Njësia 32: Dita 3
Përshpejtimi i Punës për Shpëtim
Hyrje
Që nga fillimi i Rivendosjes, puna e Zotit është përhapur anembanë botës. Ne jetojmë në një kohë kur Zoti po e përshpejton punën e Tij. Ju keni shumë burime dhe mundësi për të dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit.
Zoti po e Përshpejton Punën e Tij
Cilat janë disa arsye përse dikush mund ta përshpejtojë apo shpejtojë hapin e bërjes së një detyre? Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:73, duke kërkuar atë që Zoti tha se do të përshpejtonte (shih edhe Jakobi [LiM] 5:61–62, 70–71).
Duke iu referuar Doktrinës e Besëlidhjeve 88:73, Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha: “Ajo kohë e përshpejtimit është tani” (“Thus Shall My Church Be Called”, Ensign, maj 1990, f. 17).
Ne jetojmë në një kohë kur Zoti po e përshpejton punën e Tij. Duke e përshpejtuar punën e Tij, Zoti është duke i shtuar dhe përparuar më tej përpjekjet e Tij për të sjellë shpëtimin e njeriut.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Cilat janë disa nga mënyrat që ju e keni dëshmuar Zotin ta përshpejtojë punën e Tij?
Gjatë shërbimit të Presidentit Spenser W. Kimball si President i Kishës, Zoti e përshpejtoi punën e Tij. Për shembull, puna misionare u zgjerua dhe Kisha nxori botime të reja të shkrimeve të shenjta. Ndërsa i nxiti anëtarët e Kishës të ecnin përpara, Presidenti Kimball tha se Kisha kishte “ndaluar në disa nivele të pandryshueshme për mjaft kohë. Le ta rifillojmë udhëtimin tonë drejt dhe lart” (“Let Us Move Forward and Upward”, Ensign, maj 1979, f. 82). Ai gjithashtu dha mësim: “Ne duhet ta shtrijmë hapin tonë dhe duhet ta bëjmë atë tani” (“Always a Convert Church: Some Lessons to Learn and Apply This Year”, Ensign, shtator 1975, f. 3).
Kur anëtarët e Kishës “e shtrijnë hapin e tyre”, ata i shtojnë përpjekjet e tyre për të marrë pjesë në punën e Zotit. Për shembull, ata punojnë me më shumë zell për ta ndarë ungjillin, për t’i studiuar shkrimet e shenjta dhe për të bërë punën në tempull dhe të historisë familjare.
Përshpejtimi i Punës Misionare
Presidenti Spenser W. Kimball u tha shenjtorëve se Zoti ishte i përgatitur të hapte dyer që ata ta shpërndanin ungjillin, duke përfshirë kombe që nuk e lejonin punën misionare. Megjithatë, ai tha gjithashtu se shenjtorët kishin nevojë ta përgatitnin vetveten për t’i pranuar ato mundësi. Presidenti Kimball dëshmoi gjithashtu se, nëse çdo i ri përgatitej për të shërbyer në një mision kohëplotë, Zoti do të hapte dyer dhe do të siguronte një mënyrë që puna misionare të shkonte përpara në mbarë botën:
“Mendoj për kombet e shumta në të cilat nuk është predikuar ende ungjilli. E di që ata kanë perde [kufizime kundër ndikimeve të jashtme], si perde të hekurta dhe perde bambuje. E di se sa e vështirë është ngaqë i kemi bërë disa përpjekje. …
Por nuk shoh ndonjë arsye të shëndoshë përse Zoti do të hapte dyer në të cilat nuk jemi të përgatitur të hyjmë. Përse do ta copëtonte ai Perden e Hekurt ose Perden e Bambusë apo çfarëdo perdeje tjetër në qoftë se ende jemi të papërgatitur për të hyrë?” (“When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 5, 7).
Anëtarët e Kishës e ndoqën këshillën e Presidentit Kimball dhe u përgatitën për ta shpërndarë ungjillin. Gjatë administrimit të Presidentit Kimball numri i misionarëve kohëplotë u rrit me më shumë se 50 përqind. Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, qeveritë e Gjermanisë Lindore, të kombeve brenda Bashkimit të mëparshëm Sovjetik dhe të kombeve të tjera, ku puna misionare më parë ishte e kufizuar, filluan t’i lejonin misionarët që ta shpërndanin ungjillin në këto vende. Profecia e Presidentit Kimball u përmbush dhe ajo vazhdon të përmbushet ndërkohë që puna misionare përhapet.
Kur Presidenti Kimball i nxiti anëtarët e Kishës për ta shtrirë hapin e tyre, ai qartësoi një përgjegjësi të çdo të riu në Kishë: “Bëhet shpesh pyetja: A duhet që çdo i ri të përmbushë një mision? Dhe përgjigjja është dhënë nga Zoti. Ajo është ‘Po’. Çdo i ri duhet të përmbushë një mision” (“When the World Will Be Converted”, f. 8).
Qysh atëherë, profetët kanë vazhduar ta nxitin çdo të ri të denjë e të aftë që të shërbejë në një mision kohëplotë. Profetët i kanë mirëpritur edhe të rejat për të shërbyer misione kohëplota, nëse ato dëshirojnë ta bëjnë këtë. Në tetor të vitit 2012, Presidenti Tomas S. Monson shpalli një ndryshim në kërkesat e moshës misionare, duke i lejuar të rinjtë ta fillonin shërbimin misionar në moshën 18-vjeçare dhe të rejat në moshën 19-vjeçare. Çdo i ri duhet të përgatitet që të shërbejë në një mision kohëplotë dhe ta mbajë veten e tij të denjë për të shërbyer.
-
Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Përse çdo i ri duhet të përgatitet për të shërbyer në një mision kohëplotë?
-
Si mund t’ju ndihmojë të përgatiturit tani për mision që të jepni ndihmesë në punën e Zotit?
-
Si mendoni se [ky] ndryshim i frymëzuar në kërkesën e moshës për misionarë kohëplotë ka dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit?
-
Botime të Reja të Shkrimeve të Shenjta
Çfarë do të thoshit nëse një mik i afërt do t’ju pyeste: “Dua të afrohem më shumë me Perëndinë. Çfarë duhet të bëj?”
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball: “Unë shoh se, kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket sikur asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon dhe asnjë zë hyjnor nuk po flet, unë jam shumë, shumë larg. Nëse e zhys veten time në shkrimet e shenjta, largësia zvogëlohet dhe shpirtshmëria kthehet” (Teachings of the Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 67).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 1:6, 24–30 dhe përcaktoni përse Zoti donte që udhëheqësit e Kishës t’i botonin zbulesat. Si mund të na ndihmojnë shkrimet e shenjta për ta shtrirë hapin tonë dhe për të dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit?
Në fillim të viteve 1970, udhëheqësit e Kishës dalluan nevojën që anëtarët e Kishës t’i njihnin më mirë shkrimet e shenjta dhe të kishin një botim standard të Biblës për studim dhe mësimdhënie. Në vitin 1979, pas vitesh të përpjekjeve të frymëzuara e të zellshme, Kisha shtypi një botim zyrtar shdm në anglisht të Biblës së Mbretit Jakob. Ky botim i Biblës përfshinte mjete ndihmëse gjithëpërfshirëse për studim që nuk ishin në dispozicion më parë, duke përfshirë shënime të zgjeruara në fund të faqeve me referenca-kryq dhe mjete të tjera ndihmëse; tituj të përmirësuar të kapitujve; fragmente nga Përkthimi prej Jozef Smithit; Udhëzuesin Tematik dhe Fjalorin Biblik. Në vitin 1981, Kisha nxori një botim të ri të kombinimit tresh në anglisht – Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe – që përfshiu shënime të përmirësuara në fund të faqeve, tituj kapitujsh, harta dhe një indeks. Në vitin 2009, Kisha nxori botimin shdm të Biblës Reina-Valera në spanjisht.
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të bërë një vit pas botimit të kombinimit tresh të vitit 1981 në anglisht. Shikoni për mënyrën se si i parashikoi ai këto botime të reja të shkrimeve të shenjta ta bekonin jetën [e njerëzve] dhe ta çonin përpara punën e Perëndisë.
Me kalimin e viteve, këto shkrime të shenjta do të prodhojnë breza pasues të krishterësh besnikë, të cilët e njohin Zotin Jezu Krisht dhe kanë prirje për t’iu bindur vullnetit të Tij.
… Zbulesat do t’u hapen atyre si asnjë brezi tjetër në historinë e botës. … Ata do të zhvillojnë një dituri për ungjillin përtej asaj që mund të arrinin paraardhësit e tyre. Ata do të kenë dëshminë se Jezusi është Krishti dhe do të jenë të aftë që ta shpallin Atë dhe ta mbrojnë Atë” (“Scriptures”, Ensign, nëntor 1982, f. 53).
Shkrimet e shenjta dëshmojnë se Jezusi është Krishti. Studimi i shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë të marrim një dëshmi për Jezu Krishtin dhe ta mbushim jetën tonë me Shpirtin e Shenjtë. Përpjekje të mëdha janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen për t’u siguruar anëtarëve të Kishës shkrime të shenjta dhe mjete ndihmëse studimi në gjuhët e tyre amtare.
-
Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Përse është i rëndësishëm studimi i përditshëm i shkrimit të shenjtë?
-
Si ju ka ndihmuar studimi juaj vetjak i shkrimit të shenjtë që të ndihmoni në punën e Zotit?
-
Përshpejtimi i Punës në Tempull dhe Punës për Historinë Familjare
Ndërtimi i tempujve u rrit në mënyrë shumë domethënëse nën drejtimin e Presidentit Gordon B. Hinkli. Në vitin 1995, kur kishte më pak se 50 tempuj që funksiononin kudo në botë, ai tha: “Unë kam një dëshirë të zjarrtë që një tempull të gjendet brenda një largësie të arsyeshme për shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbarë botën. … Puna po lëviz me aq shpejtësi sa mundemi të ecim. Është lutja ime e vazhdueshme që në njëfarë mënyre ajo të mund të përshpejtohet, me qëllim që më shumë prej njerëzve tanë të mund ta kenë më të lehtë për të hyrë në një shtëpi të shenjtë të Zotit” (“Of Missions, Temples, and Stewardship”, Ensign, nëntor 1995, f. 52–53).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:15, 17, duke kërkuar përgjegjësitë që kemi ndaj paraardhësve tanë. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha parimin vijues: “Ne kemi përgjegjësi besëlidhjeje për t’i gjetur paraardhësit tanë e për t’u siguruar atyre ordinancat shpëtuese të ungjillit” (“Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 25).
Ndërtimi i tempujve dhe përparimet në punën e historisë familjare janë prova se Perëndia po e përshpejton punën e Tij në anën tjetër të velit.
Lexoni thënien vijuese nga Plaku Bednar, duke kërkuar mënyrën se si mund të jepni ndihmesë në punën e Zotit: “Nuk është rastësi që FamilySearch-i dhe instrumente të tjera kanë dalë në një kohë kur të rinjtë janë kaq të njohur me një gamë të gjerë teknologjish të informacionit dhe të komunikimit. Gishtërinjtë tuaj janë stërvitur në shkrim e dërgim teksti për të përshpejtuar e çuar më përpara punën e Zotit – jo thjesht për të komunikuar shpejt me miqtë tuaj. Aftësitë dhe prirjet e dukshme mes shumë të rinjve të sotëm janë një përgatitje për të dhënë ndihmesë në punën e shpëtimit” (“Zemrat e Fëmijëve”, f. 26).
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë përvojash pozitive keni pasur nga bërja e punës së historisë familjare apo nga vajtja në tempull për të marrë pjesë në ordinancat për të vdekurit?
Përgjegjësia Jonë për ta Çuar Punën Përpara
Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid B. Heit, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shenjoni një bekim që mundësohet për secilin prej nesh:
“Vëllezër e motra, Zoti po e hap udhën dhe po bën të mundur që të zgjerohet puna e Tij në mbarë botën dhe çfarë bekimi është për të gjithë ne – secili sipas mënyrës së vet – të marrë pjesë në të. …
Kush përveç profetëve të Perëndisë mund ta kishte parashikuar mrekullinë e zgjerimit të shpejtë të punës së Zotit? Me të vërtetë, sikurse parashikoi Zoti në seksionin 88 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Ai po e përshpejton punën e Tij në kohën e duhur (shih DeB 88:73)” (“Missionary Work – Our Responsibility”, Ensign, nëntor 1993, f. 61–62).
Ne mund të bekohemi për të marrë pjesë në përshpejtimin e punës së Zotit. Merrini parasysh mundësitë që keni për të dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit.
-
Përgjigjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Cilat janë disa mënyra se si ju mund të jepni ndihmesë për përshpejtimin e punës së Zotit?
-
Çfarë bekimesh keni përjetuar kur keni marrë pjesë në përshpejtimin e punës së Zotit?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar mësimin “Përshpejtimi i Punës për Shpëtim” dhe e përfundova më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: