Seminari
Njësia 22: Dita 3, Doktrina e Besëlidhje 104


Njësia 22: Dita 3

Doktrina e Besëlidhje 104

Hyrje

Në pranverën e vitit 1834, Kisha po kalonte vështirësi financiare dhe përpjekjet për të mbledhur fonde për lehtësimin e saj kishin dështuar. Në vitin 1832, Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që “t’i organizonin punët tregtare dhe botuese të Kishës nëpërmjet krijimit të një ‘ndërmarrjeje’ që do t’i mbikëqyrte këto përpjekje, duke krijuar fonde për ngritjen e Sionit dhe në dobi të të varfërve. Kjo ndërmarrje, e njohur si Ndërmarrja e Bashkuar, u organizua në prill të vitit 1832 dhe u shkri në vitin 1834 (shih seksionin 82)” (Doktrina e Besëlidhje 78, hyrja e seksionit). Më 23 prill 1834, Profeti Jozef Smith mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 104. Në këtë zbulesë, Zoti zbuloi se Ndërmarrja e Bashkuar do të riorganizohej dhe pronësitë e saj duhej të ndaheshin mes anëtarëve të ndërmarrjes si kujdestari e tyre. Nën drejtimin e Jozef Smithit, në këtë zbulesë, termi “Ndërmarrja e Bashkuar” më vonë u zëvendësua me “Urdhri i Bashkuar”. Ky mësim përdor termin Urdhri i Bashkuar për t’u përshtatur me gjuhën e Doktrinës e Besëlidhjeve 104. Zoti i udhëzoi gjithashtu anëtarët e Kishës mbi mënyrën se si duhej të kujdeseshin për të varfrit dhe i këshilloi udhëheqësit e Kishës lidhur me borxhet e tyre. Anëtarët e Urdhrit të Bashkuar ishin Jozef Smithi, Sidni Rigdoni, Oliver Kaudëri, Uilliam W. Felpsi, Eduard Partrixhi, Xhon Uitmeri, Sidni Gilberti, Martin Harrisi, Njull K. Uitni, Xhon Xhonsoni dhe Frederik G. Uilliamsi.

Doktrina e Besëlidhje 104:1–18

Zoti jep udhëzime lidhur me Urdhrin e Bashkuar

çelës makine

Përfytyroni sikur prindërit tuaj ju kanë dhënë çelësin e makinës së tyre (ose mendoni për diçka tjetër që kërkon një çelës, të tillë si banesa juaj). A ju bën kjo pronarin e makinës? A mund ta përdorni makinën për çfarëdo gjëje që dëshironi? Përse po ose përse jo? Si do të ndikonte njohuria se ju do të mbaheni përgjegjës për atë që bëni në përdorimin nga ana juaj të makinës?

Në mars dhe prill të vitit 1832, Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që të organizonin Ndërmarrjen e Bashkuar (ose Urdhrin e Bashkuar), anëtarët e së cilës do të ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e punëve tregtare dhe botuese të Kishës në mënyrë që të kujdeseshin për të varfrit dhe të çonin përpara punën e Tij. Në pranverën e vitit 1834, udhëheqësit e Kishës morën në shqyrtim që ta shpërndanin ndërmarrjen për arsye të ndryshme. Megjithatë, Zoti donte që vëllezërit ta riorganizonin atë dhe t’i ndanin pronësitë e saj mes anëtarëve të ndërmarrjes si kujdestari e tyre.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:1–4 dhe përcaktoni një prej shkaqeve për problemet e Urdhrit të Bashkuar.

Doktrina e Besëlidhje 104:5–10 përmban një vendim nga Zoti se, pasojat për thyerjen e besëlidhjes që kishin të bënin me Urdhrin e Bashkuar, do të përfshinin mallkimin dhe përjashtimin nga Kisha.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:11–13, duke kërkuar atë që tha Zoti se duhej të merrte çdo anëtar i Urdhrit të Bashkuar. (Mund t’ju duhet të shpjegoni se një kujdestar është një person të cilit i është dhënë përgjegjësi për diçka që i përket dikujt tjetër.)

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:14, duke kërkuar se kush e zotëronte pronën e lidhur me Urdhrin e Bashkuar. Shenjojini frazat që japin mësim doktrinën se Zoti krijoi tokën dhe, të gjitha gjërat në të, janë të Tijat.

  1. ikona e ditaritPlotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Bëni një listë të 10 zotërimeve tokësore që ju keni (për shembull, strehim, veshje, kopsht, ushqim).

    2. Shkruani rreth mënyrës se si doktrina e dhënë mësim te Doktrina e Besëlidhje 104:14 mund të ndikojë në mënyrën se si i shikoni dhe i përdorni zotërimet tuaja.

Kujtesa e Zotit për shenjtorët se të gjitha gjërat mbi tokë janë të Tijat, mund t’i ketë bindur ata se Ai mund të siguronte për nevojat e tyre materiale. Ai vazhdoi duke shpjeguar mënyrën se si do të mbështetej te këto burime materiale për t’u kujdesur për shenjtorët e Tij. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:15–16, duke kërkuar atë që tha Zoti për mënyrën se si do të siguronte për shenjtorët e Tij.

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha ide për mënyrën se si Zoti siguron për shenjtorët e Tij: “Mënyra e Zotit qëndron në atë që t’i ndihmojë njerëzit të ndihmojnë vetveten. Të varfrit lartësohen sepse ata punojnë për ndihmën e përkohshme që marrin, u mësohen parime të sakta dhe janë në gjendje ta ngrenë veten nga varfëria drejt mbështetjes te vetja. Të pasurit përulen sepse ata e përulin veten për t’u dhënë bujarisht nga pasuritë e tyre atyre që janë në nevojë” (“Inspired Church Welfare”, Ensign, maj 1999, f. 77). Sot, “mënyra e Zotit” “që t’i ndihmojë njerëzit të ndihmojnë vetveten” përfshin programin e mirëqenies në Kishë dhe mbledhjen e ofertave të agjërimit.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:17–18, duke kërkuar atë që na udhëzoi Zoti të bëjmë me bollëkun që na ka dhënë.

Nga këto vargje mësojmë se, ne jemi përgjegjës që t’i përdorim ato që Zoti na ka dhënë për të ndihmuar të tjerët.

Mendoni sërish për shembullin e çelësit të makinës që u paraqit më herët në mësim dhe për mënyrën se si do të ndikohej përdorimi i makinës nga ana juaj prej përgjegjshmërisë suaj për të. Si lidhet kjo me të vërtetën që mësuat te Doktrina e Besëlidhje 104:14–18?

një burrë duke marrë ushqim në tabaka

Ne mund t’i vlerësojmë si “të varfër dhe nevojtarë” jo vetëm ata që kanë nevojë për ndihmë financiare, por edhe ata që kanë nevojë për ndihmë shpirtërore, emocionale, mendore dhe shoqërore. Në mënyrë të ngjashme, ne mund ta vlerësojmë bollëkun tonë si diçka më shumë sesa thjesht paratë apo zotërimet materiale që kemi. Bollëku ynë përfshin edhe kohën, talentet, njohurinë dhe aftësitë tona.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të japim nga bollëku që marrim prej Zotit?

    2. Cilët janë disa shembuj në shkrimet e shenjta të njerëzve që i kanë ndihmuar ata në nevojë? Si i ndihmuan ata të tjerët sipas mënyrës së Zotit?

    3. Si mund t’i ndihmoni të tjerët sipas mënyrës së Zotit? (Shkruani një synim të veçantë për ta bërë këtë.)

Doktrina e Besëlidhje 104:19–77

Zoti jep udhëzime lidhur me Urdhrin e Bashkuar, kujdestaritë dhe thesarin

Te Doktrina e Besëlidhjet 104:19–53, Zoti dha udhëzime të veçanta rreth kujdestarive që iu caktuan anëtarëve të ndryshëm të Urdhrit të Bashkuar. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:23, 25, 31, 33, 35, 38, 42, 46, duke kërkuar një model në premtimet e Zotit për çdo anëtar të urdhrit. Vini në dukje se fraza “për aq sa” do të thotë “në shkallën që” ose “në masën që”.

  1. ikona e ditaritBazuar tek ajo që keni mësuar në këto vargje, shkruani një parim në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë duke shpjeguar atë që do të ndodhë për aq kohë sa jemi të përulur e besnikë. Pastaj përgjigjjuni pyetjeve vijuese:

    1. Çfarë mund të mësoni nga ky parim rreth mënyrës se si ndikon bindja te bekimet që ju merrni?

    2. Kur e keni parë dikë që të jetë besnik në përgjegjësitë e tij ndaj Zotit dhe të bekohet sipas kësaj?

Te Doktrina e Besëlidhjet 104:54–77, Zoti dha udhëzime për krijimin e thesareve, në të cilat do të ruheshin fondet e marra nga kujdestaritë për përfitimin e Kishës, të tilla si për shtypjen e shkrimeve të shenjta.

Doktrina e Besëlidhje 104:78–86

Zoti i udhëzon udhëheqësit e Kishës lidhur me borxhet e Urdhrit të Bashkuar

Mendoni për një rast kur juve iu tha të kryenit diçka që menduat se ishte e pamundur ose jashtëzakonisht e vështirë për t’u bërë.

Në procesin e bindjes ndaj urdhrave të Zotit, Urdhri i Bashkuar ishte futur në një borxh të madh. Një numër ngjarjesh e penguan urdhrin që t’i shlyente borxhet. Për shembull, shkatërrimi i shtypshkronjës nga turma në kontenë Xhekson të Misurit i pengoi shenjtorët që të fitonin para nga shtypja e shkrimeve të shenjta dhe produkteve të tjera, dhe turmat i penguan shenjtorët që ta përdornin shtëpinë e ruajtjes në Indipendëns.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:78 dhe shenjojeni udhëzimin e Zotit lidhur me borxhet e Kishës.

Shlyerja e borxhit mund t’u jetë dukur e pamundur shenjtorëve, por Zoti dha udhëzime për t’i ndihmuar ata.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, bëni dy kolona – njërën titullojeni NËSE dhe tjetrën ATËHERË. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 104:80–82. Nën kolonën “NËSE” shkruani atë që Zoti u kërkoi anëtarëve të urdhrit të bënin që të merrnin ndihmën e Tij për pagimin e borxheve të tyre. Nën kolonën “ATËHERË” shkruani atë që Zoti premtoi se do të bënte për t’i ndihmuar shenjtorët që të dilnin nga borxhet e tyre. Bazuar në atë që lexoni dhe shënoni, shkruani një parim që mund të mësojmë nga këto vargje.

  2. ikona e ditaritKryeni një ose më tepër prej veprimtarive vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Shkruani rreth dikujt në shkrimet e shenjta ose dikujt që ju e njihni, i cili është një shembull i parimit që e shkruat në detyrën 4. Përshkruani mënyrën se si e shihni këtë parim në jetën e këtij personi. Ose shkruani rreth mënyrës se si e keni parë këtë parim në vetë jetën tuaj.

    2. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese: Cilat janë disa nga gjërat që Zoti u ka kërkuar anëtarëve të Kishës të bëjnë, të cilat mund të konsiderohen sfiduese? Çfarë roli mendoni se ka përulësia, besnikëria dhe lutja në përmbushjen e gjërave që Zoti ju ka kërkuar të bëni?

    3. Shkruani se si mund të jeni më të përulur, besnikë ose plot lutje, në mënyrë që Zoti të mund t’ju ndihmojë t’i përmbushni gjërat që Ai ju ka kërkuar të bëni. Shkruani një synim për ta bërë këtë.

  3. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 104 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: