Seminari
Njësia 13: Dita 1, Vendi Qendror i Sionit


Njësia 13: Dita 1

Vendi Qendror i Sionit

Hyrje

Ky mësim jep një pamje të përgjithshme të disa ngjarjeve në historinë e Kishës që ndodhën në kontenë Xhekson të Misurit. Në verën e vitit 1831, disa nga shenjtorët që ishin mbledhur në Ohajo, filluan udhëtimin e tyre për t’u vendosur në zonën e kontesë Xhekson në Misuri. Në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith në korrik të vitit 1831, Zoti e caktoi qytetin e Indipendënsit të Misurit si “vendi[n] qendror” të Sionit (DeB 57:3). Shenjtorët filluan të ndërtonin qytetin dhe u përpoqën të jetonin sipas ligjeve të Perëndisë. Megjithatë, me kalimin e kohës, lindën grindje midis shenjtorëve dhe qytetarëve të tjerë të Misurit, të cilët e nxitën turmën drejt dhunës kundrejt shenjtorëve. Shenjtorët u detyruan të largoheshin nga konteja Xhekson në nëntor dhe dhjetor të vitit 1833.

Zoti cakton Indipendënsin në Misuri si vendin qendror të Sionit

Përfytyroni sikur po bëni kampim dhe mësoni se po afrohet një stuhi. Cilat janë disa mënyra se si mund të gjeni mbrojtje nga stuhia? Në ç’mënyrë do të ishte një çadër e dobishme në këtë situatë?

Në Dhiatën e Vjetër, profeti Isaia përdori analogjinë e një çadre për të përfaqësuar Sionin që do të ndërtohej në ditët e fundit si mbrojtje për shenjtorët (shih Isaia 54:2). Izraelitët i përdornin çadrat për strehim dhe çlodhje kur jetonin dhe udhëtonin në shkretëtirë. Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim rreth simbolikës së shoqëruar me çadrat:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Përfytyroni në mendjen tuaj një çadër të madhe që mbahet nga litarë që zgjaten te shumë kunja, të cilët janë siguruar fort në tokë.

Profetët e krahasuan Sionin e ditëve të mëvonshme me një çadër të madhe që qarkon tokën. Ajo çadër mbështetej nga litarë të mbërthyer në kunja. Ata kunja, sigurisht, janë organizatat e ndryshme gjeografike të shpërndara në mbarë tokën. Tashmë, Izraeli po mblidhet në kunjet e ndryshme të Sionit” (“Strengthen Thy Stakes”, Ensign, janar 1991, f. 2).

çadër

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 115:6 duke kërkuar llojin e mbrojtjes që u premtoi Zoti atyre që do të mblidheshin në Sion në ditët e fundit. Ju mund të doni të shenjoni atë që gjeni.

Shenjtorët e hershëm e mendonin Sionin si një vend paqeje, sigurie dhe mbrojtjeje nga i ligu (shih DeB 45:66–71). Ata kishin pritur me ankth që Zoti të zbulonte vendndodhjen e Sionit, që të mund të fillonin të ndërtonin qytetin e Tij të shenjtë. Në korrik 1831, Zoti shpalli se toka e Misurit ishte toka e premtuar e Sionit dhe se Indipendënsi në Misuri ishte “vendi qendror” i qytetit të Sionit (shih DeB 57:1–3).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Nëse do të kishit qenë anëtar i hershëm i Kishës, si do të ishit ndier pasi të mësonit se ku do të ndërtohej qyteti i Sionit?

    2. Kur do të kishit dashur ta fillonit ndërtimin e qytetit? Përse?

A keni ngritur ndonjëherë ndonjë çadër në mënyrë të gabuar ose a jeni përpjekur të ngrini një çadër pa të gjitha pjesët? Çfarë ndodhi, ose çfarë mendoni se do të ndodhte?

Ashtu si një çadër duhet të ngrihet në një mënyrë të veçantë dhe me të gjitha pjesët e duhura, ashtu dhe Sioni duhet të ndërtohet sipas një modeli të veçantë. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 105:5 duke kërkuar se si duhet të ndërtohet “çadra” e Sionit që Zoti ta pranojë atë.

Vini re se Sioni duhet të ndërtohet mbi parimet e drejtësisë. Pasi Zoti zbuloi vendndodhjen e vendit të Sionit në 1831, Ai dha shumë zbulesa gjatë dy viteve pasuese, duke përshkruar parimet mbi të cilat shenjtorët duhet të ndërtonin Sionin.

Lexoni fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta duke kërkuar parimet e drejtësisë dhe urdhërimet që shenjtorët do të kishin nevojë t’i ndiqnin, për ta ndërtuar Sionin në mënyrë të suksesshme. Në hapësirën e dhënë, shkruani disa nga parimet dhe urdhërimet që gjeni.

Doktrina e Besëlidhje 82:14–19

Doktrina e Besëlidhje 97:10–16

Doktrina e Besëlidhje 97:21–22, 25–27

Doktrina e Besëlidhje 133:4–9

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në çfarë mënyrash të jetuarit e këtyre parimeve të drejtësisë i kanë ndihmuar shenjtorët të ndërtonin Sionin dhe të mbroheshin nga stuhitë shpirtërore?

    2. Në ç’mënyrë të jetuarit e këtyre parimeve mund të na ndihmojnë të mbrohemi sot?

Grindje lind midis shenjtorëve dhe qytetarëve të tjerë të Misurit

Pasi Zoti zbuloi vendndodhjen e vendit të Sionit në korrik 1831, shumë shenjtorë udhëtuan pothuaj 1 440 kilometra nga Kirtlandi i Ohajos për në Indipendëns të Misurit, që të vendoseshin dhe të ndërtonin Sionin.

hartë nga Indipendënsi për në Kirtland

Kthehuni tek ilustrimi i çadrës në fillim të mësimit. Çadrat e lashta shpesh zgjeroheshin me qëllim që të strehonin familjet në rritje. Në përmbushje të pjesshme të profecisë së Isaias se kufijtë e çadrës së Sionit do të zgjeroheshin, litarët do të zgjateshin dhe kunjet do të forcoheshin, Kirtlandi në Ohajo u caktua si “një kunj [i] Sionit” (DeB 82:13) pasi vendi qendror i Sionit u vendos në Indipendëns të Misurit. Si në Kishën e hershme dhe në Kishë sot, shenjtorët që mblidhen në kunjet e Sionit marrin bekimet mbrojtëse të Sionit. Kjo do të thotë se shenjtorët që jetojnë në kunjet e Sionit mund të gëzojnë të njëjtat bekime dhe mbrojtje si ata që jetojnë në vendin qendror të Sionit.

Lexoni informacionin vijues rreth mënyrës se si shenjtorët në kunjin Kirtland të Sionit e mbështetën ndërtimin e vendit qendror të Sionit në Misuri. Shihni atë që bënë shenjtorët në Kirtland për të ndihmuar në ngritjen e Sionit. Ju mund të doni të shenjoni disa nga idetë që i gjeni të dobishme.

Kirtland, Ohajo: Gjatë një serie konferencash të mbajtura në nëntor 1831, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës përpiluan zbulesat që ishin marrë deri në atë kohë, dhe planifikuan t’i botonin ato në formën e një libri. Oliver Kaudëri dhe Xhon Uitmeri morën përgjegjësinë për t’i çuar zbulesat në Misuri, kështu që Uilliam W. Felpsi të mund t’i botonte ato si Librin e Urdhërimeve. Gjatë viteve 1831–1832, Jozefi vazhdoi të merrte zbulesa dhe të punonte me përkthimin e frymëzuar të Biblës. Në pranverë të vitit 1832, ai ndërmori një udhëtim për në Misuri për të vizituar shenjtorët në Sion, që t’i paralajmëronte ata se Satani po kërkonte “t’i largonte zemrat e tyre nga e vërteta” (DeB 78:10) dhe të bashkërendonte përpjekjet e shtëpive të ruajtjes së peshkopit në Kirtland dhe Indipendëns. Shumë prej shenjtorëve vazhduan të shpërnguleshin në Sion dhe nga fundi i vitit 1832, rreth një e treta e anëtarëve të Kishës jetonin në kontenë Xhekson të Misurit. Në Kishën e hershme, shenjtorët në Ohajo dhe shenjtorët në Misuri punuan së bashku që të jepnin fonde dhe burime për të ndërtuar qytetin e Sionit.

Përsiatni mënyrat me anë të të cilave Profeti Jozef Smith dhe shenjtorët e tjerë në Ohajo i ndihmuan shenjtorët në Misuri për të ngritur Sionin.

Lexoni informacionin vijues rreth Indipendënsit në Misuri, duke kërkuar atë që i pengoi shenjtorët për të ndërtuar Sionin. Ju mund të doni të shenjoni disa nga idetë që i gjeni të dobishme.

Indipendëns, Misuri: Parli P. Prati përshkroi vendosjen e shenjtorëve në Sion duke shpallur se “paqja dhe bollëku i kishin kurorëzuar punët e tyre dhe shkretëtira u bë një fushë frytdhënëse” (Autobiography of Parley Parker Pratt, bot. Parley P. Pratt [1938], f. 93). Udhëheqësit e Kishës në Misuri blenë tokë, ndërtuan një dyqan e një shtypshkronjë dhe siguruan për nevojat e shenjtorëve të ardhur. Në korrik 1833, popullsia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme atje ishte rritur deri në pothuaj 1 200 veta. Por udhëheqësit e Kishës dhe shenjtorët nuk ishin pa problemet e veta. Disa anëtarë e lejuan egoizmin dhe lakminë e tyre t’i pengonte nga të jetuarit e ligjit të përkushtimit. Përveç kësaj, kolonët e tjerë në zonë u shqetësuan gjithnjë e më shumë rreth rritjes së shpejtë të “mormonëve” dhe ndikimit të tyre në ekonominë dhe politikat vendore. Udhëheqësit fetarë vendorë nuk ranë dakord me bindjet e shenjtorëve. Një udhëheqës fetar përhapi gënjeshtra rreth anëtarëve të Kishës dhe i nxiti qytetarët të kryenin vepra dhune kundër tyre. Konflikti më në fund shpërtheu për pikëpamje të ndryshme politike, duke përfshirë çështjen e skllavërisë. Pasi U. W. Felpsi botoi artikullin e titulluar “Njerëz të Lirë me Ngjyrë”, qytetarët e Misurit, të cilët e mbronin shumë skllavërinë, dolën në përfundimin e gabuar se shenjtorët po i ftonin skllevërit e lirë në Misuri. Më 20 korrik 1833, një turmë shkoi në Indipendëns, e hodhi makinën e shtypit në rrugë, shembi shtypshkronjën, shkatërroi pjesën më të madhe të boceve të palidhura të Librit të Urdhërimeve, u hodhi zift dhe pupla Peshkopit Eduard Partrixh dhe të kthyerit në besim, Çarls Alenit, dhe e terrorizoi qytetin. Armiqësitë vazhduan dhe shenjtorët u detyruan të largoheshin nga konteja Xhekson në nëntor dhe dhjetor të po atij viti.

një turmë duke sulmuar shenjtorët në kontenë Xhekson të Misurit

Përfytyroni se si do të ishit ndier po të kishit qenë njëri prej shenjtorëve që po shpresonte për mbrojtjen e Zotit, por që ishit i detyruar të largoheshit nga Sioni.

  1. ikona e ditaritBazuar në atë që keni mësuar, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përse shenjtorët e hershëm patën vështirësi për të ndërtuar qytetin e Sionit. Çfarë mund të mësoni nga përvoja e tyre?

Cila është e ardhmja e Sionit?

A keni shpresuar ndonjëherë ose a keni pritur që të ndodhë diçka që nuk ndodhi? Si u ndiet?

Përfytyroni zhgënjimin dhe pështjellimin e shenjtorëve të hershëm kur anëtarët e Kishës u dëbuan nga konteja Xhekson e Misurit. Në Kirtland të Ohajos, Profeti Jozef Smith u shkroi një letër shenjtorëve të dëbuar, pak pasi ishin larguar nga konteja Xhekson. Në të ai shkroi: “Kur dëgjojmë për vuajtjet tuaja, na zgjohet çdo keqardhje në zemrën tonë; ajo na ligështon shumë; nuk mund t’i përmbajmë dot lotët” (në History of the Church, 1:454).

Jozef Smithi

Në të njëjtën letër, Profeti shkroi rreth pyetjes që i bëri Zotit përse pritshmëritë e shenjtorëve për Sionin u shkatërruan: “Unë e di se Sioni do të shëlbehet në kohën e duhur të Zotit; por se sa do të jenë ditët e pastrimit, vuajtjes dhe pikëllimit të tij, Zoti e ka mbajtur të fshehtë nga sytë e mi; dhe kur unë pyes në lidhje me këtë temë, zëri i Zotit thotë: Rrini të qetë dhe dijeni se Unë jam Perëndi! Të gjithë ata që vuajnë për emrin tim do të mbretërojnë me mua, dhe ai që do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim do ta gjejë atë përsëri” (në History of the Church, 1:453–454).

Çfarë i tha Zoti Jozef Smithit të bënte kur ai e pyeti rreth arsyes përse shenjtorët kishin dështuar në ndërtimin e Sionit? Mendoni se si mund të jetë e dobishme përgjigjja e Zotit për pyetjen e Profetit, kur gjërat në jetën tuaj nuk shkojnë në mënyrën që shpresoni ose prisni që të shkojnë.

Më vonë Zoti dha më shumë kuptueshmëri rreth arsyes përse dështuan përpjekjet e shenjtorëve për të ndërtuar qytetin e Sionit. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 105:5–6, 9–10, 23–24 për të gjetur atë që kërkon Zoti nga populli i Tij përpara se Sioni të mund të ngrihet.

Deri tani në këtë mësim, Sioni është konsideruar si një vend ku shenjtorët do të ndërtojnë një qytet të shenjtë, një Jerusalem të Ri. Por koncepti i Sionit përfshin më shumë sesa një vendndodhje të veçantë ku shenjtorët mund të gjejnë mbrojtje. Shenjtorët e hershëm mund të kenë menduar se do të ndërtonin vetëm një qytet, por Zoti kishte për qëllim të ndërtonte një popull të drejtë si edhe një qytet. “Çadra” mbrojtëse e Sionit mund të gjendet kudo ku njerëzit po u binden ligjeve të mbretërisë çelestiale (shih DeB 105:5).

Ju mund të kujtoni nga studimi juaj i Doktrinës e Besëlidhjeve 97:21 se Zoti shpjegoi që Sioni është të kulluarit në zemër. Rishikoni përsëri parimet e drejtësisë dhe urdhërimet që renditët më parë në mësimin e sotëm. Mendoni rreth mënyrës se si këto parime të drejta e ndihmojnë një popull të bëhet i kulluar në zemër.

Plaku Dejvid R. Stoun, i Të Shtatëdhjetëve shpjegoi se si mund ta ndërtojmë Sionin në kohën tonë:

Plaku Dejvid R. Stoun

“Kudo që jemi, në çfarëdo qyteti ku mund të jetojmë, ne mund ta ndërtojmë Sionin tonë me anë të parimeve të mbretërisë çelestiale dhe të kërkojmë gjithmonë të bëhemi të kulluar në zemër. Sioni është i bukuri dhe Zoti e mban në vetë duart e Tij. Shtëpitë tona mund të bëhen vende të cilat janë një strehë dhe mbrojtje, ashtu siç është Sioni.

Ne nuk kemi nevojë të bëhemi si marioneta në duart e kulturës së vendit dhe të kohës. Ne mund të marrim kurajë dhe mund të ecim në shtigjet e Zotit dhe t’i ndjekim gjurmët e Tij. Dhe nëse e bëjmë këtë, ne do të thirremi Sion dhe do të jemi populli i Zotit” (“Zion in the Midst of Babylon”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 93).

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përmblidhni atë që keni mësuar në këtë mësim rreth Sionit. Cili është roli juaj në ndërtimin e Sionit atje ku jetoni?

  2. ikona e ditaritMerrni parasysh parimet e drejtësisë që renditët më herët në këtë mësim. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani një synim që do t’ju ndihmojë ta jetoni njërin prej tyre më besnikërisht.

  3. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    E kam studiuar mësimin “Vendi Qendror i Sionit” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: