Seminari
Njësia 21: Dita 2, Doktrina e Besëlidhje 99–100


Njësia 21: Dita 2

Doktrina e Besëlidhje 99–100

Hyrje

Më 29 gusht 1832, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 99. Në këtë zbulesë Zoti e thirri Xhon Murdokun që të vazhdonte punët e tij misionare dhe të shkonte në lindje të Shteteve të Bashkuara. Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 100 më 12 tetor 1833, ndërsa ai dhe Sidni Rigdoni ishin në Nju-Jork duke punuar si misionarë. Në këtë zbulesë, Zoti e siguroi Jozefin dhe Sidnin se familjet e tyre në Ohajo ishin mirë. Zoti e ngushëlloi Jozefin edhe lidhur me shenjtorët në Misuri, të cilët po vuanin përndjekje.

Doktrina e Besëlidhje 99

Zoti e thërret Xhon Murdokun që të shpallë ungjillin

Përfytyroni sikur një shok që nuk është anëtar i Kishës, ju pyet se përse kaq shumë djem dhe vajza janë të gatshëm të japin 2 vite ose 18 muaj të jetës së tyre për të shërbyer në mision. Si do ta shpjegonit ju arsyen përse dikush do të ishte i gatshëm të bënte një sakrificë të tillë për të shërbyer në një mision?

motra misionare
Xhon Murdok

Xhon Murdok

Xhon Murdoku ishte një anëtar i hershëm i Kishës. Teksa lexoni informacionin vijues, vini re sakrificat që bëri ai për t’i shërbyer Zotit:

Xhon Murdoku hetoi shumë kisha dhe arriti në përfundimin se të gjitha fetë e kishin humbur udhën e tyre. Megjithatë, nga fundi i vitit 1830, ai lexoi Librin e Mormonit dhe e ndjeu Frymën e Shenjtë të dëshmonte për të vërtetën e tij. Ai u bind se e kishte gjetur Kishën e vërtetë të Krishtit. Pak pas pagëzimit të tij më 5 nëntor 1830, Xhon Murdoku shërbeu në një mision, duke pagëzuar rreth 70 njerëz në katër muaj në Orinxh dhe Uorrensvill të Ohajos.

Më 30 prill 1831, pak pasi Xhoni u kthye nga misioni i tij, gruaja e tij, Xhulia, vdiq pasi lindi dy binjakë. Në qershor 1831, Zoti e thirri atë të shkonte në Misuri dhe të predikonte ungjillin gjatë udhës (shih DeB 52:8–9). Përpara se Xhoni të nisej, ai duhej të sigurohej se do të kishte përkujdesje për të pesë fëmijët e tij, të gjithë nën moshën shtatë vjeç. Ai mori masa që disa individë të kujdeseshin për fëmijët e tij më të rritur dhe Jozefi e Ema Smith birësuan binjakët e mitur. Për pjesën tjetër të vitit 1831 dhe gjysmën e parë të vitit 1832, Xhon Murdoku predikoi në Territorin e Miçiganit, në Indiana, Misuri dhe Ohajo. Kur u kthye në Hajrëm të Ohajos, në qershor të vitit 1832, ai po vuante nga pasojat e një sëmundjeje të gjatë. Ai gjithashtu mësoi se njëri nga binjakët e tij kishte vdekur marsin e kaluar dhe se ata që qenë kujdesur për tre fëmijët e tij më të rritur, kërkonin pagesë për ndihmën e tyre.

Profeti Jozef Smith e mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 99 afërsisht dy muaj pasi Xhon Murdoku u kthye në shtëpi nga misioni i tij i dytë. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 99:1, duke kërkuar atë që Zoti e thirri Xhon Murdokun të bënte.

Përveç kësaj thirrjeje për të predikuar ungjillin, kjo zbulesë përmban premtime të shumta lidhur me shërbimin e Xhonit. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 99:2–3, duke kërkuar se si do të bekoheshin nga shërbimi i tij si Xhon Murdoku edhe ata të cilëve ai u dha mësim.

Nga vargjet 2–3 ne mësojmë të vërtetat vijuese: Ne përfaqësojmë Zotin kur shërbejmë në mision dhe ata që e pranojnë ungjillin si fëmijë të vegjël, marrin mëshirë.

Përpara se Xhon Murdoku të largohej për në misionin e tij në shtetet e lindjes, ai pati një përvojë në Shkollën e Profetëve që kishte një ndikim të thellë tek ai. “Në një nga [mbledhjet tona të lutjes] Profeti na tha se, nëse do të mund ta përulnim veten tonë përpara Perëndisë dhe do të ushtronim besim të fortë, ne do të shihnim fytyrën e Zotit. Dhe rreth mesditës, mendja ime u hap për të parë një vegim dhe sytë e të kuptuarit tim u ndriçuan, dhe unë pashë formën e një njeriu që ishte shumë i hijshëm, pamja e fytyrës së tij u shfaq e fortë dhe e bukur si dielli. … Shprehja e fytyrës së tij qe shumë depërtuese dhe ende shumë e këndshme. Dhe ndërsa po përpiqesha ta kuptoja të gjithë personazhin nga koka deri te këmbët, vegimi u largua prej meje dhe u mbyll. Por për muaj [të tërë] la në mendjen time mbresën e dashurisë, të cilën nuk e kisha ndier kurrë më parë deri në atë shkallë” (John Murdock, autobiography and diary, f. 13, L. Tom Perry Special Collections, Harold B. Lee Library, Universiteti “Brigham Jang”, Provo, Juta).

  1. ikona e ditaritPërcaktoni të paktën tre njerëz në shkrimet e shenjta ose në jetën tuaj që bënë sakrifica për t’i shërbyer Zotit. Shkruajini emrat e tyre në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj shkruani se çfarë bekimesh morën këta njerëz për shkak të sakrificave dhe shërbimit të tyre.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 99:4–5, duke kërkuar atë që Zoti tha se do t’u ndodhte atyre që nuk e pranonin mesazhin që Xhon Murdoku do t’u mësonte atyre.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 99:6–8, duke kërkuar prova që Zoti ishte në dijeni të nevojave të Xhon Murdokut dhe të sakrificave që ai po bënte.

Xhon Murdoku i ndoqi këshillat e Zotit dhe mori masa që t’i dërgonte të tre fëmijët e tij më të rritur te Peshkopi Partrixh në Misuri, ku ata qëndruan me familje të ndryshme. Xhoni u nis për në mision në shtator të vitit 1832, rreth një muaj pasi mori thirrjen e tij. Ai shërbeu në disa misione të tjera dhe pastaj u bashkua me fëmijët e tij më të rritur në Misuri. Për pjesën tjetër të jetës së tij, Xhon Murdoku i shërbeu besnikërisht Zotit në thirrjet e tij si misionar, peshkop dhe patriark.

Doktrina e Besëlidhje 100:1–12

Zoti i jep Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit fjalë ngushëllimi dhe udhëzimi

Cilat janë disa nga shqetësimet që mund të kenë misionarët ndërsa fillojnë misionin e tyre? Mbajini në mendje këto shqetësime ndërsa studioni Doktrinën e Besëlidhjet 100.

Në prill të vitit 1833, një njeri i quajtur Friman Nikerson u bashkua me Kishën në Nju-Jork dhe udhëtoi për në Kirtland të Ohajos. Kur Frimani e takoi Jozef Smithin, ai i kërkoi Profetit që të vizitonte familjen Nikerson në Nju-Jork dhe Kanada. Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni ranë dakord me propozimin e tij dhe u nisën me të nga Kirtlandi më 5 tetor 1833. Grupi predikoi ungjillin ndërsa udhëtonte. Më 12 tetor 1833, ata mbërritën në shtëpinë Nikerson në Perrisburg të Nju-Jorkut dhe Jozefi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 100.

Lexojeni hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 100, duke kërkuar se për çfarë ishin të shqetësuar Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni kur mbërritën në Nju-Jork.

Në këtë zbulesë, Zoti iu përgjigj shqetësimeve të Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit për familjet e tyre. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 100:1–2, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari iu përgjigj shqetësimeve të tyre. Ju mund të doni të shenjoni frazat që mund të kenë qenë ngushëlluese për Jozefin dhe Sidnin.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se si fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 100:1–2 mund t’i ndihmojnë misionarët sot për shqetësimet e tyre lidhur me familjet e tyre.

Përveçse i qetësoi për familjet e tyre, Zoti gjithashtu i siguroi Jozefin dhe Sidnin se ata do të bekoheshin në punët e tyre misionare. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 100:3–4 dhe gjeni disa nga këto premtime.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 100:5–8, duke kërkuar premtime të tjera nga Zoti.

dy të rinj

Nëse do t’i ngremë zëra tanë për ta shpërndarë ungjillin, atëherë Zoti do të na ndihmojë të dimë atë që duhet të themi.

Vargjet 5–6 përmbajnë premtimin se, nëse do t’i ngremë zëra tanë për ta shpërndarë ungjillin, atëherë Zoti do të na ndihmojë të dimë atë që duhet të themi. (Mbani mend se që ta marrim këtë ndihmë të premtuar, ne duhet të jetojmë me drejtësi dhe ta përgatitim veten tonë për të shërbyer.)

Te Doktrina e Besëlidhje 100:7, ne mësojmë se misionarët duhet ta shpallin ungjillin “me seriozitetin e zemrës, në shpirtin e zemërbutësisë”. Kjo këshillë nënkupton se ne duhet ta ndajmë ungjillin me seriozitet dhe përulësi.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 100:8, duke kërkuar atë që premtoi Zoti nëse e predikojmë ungjillin në këtë mënyrë. Pastaj plotësojeni parimin vijues: Nëse ne e shpërndajmë ungjillin me të tjerët me seriozitetin e zemrës dhe në shpirtin e zemërbutësisë, atëherë Fryma e Shenjtë do të .

  1. ikona e ditaritPërsiatni një rast kur e ndiet Shpirtin t’ju vërtetonte se diçka që ju dhatë mësim apo thatë, ishte e drejtë. Kjo mund të përfshijë të folurit rreth ungjillit me miqtë ose familjen tuaj, dhënien e dëshmisë ose mbajtjen e një bisede në një mbledhje të Kishës, apo dhënien e një komenti në klasë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruajeni përvojën tuaj. Ju gjithashtu mund të përshkruani një përvojë kur ju e ndiet Frymën e Shenjtë t’ju dëshmonte se ajo që dikush tjetër po thoshte, ishte e vërtetë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 100:9–12 duke kërkuar udhëzimet dhe premtimet që Zoti ia dha Profetit Jozef Smith dhe Sidni Rigdonit.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mund të thotë për ju premtimi te Doktrina e Besëlidhje 100:12, nëse do të ishit duke shërbyer në një mision?

Përpjekjet misionare të Profetit Jozef Smith dhe Sidni Rigdonit patën një ndikim të përhershëm në Kishë. Sidni Rigdoni i predikoi një grupi të madh të mbledhur në shtëpinë Nikerson në Nju-Jork dhe të tre vëllezërit më pas vazhduan në veri për në Ontario të Kanadasë, ku ata u predikuan grupeve të tjera. Misionarët atje pagëzuan pothuaj 20 persona dhe organizuan një degë të Kishës. Ca kohë më vonë, Parli P. Prat e vizitoi këtë degë kur shërbeu në një mision në Kanada. Moisi Nikersoni, një i kthyer në besim nga misioni i vitit 1833, e prezantoi Plakun Prat me Xhon Tejlorin, i cili u bë një misionar i suksesshëm dhe më vonë u bë President i Kishës. Këto ngjarje qenë një përmbushje e pjesshme e premtimit të Zotit se “një derë frytdhënëse do të hape[j] në krahinat përreth në këtë tokë të lindjes” (DeB 100:3).

Doktrina e Besëlidhje 100:13–17

Zoti i ngushëllon Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin lidhur me provat e shenjtorëve në Misuri

Në gusht 1833, pak përpara se Profeti Jozef Smith të nisej për në këtë mision, Oliver Kaudëri kishte sjellë fjalë nga Misuri se armiqtë e Kishës atje, ishin bërë të dhunshëm ndaj shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Jozefi dërgoi Orson Hajdin dhe Xhon Golldin që t’i përcillnin këshillat e tij te shenjtorët në Misuri. Ky udhëtim do të ishte i rrezikshëm për shkak se ata do të udhëtonin përmes zonave pranë turmave antimormone. Ndërsa ishte në mision me Sidni Rigdonin dhe Friman Nikersonin, Profeti u shqetësua për Orsonin dhe Xhonin dhe për të gjithë shenjtorët që po përndiqeshin në Misuri.

  1. ikona e ditaritLexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 100:13–17, duke kërkuar atë që Zoti i tha Profetit Jozef Smith. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, plotësojini detyrat vijuese:

    1. Bazuar në atë që mësoni te vargu 15, plotësojeni këtë parim: Gjithë gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë, nëse ne …

    2. Të “ecësh drejt” përpara Zotit i referohet të qenit të drejtë dhe mbajtjes së urdhërimeve. Mendoni për gjëra të veçanta që ju mund të bëni në jetën tuaj për të “ecur [më] drejt” përpara Zotit. Vendosni dhe shkruani një synim për të vepruar sipas njërës nga këto gjëra dhe për ta ftuar më plotësisht këtë bekim në jetën tuaj.

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 99–100 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: