Seminari
Njësia 5: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 17


Njësia 5: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 17

Hyrje

Ndërsa po përkthente Librin e Mormonit, Profeti Jozef Smith mësoi se tre dëshmitarë do të lejoheshin t’i shihnin fletët “nëpërmjet fuqisë së Perëndisë” (shih 2 Nefi 27:12–14; Ethëri 5:2–4). Kur Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri mësuan për këtë, të dy ata ndien një dëshirë të frymëzuar për të qenë dëshmitarë. Në një zbulesë të mëparshme (DeB 5), Zoti i tha Martin Harrisit që nëse do të ishte mjaft i përulur dhe i bindur, ai do të lejohej t’i shihte fletët. Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi i kërkuan Profetit që t’i kërkonte Zotit nëse ata do të lejoheshin ta kishin këtë mundësi. Zbulesa që do të studioni sot, Doktrina e Besëlidhje 17, konfirmoi se këta tre burra do të lejoheshin t’i shikonin fletët dhe sendet e tjera që kishin lidhje me to, nëse ushtronin besim të mjaftueshëm.

Doktrina e Besëlidhje 17

Zoti i thotë Oliver Kaudërit, Dejvid Uitmerit dhe Martin Harrisit që nëse kanë besim të mjaftueshëm, ata do të lejohen t’i shikojnë fletët dhe sendet e tjera të shenjta

Dy vende në Librin e Mormonit përmbajnë profeci rreth dëshmitarëve që do të shihnin dhe do të dëshmonin për librin apo për fletët që përmbanin analin. Lexoni 2 Nefin 27:12–14 dhe Ethërin 5:2–4 dhe mendoni se çfarë do të thotë të jesh një dëshmitar i fletëve të arta. Nga ajo që mësoni në këto shkrime të shenjta, në ç’mënyrë do t’u tregohej anali tre prej atyre dëshmitarëve?

Tre Dëshmitarët

Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmer, Martin Harris

Nëpërmjet zbulesës, Zoti i tha Jozef Smithit se Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi do të lejoheshin t’i shihnin fletët. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 17:1. Përveç fletëve, çfarë sendesh të tjera do të ishin në gjendje të shikonin këta dëshmitarë? (Poshtëshënimi 1h përmban referenca të asaj që janë “drejtuesit e mrekullueshëm”, duke përfshirë 1 Nefi 16:10, 16, 26 dhe Alma 37:38–47.)

Mendoni se si këto sende të shenjta (të tilla si shpata e Labanit dhe Liahona) mund të jenë prova të mëtejshme për vërtetësinë e njerëzve dhe ngjarjeve të shënuara në Librin e Mormonit.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 17:2–3. Çfarë tha Zoti se u nevojitej dëshmitarëve përpara se të mund të shihnin fletët?

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni, përse këta dëshmitarë kishin nevojë për besim përpara se të mund të shihnin fletët e arta?

Edhe pse mund të mos marrim dëshmi në të njëjtën mënyrë siç e morën Tre Dëshmitarët, ne gjithashtu mund të marrim dëshmi për të vërtetat që dëshirojmë t’i dimë. Përsiatni atë që jep mësim Doktrina e Besëlidhje 17:1–3 rreth mënyrës se si ne mund ta marrim vetë dëshminë tonë për të vërtetat e ungjillit. Pastaj plotësoni parimin vijues nisur nga ajo që mësoni prej këtyre vargjeve: Nëse ne , ne mund të marrim dëshmi për të vërtetat që dëshirojmë t’i dimë.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth mënyrës se si keni ushtruar besim te Perëndia për të marrë një dëshmi të Librit të Mormonit dhe të vërtetave të tjera të ungjillit. Ose, nëse ndieni se ende duhet ta merrni këtë dëshmi, shpjegoni se si mund të ushtroni besim, që të mund të merrni një dëshmi të Librit të Mormonit.

Nëna e Jozef Smithit, Lusi Mek Smithi, shkroi rreth mënyrës se si iu tha Martin Harrisit se ai mund të ishte një prej Tre Dëshmitarëve. Pasi e kaloi një mbrëmje duke lexuar nga dorëshkrimi i sapombaruar i Librit të Mormonit, “mëngjesin vijues, pas pjesëmarrjes në shërbimet e zakonshme, domethënë, leximin, të kënduarin e këngëve dhe lutjen, Jozefi u ngrit nga gjunjëzimi dhe, duke iu afruar Martin Harrisit me një seriozitet që më drithëron venat edhe sot e kësaj dite, me aq sa më kujtohet, tha: ‘Martin Harris, ti duhet ta përulësh veten përpara Perëndisë këtë ditë, që të mund të marrësh falje për mëkatet e tua. Nëse e bën, është vullneti i Perëndisë që të mund t’i shohësh fletët, në shoqërinë e Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit’” (History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 151–152).

Përsiatni pyetjet vijuese:

  • Si mendoni ju, përse është e nevojshme të jemi të përulur kur kërkojmë faljen e Perëndisë?

  • Si mendoni, përse kemi nevojë të kërkojmë falje nga Perëndia kur dëshirojmë të marrim një dëshmi të së vërtetës prej Tij?

Përfytyroni sikur të zgjidheshit për të qenë një nga Tre Dëshmitarët që do të lejoheshin për të parë fletët “nëpërmjet fuqisë së Perëndisë”. Çfarë përgjegjësie do të ndienit pas një përvoje të tillë? Zoti foli për përgjegjësinë e tyre për të qenë dëshmitarë të fletëve. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 17:3–5 duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi Tre Dëshmitarët të bënin pasi ata t’i kishin parë fletët.

Merrni parasysh përgjegjësinë që ne kemi kur Zoti na jep një dëshmi të të vërtetave hyjnore. Ju mund të doni të shenjoni frazat në vargun 3 që japin mësim parimin vijues: Pasi marrim një dëshmi të së vërtetës, atëherë ne kemi përgjegjësinë që të dëshmojmë për të. Mendoni se në ç’mënyrë gatishmëria juaj për të dëshmuar për një të vërtetë është shprehje e besimit tuaj te Jezu Krishti.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni disa doktrina dhe parime të ungjillit që ju i dini se janë të vërteta. Ndani dëshminë, ndjenjat ose mendimet tuaja rreth këtyre parimeve me një prind apo motër ose vëlla.

Shpejt pasi u dha zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 17, Profeti Jozef Smith, Dejvid Uitmeri, Oliver Kaudëri dhe Martin Harrisi shkuan në pyllin pranë shtëpisë Uitmer që të “përpiqeshin të merrnin me anë të lutjes së zellshme dhe të përulur” dëshminë e premtuar. Jozef Smithi shënoi se pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, “Martin Harrisi propozoi se ai duhej të tërhiqej nga ne, duke besuar, siç e shprehu dhe ai vetë, se prania e tij ishte shkaku që nuk po merrnim atë që dëshironim. Prandaj ai u tërhoq prej nesh dhe ne u gjunjëzuam sërish dhe nuk kishim shumë minuta që ishim përfshirë në lutje, kur pas pak vumë re një dritë mbi ne në ajër, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm; dhe vini re, një engjëll qëndronte para nesh. Në duart e tij ai mbante fletët për të cilat ne ishim lutur … që t’i shihnim. Ai i ktheu fletët një e nga një, që të mund t’i shihnim dhe të zbulonim gdhendjet mbi to që ishin të dallueshme. … Ne dëgjuam një zë nga drita e shndritshme mbi ne, duke thënë: ‘Këto fletë janë zbuluar nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe ato janë përkthyer nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Përkthimi i tyre, të cilin e keni parë, është i saktë dhe unë ju urdhëroj të jepni dëshmi për atë që ju tani shihni e dëgjoni’.

Tani, unë i lashë Dejvidin dhe Oliverin dhe shkova në ndjekje të Martin Harrisit, të cilin e gjeta në një largësi të konsiderueshme duke u lutur me zjarr. Megjithatë, ai shpejt më tha se nuk e kishte bindur ende Zotin dhe më kërkoi me këmbëngulje që të bashkohesha me të në lutje, që edhe ai të merrte të njëjtat bekime që ne sapo i kishim marrë. Prandaj, ne u bashkuam në lutje dhe përfundimisht e morëm dëshirën tonë, sepse para se të mbaronim, i njëjti vegim u hap për sytë tanë, të paktën m’u hap sërish mua, dhe unë pashë e dëgjova edhe një herë të njëjtat gjëra; ndërsa po në të njëjtin çast, Martin Harrisi thirri, me sa duket në një dalldi gëzimi, ‘Mjafton; mjafton; sytë e mi kanë parë, sytë e mi kanë parë’” (në History of the Church, 1:54–55).

Mendoni sikur t’ju besohej ndonjë informacion i rëndësishëm, që nuk do iu lejohej ta ndanit me dikë për një kohë të gjatë. Si do të ndiheshit kur në fund do të lejoheshit ta tregonit atë? Mendoni se si mund të ketë qenë për Jozef Smithin që të ishte i vetmi dëshmitar i fletëve të Librit të Mormonit për kaq shumë vite. Si do të ishit ndier po të ishit në vendin e tij? Si mendoni se u ndie Jozef Smithi duke e ditur se të tjerët tani mund t’ua shtonin dëshmitë e tyre dëshmisë së tij?

Lusi Mek Smith

Rrëfimi i mëposhtëm nga Lusi Mek Smith, nëna e Jozef Smithit, përshkruan se si u ndie Jozefi pasi Tre Dëshmitarët kishin parë fletët: “Kur ata u kthyen në shtëpi, ishte midis orës tre dhe katër të pasdites. Unë dhe znj. Uitmer e z. Smith [Jozef Smith Plaku], në atë kohë ishim të ulur në një dhomë gjumi. Me të hyrë brenda, Jozefi u plandos pranë meje dhe thirri: ‘Baba, nënë, ju nuk e dini sa i lumtur jam: Zoti bëri që tani fletët t’u tregoheshin edhe tre njerëzve të tjerë përveç meje. Ata kanë parë një engjëll, që u ka dëshmuar atyre, dhe ata do të duhet ta ndajnë dëshminë për të vërtetën e asaj që kam thënë, pasi tani e dinë vetë se unë nuk shkoj sa andej-këtej për t’i mashtruar njerëzit, dhe ndiej sikur u çlirova nga një barrë që ishte thuajse shumë e rëndë për mua për t’u mbajtur, dhe kjo e gëzon shpirtin tim, që nuk jam më plotësisht i vetëm në botë.’ Pas kësaj, hyri Martin Harrisi: ai dukej pothuaj i pushtuar nga gëzimi dhe dëshmoi haptazi për atë që kishte parë e dëgjuar. Dhe kështu bënë edhe Dejvidi dhe Oliveri, duke shtuar se fjalët nuk mund ta shprehnin gëzimin e zemrës së tyre dhe madhështinë e gjërave që ata kishin parë dhe dëgjuar” (History of Joseph Smith by His Mother, f. 152–153).

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përshkruani se si mund të ndiheni kur keni njerëz të tjerë rreth jush, të cilët gjithashtu kanë marrë një dëshmi të asaj që ju e dini se është e vërtetë. Si ju ndihmojnë dëshmitë e tyre?

Plaku Loren C. Dan i Të Shtatëdhjetëve foli për rëndësinë e dëshmitarëve në punën e Zotit: “Ligji i dëshmitarëve ka qenë gjithmonë pjesë e punës së Zotit në tokë. Ky ligj shpall se ‘çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve’ (2 Korintasve 13:1; shih edhe Ligji i Përtërirë 17:6; 19:15; Mateu 18:15–16; Gjoni 8:12–29). Kjo dëshmi pohon se ndodhën ngjarje të caktuara dhe se doktrinat dhe parimet e dhëna nga Perëndia janë të vërteta” (“Witness”, Ensign, nëntor 1995, f. 28). Zoti përdori ligjin e dëshmitarëve për të pohuar vërtetësinë e fletëve.

Pak ditë pasi fletët e arta iu treguan Tre Dëshmitarëve me anë të fuqisë së Perëndisë, Profetit Jozef Smith iu lejua t’ua tregonte fletët “disave sipas vullnetit të Perëndisë, për t’u dëshmuar fjalën e tij fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 27:13; shih edhe Ethëri 5:2). Lexoni “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” dhe “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve” (që gjenden pas hyrjes së Librit të Mormonit). Vini re ndryshimet në përvojat e tyre dhe ngjashmëritë e dëshmive të tyre. Vini re gjithashtu se Tetë Dëshmitarët i përshkruan fletët si të kishin “pamjen e arit” dhe gdhendjet si të kishin “pamjen e një pune të lashtë”. Meqenëse ata nuk e dinin nëse fletët ishin të vërteta apo nëse gdhendjet ishin shkrime të lashta të vërteta, ata dëshmuan vetëm për atë që me ndershmëri e dinin se ishte e vërtetë.

  1. ikona e ditaritPërfytyroni sikur dëshmia juaj e Librit të Mormonit të mund t’i shtohej çdo kopjeje të Librit të Mormonit. Në një faqe bosh të ditarit tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta krijoni faqen tuaj të dëshmisë vetjake. Përfshini atë që ju e dini se është e vërtetë rreth Librit të Mormonit, të cilën ju doni që edhe të tjerët ta dinë.

Doktrina e Besëlidhje 17:6 përmban dëshminë e Shpëtimtarit për Librin e Mormonit. Shenjoni dëshminë që Ai i dha botës në këtë varg ose shkruajeni dëshminë e Tij në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Ju gjithashtu mund të doni të shkruani Jezu Krishti dëshmoi se Libri i Mormonit është i vërtetë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta ose në anë të shkrimeve të shenjta pranë vargut 6. Përsiatni se si dëshmia e Zotit për Librin e Mormonit ndikon në dëshminë tuaj.

Pas përvojës së tyre të mrekullueshme, secili prej Tre Dëshmitarëve duroi sprova të ashpra dhe besimi i tyre te Perëndia dhe dëshmia e tyre për ungjillin u sfiduan. Gjatë këtyre sprovave, të tre [dëshmitarët] e lanë Kishën, megjithëse Martin Harrisi dhe Oliver Kaudëri më vonë u kthyen dhe qëndruan besnikë gjatë pjesës tjetër të jetës. Sidoqoftë, asnjë prej Tre Dëshmitarëve nuk e mohoi ndonjëherë dëshminë e tij për Librin e Mormonit.

Edhe pse nuk e dimë arsyen e veçantë përse secili prej Tre Dëshmitarëve e la Kishën pasi kishte përjetuar një dëshmi kaq të fuqishme, paralajmërimi i Zotit për Profetin Jozef Smith te Doktrina e Besëlidhje 3:4 na ndihmon të kuptojmë se si mund të ndodhin gjëra të tilla: “Pasi, edhe pse një njeri mund të ketë shumë zbulesa dhe të ketë fuqi për të bërë shumë vepra të fuqishme, përsëri, nëse mburret me forcën e tij e përçmon këshillat e Perëndisë dhe ndjek diktatin e vullnetit dhe të dëshirave të tij trupore, ai duhet të bjerë e të marrë mbi vete hakmarrjen e një Perëndie të drejtë”. Sidoqoftë, secili prej Tre Dëshmitarëve vazhdoi të dëshmonte besnikërisht për Librin e Mormonit gjatë gjithë jetës së vet.

Oliver Kaudëri

Oliver Kaudëri dëshmoi: “Unë e shkrova, me vetë penën time të gjithë Librin e Mormonit (përveç disa faqeve) ashtu siç doli nga buzët e Profetit Jozef Smith, ndërsa ai e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, nëpërmjet Urimit dhe Thumimit, ose siç quhen nga ai libër, ‘Interpretuesit e Shenjtë’. I pashë me sytë e mi dhe i preka me duart e mia fletët e arta nga të cilat ishte përkthyer. … Ai libër është i vërtetë. Sidni Rigdoni nuk e shkroi atë; z. Spollding nuk e shkroi atë. Unë e shkrova vetë, ashtu siç doli nga buzët e Profetit. Ai përmban ungjillin e përjetshëm. … Ai përmban parimet e shpëtimit; dhe nëse ju, dëgjuesit e mi, do të ecni sipas dritës së tij dhe i bindeni parimeve të tij, ju do të shpëtoheni me një shpëtim të përjetshëm në mbretërinë e të lartit Perëndi” (në “Last Days of Oliver Cowdery”, Deseret News, 13 prill 1859, f. 48).

David Whitmer

Një gazetë e quajtur Richmond Democrat përfshiu rrëfimin vijues të Dejvid Uitmerit duke dhënë dëshmi për Librin e Mormonit disa ditë para se të vdiste: “Të dielën në mbrëmje, në 17:30 (22 janar 1888), z. Uitmer e thirri familjen e tij dhe disa miq pranë shtratit të tij. … Pastaj iu drejtua të gjithë atyre pranë shtratit të tij me këto fjalë: ‘Tani, ju të gjithë duhet të jeni besnikë ndaj Krishtit. Dua t’ju them të gjithëve se Bibla dhe anali i nefitëve (Libri i Mormonit) janë të vërteta, kështu që ju të mund të thoni se më keni dëgjuar të dëshmoj nga shtrati im i vdekjes. Jini të gjithë besnikë ndaj Krishtit, dhe shpërblimi juaj do të jetë sipas veprave tuaja. Perëndia ju bekoftë të gjithëve. Besimi im është përgjithmonë në Krishtin, në botët pa fund. Amen’” (Richmond Democrat, 2 shkurt 1888, cituar në Andrew Jenson, Latter-day Saint Biographical Encyclopedia, 4 vëll. [1901], 1:270).

Martin Harris

Pak përpara se të vdiste, Martin Harrisi dëshmoi: “Po, unë i pashë fletët në të cilat u shkrua Libri i Mormonit; unë e pashë engjëllin; unë e dëgjova zërin e Perëndisë; dhe unë e di se Jozef Smithi është një Profet i Perëndisë, që mban çelësat e Priftërisë së Shenjtë” (“The Last Testimony of Martin Harris”, shënuar nga William H. Homer në një thënie betuar përpara J. W. Robinson, 9 prill 1927, HDC). (Shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, [Church Educational System manual, 2001], f. 33.)

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 17:7–9 dhe shenjoni premtimet që Zoti u bëri Tre Dëshmitarëve nëse do të ishin besnikë në shpalljen e dëshmive të tyre. Vini re frazën “qëllime … të drejta” në vargun 9. Mendoni për qëllimet e drejta që Zoti dëshironte që t’i përmbushnin Tre Dëshmitarët, duke e shpallur dëshminë e tyre për fletët e arta dhe Librin e Mormonit. (Ju gjithashtu mund të doni të shqyrtoni Doktrinën e Besëlidhjet 17:4 ndërsa mendoni rreth kësaj pyetje.)

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjiuni pyetjes vijuese: Cili mund të jetë një qëllim i drejtë për të cilën Zoti mund t’ju japë dëshmi për të vërtetën që ju dëshironi ta dini?

Kujtoni se ne mund ta fitojmë ose forcojmë një dëshmi kur e japim atë. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim:

Presidenti Bojd K. Paker

“Nuk është e pazakontë që një misionar të thotë: ‘Si mund të jap dëshmi derisa ta marr atë? Si mund të dëshmoj se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti dhe se ungjilli është i vërtetë? Nëse nuk e kam një dëshmi të tillë, a nuk do të ishte e pandershme?’

O, sikur t’ua mësoja këtë parim të vetëm. Një dëshmi fitohet me dhënien e saj! Diku në kërkimin tuaj për njohuri shpirtërore, ka një ‘hap besimi’, siç e quajnë filozofët. Është çasti kur ju keni shkuar buzë dritës dhe keni hyrë në errësirë, për të zbuluar se udha është e ndriçuar vetëm për një ose dy hapa përpara. ‘Shpirti i njeriut’, siç thotë shkrimi i shenjtë, me të vërtetë ‘është llamba e Zotit’. (Fjalët e Urta 20:27.)

Tjetër gjë është të marrësh dëshmi nga ajo që keni lexuar apo nga ajo që dikush ka thënë; dhe ky është një fillim i domosdoshëm. Krejt tjetër është të kesh Shpirtin të të pohojë në kraharor se ajo që ju keni dëshmuar është e vërtetë. A nuk e shikoni se do të shtohet kur e tregoni atë? Ndërsa jepni atë që keni, ka një zëvendësim, me rritje! …

Të flisni është prova e besimit tuaj” (“Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 54).

Përsiatni se kujt mund t’ia jepni dëshminë tuaj, që mund të përfitojë nga dëgjimi i saj. Këtë javë jepjani dëshminë tuaj atij personi.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: