Njësia 29: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 133:36–74
Hyrje
Ky është mësimi i dytë që shqyrton zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 133. Profeti Jozef Smith e mori këtë zbulesë më 3 nëntor 1831. Ajo i përgjigjet pyetjeve që kishin misionarët rreth predikimit të ungjillit dhe mbledhjes së Izraelit. Ajo gjithashtu përshkruan Ardhjen e Dytë të Zotit dhe atë që duhet të bëjmë për t’u përgatitur për të.
Doktrina e Besëlidhje 133:36–40
Zoti shpall se ungjilli i rivendosur do të predikohet në të gjithë botën
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani disa nga ndjenjat tuaja ndërsa përsiatni mbi Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. A ndiheni i lumtur dhe plot shpresë që do ta shihni Shpëtimtarin në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë? Si mund të na ndihmojë përgatitja jonë për Ardhjen e Dytë që ta mposhtim frikën?
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit do të jetë një përvojë e ëmbël dhe e mrekullueshme për disa dhe një përvojë e tmerrshme për të tjerët – në varësi të përgatitjes dhe denjësisë së tyre vetjake.
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:36–39, duke kërkuar prova që [tregojnë] se Shpëtimtari dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë.
Ne kemi një rol për të ndihmuar në përgatitjen e tokës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Bazuar te ajo që mësoni nga Doktrina e Besëlidhje 133:37–38, plotësoni të vërtetën vijuese: Si shërbëtorë të Perëndisë, ne mund të ndihmojmë që t’i përgatitim të tjerët për Ardhjen e Dytë duke .
Sipas vargut 38, ne duhet ta predikojmë ungjillin “me një zë të lartë”. Si mendoni ju, çfarë do të thotë kjo?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:40, duke kërkuar një gjë tjetër që shërbëtorët e Perëndisë do të jenë duke bërë përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Çfarë sugjeron ky varg rreth mënyrës se si ndihen të drejtët rreth ardhjes së Shpëtimtarit?
Te vargu 40, cilat fjalë tregojnë dëshirën e të drejtëve për ta parë Zotin në Ardhjen e Tij të Dytë? Ju mund të doni t’i shenjoni këto fjalë në shkrimet tuaja të shenjta.
Doktrina e Besëlidhje 133:41–56
Jezu Krishti përshkruan Ardhjen e Tij të Dytë
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:41–45, duke kërkuar bekimet që do t’u vijnë atyre që luten dhe e presin Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
Nga vargu 45, ne mësojmë se Zoti ka përgatitur bekime të mëdha për ata që e presin Atë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta.
Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nënvizoni atë që kemi nevojë të bëjmë për ta pritur besnikërisht Zotin:
“Ne nuk duhet kurrë, në asnjë kohë apo rrethanë, ta lejojmë frikën dhe atin e frikës (vetë Satanin) të na devijojnë nga besimi ynë dhe të jetuarit me besnikëri. Ka pasur gjithmonë pyetje rreth së ardhmes. Çdo personi të ri apo çdo çifti të ri në çdo kohë i është dashur të ecë me anë të besimit në atë që gjithmonë ka pasur disa pasiguri – duke filluar me Adamin dhe Evën në ata hapa të parë drithërues jashtë Kopshtit të Edenit. Por nuk ka problem. Ky është plani. Do të shkojë mirë. Vetëm jini besnikë. Perëndia është në krye. Ai e di emrin tuaj dhe Ai i di nevojat tuaja. …
Perëndia pret nga ju që të keni mjaft besim dhe vendosmëri dhe mjaft mirëbesim tek Ai që të vazhdoni përpara, të vazhdoni të jetoni, të vazhdoni të gëzoheni. Në fakt, Ai pret nga ju që jo vetëm t’i bëni ballë së ardhmes (kjo tingëllon goxha e zymtë dhe stoike); Ai pret që ju ta përqafoni dhe t’i jepni formë së ardhmes – ta doni atë dhe të gëzoheni në të dhe të kënaqeni në mundësitë tuaja.
Perëndia pret me padurim mundësinë që t’u përgjigjet lutjeve tuaja dhe t’i përmbushë ëndrrat tuaja, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Po Ai nuk mundet nëse ju nuk luteni dhe Ai nuk mundet nëse ju nuk ëndërroni. Me pak fjalë, Ai nuk mundet nëse ju nuk besoni” (“Terror, Triumph, and a Wedding Feast” [bisedë në mbrëmjen rreth vatrës të Universitetit “Brigam Jang”, 12 shtator 2004], f. 3; speeches.byu.edu).
Përsiateni pyetjen vijuese: A do ta dinë të gjithë njerëzit se kush është Jezu Krishti në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë? Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:46–47 duke kërkuar një përgjigje për këtë pyetje.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:48–49, duke kërkuar një përshkrim të asaj se si do të duket Jezu Krishti në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë.
Për ta kuptuar simbolikën e veshjes së kuqe të Shpëtimtarit, është e dobishme të dini kuptimin e termit “gaviç” në vargun 48. Një gaviç quhet edhe shtypëse rrushi, i cili është një legen i madh i mbushur me rrush. Njerëzit e shtypnin rrushin, duke e shtrydhur lëngun në mënyrë që të mund të mblidhej në enë. Ndërsa njerëzit e shtypnin rrushin, lëngu zakonisht i njolloste këmbët dhe veshjet e tyre me një ngjyrë të purpurt.
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:48–51. Nga këto vargje ne mësojmë për drejtësinë dhe hakmarrjen e Zotit në Ardhjen e Tij të Dytë.
Në simbolin e shtypëses së rrushit, rrushi përfaqëson të ligjtë, që do të shkatërrohen në kohën e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Veshja e tij e kuqe mund të shikohet si simbol i drejtësisë së Tij.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:52–53, duke kërkuar atë që të drejtët do të kujtojnë dhe përmendin në “viti[n e] të shëlbuarve të [tij]” (DeB 133:52). Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani për rastet kur ju e keni ndier mirësinë e dashur të Zotit.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:54–56, duke kërkuar atë që do t’u ndodhë shenjtorëve të drejtë të cilët vdesin përpara Ardhjes së Dytë.
Doktrina e Besëlidhje 133:57–74
Ungjilli dërgohet për ta përgatitur tokën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:57–62, duke kërkuar të vërteta përse ungjilli duhet të përhapet përpara Ardhjes së Dytë të Zotit.
Ndërsa e mësoni ungjillin dhe e jetoni atë, ju do të jeni të përgatitur për Ardhjen e Dytë. Doktrina e Besëlidhje 133:62 tregon një bekim tjetër që ju mund të merrni. Referojuni këtij vargu për të plotësuar thënien vijuese: Atyre që dhe e shenjtërojnë vetveten do t’u jepet .
Ju mund të shikoni një lidhje midis parimit në vargu 62 dhe parimit që ju përcaktuat më herët në vargun 45 – se Zoti ka përgatitur bekime të mëdha për ata që e presin Atë.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si lidhet parimi te vargu 62 me parimin që përcaktuat te vargu 45?
Te Doktrina e Besëlidhje 133:63–74, ne lexojmë rreth pasojave për ata që nuk do të pendohen dhe nuk do të përgatiten për Ardhjen e Dytë. Disa nga këto pasoja përfshijnë të qenit i dëbuar nga Zoti dhe të qenit i “dorëzua[r ndaj] errësirës” (DeB 133:72).
-
Rilexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 133:66–67, 70–71, e cila përmban fjalët e Zotit për njerëzit që nuk e pranojnë Atë. Pastaj, në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, përmblidhni zgjedhjet e njerëzve të përshkuara në këto vargje.
Për ata që kanë pasur mundësinë ta pranonin Zotin, por nuk e pranuan Atë, Ardhja e Dytë do të jetë një kohë trishtimi. Por nëse e pranojmë ftesën e Zotit për ta pranuar Atë, për t’iu bindur zërit të Tij dhe për t’i besuar e pranuar shërbëtorët e Tij, Ardhja e Dytë do të jetë një ditë e lavdishme për ne.
-
Përfytyroni sikur Shpëtimtari është kthyer në tokë sot. A do të gëzoheshit në praninë e Tij me ata që e kanë pritur Atë? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani një gjë që ju do të bëni në mënyrë që Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit të jetë një përvojë e gëzueshme për ju.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 133:36–74 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: