apostujve 2:36–38
Besëlidhjet
Një besëlidhje është një marrëveshje e shenjtë midis Perëndisë dhe njeriut. Perëndia jep kushtet për besëlidhjen dhe ne biem dakord të bëjmë atë që Ai na kërkon të bëjmë; më pas Perëndia na premton bekime të caktuara për bindjen tonë (shih DeB 82:10).
Të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhje. Ne bëjmë besëlidhje me Zotin në pagëzim dhe i ripërtërijmë ato besëlidhje duke marrë sakramentin. Burrat që e marrin Priftërinë Melkizedeke, hyjnë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Ne bëjmë besëlidhje të tjera në tempull.
Referenca përkatëse: Eksodi 19:5–6; Psalmeve 24:3–4; 2 Nefi 31:19–20; DeB 25:13
8. Martesa dhe Familja
Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe familja është thelbësore në planin e Tij të shpëtimit dhe të lumturisë sonë. Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht.
Fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis një burri dhe një gruaje, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte. Prindërit janë që të shumohen dhe të mbushin tokën, t’i rritin fëmijët e tyre me dashuri e drejtësi dhe të plotësojnë nevojat fizike dhe shpirtërore të fëmijëve të tyre.
Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne që ta duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. Etërit duhet t’i kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe të sigurojnë gjërat e nevojshme për jetesën. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrimin ta ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.
Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Toka u krijua dhe ungjilli u zbulua me qëllim që familjet të mund të krijoheshin, vuloseshin dhe ekzaltoheshin përjetësisht. (Përshtatur nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 2010, f. 129; shih edhe LDS.org/topics/family-proclamation.)
Referenca përkatëse: Zanafilla 2:24; Psalmeve 127:3; Malakia 4:5–6; DeB 131:1–4
9. Urdhërimet
Urdhërimet janë ligje dhe kërkesa që Perëndia ia jep njerëzimit. Ne e shfaqim dashurinë tonë për Të duke i zbatuar urdhërimet e Tij (shih Gjoni 14:15). Zbatimi i urdhërimeve do të sjellë bekime nga Zoti (shih DeB 82:10).
Dy urdhërimet më themelore janë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. … Dhe … duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:36–39).
Dhjetë Urdhërimet janë pjesë jetike e ungjillit dhe janë parime të përjetshme që janë të nevojshme për ekzaltimin tonë (shih Eksodi 20:3–17). Zoti ia zbuloi ato Moisiut në kohët e lashta dhe Ai i ka shpallur ato sërish në zbulesat e ditëve të mëvonshme.
Urdhërime të tjera përfshijnë të luturin çdo ditë (shih 2 Nefi 32:8–9), dhënien mësim të ungjillit ndaj të tjerëve (shih Mateu 28:19–20), zbatimin e ligjit të dëlirësisë (shih DeB 46:33), pagimin e së dhjetës së plotë (shih Malakia 3:8–10), agjërimin (shih Isaia 58:6–7), faljen e të tjerëve (shih DeB 64:9–11), pasjen e një shpirti falënderues (shih DeB 78:19) dhe mbajtjen e Fjalës së Urtësisë (shih DeB 89:18–21).
Referenca përkatëse: Zanafilla 39:9; Isaia 58:13–14; 1 Nefi 3:7; Mosia 4:30; Alma 37:35; Alma 39:9; DeB 18:15–16; DeB 88:124
Për më shumë informacion mbi këto tema, shko te LDS.org, Teachings, Gospel Topics [Mësimdhënia, Tema të Ungjillit]; ose shih Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim Për Ungjillin (2005).