Njësia 24: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 110
Hyrje
Të dielën, më 3 prill 1836, në Tempullin e Kirtlandit u mbajt një mbledhje sakramenti. Gjatë mbledhjes, Profeti Jozef Smith dhe Oliver Kaudëri u shkëputën nga bashkësia për t’u lutur. Pasi e mbaruan lutjen, Jezu Krishti iu shfaq atyre dhe e pranoi tempullin e sapopërkushtuar. Më pas u shfaqën Moisiu, Eliasi dhe Elija, dhe u rivendosën çelësat e priftërisë. Doktrina e Besëlidhje 110 është një rrëfim i këtyre vegimeve.
Doktrina e Besëlidhje 110:1–10
Zoti shfaqet dhe e pranon Tempullin e Kirtlandit
A e keni vënë re ndonjëherë frazën e shkruar në anën e jashtme të çdo tempulli? Ajo thotë: “Shenjtëri Zotit – Shtëpia e Zotit”.
Për shkak se tempulli është shtëpia e Zotit, a mund të mendoni për një rast kur Zoti e vizitoi njërin prej tyre?
Njëra nga vizitat ndodhi pak pas përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit. Lexojeni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 110, duke kërkuar se kush ishte i pranishëm dhe çfarë bënë ata përpara kësaj përvoje të shenjtë.
Lexojeni rrëfimin e Profetit Jozef Smith për vegimin te Doktrina e Besëlidhje 110:1–3. Përpiquni të përfytyroni atë që ndodhi dhe të imagjinoni mënyrën se si do të ishit ndier nëse do të kishit qenë atje. Pastaj lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 110:4–5 dhe gjeni atë që Shpëtimtari i tha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Ju mund të doni t’i shenjoni frazat që janë domethënëse për ju.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani atë që gjeni domethënëse te Doktrina e Besëlidhje 110:4–5 dhe shpjegoni arsyen.
Doktrina e Besëlidhje 110:5 përmban udhëzimet e Zotit për Jozefin dhe Oliverin, që t’i ngrinin kokat e tyre dhe të gëzoheshin. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 110:6–10 dhe përcaktoni arsyet që kishin Jozefi dhe Oliveri, si edhe shenjtorët, për t’u gëzuar. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.
Një nga arsyet që kishin shenjtorët për t’u gëzuar gjendet te vargjet 7–8. Këto vargje japin mësim parimin vijues: Nëse u bindemi urdhërimeve të Zotit dhe e mbajmë të pastër shtëpinë e Tij, Ai do të na e manifestojë Vetveten në tempujt e Tij.
-
Nëse keni pasur mundësinë ta vizitoni ose të shkoni brenda një tempulli, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë rreth një rasti kur ju u ndiet pranë Zotit atje. Nëse nuk e keni pasur mundësinë, shkruani rreth ndjenjave që mund të keni atje. Pastaj përgjigjjuni pyetjeve vijuese:
-
Si mund t’ia manifestojë Zoti Veten e Tij njerëzve në tempull? (Fjala manifestoj do të thotë të zbulosh ose të bësh të njohur, siç u diskutua gjatë studimit tuaj të Doktrinës e Besëlidhjeve 109.)
-
Si mund ta mbajmë shtëpinë e Zotit të pastër dhe të pandotur?
-
Si mendoni ju, përse Zoti na kërkon që të jemi të bindur dhe të pastër përpara se Ai të na e manifestojë Vetveten në shtëpinë e Tij?
-
Rishikojeni Doktrinën e Besëlidhjet 110:9–10 dhe përcaktoni se kush do të bekohet nga rivendosja e bekimeve të tempullit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, përgjigjjuni pyetjeve vijuese:
-
Në ç’mënyrë është bekuar bota me anë të tempujve dhe të punës së shpëtimit për të gjallët e për të vdekurit?
-
Si e ka bekuar tempulli jetën tuaj?
-
Doktrina e Besëlidhje 110:11–16
Moisiu, Eliasi dhe Elija shfaqen, dhe Jozef Smithit e Oliver Kaudërit iu rivendosen çelësat e priftërisë
Shikoni te Doktrina e Besëlidhjet 110:11–13, për të parë se kush iu shfaq individualisht Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit pas vegimit të Shpëtimtarit. Ju mund të doni t’i shenjoni këto emra.
A e dini se kush janë Moisiu dhe Elija, dhe cilat janë disa nga gjërat domethënëse që bënë ata kur ishin në tokë? Për të mësuar më shumë për këta dy profetë të Dhiatës së Vjetër, kërkojini emrat e tyre në Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Eliasi mund të ketë qenë një profet që jetoi në kohën e Abrahamit. Përveçse një emër, Elias është edhe një titull që nënkupton pararendës ose rivendosës. (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elias”, scriptures.lds.org; Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Elias”.)
Secili prej tre lajmëtarëve që u shfaq në Tempullin e Kirtlandit i dha çelësat e priftërisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit.
-
Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë. Më pas studiojeni fragmentin e shkrimit të shenjtë të shkruar nën emrin e secilit profet dhe shkruani se çfarë rivendosi secili prej tyre.
Moisiu |
Eliasi |
Elija |
---|---|---|
Informacioni në vijim mund t’ju ndihmojë të kuptoni çelësat ose autoritetin që përcaktuat te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16.
“Çelësat e mbledhjes së Izraelit”
Zoti i dha Jakobit emrin Izrael, i cili ishte biri i Isakut dhe nipi i Abrahamit (shih Zanafilla 32:28). Pasardhësit e Jakobit, që u bënë të njohur si mbretëria e Izraelit, qenë populli besëlidhës i Perëndisë. Me kalimin e kohës, populli i Izraelit dhe pasardhësit e tyre janë përhapur kudo në tokë, kryesisht për shkak të padrejtësisë së tyre. Zoti ka premtuar ta mbledhë popullin e Tij të besëlidhjes (shih 1 Nefi 15:13–14; 3 Nefi 5:24; 16:5; 29:1, 3). Pasardhësit e Jakobit dhe të gjithë njerëzit e tjerë mblidhen në mbretërinë e Zotit nëpërmjet punës misionare. Çelësat e priftërisë që u rivendosën nga Moisiu e zgjeruan punët misionare nga Kisha drejt e në të gjithë tokën.
Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Puna misionare është thelbësore për mbledhjen e Izraelit. … Në shumë kombe misionarët tanë i kanë kërkuar ata që janë nga Izraeli i shpërndarë” (“The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 81).
Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “Mbledhja e Izraelit përbëhet nga bashkimi me kishën e vërtetë dhe nga ardhja e tyre te një njohuri për Perëndinë e vërtetë. … Si rrjedhim, çdo njeri që e ka pranuar ungjillin e rivendosur dhe që tani kërkon ta adhurojë Zotin në gjuhën e vet dhe me shenjtorët në kombet ku ai jeton, ka vepruar në pajtim me ligjin e mbledhjes së Izraelit dhe është trashëgimtar i të gjitha bekimeve premtuar shenjtorëve në këto ditë të fundit” (The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 439).
Ju mund të doni të shkruani në tabelë puna misionare, në kolonën nën titullin “Moisiu”.
“Periudha e ungjillit të Abrahamit”
Periudha e ungjillit të Abrahamit, që iu dha Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit nga Eliasi, rivendosi premtimet që Zoti i bëri Abrahamit. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Eliasi sjell sërish ‘ungjillin e Abrahamit’, besëlidhjen e madhe të Abrahamit përmes së cilës besnikët marrin premtimet e rritjes së përjetshme, premtime që nëpërmjet martesës së përjetshme, pasardhësit e tyre të përjetshëm do të jenë po aq të shumtë sa rëra në breg të detit apo sa moria e yjeve në qiell. Eliasi jep premtimin – që u mor më parë nga Abrahami, Isaku dhe Jakobi – se te njerëzit e tanishëm dhe në farën e tyre, të gjithë brezat do të bekohen. Dhe tani ne po ua ofrojmë bekimet e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit të gjithë atyre që do t’i marrin ato” (“The Keys of the Kingdom”, Ensign, maj 1983, f. 22).
Ju mund të doni të shkruani në tabelë martesa çelestiale dhe pasardhësit e përjetshëm, te kolona nën titullin “Eliasi”.
“Çelësat e kësaj periudhe ungjillore”
Për t’ju ndihmuar të kuptoni çelësat e priftërisë që rivendosi Elija, lexoni thëniet vijuese:
Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim: “Kjo fuqi vulosëse që iu dha Elijas, është fuqia që i lidh burrat e gratë, dhe fëmijët me prindërit për kohën dhe përjetësinë. Është fuqia lidhëse që ekziston në çdo ordinancë të Ungjillit. … Është me anë të kësaj fuqie që të gjitha ordinancat që i përkasin shpëtimit lidhen ose vulosen, dhe ishte misioni i Elijas që të vinte dhe ta rivendoste atë” (Elijah the Prophet and His Mission [1957], f. 5).
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Si anëtarë të Kishës së rivendosur të Krishtit, ne kemi përgjegjësi besëlidhëse për t’i gjetur paraardhësit tanë e për t’u siguruar atyre ordinancat shpëtuese të ungjillit. ‘Ata të mos arrinin në përsosje pa ne’ (Hebrenjve 11:40 …). Dhe ‘as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur’ (DeB 128:15).
Për këto arsye ne bëjmë kërkime të historisë familjare, ndërtojmë tempuj dhe kryejmë ordinanca mëkëmbëse. Për këto arsye Elija u dërgua të rivendosë autoritetin vulosës që lidh në tokë dhe në qiell” (“Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 25).
Sipas këtyre shpjegimeve, çfarë fuqie ose autoriteti rivendosi Elija? (Ju mund të doni t’i shkruani përgjigjet tuaja në tabelën tuaj te kolona nën titullin “Elija”.)
Kur Elija erdhi në Tempullin e Kirtlandit, ai përmbushi profecinë e Malakias se Elija do të vinte “para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit” që t’i “bëjë … zemra[t] e etërve t’u kthehe[n] bijve dhe zemra[t] e bijve etërve” (Malakia 4:5–6).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth mënyrës se si është ndikuar jeta juaj nga rivendosja e të paktën njërit prej këtyre çelësave të priftërisë (punës misionare, martesës çelestiale dhe pasardhjes së përjetshme, ose fuqisë vulosëse, përfshirë punën në tempull dhe punën për historinë familjare).
Presidenti Jozef Filding Smith vuri re se Tempulli i Kirtlandit “u ndërtua fillimisht për rivendosjen e çelësave të autoritetit. Me marrjen e këtyre çelësave, [u] zbulua plotësia e ordinancave të ungjillit” (Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:242). Këta çelësa sot qëndrojnë me Presidentin e Kishës dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.
Plotësojeni thënien vijuese: Nga Doktrina e Besëlidhje 110:11–16, ne mësojmë se çelësat e punës misionare, të familjeve të përjetshme dhe të punës në tempull na ndihmojnë të përgatitemi për .
Jetoni në një kohë kur ju mund të bëni punë misionare, punën për historinë familjare dhe punën në tempull, dhe kur ju mund të prisni me padurim për t’i marrë bekimet e tempullit, përfshirë ordinancën vulosëse. Merreni parasysh të vendosni një synim për të marrë pjesë në këto përpjekje, në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Zotit. Ju mund të vendosni një synim të veçantë edhe për mënyrën se si do të përgatiteni për një martesë çelestiale. Kërkojini Atit Qiellor që t’ju ndihmojë ta përmbushni synimin tuaj.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 110 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: