Njësia 18: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 87
Hyrje
Gjatë gjithë vitit 1832, Profeti Jozef Smith dhe anëtarë të tjerë të Kishës me gjasë mësuan nëpërmjet njoftimeve të gazetave për fatkeqësi që po përhapeshin me shpejtësi në tokë. Pranë fundit të atij viti, Profeti tha: “Shfaqjet e shqetësimeve midis kombeve u bënë më të dukshme në këtë kohë nga sa kishin qenë më parë që kur Kisha filloi të dalë nga vendi i shkretë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 263). Më 25 dhjetor 1832, Jozef Smithi mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 87, e cila përfshin profeci rreth luftërave dhe gjykimeve që do të derdheshin mbi të gjitha kombet në ditët e fundit.
Doktrina e Besëlidhje 87
Jozef Smithi profetizon se luftë do të derdhet mbi të gjitha kombet
Një profeci është një deklarim nga një profet i vërtetë i një shenje ose ngjarjeje të ardhshme, të zbuluar me anë të Frymës së Shenjtë.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 87:1–4 dhe përcaktoni një profeci të dhënë nga Jozef Smithi. Teksa i studioni këto vargje, mund të jetë e dobishme të dini se Karolina e Jugut është një shtet në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.
Një nga parimet që mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 87:1–4 është që në kohën tonë, ashtu sikurse në kohët e lashta, Zoti mund të na e zbulojë të ardhmen nëpërmjet profetëve të Tij.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mund të jetë një bekim për Kishën dijenia që Zoti i zbulon ngjarjet e ardhshme nëpërmjet profetëve të Tij?
-
Si mund të jetë të diturit e kësaj, një bekim për ju dhe familjen tuaj?
-
Lexojeni hyrjen e seksionit të Doktrina e Besëlidhjes 87. Kërkojeni datën kur u dha kjo zbulesë dhe çështjen për të cilën po mendonte Jozef Smithi në këtë kohë.
Jozef Smithi kishte mësuar rreth një mosmarrëveshjeje politike midis shtetit të Karolinës së Jugut dhe qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat. (Një tarifë është një taksë për importet.) Ngaqë banorët e Karolinës së Jugut ishin më shumë në varësi të produkteve të importuara të fabrikimit sesa ishin njerëzit në shtetet veriore, ata mendonin se tarifat federale ishin të padrejta dhe se ato ishin vënë në mënyrë të qëllimshme të larta, në dëm të shteteve të jugut. Udhëheqësit qeveritarë në Karolinën e Jugut miratuan një dekret i cili i bëri të pavlefshme, ose i shfuqizoi, ligjet federale dhe shumë banorë të Karolinës së Jugut filluan të përgatiteshin për veprime ushtarake kundër qeverisë federale. Presidenti i Shteteve të Bashkuara shpalli se ai do t’i mbronte ligjet e Shteteve të Bashkuara me anë të forcës.
Në dhjetor të vitit 1832, gazetat anembanë Shteteve të Bashkuara po e raportonin këtë mosmarrëveshje. Ishte në këtë kohë që Jozef Smithi mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 87, duke profetizuar se “luftërat … shpejt do të ndodhin, duke filluar me kryengritjen e Karolinës së Jugut” (DeB 87:1). Në fillim të vitit 1833, jo shumë kohë pasi u dha kjo profeci, qeveria e Shteteve të Bashkuara e zgjidhi në mënyrë paqësore çështjen me shtetin e Karolinës së Jugut. Disa njerëz mund të kenë besuar se kriza ishte kapërcyer dhe se ajo profeci te Doktrina e Besëlidhje 87:1–4 nuk do të përmbushej, por kriza ishte ndaluar vetëm përkohësisht dhe Karolina e Jugut ende do të ngrinte krye.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si do të përgjigjeshit nëse fjalët e një profeti nuk do të përmbusheshin sipas mënyrës ose gjatë periudhës kohore që ju e prisnit?
Ju mund të doni ta shenjoni referencën kryq të Doktrina e Besëlidhjes 87:1 te poshtëshënimi a. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 130:12–13. Çfarë ripohoi Profeti Jozef Smith në këto vargje?
Drejtojuni hyrjes së seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 130 dhe përcaktojeni vitin në të cilin Jozef Smithi e dha këtë ripohim të profecisë te Doktrina e Besëlidhje 87.
Çfarë mund t’ju mësojë ripohimi i Profetit Jozef Smith për profecinë që e kishte marrë 10 vjet më parë rreth besimit të tij?
Kriza midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Karolinës së Jugut ishte zgjidhur 10 vjet më parë, në vitin 1833. Profeti Jozef Smith vazhdoi ta ruante besimin te profecia që Zoti e kishte zbuluar nëpërmjet tij, edhe pse shumë njerëz nuk pranuan të besonin se një luftë civile do të ndodhte në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1861, luftanijet e shteteve jugore filluan të qëllonin mbi ushtarët federalë të Shteteve të Bashkuara, të cilët ishin të vendosur te Fortesa Samtër në Portin e Çarlstonit të Karolinës së Jugut. Shtete të tjera jugore u bashkuan me Karolinën e Jugut në një luftë civile kundër shteteve veriore. Me kalimin e kohës, shtetet jugore i bënë thirrje për ndihmë Britanisë së Madhe. Përveç kësaj, shumë njerëz që kishin qenë skllevër në shtetet jugore, u bashkuan me ushtrinë e shteteve veriore dhe luftuan kundër pronarëve të tyre të mëparshëm. Lufta Civile Amerikane zgjati deri në vitin 1865 dhe pati si rrjedhojë vdekjen e gati 620.000 ushtarëve.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si na ndihmojnë këto ngjarje të dimë se Jozef Smithi është një profet i vërtetë?
-
Përse është e rëndësishme për ju të dini se Jozef Smithi është një profet i vërtetë?
-
Çdo profeci te Doktrina e Besëlidhje 87 është përmbushur ose do të përmbushet.
Përveç ngjarjeve të zbuluara te Doktrina e Besëlidhje 87:1–4, Jozef Smithi profetizoi gjëra të tjera që do të ndodhnin. Vargu 5 përmend që “ata që kanë mbetur në tokë, … do t’i shqetësojnë Johebrenjtë”.
“Shprehja ata që kanë mbetur shpesh përdoret në shkrimet e shenjta për t’iu referuar një pjese të shtëpisë së Izraelit (shih Topical Guide [Udhëzuesi Tematik], “remnant” [“mbeturit, të”], f. 419). Ngaqë Shpëtimtari bëri premtime të veçanta rreth atyre që kishin mbetur nga nefitët e lamanitët (shih 3 Nefi 20:10, 16; 21:2, 4), shumë njerëz kanë hamendësuar që ky varg i referohet popujve lamanitë, të cilët në njëfarë kohe do të ngriheshin dhe do t’i ‘shqetëso[nin] Johebrenjtë’ (DeB 87:5).
Presidenti Jozef Filding Smith shkroi: ‘Historia e këtij kontinenti amerikan … na jep prova që lamanitët janë ngritur në zemërimin e tyre dhe i kanë shqetësuar johebrenjtë. Kjo luftë mund të mos ketë mbaruar. Ka qenë gabimi i njerëzve në Shtetet e Bashkuara të mendojnë se kjo thënie profetike iu referohet indianëve në Shtetet e Bashkuara, por ne duhet të kujtojmë se ka miliona të “at[yre] që kanë mbetur” në Meksikë, në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Ndodhi gjatë Luftës sonë Civile që indianët në Meksikë u ngritën dhe e fituan lirinë e tyre nga tirania, të cilën Napoleoni u orvat ta vendoste mbi ta në kundërshtim me profecinë e Jakobit në Librin e Mormonit se nuk duhej të kishte mbretër mes johebrenjve në këtë tokë. Pavarësia e Meksikës dhe e kombeve të tjera në jug është arritur nëpërmjet kryengritjes së “at[yre] që kanë mbetur” në tokë. Megjithatë, le të mos mendojmë që kjo profeci është përmbushur plotësisht.’ (Church History and Modern Revelation, 1:363.)” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 195).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 87:6–7 dhe përcaktoni ngjarje të tjera që Jozef Smithi i profetizoi se do të ndodhnin në ditët e fundit.
Fraza “dor[a] ndëshkuese” e Perëndisë lidhet me faktin që Zoti i përdor gjykimet e Tij për t’i nxitur fëmijët e Tij të pendohen për mëkatet e tyre. Përveç kësaj, disa prej gjykimeve të përshkruara në këto vargje do të ndodhin ndërkohë që Zoti i ndëshkon të ligjtë për trajtimin e padrejtë nga ana e tyre të të drejtëve.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 87:8 për të mësuar atë që Zoti na udhëzon të bëjmë me qëllim që ne do të jemi të përgatitur për luftërat dhe fatkeqësitë që do të jenë mbi tokë në ditët e fundit. Një parim që e mësojmë nga ky varg është që ne duhet të qëndrojmë në vende të shenjta dhe të mos lëvizim derisa Zoti të vijë.
Vendet e shenjta janë vendndodhje ku ne mund ta ndiejmë praninë e Frymës së Shenjtë, e cila na ndihmon të afrohemi pranë Atit Qiellor e Jezu Krishtit dhe të mësojmë prej Tyre. Qëndrimi në vende të shenjta shpesh ka më shumë të bëjë me mënyrën se si jetojmë, sesa me vendin se ku jetojmë. Nëse jetoni të denjë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, atëherë ju qëndroni në një vend të shenjtë. Përpiquni ta bëni zemrën tuaj një vend të shenjtë, të mbushur me Shpirtin e Zotit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa vende që i konsideroni të shenjta. Më pas zgjidhni një nga vendet që përcaktuat, dhe përshkruani se si të qenit në atë vend të shenjtë ju ka ndihmuar të afroheni pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Si mund të përpiqeni për ta bërë shtëpinë tuaj një vend të shenjtë? Nëse profeti do ta shihte se ku jetoni, dhomën tuaj, dollapin tuaj ose vendet që frekuentoni, a do ta shihte ai atë si një vend të shenjtë?
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “qëndroni në vende të shenjta dhe të mos lëvizni” (DeB 87:8)?
-
Si mund të lëvizet një njeri nga vendet e shenjta?
-
Çfarë është diçka që ju do ta bëni për të qëndruar në vende të shenjta më me besnikëri dhe për të mos lëvizur prej tyre?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 87 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: