Njësia 4: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 14–16
Hyrje
Në fund të majit 1829, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri duruan kërcënime nga turmat, ndërkohë që përfundonin përkthimin e Librit të Mormonit. Për t’i ndihmuar që t’i largoheshin përndjekjes, Dejvid Uitmeri i ndihmoi të zhvendoseshin nga Harmonia e Pensilvanisë për te shtëpia e familjes Uitmer në Fajet të Nju-Jorkut. Familja Uitmer tregoi interes të madh në ngjarjet e Rivendosjes që po shpaloseshin. Jozef Smithi i përshkroi Dejvidin, Xhonin dhe Piter Uitmer të Riun si “miq dhe ndihmës të zellshëm për veprën; dhe … plot padurim për të ditur detyrat e tyre përkatëse” (në History of the Church, 1:49). Profeti u lut dhe mori fjalën e Zotit drejtuar secilit prej këtyre tre vëllezërve.
Doktrina e Besëlidhje 14
Zoti e thërret Dejvid Uitmerin që të ndihmojë në veprën e ditëve të mëvonshme
Tregimi vijues përshkruan ngjarjet e mrekullueshme që e lejuan Dejvid Uitmerin t’i ndihmonte Oliver Kaudërin dhe Jozef Smithin që t’iu shpëtonin përndjekësve të tyre:
Dejvid Uitmeri po mbillte grurë në fermën e familjes në Uoterlu të Nju-Jorkut, pranë Fajetit, kur iu kërkua të shkonte në Harmoni të Pensilvanisë, që të ndihmonte Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin. Ai vendosi ta bënte këtë pasi t’i kishte mbaruar detyrat e tij në fermë. Ai ishte në gjendje ta lesonte tërë fushën e tij brenda një dite, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Të nesërmen ai do ta plehëronte fushën dhe e motra i tregoi për tre burra që ajo i kishte parë duke e hedhur pluhurin e gipsit ditën e mëparshme “para mesditës”. Në vazhdim është tregimi i Lusi Mek Smithit lidhur me këtë ngjarje të mrekullueshme:
“Dejvidi shkoi në fushë dhe mësoi se kishte përpara tij për të bërë punën e rëndë të dy ditëve. … Atëherë i lidhi kuajt e tij te lesa dhe në vend që ta ndante fushën në atë që, nga fermerët, quhej zakonisht parcela, ai i çoi kuajt përreth të gjithë fushës, duke vazhduar në këtë mënyrë deri në mesditë, kur, duke ndaluar për të ngrënë, e hodhi vështrimin përreth dhe zbuloi, për çudinë e tij, se e kishte lesuar tërësisht gjysmën e grurit. Pasi hëngri, ai vazhdoi si më parë dhe deri në mbrëmje e kishte mbaruar tërë punën e dy ditëve.
I ati, duke shkuar në fushë po atë mbrëmje, e pa atë që ishte bërë dhe thirri: ‘Duhet të ketë një dorë mbisunduese në këtë punë dhe mendoj se do të ishte më mirë të shkoje në Pensilvani sapo ta kesh shpërndarë pluhurin e gipsit’.
Të nesërmen në mëngjes, Dejvidi mori një matëse druri nën krah dhe shkoi që të shpërndante pluhurin e gipsit, të cilin e kishte lënë, para dy ditësh, në pirgje pranë shtëpisë së motrës së tij, por, kur arriti te vendi, zbuloi se pluhuri i gipsit ishte zhdukur! Ai atëherë shkoi me vrap tek e motra dhe e pyeti nëse e dinte se ç’ishte bërë me të. Duke u habitur ajo pyeti: ‘Përse më pyet mua? A nuk u shpërnda i gjithi dje?’
‘Jo mesa di unë’, u përgjigj Dejvidi.
‘Po habitem me këtë’, u përgjigj e motra, ‘sepse fëmijët erdhën tek unë para mesditës dhe m’u lutën të dilja jashtë dhe të shihja burrat që e shpërndanin pluhurin e gipsit në fushë, duke thënë, se ata nuk kishin parë kurrë në jetën e tyre ndonjë që ta shpërndante pluhurin e gipsit aq shpejt. Dhe kështu shkova dhe pashë tre burra që punonin në fushë, sikurse kishin thënë fëmijët, por, duke hamendësuar që ti i kishe pajtuar për ndihmë, për shkak të nxitimit tënd, unë shkova në shtëpi menjëherë dhe nuk i kushtova çështjes asnjë vëmendje të mëtejshme.’
Dejvidi bëri pyetje të shumta lidhur me çështjen, si midis të afërmve ashtu edhe fqinjëve, por nuk ishte në gjendje të mësonte se kush e kishte bërë atë” (History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 148–149).
Merrni parasysh sikur të ishit në situatën e Dejvid Uitmerit. Si do t’ju kishin ndikuar këto mrekulli?
Pasi Dejvid Uitmeri i solli Profetin dhe Oliver Kaudërin në Fajet të Nju-Jorkut, Zoti shpalli sjelljen në dritë të veprës së Tij në ditët e mëvonshme dhe bekimet e premtuara të gjithë atyre që marrin pjesë në të (shih DeB 14:1–5). Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 14:6–7 duke kërkuar atë që Zoti e drejtoi Dejvidin të bënte dhe dhuratën që do të merrte ai si rrjedhojë. Çfarë dhurate i premtoi Zoti atij? Çfarë iu kërkua të bënte Dejvidit për ta marrë këtë bekim?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani mendimet tuaja rreth pyetjeve vijuese:
-
Jetë e përjetshme do të thotë të jetuarit përgjithmonë si familje në praninë e Perëndisë dhe bërjen si Ai. Si ju ndihmon ky përkufizim që të kuptoni përse jeta e përjetshme “është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”?
-
Si mund t’ju frymëzojë premtimi i jetës së përjetshme që t’i zbatoni urdhërimet e Perëndisë dhe të duroni deri në fund?
-
Te Doktrina e Besëlidhje 14:7, Zoti na mësoi një parim të rëndësishëm që gjen zbatim për secilin prej nesh: Nëse i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe durojmë deri në fund, ne do të marrim jetë të përjetshme. Merrni parasysh ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Për ta kuptuar më mirë këtë parim, merrni parasysh se çfarë kuptimi mund të ketë të duruarit deri në fund në situatat vijuese:
-
Një i ri që kohët e fundit u bashkua me Kishën, ndihet se nuk ka shokë në lagjen e tij.
-
Një e re sëmuret nga një sëmundje që kërkon vëmendje mjekësore të vazhdueshme dhe përkujdesje personale prej të tjerëve.
-
Prindërit e një të riu ose të reje u divorcuan kohët e fundit dhe njëri prej prindërve nuk është aktiv në Kishë.
-
Një i ri ose një e re vazhdimisht po ndeshet me një tundim që mund të çojë drejt varësisë.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 14:8 që të mësoni për një bekim tjetër që Zoti tha se do ta merrte Dejvid Uitmeri bazuar mbi bindjen e tij.
Pak kohë pasi u mor kjo zbulesë, Dejvid Uitmeri u bë njëri prej Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit. Ai i pa engjëllin Moroni dhe fletët e arta dhe e dëgjoi zërin e Perëndisë duke dëshmuar për vërtetësinë e analit.
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 14:11, ku Zoti i dha Dejvid Uitmerit një tjetër premtim bazuar mbi besnikërinë e tij. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta me vetë fjalët tuaja, shkruani një parim “nëse–atëherë” që e gjeni në këtë varg. (Një mënyrë se si ta shkruani këtë mund të gjendet në fund të këtij mësimi.)
Doktrina e Besëlidhje 15–16
Jezu Krishti u mëson Xhon dhe Piter Uitmerit atë që është më me vlerë për ta
Për t’i studiuar zbulesat e dhëna Xhon dhe Piter Uitmerit, ftoni një pjesëtar të familjes ose një shok të lexojnë disa vargje me ju, nëse është e mundur. Lexoni vetë Doktrinën e Besëlidhjet 15:1 dhe më pas bëjeni pjesëtarin e familjes suaj ose shokun tuaj të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 16:1. Po ashtu lexoni vargjet 2–6 në të dy seksionet, duke e bërë me radhë nga njëri te tjetri midis vargjeve në të njëjtën mënyrë. Përcaktoni se çfarë është e pazakontë rreth këtyre dy zbulesave.
Cili është i vetmi ndryshim në renditjen e fjalëve të këtyre dy zbulesave?
Ngaqë vargjet 2–6 në këto zbulesa janë të njëllojta, duket sikur Zoti mund të kishte dhënë një zbulesë dhe t’ua kishte drejtuar që të dy burrave. Çfarë mund të mësojmë nga fakti që Ai shpenzoi kohë për t’u folur individualisht që të dyve, Xhonit dhe Piterit?
Me raste Zoti mund t’ua zbulojë të njëjtin mesazh individëve të ndryshëm, sepse ata mund të kenë nevoja, rrethana ose dëshira të ngjashme. Për të përcaktuar dëshirën që Xhon dhe Piter Uitmeri patën të përbashkët, lexoni përsëri Doktrinën e Besëlidhjet 15:3–4 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 16:3–4. Çfarë dëshiruan si Xhoni ashtu edhe Piter Uitmeri?
Në këto zbulesa Zoti dha mësim se përpjekjet tona për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti janë të një vlere të madhe për ne. Teksa ndihmoni në sjelljen e njerëzve te Jezu Krishti, edhe ata do të kuptojnë se Perëndia i njeh dhe i do.
Këto zbulesa gjithashtu na mësojnë se Perëndia na njeh ne personalisht. Ai e di se ç’është më e mirë për ne.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani mendimet tuaja rreth mënyrës se si një bekim i priftërisë ose një thirrje misioni mund të tregojnë se Perëndia na njeh ne personalisht.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një shembull për të vërtetën që Perëndia na njeh ne personalisht:
“Ca kohë më parë fola me një udhëheqës të priftërisë që ishte nxitur t’i mësonte përmendsh emrat e të gjithë rinisë nga mosha 13 deri në 21 vjeç në kunjin e tij. Duke përdorur fotografi të të rinjve dhe të të rejave, ai krijoi karta të vogla që i shqyrtonte ndërkohë që udhëtonte për punë dhe në kohë të tjera. Ky udhëheqës i priftërisë me të shpejtë i mësoi të gjithë emrat e rinisë.
Një natë udhëheqësi i priftërisë pati një ëndërr rreth njërit prej të rinjve, të cilin e njihte vetëm nga një fotografi. Në ëndërr ai e pa të riun të veshur me një këmishë të bardhë dhe duke mbajtur një etiketë emri të misionarit. Me një shok të ulur në krah të tij, i riu po i jepte mësim një familjeje. I riu mbante Librin e Mormonit në dorë dhe dukej sikur ai po dëshmonte për vërtetësinë e librit. Udhëheqësi i priftërisë atëherë u zgjua prej ëndrrës së vet.
Në një mbledhje pasuese të priftërisë, udhëheqësi iu afrua të riut që e kishte parë në ëndërr dhe i kërkoi të fliste me të për pak minuta. Pas një prezantimi të shkurtër, udhëheqësi e thirri të riun me emër dhe i tha: ‘Unë nuk jam një shikues ëndrrash. Nuk kam pasur kurrë një ëndërr rreth një anëtari të vetëm të këtij kunji, me përjashtimin tënd. Do të të tregoj rreth ëndrrës sime dhe më pas do të doja të më ndihmoje që ta kuptoj se çfarë do të thotë ajo.’
Udhëheqësi i priftërisë tregoi ëndrrën dhe e pyeti të riun për domethënien e saj. I mbytur nga emocioni, i riu thjesht u përgjigj: ‘Do të thotë që Perëndia e di se cili jam unë’. Pjesa tjetër e bashkëbisedimit midis këtij të riu dhe udhëheqësit të tij të priftërisë ishte shumë kuptimplote dhe ata ranë dakord të takoheshin e këshilloheshin së bashku herë pas here gjatë muajve pasues” (“The Tender Mercies of the Lord”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 100).
Përsiatni (ose diskutoni me një njeri që lexoi me ju) përse mund të jetë e dobishme për ne që ta kuptojmë se Perëndia na njeh personalisht.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një situate në të cilën ju ndihmoi në njëfarë mënyre të kuptuarit që Perëndia ju njeh personalisht, ose shkruani rreth mënyrës se si të kuptuarit që Perëndia ju njeh personalisht mund t’i ketë ndikuar vendimet që merrni çdo ditë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 14–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:
Shënim për detyrën e caktuar 2: Një mënyrë se si mund ta thoni një parim që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 14:11, është: Nëse e ndihmojmë besnikërisht Zotin në punën e Tij, atëherë Ai do të na bekojë shpirtërisht e materialisht.