Seminari
Njësia 31: Dita 2, Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe


Njësia 31: Dita 2

Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe

Hyrje

Në vitin 1851, Plaku Frenklin D. Riçards, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe presidenti i Misionit Britanik, botoi disa zbulesa, përkthime e shkrime të Profetit Jozef Smith dhe e quajti përmbledhjen Perla me Vlerë të Madhe, e cila më vonë iu shtua veprave standarde. “Perla me Vlerë të Madhe është një zgjedhje e materialeve të rëndësishme lidhur me shumë aspekte domethënëse të besimit dhe doktrinës së Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (hyrje te Perla me Vlerë të Madhe). Fraza “perla me vlerë të madhe” vjen nga një prej shëmbëlltyrave të Jezu Krishtit (shih Mateu 13:45–46). Në këtë shëmbëlltyrë, një tregtar shet gjithçka që zotëron për të marrë një perlë të çmuar.

Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe

perlë në guaskën e gocës së detit

A e dini se si bëhen perlat? Një perlë prodhohet brenda një goce deti, ndërkohë që goca i përgjigjet acarimit nga një lëndë e huaj, e tillë si një grimcë rëre. Goca e detit prodhon një lëndë për ta rrethuar grimcën, e cila më së fundi formon një perlë. Perlat natyrale janë të rralla dhe konsiderohen të çmueshme.

Në këtë mësim ju do të mësoni rreth origjinës së një perle tjetër – librit të shkrimit të shenjtë të titulluar Perla me Vlerë të Madhe. Ndërsa ju studioni mënyrën se si ky libër doli në dritë, kërkoni disa arsye përse Perla me Vlerë të Madhe është e çmuar për ne.

Lexojeni paragrafin e parë në parathënien e Perlës me Vlerë të Madhe, duke kërkuar atë që përmbahet te Perla me Vlerë të Madhe. Fjala periodikët u referohet gazetave ose revistave – botimeve që shpërndahen në mënyrë periodike, të tilla si ditore, javore ose mujore.

Në paragrafin e dytë të parathënies, ne mësojmë se në vitin 1851, Plaku Frenklin D. Riçards, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, hartoi një përmbledhje të materialeve nga Profeti Jozef Smith dhe i botoi ato si Perla me Vlerë të Madhe. Përpara se materialet të bëhen pjesë e veprave standarde, Presidenca e Parë duhet t’i miratojë ato dhe t’ia paraqesë Kishës në një konferencë të përgjithshme për votën mbështetëse. Gjatë një konference të përgjithshme të Kishës në tetor 1880, Kisha e pranoi Perlën me Vlerë të Madhe si shkrim të shenjtë – pjesë të veprave standarde.

Plaku Franklin D. Riçards

Plaku Franklin D. Riçards

Në paragrafin e tretë të parathënies, ne mësojmë se që nga botimi i parë i Perlës me Vlerë të Madhe, një pjesë e përmbajtjes është shtuar ose hequr. Një pjesë e përmbajtjes së saj u shtua dhe më vonë u vendos te Doktrina e Besëlidhje.

Lexojeni pjesën tjetër të parathënies dhe përcaktoni përmbajtjen e tanishme të Perlës me Vlerë të Madhe.

Libri i Moisiut dhe Joseph Smith – Mateu

Libri i Moisiut dhe Joseph Smith – Mateu janë pjesë të Përkthimit të Biblës prej Jozef Smithit. Përkthimi prej Joseph Smith-it është “një rishikim ose përkthim i variantit të mbretit Jakob të Biblës në anglisht, të cilin Profeti Joseph Smith e filloi në qershor të 1830-s. Ai u urdhërua nga Perëndia të bënte përkthimin dhe e pa atë si pjesë të thirrjes së tij si profet” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith-it”; scriptures.lds.org). Zoti i zbuloi Jozef Smithit tekstin e librit të Moisiut ndërsa Jozefi shtoi, bëri ndryshime dhe hoqi disa nga kapitujt e parë të Zanafillës gjatë përkthimit nga ana e tij të Biblës. Libri i Moisiut përmban të vërteta të çmuara lidhur me planin e Atit Qiellor për shpëtimin.

  1. ikona e ditaritHidhini një sy të shpejtë librit të Moisiut dhe gjeni të paktën një varg, i cili përmban një të vërtetë që ju e konsideroni të çmuar. Shkruajeni vargun që zgjodhët në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë dhe shkruani përse është domethënës për ju.

Libri i Abrahamit

Ashtu si edhe libri i Moisiut, libri i Abrahamit rivendos të vërteta të çmuara. Ai na mëson për jetën tonë paratokësore dhe na jep një kuptueshmëri më të madhe lidhur me jetën dhe shërbesën e Abrahamit dhe të besëlidhjes që Zoti bëri me të. Është një thesar ta kesh librin e Abrahamit dhe të shikosh se si ai e nderoi Perëndinë në të gjitha kohët dhe se si Perëndia e nderoi atë.

Më poshtë është një shpjegim se si i mori Jozef Smithi shkrimet e lashta në librin e Abrahamit: “Më 3 korrik 1835, një burrë i quajtur Majkëll Çendlër solli në Kirtland të Ohajos katër mumie egjiptiane dhe disa rrotulla papirusi që përmbanin shkrime të lashta egjiptiane. Mumjet dhe papiruset ishin zbuluar në Egjipt disa vite më parë nga Antonio Lebolo. Kirtlandi ishte një nga ndalesat e shumta në Shtetet e Bashkuara lindore për ekspozitën e mumjeve të Çendlerit. Çendleri po i ofronte për shitje mumjet dhe rrotullat e papirusit dhe, me nxitjen e Profetit Jozef Smith, disa anëtarë të Kishës dhuruan para për t’i blerë ato. Në një thënie të datës 5 korrik 1835, Jozef Smithi, duke shpallur rëndësinë e këtyre shkrimeve të lashta egjiptiane, shënoi: ‘E fillova përkthimin e disa prej karaktereve ose hieroglifeve dhe, për gëzimin tonë të madh, gjeta se një prej rrotullave përmbante shkrimet e Abrahamit. … Me të vërtetë mund të themi, Zoti po fillon të zbulojë begatinë e paqes dhe së vërtetës’ (History of the Church, 2:236)”. (The Pearl of Great Price Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2000], f. 28).

Disa njerëz kanë vrarë mendjen se si i përktheu Profeti shkrimet e lashta. Jozef Smithi kurrë nuk e tregoi metodën e tij të përkthimit të këtyre analeve, por ai i përktheu këto me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Kisha, studiuesit dhe historianët vazhdojnë që të [bëjnë] kërkime për të kuptuar më mirë origjinën e këtij libri. Ashtu si edhe me të gjitha shkrimet e tjera të shenjta, mënyra më e mirë për të marrë një dëshmi për vërtetësinë e librit të Abrahamit është nëpërmjet studimit plot lutje të vetë librit. Për më shumë informacion, shkoni te LDS.org, zgjidhni Gospel Topics [Tema të Ungjillit] dhe kërkoni për book of Abraham [libri i Abrahamit].

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të shkrimit të shenjtë, përgjigjjuni pyetjes vijuese: Përse është e rëndësishme që të fitojmë një dëshmi shpirtërore për vërtetësinë e librit të Abrahamit?

Më poshtë është një listë me pyetje rutinë me përgjigjen e tyre shoqëruese rreth daljes në dritë të librit të Abrahamit:

Pyetje: Përse tha Jozef Smithi se ai i kishte përkthyer shkrimet e Abrahamit edhe pse dorëshkrimet nuk i përkasin kohës së Abrahamit?

Përgjigje: Profeti Jozef Smith tha se libri i Abrahamit ishte “një përkthim i disa Analeve të lashta, të cilat na kanë rënë në dorë, nga Katakombet e Egjiptit, duke pretenduar se janë shkrimet e Abrahamit, ndërkohë që ishte në Egjipt” (Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 704).

pjesë nga papiruset

Pjesë nga papiruset e faksimiles 1

Në vitin 1966, 11 fragmente papirusi dikur të zotëruara nga Profeti Jozef Smith, u zbuluan në Muzeumin Metropolitan të Artit në Nju-Jork-Siti. Këto papiruse përmbajnë shkrime autentike egjiptiane, por nuk datojnë nga koha e Abrahamit, as nuk përmbajnë dorëshkrimin fillestar vetjak të Abrahamit. Është e rëndësime të kujtojmë se janë gjetur vetëm disa fragmente dhe jo të gjitha papiruset që zotëronte Jozef Smithi. Libri i Abrahamit mund të jetë përkthyer nga papiruse që nuk janë rigjetur. Këto papiruse të humbura mund të kenë përmbajtur kopje të shkrimeve të Abrahamit.

Tani për tani ne thjesht nuk e dimë saktësisht natyrën e saktë të marrëdhënies midis librit të Abrahamit dhe papiruseve që zotëronte Jozef Smithi. Janë propozuar teori të ndryshme për mënyrën se si profeti i përktheu këto shkrime, por ne thjesht nuk i dimë hollësitë. Ne dimë që Profeti Jozef Smith e përktheu librin e Abrahamit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

Pyetje: Çfarë bëri Jozef Smithi me përkthimin e tij?

Përgjigje: “Libri i Abrahamit u botua fillimisht pak e nga pak në pjesë të shkëputura në Times and Seasons [Kohët dhe Stinët], një botim i Kishës, duke filluar nga marsi i vitit 1842 në Navu të Ilinoisit [shih parathënien në fillim të Perlës me Vlerë të Madhe]. Profeti Jozef Smith vuri në dukje se ai do të botonte më shumë nga libri i Abrahamit më vonë, por u martirizua përpara se të ishte në gjendje ta bënte këtë. Lidhur me gjatësinë e mundshme të përkthimit të përfunduar, njëherë Oliver Kaudëri tha se do të ishin të nevojshme ‘vëllime’ për ta përmbajtur atë (shih Messenger and Advocate, dhjetor 1835, f. 236).

“Përveç shkrimeve në hieroglife, dorëshkrimi përmbante edhe vizatime egjiptiane. Më 23 shkurt 1842, Profeti Jozef Smith i kërkoi Ruben Hedlokut, një gdhendësi profesionist të drurit dhe anëtari të Kishës, të përgatiste prerje druri të tri prej atyre vizatimeve, që ato të mund të shtypeshin. Hedloku i mbaroi gdhendjet brenda një jave dhe Jozef Smithi i botoi kopjet (faksimilet) së bashku me librin e Abrahamit. Faksimilet shoqërohen nga shpjegimet e Jozef Smithit për vizatimet” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 28–29).

faksimilet 1, 2 dhe 3

U bënë prerje druri për shtypjen e faksimileve në librin e Abrahamit

Pyetje: Çfarë ndodhi me mumjet dhe papiruset?

Përgjigje: “Pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, të katër mumjet dhe papiruset u bënë pronë e nënës së ve të Jozefit, Lusi Mek Smithit. Me vdekjen e Lusit në vitin 1856, Ema Smithi, gruaja e Profetit, ia shiti koleksionin zotit A. Kombs. Janë dhënë disa teori lidhur me atë që u ndodhi më pas mumjeve dhe papiruseve. Duket se të paktën dy prej mumjeve u dogjën në zjarrin e madh të Çikagos të vitit 1871 (shih B. H. Roberts, New Witnesses for God, 3 vëll. [1909–1911], 2:380–382).

“Në fillim të pranverës në vitin 1966, Dr. Aziz S. Atija, një profesor i Universitetit të Jutës, zbuloi disa fragmente të papirusit të librit të Abrahamit ndërsa bënte kërkime në Muzeumin Metropolitan të Artit në Nju-Jork-Siti. Këto fragmente iu paraqitën Kishës nga drejtori i muzeumit më 27 nëntor 1967. Vendndodhjet e tanishme të mumjeve të tjera dhe të pjesëve të tjera të papiruseve nuk dihen (shih H. Donl Peterson, “Some Joseph Smith Papyri Rediscovered (1967)” në Studies in Scripture, Volume Two, f. 183–185)” (The Pearl of Great Price Student Manual, f. 29).

Përveçse na mëson doktrina dhe parime të vlefshme, Perla me Vlerë të Madhe është provë që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes së mëposhtme në ditarin tuaj të shkrimit të shenjtë: Si mendoni ju, në çfarë mënyrash është Perla me Vlerë të Madhe provë e thirrjes së Jozef Smithit si profet?

Nenet e Besimit

Më 1 mars 1842, Profeti Jozef Smith botoi një letër që ai ia kishte shkruar Xhon Uentuorthit, një redaktor gazete, duke i shpjeguar historinë dhe gjërat që beson Kisha. Kjo njihet zakonisht si Letra e Uentuorthit. Në të, Jozefi shpalli 13 parime themelore të ungjillit. Këto gjëra që besojmë janë përfshirë në Perlën me Vlerë të Madhe si Nenet e Besimit. Edhe pse nuk janë një deklarim i të gjitha gjërave që besojmë, ato janë një komplet i rëndësishëm i doktrinave dhe parimeve.

Gjejini dhe lexojini Nenet e Besimit te Perla me Vlerë të Madhe.

  1. ikona e ditaritZgjidhni dy nene besimi. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, plotësoni veprimtaritë vijuese për secilën:

    1. Shkruani me fjalët tuaja doktrinën ose parimin që jepet mësim nga neni i besimit.

    2. Gjeni një shkrim të shenjtë që e mbështet ose shpjegon doktrinën apo parimin në nenin e besimit. Shkruani idetë që shkrimi i shenjtë ia shton të kuptuarit tuaj për këtë doktrinë ose parim.

    3. Renditni një mënyrë se si të kuptuarit dhe të besuarit e këtij neni të besimit mund të sjellë bekime në jetën e dikujt.

Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si njohuria për Nenet e Besimit mund të jetë veçanërisht e dobishme për anëtarët e Kishës:

Plaku L. Tom Peri

“Kam arritur në përfundimin se, nëse unë do ta studioja përmbajtjen e çdo Neni Besimi, unë mund ta shpjegoja dhe ta mbroja çdo parim ungjilli nëse do të kisha mundësinë t’ia parashtroja dikujt që kërkon për të vërtetën e rivendosur.

Çfarë bekimi i madh do të ishte nëse çdo anëtar i Kishës do t’i mësonte përmendsh Nenet e Besimit dhe do të ishte i mirinformuar rreth parimeve që përmban secili prej tyre. Ne do të ishim të përgatitur më mirë për ta ndarë ungjillin me të tjerët. …

Nenet e Besimit nuk ishin vepra e një grupi studiuesish, por u shkruan nga një burrë i vetëm, i frymëzuar, që shpalli tërësisht dhe përmbledhtas doktrinat thelbësore të ungjillit të Jezu Krishtit. Ato përmbajnë deklarime të drejtpërdrejta e të thjeshta të parimeve të fesë sonë dhe ato përbëjnë provë të fuqishme të frymëzimit hyjnor që qëndroi mbi Profetin Jozef Smith” (“The Articles of Faith”, Ensign, maj 1998, f. 23–24).

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Në ç’mënyrë thëniet e drejtpërdrejta dhe të thjeshta të parimeve mund të jenë të dobishme në shpjegimin dhe mësimdhënien e ungjillit?

    2. Shkruani për një përvojë kur Nenet e Besimit ose të vërtetat që ato përmbajnë, ju kanë ndihmuar t’ia shpjegoni ungjillin dikujt. Nëse nuk e keni pasur një përvojë të tillë, renditni pyetje të mundshme që të tjerët mund të bëjnë rreth fesë sonë, të cilat mund të marrin përgjigje nëpërmjet Neneve të Besimit.

Ju mund të dëshironi të vendosni një synim për t’i studiuar dhe mësuar përmendsh të gjitha Nenet e Besimit. Të bërit e kësaj do t’i shtohet aftësisë suaj për të shpjeguar parimet e ungjillit.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    E kam studiuar mësimin “Dalja në Dritë e Perlës me Vlerë të Madhe” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: