Njësia 14: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 64:20–43
Hyrje
Më 11 shtator 1831, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 64. Rreth dy javë përpara se të merrte këtë zbulesë, Profeti ishte kthyer në Ohajo pasi mbikëqyri përkushtimin e tokës dhe të vendit të tempullit të Sionit në Indipendëns të Misurit. Doktrina e Besëlidhje 64:20–43 përmban mësimet e Zotit për sakrificat që Ai kërkoi nga shenjtorët dhe për ngritjen e Sionit në ditët e mëvonshme.
Doktrina e Besëlidhje 64:20–25
Zoti jep mësim se Ai kërkon zemrën tonë
Në vijat vijuese, shkruani për një rast ku ndiet se sakrifikuat për t’i ndjekur urdhërimet e Zotit (të tillë si shmangia nga pjesëmarrja në një ngjarje sportive apo në një veprimtari të ngjashme me qëllim që ta mbanit të shenjtë ditën e Shabatit):
Mendoni se si mund të jeni bekuar ngaqë e bëtë këtë sakrificë. Ju mund të mësoni më shumë rreth sakrificave që Zoti kërkon nga ne ndërsa studioni Doktrinën e Besëlidhjet 64:20–43 dhe lexoni urdhërimet e Zotit për Isak Morlin, Frederik G. Uilliamsin dhe anëtarë të tjerë të hershëm të Kishës.
Isak Morli zotëronte një fermë të madhe në Kirtland të Ohajos. Ai ftoi bujarisht shumë anëtarë të Kishës, përfshirë Jozef Smithin dhe familjen e tij, që të jetonin në pronën e tij.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:20 duke kërkuar atë që Zoti e urdhëroi Isak Morlin të bënte me fermën e tij. Në hapësirën e duhur në tabelën vijuese, shkruani atë që Zoti i tha Isak Morlit të bënte.
Isak Morli (DeB 64:20) |
Frederik G. Uilliamsi (DeB 64:21) | |
---|---|---|
Çfarë tha Zoti se ai duhej të bënte? | ||
Si reagoi ai ndaj udhëzimit të Zotit? (Shih informacionin më poshtë.) | ||
Cili ishte rezultati i bindjes ndaj udhëzimit të Zotit? (Shih informacionin më poshtë.) |
Kjo qe një sakrificë e madhe për Isak Morlin. Pjesa më e madhe e parave nga shitja e fermës duhej të përdorej për të blerë tokë për anëtarë të tjerë të Kishës në Indipendëns të Misurit.
Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 64:20 duke kërkuar bekimet që Zoti premtoi t’i jepte Isak Morlit nëse Isaku do ta shiste fermën e tij. Nga ky varg mësojmë se, nëse e ndjekim vullnetin e Zotit për ne, ne nuk do të tundohemi më shumë se sa mund të durojmë.
Isak Morli e ndoqi urdhërimin e Zotit për të shitur fermën e tij dhe u bekua që të ishte në gjendje t’u bënte ballë tundimeve. Ai qe një nga shenjtorët e parë që u vendos në Indipendëns të Misurit, ku u përpoq të ngrinte Sionin. Ai i shërbeu Zotit besnikërisht gjatë gjithë jetës së tij. Në tabelë, shkruani reagimin e Isakut dhe rezultatin e veprimit të tij.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni dy ose tre urdhërime që Zoti na i ka dhënë të gjithëve (të tilla si urdhërimi për t’u lutur gjithmonë). Më pas shpjegoni se si bindja ndaj këtyre urdhërimeve mund t’ju ndihmojë të shmangni tundimin.
Një burrë tjetër, Frederik G. Uilliamsi, zotëronte gjithashtu një fermë në Kirtland. Ferma e tij përbëhej nga dy shtëpi, një hangar i madh dhe shumë hektarë tokë. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:21 duke kërkuar urdhërimin që Zoti i dha Frederik G. Uilliamsit.
Në tabelën më lart, shkruani atë që Zoti e urdhëroi Frederik G. Uilliamsin të bënte me fermën e tij.
Megjithëse Frederik G. Uilliamsit nuk iu kërkua ta shiste fermën e tij ashtu si Isak Morlit, ai ende tregoi gatishmëri për të sakrifikuar. Ai i tha Profetit Jozef Smith se ferma e tij mund të përdorej për të strehuar anëtarë nevojtarë të Kishës, duke përfshirë prindërit e Profetit. Përveç kësaj, Vëllai Uilliams lejoi që të lashtat dhe kafshët e rritura në fermën e tij të përdoreshin për të ushqyer dhe mbështetur shenjtorët. Më vonë, ai e shenjtëroi të gjithë fermën e tij për Kishën pa marrë asnjë pagesë si shkëmbim. Nëpërmjet sakrificave të Frederik G. Uilliamsit dhe shenjtorëve të tjerë besnikë në Ohajo, Zoti ruajti “një vend të sigurt në tokën e Kirtland-it, për hapësirën e pesë viteve” (DeB 64:21). Gjatë këtyre viteve, shenjtorët ndërtuan tempullin e Kirtlandit. Ata e përkushtuan tempullin në vitin 1836, pesë vite pasi u dha zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 64.
Në tabelë, plotësoni kolonën për Frederik G. Uilliamsin duke shkruar në vendet e duhura atë që ai bëri dhe rezultatin e këtij veprimi.
Nga shembujt e Isak Morlit dhe të Frederik G. Uilliamsit mësojmë parimin vijues: Ne bekohemi kur i bindemi Zotit dhe ofrojmë sakrificat që Ai kërkon prej nesh. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta.
Sakrificat që bënë Isak Morli dhe Frederik G. Uilliamsi lidhur me fermat e tyre, ilustrojnë një tjetër sakrificë që Zoti kërkoi prej tyre dhe që Ai e kërkon prej nesh sot. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:22 duke kërkuar sakrificën që Zoti kërkon prej nesh.
Ju mund të doni të shenjoni parimin vijues në vargun 22: Zoti kërkon zemrën tonë.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mendoni se do të thotë që Zoti kërkon zemrën tonë?
-
Si mund t’i tregoni Zotit se ju jeni të gatshëm t’i jepni Atij zemrën tuaj?
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:23–25 dhe përcaktoni një urdhërim që ne mund të mbajmë për të treguar se i kemi dhënë Zotit zemrën tonë.
Gjatë kësaj kohe në historinë e Kishës, termi “e dhjetë” u drejtohej të gjitha ofertave apo ndihmesave me vullnet të lirë për Kishën. Në vitin 1838, e dhjeta u përkufizua si një e dhjeta e të ardhurave të një personi (shih kreun e DeB 119). Që nga ajo kohë, prej të gjithë anëtarëve pritej që të paguhej 10 përqind e të ardhurave të tyre vjetore.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mund të tregojë pagimi i së dhjetës se ne ia kemi dhënë zemrën tonë Zotit?
-
Cilat janë bekimet e pagimit të një të dhjete të plotë dhe të ndershme?
-
Rishikoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:23 duke kërkuar premtimin që Zoti u jep atyre që e paguajnë të dhjetën.
Ndërsa bekimi i përcaktuar në vargun 23 gjen zbatim për të ardhmen, Zoti na bekon edhe tani për pagimin e së dhjetës. Mendoni rreth përvojave që keni pasur kur ju ose familja juaj u bekuat si rezultat i pagimit të së dhjetës.
Doktrina e Besëlidhje 64:26–43
Zoti jep udhëzime për ngritjen e Sionit
Mendoni për një rast kur juve ju tha të kryenit një detyrë që ishte e vështirë ose sforcuese.
Në gusht 1831, Zoti u dha shenjtorëve detyrën e madhe të gjetjes së parave për të blerë të gjithë tokën që nevojitej për të ndërtuar qytetin e Sionit në kontenë Xhekson të Misurit. Shenjtorët e dinin se sapo ta kishin blerë tokën, atyre do t’u duhej të punonin shumë për të ndërtuar qytetin dhe tempullin atje.
Doktrina e Besëlidhje 64:26–29 përmban urdhrin e Zotit për dy prej shërbëtorëve të Tij, Njull K. Uitnit dhe Sidni Gilbertit, që ta përdornin dyqanin e tyre në Kirtland të Ohajos për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të shenjtorëve. Ky është një shembull i mënyrës se si disa shenjtorëve iu kërkua të sakrifikonin dhe të ndihmonin për ndërtimin e Sionit.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:30–33 duke kërkuar fraza që mund t’i kenë nxitur shenjtorët që po përpiqeshin për të kryer detyrën e madhe të ndërtimit të Sionit.
Në bazë të asaj që mësuat nga leximi i këtyre vargjeve, plotësoni parimin vijues:
Në qoftë se , atëherë ne mund të kryejmë gjëra të mëdha.
Pasi Zoti i nxiti shenjtorët të ishin të zellshëm për të bërë gjëra të mira, Ai u foli sërish për bindjen. A i jeni bindur ndonjëherë një prindi, një udhëheqësi të Kishës, një mësuesi, një trajneri, por e bëtë këtë me një sjellje jo të mirë? Te Doktrina e Besëlidhje 64:34 vini re fjalët që përshkruajnë sjelljen që duhet të kemi kur i bindemi Zotit.
Ju mund të doni të shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargut 34: Ne duhet t’i bindemi Zotit me zemrën tonë dhe një mendje të gatshme.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mendoni, çfarë do të thotë t’i bindesh Zotit me “zem[ër] dhe një mendje të gatshme”?
-
Mendoni për një rast kur ju iu bindët Zotit me zemrën tuaj dhe një mendje të gatshme. Si ishte kjo e ndryshme nga rastet kur mund të mos jeni bindur me kaq gatishmëri?
-
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:41–43 duke kërkuar informacion rreth ngritjes së Sionit në kohën tonë. Është e rëndësishme të kujtoni që në ditët e fundit, Sioni nuk do të ekzistojë vetëm në një vendndodhje gjeografike, të tillë si në Indipendëns të Misurit. Sioni do të ngrihet në të gjitha kombet ku njerëzit i binden Zotit me zemrën e tyre dhe një mendje të gatshme.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një synim për një gjë që do të bëni, për t’ju bindur Zotit me një bindje të gatshme dhe më të ndier. Ndërkohë që punoni për këtë synim, vini re ndryshimin që sjell kjo lloj bindje në jetën tuaj.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 64:20–43 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: