Njësia 19: Dita 1
Doktrina e Besëlidhje 88:1–40
Hyrje
Presidenti Jozef Filding Smith tha se Doktrina e Besëlidhje 88 “është një prej zbulesave më të rëndësishme të dhëna ndonjëherë Kishës dhe disa javë mund të harxhohen në mënyrë frytdhënëse duke diskutuar për atë [zbulesë]” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:366). Ky është mësimi i parë i tre mësimeve që do të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 88. Profeti Jozef Smith e mori këtë zbulesë gjatë tri ditëve – 27 e 28 dhjetorit 1832 dhe 3 janarit 1833. Pjesa e zbulesës, e diskutuar në këtë mësim, përfshin mësimdhënien e Zotit lidhur me dritën e Krishtit dhe shpjegimin e Tij për ligjet që i qeverisin mbretëritë e Tij dhe banorët e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 88:1–13
Zoti shpall se Ai është drita që është në të gjitha gjërat
A jeni lutur ndonjëherë që të dinit vullnetin e Zotit lidhur me zgjedhjet që po bënit në jetën tuaj? Profeti Jozef Smith e mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 88 pasi priftërinjtë e lartë në një konferencë ishin lutur veç e veç dhe me zë që të dinin vullnetin e Zotit. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:1–2, duke kërkuar atë që Zoti tha rreth mënyrës se si Ai dhe engjëjt ndihen, kur shërbëtorët e Tij kërkojnë ta dinë vullnetin e Tij.
Te Doktrina e Besëlidhje 88:3–5, Zoti u dha mësim këtyre vëllezërve që ata mund të merrnin një siguri të jetës së përjetshme nëpërmjet Frymës së Shenjtë, e cila quhet edhe Ngushëlluesi dhe Shpirti i Shenjtë i Premtimit.
Zoti gjithashtu dha mësim rreth rëndësisë së dritës. A keni qenë ndonjëherë në errësirë të plotë fizike? Si mund t’ju ndihmonte një përvojë e të qenit në errësirë të plotë që ta vlerësoni bekimin e dritës? Çfarë përfaqëson drita në ungjillin e Jezu Krishtit?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:6–13, duke kërkuar atë që Zoti e dha mësim rreth burimit të gjithë dritës.
Te vargu 7 çfarë termi përdoret për t’iu referuar të vërtetës që “shkëlqen”?
Sipas vargut 12, nga vjen e gjithë drita?
Këto vargje na mësojnë që nëpërmjet Dritës së Krishtit, Perëndia iu jep dritë dhe jetë të gjitha gjërave. Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në anë të faqes të shkrimeve tuaja të shenjta. Drita e Krishtit është gjithashtu ligji që e qeveris universin dhe banorët e tij, dhe ajo e “përshpejton” të kuptuarin tonë. Përshpejton do të thotë ta bësh të gjallë. Ju mund të doni ta shkruani këtë përkufizim në shkrimet tuaja të shenjta.
“Drita e Krishtit … është një ndikim për mirë në jetën e gjithë njerëzve (shih Gjoni 1:9; DeB 93:2). Në shkrimet e shenjta, Drita e Krishtit quhet nganjëherë Shpirti i Zotit, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Krishtit ose Drita e Jetës.
Drita e Krishtit nuk duhet të ngatërrohet me Frymën e Shenjtë. Ajo nuk është një personazh, sikurse është Fryma e Shenjtë. Ndikimi i saj i udhëheq njerëzit për ta gjetur ungjillin e vërtetë, për t’u pagëzuar dhe për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih Gjoni 12:46; Alma 26:14–15).
Ndërgjegjja është një shfaqje e Dritës së Krishtit, që na bën të aftë ta gjykojmë të mirën nga e liga. Profeti Mormoni na mësoi: ‘Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën se si të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia. … Dhe tani, vëllezër të mi, meqë ju e njihni dritën, nëpërmjet së cilës mund të gjykoni, dritë e cila është drita e Krishtit, shikoni të mos gjykoni gabim; pasi me të njëjtin gjykim që gjykoni ashtu do të gjykoheni’ (Moroni 7:16, 18)” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 39).
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi më tej mbi dallimin dhe ndërveprimin midis Dritës së Krishtit dhe Frymës së Shenjtë:
“Çdo njeri kudo e ka tashmë Shpirtin e Krishtit dhe, ndërsa Shpirti i Frymës së Shenjtë mund ta vizitojë cilindo, dhurata e Frymës së Shenjtë fitohet ‘me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit’ (Nenet e Besimit 1:3), duke iu nënshtruar ‘pagëzimi[t] me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; [dhe] vëni[es së] duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë’ (Nenet e Besimit 1:4). Ai nuk është i pranishëm automatikisht sikurse është i pranishëm Shpirti i Krishtit. Kjo dhuratë duhet të jepet me anë të dikujt që mban autoritetin (shih Nenet e Besimit 1:5).
Kjo është çfarë jemi caktuar të bëjmë, që ta ushqejmë Dritën e Krishtit, e cila është brenda çdo shpirti që e takojmë, dhe t’i sjellim shpirtrat deri në pikën në të cilën Fryma e Shenjtë mund t’i vizitojë ata. Dhe më pas, në kohën e duhur, ata mund të marrin, nëpërmjet ordinancës, dhuratën e Frymës së Shenjtë, e cila i jepet çdo anëtari të Kishës.
Pasi një njeri e ka marrë atë dhuratë të Frymës së Shenjtë dhe mund ta kultivojë atë së bashku me Dritën e Krishtit, të cilën ata e kanë kultivuar tashmë, atëherë plotësia e ungjillit është e hapur për kuptueshmërinë e tyre. Fryma e Shenjtë madje mund të veprojë nëpërmjet Dritës së Krishtit.
Drita e Krishtit është po aq universale sa vetë drita e diellit. Kudo ku gjendet jetë njerëzore, gjendet Shpirti i Krishtit. Çdo shpirt i gjallë pushtohet prej tij. Ai është fuqizuesi i gjithçkaje që është e mirë. Ai është frymëzuesi i gjithçkaje që do ta bekojë njerëzimin dhe do t’i sjellë atij dobi. Ai e ushqen vetë mirësinë” (“The Light of Christ”, Ensign, prill 2005, f. 13).
-
Për t’ju ndihmuar të mendoni rreth mënyrës se si Drita e Krishtit ju bekon çdo ditë, përgjigjjuni dy ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Te Doktrina e Besëlidhje 88:7–10, ne mësojmë se gjithë drita fizike, e tillë si drita e diellit, është pjesë e Dritës së Krishtit. Si e bekon drita fizike jetën tuaj?
-
Përshpejton ose përshpejtoi do të thotë të sjellësh në jetë ose ta bësh të gjallë. Te Doktrina e Besëlidhje 88:11, ne mësojmë se Drita e Krishtit është një mjet me anë të të cilit të kuptuarit tonë për gjërat mund të përshpejtohet ose të bëhet i gjallë. Kur e keni ndier se të mësuarit ose të kuptuarit tuaj u përshpejtua?
-
Te Doktrina e Besëlidhje 88:12–13, ne mësojmë se Drita e Krishtit u jep jetë të gjitha gjërave, të cilat përfshijnë kafshët, bimët dhe madje ne. Si jeni bekuar ju nëpërmjet gjërave të gjalla përreth jush?
-
Te Doktrina e Besëlidhje 88:13, ne gjithashtu mësojmë se Drita e Krishtit është ligji me anë të të cilit qeverisen të gjitha gjërat. Kjo përfshin ligjet fizike, si graviteti, dhe ligjet e urdhërimet shpirtërore. Nëpërmjet Dritës së Krishtit, nganjëherë e quajtur ndërgjegjja jonë, secili prej nesh mund të dallojë ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës. Si ndikojnë në ju çdo ditë ligjet fizike dhe shpirtërore?
-
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si ju ndihmojnë të vërtetat që keni mësuar, që të jeni mirënjohës për ndikimin e Perëndisë në jetën tuaj të përditshme – në mënyra si të dukshme, ashtu edhe në përgjithësi të padukshme? Përfshini disa mendime rreth mënyrës se si do të ndikojë kjo në jetën tuaj të përditshme në ditët e ardhshme.
Doktrina e Besëlidhje 88:14–40
Zoti shpjegon se ka ligje që lidhen me mbretëritë e lavdisë
Kur vishni një dorashkë, dora juaj e bën të gjallë ose i jep jetë dorashkës. Nëse do t’i mësonit dikujt rreth planit të shpëtimit dhe do ta përdornit një dorashkë për të përfaqësuar trupin fizik që e marrim në lindje, çfarë mund të përfaqësonte dora juaj?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:15, duke kërkuar atë që Zoti e quajti ndërthurja e frymës dhe e trupit.
Ju mund të doni ta shenjoni doktrinën që fryma e trupi janë shpirti i njeriut.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si munden gjërat që ndikojnë në trupat tanë, të ndikojnë edhe në shpirtrat tanë? Cilët janë disa shembuj?
Thënia vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson ndihmon në shpjegimin e lidhjes midis trupit tonë fizik dhe frymës sonë:
“Nuk ka asnjë dyshim që shëndeti i trupit e ndikon frymën, ose Zoti nuk do ta kishte zbuluar kurrë Fjalën e Urtësisë. Perëndia nuk na ka dhënë kurrë ndonjë urdhërim trupor – ajo që i ndikon trupat tanë, i ndikon gjithashtu shpirtrat tanë. …
… Mëkati ligështon. Ai nuk ndikon vetëm shpirtin, por [edhe] trupin. Shkrimet e shenjta janë të mbushura me shembuj të fuqisë fizike që mund të shoqërojë njerëzit e drejtë. Nga ana tjetër, mëkati i papenduar mund ta shpërndajë energjinë dhe të çojë drejt sëmundjes si mendore ashtu edhe fizike” (“In His Steps”, Ensign, shtator 1988, f. 5).
Vini në dukje se në këto vargje të shkrimit të shenjtë fjala shpirt përdoret veçanërisht për t’iu referuar trupit tonë shpirtëror (për shembull, shih Alma 40:15–23).
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e lidhjes midis trupit tuaj dhe frymës suaj që të merrni vendime të drejta?
Merrni parasysh disa doktrina e parime shtesë që mund të paraqiten duke përdorur një dorë dhe një dorashkë: Përfytyroni sikur e hiqni dorën nga dorashka. Çfarë mund të përfaqësojë ky veprim? Çfarë i ndodh shpirtit – frymës dhe trupit – në vdekje?
Çfarë mund të përfaqësojë marrja e dorashkës dhe veshja e saj përsëri? Çfarë i ndodh shpirtit në ringjallje?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:14, 16–17, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e përshkroi Ringjalljen.
Plotësojeni doktrinën vijuese të dhënë mësim në këto vargje: Jezu Krishti e bëri të mundur për shpirtrat tanë që të .
Në vargun 17, pasi lexojmë që Jezu Krishti i ka shëlbuar shpirtrat tanë, ne mësojmë se ata që janë të përulur dhe zemërbutë, do të trashëgojnë tokën. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:18–20, duke kërkuar atë që do t’i ndodhë tokës përpara se të bëhet çelestiale dhe shpirtrat e shëlbuar ta trashëgojnë atë.
Sipas vargut 19, prania e kujt do të gjendet në tokën e shenjtëruar? Përsiatni atë që do t’i thoshit dikujt që do t’ju bënte pyetjen vijuese: Çfarë kam nevojë të bëj që të cilësohem të jetoj në mbretërinë çelestiale dhe të gëzoj praninë e Atit Qiellor?
Ashtu si toka do të marrë lavdi pasi të shenjtërohet, edhe trupat tanë do të ndryshohen dhe do të marrin lavdi në Ringjallje. Megjithatë, jo të gjithë njerëzit do të marrin të njëjtën shkallë të lavdisë.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:21–24 dhe përcaktojeni se çfarë e vendos shkallën e lavdisë që një njeri e merr në Ringjallje.
Teksa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 88:25–33, kërkoni fjalë e fraza që e mbështetin doktrinën e dhënë mësim te vargjet 21–24, se në Ringjallje, ne do të marrim lavdi sipas ligjit të cilit i bindemi.
Vargu 28 iu referohet atyre “që janë të një shpirti çelestial”. Ata janë individët që jetojnë sipas ligjit të mbretërisë çelestiale. Ne e dimë nga Doktrina e Besëlidhjet 76 që ligji i mbretërisë çelestiale përfshin bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të ungjillit (shih DeB 76:50–53, 69–70). Një njeri që jeton një ligj çelestial në tokë, do të marrë një trup çelestial në Ringjallje. Nëse një njeri i bindet vetëm një ligji terrestrial ose telestial në tokë, ai ose ajo do të marrë një trup të një lavdie më të paktë, në përputhje me ligjin të cilit ai ose ajo iu bind.
Për t’ju ndihmuar ta kuptoni se përse ligjet e Perëndisë janë bekime për ne, mendoni rreth përfitimeve që vijnë nga bindja ndaj ligjeve të qarkullimit rrugor. Nga ana tjetër, cilat janë disa pasoja të mosbindjes ndaj ligjeve të qarkullimit rrugor?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:34 –35, duke kërkuar pasojat e të jetuarit dhe e mospranimit për t’i jetuar ligjet e Perëndisë.
-
Studiojeni Doktrinën e Besëlidhjet 88:40 dhe përcaktojini cilësitë e njerëzve që do të merren në mbretërinë çelestiale. Më pas përgjigjjuni pyetjes vijuese dhe plotësojeni detyrën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mund të bëni për t’i zhvilluar ose forcuar këto cilësi në jetën tuaj?
-
Zgjidhni një nga cilësitë që përcaktuat, dhe shkruani një synim vetjak për ta zhvilluar ose forcuar atë cilësi në jetën tuaj.
-
Teksa e përmbushni synimin tuaj dhe i jetoni ligjet e Jezu Krishtit, drita e Tij do ta mbushë jetën tuaj.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 88:1–40 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: