Njësia 20: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 93
Hyrje
Më 6 maj 1833, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 93. Jezu Krishti shpjegoi qëllimin e pjesës së parë të kësaj zbulese (DeB 93:1–20): “Unë jua jap këto thënie që ju të mund ta kuptoni e dini se si të adhuroni dhe të dini çfarë të adhuroni, që ju të mund të vini tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij” (DeB 93:19). Këto vargje do të diskutohen më me hollësi kur të takoheni me mësuesin tuaj për mësimin javor. Ky mësim kryesisht përqendrohet mbi atë që Zoti e zbuloi te Doktrina e Besëlidhje 93:21–53. Këto vargje përfshijnë udhëzimin e Zotit mbi të fituarin e së vërtetës e dritës dhe nevojës që të jemi “të zellshëm dhe … të përfshirë në shtëpi” (DeB 93:50).
Doktrina e Besëlidhje 93:1–20
Zoti zbulon mënyrën se si ne mund të bëhemi më shumë si Ai dhe Ati ynë Qiellor
Te Doktrina e Besëlidhje 93:1–20, ne mësojmë rreth Jezu Krishtit, marrëdhënies së Tij me Atin Qiellor dhe mënyrës se si mund ta marrim “një plotësi të lavdisë së Atit” (DeB 93:16) siç e mori Ai.
Apostulli Gjon ishte një dishepull i Gjon Pagëzorit kur Jezu Krishti e filloi shërbesën e Tij në vdekshmëri. Ai dha një rrëfim të dëshmisë që dha Gjon Pagëzori për Shpëtimtarin në Ungjillin sipas Gjonit në Dhiatën e Re. Lidhur me këtë përfshirje të dëshmisë së Gjon Pagëzorit, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Nga zbulesa e ditëve të mëvonshme ne mësojmë se materiali në pjesën e fillimit të ungjillit sipas Gjonit (Apostulli, Zbuluesi dhe Dishepulli i Dashur) u shkrua fillimisht nga Gjon Pagëzori. Me anë të zbulesës Zoti i rivendosi Jozef Smithit pjesë të asaj që Gjon Pagëzori kishte shkruar, dhe premtoi ta zbulonte pjesën tjetër kur njerëzit të bëheshin mjaft besnikë për ta garantuar marrjen e saj. (DeB 93:6–18.) [Doktrina e Besëlidhje 93:15] është çelësi lidhur me identitetin e Gjonit të veçantë për të cilin flitet …
… Ka pak dyshim që Dishepulli i Dashur kishte përpara tij rrëfimin e Gjon Pagëzorit kur ai e shkroi ungjillin e tij. Gjoni i mëvonshëm ose e kopjoi ose e parafrazoi atë që profeti i mëparshëm me të njëjtin emër e kishte shkruar. E vetmja mundësi tjetër është që Zoti ia zbuloi autorit të ungjillit fjalët që ishin shënuar nga lajmëtari i mëparshëm, i cili përgatiti udhën përpara tij” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1966–1973], 1:70–71).
Te Doktrina e Besëlidhje 93:6–17, Zoti dha informacion nga anali i Gjonit për të na ndihmuar të kuptojmë më shumë rreth Tij. Gjoni dha mësim se Jezu Krishti u rrit hir pas hiri derisa Ai e mori një plotësi të lavdisë së Atit.
Ne gjithashtu mund të marrim një plotësi të lavdisë së Atit ndërkohë që e ndjekim shembullin e Jezu Krishtit. Ju mund të doni të shenjoni fraza që jua mësojnë këtë të vërtetë te Doktrina e Besëlidhje 93:19–20.
Doktrina e Besëlidhje 93:21–39
Zoti i udhëzon shërbëtorët e Tij se si të marrin të vërtetë e dritë
Cilat janë disa përgjegjësi të të qenit fëmija i parëlindur në një familje?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:21–23, duke kërkuar atë që zbuloi Jezu Krishti rreth Vetvetes.
Ju mund të doni të shenjoni fjalë ose fraza në ato vargje që na mësojnë doktrinën vijuese: Jezu Krishti është i Parëlinduri mes gjithë fëmijëve shpirtërorë të Atit Qiellor.
Për shkak se Jezu Krishti është fëmija shpirtëror i Parëlindur i Atit, Ai është “trashëgimtar[i i caktuar]” (Hebrenjve 1:2) i gjithçkaje që ka Ati. Megjithatë, Ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të marrin pjesë në këtë trashëgimi. Ne kemi mundësinë për të qenë “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:17) dhe për t’u numëruar mes “kishës së të Parëlindurit” (DeB 93:22; shih edhe DeB 76:51–54). Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim se “anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që ia përkushtojnë veten aq shumë drejtësisë, saqë marrin ordinancat më të larta të ekzaltimit bëhen anëtarë të Kishës së të Parëlindurit” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 139). Në këtë mënyrë edhe ne mund ta marrim gjithçka që Ati ka (shih DeB 76:55; 84:37–38).
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 93:22, ne duhet të jemi lindur nëpërmjet Jezu Krishtit me qëllim që të jemi pjesëmarrës të lavdisë së të Parëlindurit. Të lindesh nëpërmjet Jezu Krishtit do të thotë të rilindesh shpirtërisht dhe të pastrohesh nga gjithë mëkati nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni arsyen përse është e rëndësishme për ju ta kuptoni rolin e Jezu Krishtit si i Parëlinduri i Atit. Ju mund të doni gjithashtu t’i shënoni ndjenjat që keni për Jezu Krishtin, ndërkohë që merrni parasysh se çfarë do të thotë për ju roli i Tij si i Parëlinduri i Atit.
Vini re te Doktrina e Besëlidhje 93:21 që Jezu Krishti tha se Ai ishte “në fillim me Atin”. Sipas vargut 23, kush tjetër ishte në fillim me Atin?
Doktrina e Besëlidhje 93:23 mund të gjejë zbatim për të gjithë fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor. Ju mund ta zëvendësoni fjalën ju në këtë varg me vetë emrin tuaj. Ju mund ta shkruani emrin tuaj në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta dhe bëni një vizë drejt fjalës ju.
Ndërkohë që jetuam me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në jetën para lindjes, neve na u dha mësim prej Tyre dhe patëm mundësinë që ta pranonim ose mohonim të vërtetën. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:24–26, duke kërkuar atë që Zoti na e mësoi rreth të vërtetës në këto vargje.
Në hapësirën e dhënë, shkruani rreth asaj që mësoni nga përkufizimi i Zotit për të vërtetën te vargu 24:
Vini re se si përshkruhet Satani te Doktrina e Besëlidhje 93:25. Vini re se si kërkon ai të na ndikojë duke e shtrembëruar ose pakësuar diturinë tonë për të vërtetën. Për krahasim, përsiatni se çfarë mësojmë rreth Shpëtimtarit te vargu 26.
Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:36–37 dhe përcaktojini parimet shtesë që Zoti i zbuloi rreth dritës e së vërtetës. Ju mund të doni ta shenjoni frazën “lavdia e Perëndisë është inteligjencë ose, me fjalë të tjera, dritë dhe e vërtetë” te vargu 36. Mbani mend se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë një plotësi të lavdisë, që përfshin një plotësi të inteligjencës ose të dritës dhe të së vërtetës. Përsiatni se si përfitojmë ne nëpërmjet marrjes së dritës e të vërtetës në jetën tonë. Një përfitim është që nëpërmjet marrjes së dritës e të vërtetës, ne mund të bëhemi si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor. (Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta pranë vargut 36.)
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth arsyes përse është e rëndësishme për ju ta kuptoni se, nëpërmjet marrjes së dritës e së vërtetës ne mund të bëhemi si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:27–28, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për ta marrë të vërtetën e dritën. Në formën vezake në të djathtë të skicës shoqëruese, shkruani një parim që na mëson mënyrën se si e marrim të vërtetën e dritën.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si na ndihmon bindja ndaj urdhërimeve që të marrim të vërtetë dhe dritë?
-
Kur e keni ndier se ju morët të vërtetë dhe dritë nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve?
-
Kur jetuam me Perëndinë përpara se të lindeshim në tokë, ne patëm lirinë e zgjedhjes – aftësinë për të zgjedhur dhe për të vepruar për veten tonë. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:29–32, duke kërkuar mënyrën se si përdorimi ynë i lirisë së zgjedhjes ndikon në aftësinë tonë për të pranuar dritë e të vërtetë.
Sipas vargjeve 31–32, cila është pasoja nëse zgjedhim të mos e pranojmë të vërtetën dhe dritën?
Këto vargje na ndihmojnë të kuptojmë që ne e vendosim veten tonë nën dënim dhe e pengojmë përparimin tonë shpirtëror duke mos e pranuar ta marrim dritën që është në dispozicionin tonë.
A mund ta humbasim dritën e të vërtetën që e kemi marrë tashmë? Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:39 që të gjeni një përgjigje për këtë pyetje.
Në formën vezake në të majtë të skicës, shkruani një parim që thotë atë çfarë na bën ta humbasim të vërtetën dhe dritën.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa shembuj të traditave, ose veprimtarive që bëhen në mënyrë të zakonshme nga shumë njerëz, të cilat mund të na shkaktojnë ta humbasim dritën dhe të vërtetën. Shkruani disa fjali që shpjegojnë se si pjesëmarrja në një nga këto tradita mund të ndikonte në aftësinë tonë për ta pranuar e për ta mbajtur dritën dhe të vërtetën nga Ati ynë Qiellor.
Skenari vijues mund të ndihmojë për ta treguar se si zgjedhjet tona vetjake për t’iu bindur ose për të mos iu bindur urdhërimeve të Perëndisë, ndikojnë në aftësinë tonë për të pranuar dritë e të vërtetë ose për t’i humbur ato. Lexojeni tregimin vijues dhe përcaktoni se si zgjedhjet e Maries ndikojnë në aftësinë e saj për të pranuar dritë e të vërtetë. Ndaluni pas çdo paragrafi dhe mendoni rreth arsyes përse gjendja e Maries ka ndryshuar.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth rëndësisë së vendimeve që i merrni çdo ditë, dhe mënyrës se si ato ndikojnë në dritën dhe të vërtetën që pranoni dhe e mbani.
Doktrina e Besëlidhje 93:40–53
Zoti i këshillon shërbëtorët e Tij që t’i vendosin në rregull shtëpitë e tyre
Merrni parasysh se si mund t’ju ndihmojnë ndërveprimet tuaja me prindërit tuaj ose pjesëtarë të tjerë të familjes suaj që të rriteni në dritë e të vërtetë.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:40 dhe përcaktoni përgjegjësinë që Perëndia ua ka dhënë prindërve.
Te Doktrina e Besëlidhje 93: 41–48, Zoti i udhëzoi Frederik G. Uilliamsin, Sidni Rigdonin dhe Jozef Smith të Riun që të vepronin më mirë për t’i mësuar fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë dhe në mënyra sipas të cilave ata mund t’i vendosnin familjet e tyre në rregull.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 93:49–50, duke kërkuar paralajmërimin e Zotit që gjen zbatim për të gjitha familjet. Teksa i studioni këto vargje, ju mund të dëshironi të shenjoni fjalë ose fraza që ju mësojnë parimin vijues: Ne duhet të lutemi gjithmonë dhe të jemi të zellshëm e të përfshirë në shtëpi, ose i ligu do të ketë fuqi mbi ne.
Edhe pse ky paralajmërim iu dha një ati, ai gjeti zbatim për të gjithë familjen e tij. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi mënyra se si mund të jemi “më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi”:
“Sugjerimi Numër Një: Shprehni Dashuri – dhe Tregojeni Atë
Ne mund të fillojmë të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi duke u thënë njerëzve që i duam se i duam ata. Shprehje të tilla nuk ka nevojë të jenë pompoze ose të gjata. Ne thjesht duhet të shprehim dashuri sinqerisht dhe shpesh. …
… Fëmijë, kur ka qenë hera e fundit kur u thatë prindërve tuaj se i doni? …
Ne duhet të kujtojmë se thënia ‘unë të dua’ është vetëm një fillim. Ne duhet ta themi atë, ne duhet ta kemi me tërë mend dhe, më e rëndësishmja, ne duhet ta shfaqim atë vazhdimisht. Ne duhet edhe të shprehim edhe të paraqesim dashuri. …
Sugjerimi Numër Dy: Jepni Dëshmi – dhe Jetojeni Atë
Ne gjithashtu mund të bëhemi më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi duke u dhënë dëshmi njerëzve që i duam për gjërat që i dimë se janë të vërteta me anë të dëshmisë së Frymës së Shenjtë. Dhënia e dëshmisë nuk ka nevojë të jetë e gjatë apo me gojëtari. …
… Fëmijë, kur ka qenë hera e fundit kur e ndatë dëshminë tuaj me prindërit dhe familjen tuaj? …
Ne duhet të kujtojmë se dhënia e një dëshmie të sinqertë është vetëm një fillim. Ne duhet të japim dëshmi, ne duhet ta kemi me tërë mend dhe, më e rëndësishmja, ne duhet ta jetojmë atë vazhdimisht. Ne duhet edhe t’i deklarojmë edhe t’i jetojmë dëshmitë tona. …
Sugjerimi Numër Tre: Jini të Qëndrueshëm
Secila lutje familjare, secili episod i studimit familjar të shkrimit të shenjtë dhe secila mbrëmje familjare në shtëpi është një gjurmë peneli në telajon e shpirtit tonë. As edhe një ndodhì nuk duket të jetë shumë mbresëlënëse apo e paharrueshme. Por … [qëndrueshmëria] jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme. … [Qëndrueshmëria] është një parim kyç ndërsa ngremë themelin e një vepre të madhe në jetën tonë vetjake dhe ndërsa bëhemi më të zellshëm e më të përfshirë në vetë shtëpitë tona” (“Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 17–20).
-
Çfarë mendoni se do të thotë shprehja të jemi “të zellshëm e … të përfshirë në shtëpi” (DeB 93:50)? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një gjëje që do ta bëni për të qenë më të zellshëm dhe të përfshirë në shtëpi.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 93 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: