Njësia 20: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 97
Hyrje
Profeti Jozef Smith e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 97 më 2 gusht 1833. Në këtë zbulesë, Zoti dha udhëzim dhe inkurajim për Parli P. Pratin, i cili kryesoi një shkollë për vëllezërit e priftërisë në Misuri, dhe për vëllezërit që e frekuentuan atë shkollë. Zoti gjithashtu theksoi vullnetin e Tij që shenjtorët në Misuri të ndërtonin një tempull. Ai premtoi se, nëse e bënin këtë dhe nëse zemrat e tyre ishin të kulluara, lavdia dhe prania e Tij do të banonin atje.
Doktrina e Besëlidhje 97:1–9
Zoti u mëson anëtarëve të shkollës së pleqve në Misuri atë që duhet të bëjnë për t’u pranuar prej Tij
Nëse do t’i mësonit një shoku se si të ishte një student i mirë, çfarë aftësish dhe sjelljesh do ta nxitnit shokun tuaj të zhvillonte?
Në dimrin e viteve 1832–1833, Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që të krijonin Shkollën e Profetëve në Kirtland të Ohajos. Nën drejtimin e Profetit Jozef Smith, Parli P. Prati drejtoi një shkollë të ngjashme në Indipendëns të Misurit. Kjo shkollë u quajt një shkollë për pleqtë. Anëtarë të shkollës për pleqtë i shkruan letra Jozef Smithit, i cili ishte në Ohajo. Në përgjigje, ai u dërgoi atyre një letër, e cila përmbante zbulesën që tani është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 97. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:1 dhe përcaktoni se si Zoti i përshkroi shumë prej vëllezërve në Misuri.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:2 dhe përcaktoni atë që Zoti u premtoi këtyre burrave nëse ata vazhdonin të ishin besnikë.
Nga Doktrina e Besëlidhje 97:1–2, ne mësojmë se, nëse e përulim veten dhe kërkojmë me zell të mësojmë, ne do të fitojmë urtësi dhe të vërtetë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Përse është e rëndësishme për ju që të fitoni urtësi dhe të vërtetë?
-
Si mendoni se mund t’ju ndihmojnë të qenit të përulur dhe të zellshëm që të fitoni urtësi e të vërtetë?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:3–5 që të mësoni se si Zoti u ndie rreth shërbimit të Parli P. Pratit dhe atë që Zoti i premtoi Vëllait Prat.
Sikurse Parli P. Prati, ju mund ta dini që Zoti është i kënaqur me ju ndërsa vazhdoni ta ndiqni Atë.
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:7, 9. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni pemët e përshkruara në këto vargje. (Nëse nuk parapëlqeni të vizatoni, ju mund të shkruani dy paragrafë duke i përshkruar pemët.)
Dy llojet e pemëve përfaqësojnë anëtarët e Kishës dhe frytet përfaqësojnë veprat ose veprimet e anëtarëve. Mbani mend që shumë prej shenjtorëve në Misuri ishin të përulur dhe besnikë. Megjithatë, të tjerë ishin bërë krenarë dhe të pabindur. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:6–7 dhe përsiatini mesazhet që i gjeni në këto vargje.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:8–9 dhe përsiatni mesazhet që i gjeni në këto vargje.
-
Çfarë u premtoi Zoti këtyre vëllezërve nëse vazhdonin ta ndiqnin Atë? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani dy ose tri fjali duke shpjeguar se si përshkrimi i pemës dhe i rrethinës së saj te vargu 9, mund t’ju nxitin të jeni më besnikë.
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 97:8, cilat janë disa tipare të një njeriu që pranohet nga Zoti? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, shkruani fjalë të cilat e plotësojnë këtë parim: Që të pranohemi nga Zoti, ne duhet .
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa sakrifica që i keni bërë me qëllim që t’i “rua[ni] besëlidhjet [tuaja]”? (DeB 97:8)?
Përsiatni qëndrimin tuaj përpara Zotit. Mendoni se si mund ta zbatoni parimin te Doktrina e Besëlidhje 97:8.
Doktrina e Besëlidhje 97:10–21
Zoti thekson vullnetin e Tij që shenjtorët në Sion të ndërtojnë një tempull
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:10–12, duke kërkuar sakrificën që Zoti e kërkoi nga shenjtorët në Sion (Misuri). Në këto vargje fjala e dhjeta i referohet ofertave në përgjithësi, jo 10 përqind të interesit vjetor të një njeriu, siç kuptohet në ligjin e së dhjetës, i cili u zbulua më vonë (shih DeB 119). Më shumë se një e dhjeta e burimeve të shenjtorëve do të nevojitej për ta ndërtuar tempullin, duke përfshirë ofertat e tyre të kohës e punës.
Mbani mend se Zoti e kishte përcaktuar vendin për tempullin në Sion dy vite përpara se Ai ta jepte këtë zbulesë (shih DeB 57:1–3). Në qershor të vitit 1833, Profeti Jozef Smith u shkroi udhëheqësve të Kishës në Misuri dhe i udhëzoi ta fillonin ndërtimin e tempullit menjëherë (shih History of the Church, 1:363). Megjithatë, kur u dha zbulesa në Doktrina e Besëlidhje 97, më 2 gusht 1833, shenjtorët në Misuri nuk e kishin filluar ndërtimin.
Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:12–14 dhe përcaktojini arsyet përse Zoti dëshironte që shenjtorët në Misuri të ndërtonin një tempull.
Si ka qenë tempulli për ju “një vend për falënderim” (DeB 97:13)? Si ka qenë ai “një vend për udhëzim” (DeB 97:13)?
Teksa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 97:15–20, kërkoni premtimet që Zoti ua dha shenjtorëve, në qoftë se ata do ta ndërtonin një tempull.
Plaku Dejvid B. Heit, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se premtimi i të shikuarit të Perëndisë në tempull (shih vargjet 15–16) mund të përfshijë më shumë se sa të shikuarit e Tij me sytë tanë natyralë: “Është e vërtetë që disa njerëz me të vërtetë e kanë parë Shpëtimtarin, por kur një njeri këshillohet me fjalorin, ai mëson se ka shumë kuptime të tjera të fjalës shikoj, të tilla si arritjen për ta njohur Atë, për ta dalluar Atë, për ta pranuar Atë dhe punën e Tij, për ta rrokur rëndësinë e Tij ose arritjen për ta kuptuar Atë” (“Temples and Work Therein”, Ensign, nëntor 1990, f. 61).
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 97:15–17, si mund të kualifikoheni që ta përjetoni lavdinë dhe praninë e Zotit në tempull? Shenjoni fjalë ose fraza në këto vargje që japin mësim parimin që në tempull, Perëndia do t’ua shfaqë Vetveten atyre që janë të kulluar në zemër.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i kulluar në zemër?
-
Çfarë mund të bëjmë për t’i bërë të kulluara zemrat tona, që të mund të marrim bekimet e tempullit?
-
Si jeni ndier të bekuar kur e keni përgatitur veten tuaj për të shkuar në tempull?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:21 dhe përcaktoni se si Zoti e përkufizoi fjalën Sion. Ju mund të doni ta shkruani ose shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta frazën që na mëson të vërtetën vijuese: Sioni është të kulluarit në zemër.
Doktrina e Besëlidhje 97:22–28
Zoti shpjegon se çfarë duhet të bëjmë për t’iu larguar indinjatës së Tij dhe për t’i marrë bekimet e Tij
Për ta kuptuar mesazhin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 97:22–24, merrni parasysh informacionin vijues: Furtunat ndodhin anembanë botës. Furtuna të fuqishme mund të kthehen në tornado të dhunshme që shkatërrojnë gjithçka në udhën e tyre. A keni parë ndonjëherë vetë një furtunë apo tornado ose a keni parë një pamje të filmuar të njërës prej tyre?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:22–24 dhe përcaktoni atë me të cilën Zoti e krahasoi një furtunë.
Te vargu 22, fjala hakmarrje iu referohet pasojave të mosbindjes ndaj Zotit. Në hapësirën e dhënë, shkruani rreth mënyrës se si hakmarrja e Zotit mund të jetë e ngjashme me një furtunë:
Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 97:25–28 që të zbuloni atë që kemi nevojë të bëjmë për t’i shpëtuar hakmarrjes së Zotit dhe për t’i marrë bekimet e Tij. Ju mund të doni ta shenjoni togfjalëshin në qoftë se, kudo ku gjendet në këto vargje.
Merrni parasysh se si mesazhi i Zotit te vargjet 25–28 lidhet me përfytyrimet e dy llojeve të pemëve që i studiuat më parë. Çfarë na mësojnë vargjet 27–28 rreth pendimit e faljes?
Nga këto vargje ne mësojmë parimin që, në qoftë se jemi të bindur, ne do t’i shpëtojmë hakmarrjes së Zotit dhe do të marrim një shumëllojshmëri të bekimeve të Tij.
Merrni parasysh atë që jeni ndier të nxitur për ta bërë, ndërkohë që keni studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 97. Veproni sipas atyre nxitjeve, me qëllim që të mund t’i merrni bekimet e Zotit.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 97 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: