Njësia 5: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 18
Hyrje
Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 18 u dha në qershor të vitit 1829, pak pasi Pjetri, Jakobi dhe Gjoni i dhanë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Vizita e tyre theksoi rolin e rëndësishëm të Apostujve në themelimin e Kishës së Jezu Krishtit. Doktrina e Besëlidhje 18:1–16 përqendrohet te thirrja që morën Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri për të qenë shërbëtorë të Jezu Krishtit dhe për t’u predikuar pendim të tjerëve. Doktrina e Besëlidhje 18:17–47 jep mësim për rëndësinë e marrjes mbi veten tonë të emrit të Jezu Krishtit. Zoti përmendi edhe thirrjen e afërt të Dymbëdhjetë Apostujve dhe dëshirën që do të kishin ata për të marrë mbi vete emrin e Shpëtimtarit “me qëllim të plotë të zemrës” (DeB 18:27). Zoti u dha Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit përgjegjësinë e veçantë për të “kërk[uar] të Dymbëdhjetët” (DeB 18:37).
Doktrina e Besëlidhje 18:1–5
Zoti jep mësim se si të ngrihet Kisha e Tij
A e keni përjetuar ndonjëherë rrëmujën dhe shkatërrimin e një tërmeti? Më 17 tetor 1989, në orën 17:04, një tërmet i fuqishëm (me masë 6,9 ballë të shkallës Rihter) goditi San-Françiskon në Kaliforni, zonë e Shteteve të Bashkuara. Mijëra ndërtesa u dëmtuan ose u shkatërruan. Disa nga shtëpitë dukeshin mirë nga jashtë, por zyrtarët i shpallën të papërdorshme për shkak se themelet ishin krisur apo qenë të pasigurt. Çfarë shqetësimesh do të kishit rreth të jetuarit në një shtëpi me një themel të pasigurt?
Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 18, Zoti i zbuloi Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit se si ta ngrinin Kishën e Tij mbi një themel të sigurt. Në fillim të kësaj zbulese, Zoti iu drejtua gjërave që kishte shkruar Oliver Kaudëri, duke nënkuptuar fjalët e Librit të Mormonit që Oliveri i kishte shënuar ndërsa vepronte si shkrues për Profetin Jozef Smith.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:2–5 dhe përcaktoni atë që u shkrua në Librin e Mormonit, mbi të cilin Zoti i urdhëroi shërbëtorët e Tij që ta ngrinin Kishën.
Nga udhëzimet e Zotit ne mësojmë një tipar qendror të Kishës së vërtetë të Zotit. Plotësojeni parimin vijues bazuar në zbulesën e dhënë në këto vargje: Kisha e vërtetë ngrihet mbi .
Profeti Jozef Smith dha mësim sa vijon rreth themelit dhe shkëmbit:
“Krishti ishte kreu i Kishës, vetë guri i qoshes, shkëmbi shpirtëror mbi të cilin Kisha ishte ndërtuar dhe dyert e ferrit nuk do ta mundnin atë [shih Mateu 16:18; Efesianëve 2:20]. Ai ndërtoi Mbretërinë, zgjodhi Apostujt dhe i shuguroi ata në Priftërinë Melkizedeke, duke u dhënë atyre [çelësat e priftërisë] që të administronin në ordinancat e Ungjillit” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 144).
“Jezusi në mësimet e Tij thotë: ‘Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë’. [Mateu 16:18.] Cilin shkëmb? Zbulesën” (Mësimet: Jozef Smith, f. 204).
Zoti u dha një premtim të veçantë shërbëtorëve të Tij nëse do ta ngrinin Kishën e Tij mbi themelin e sigurt të ungjillit të Tij. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:5 dhe përcaktoni premtimin e Zotit.
Doktrina e Besëlidhje 18:6–16
Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri thirren për të predikuar pendim
Si do ta përshkruanit klimën shpirtërore dhe morale të botës ku jetojmë tani? Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:6 dhe vini re mënyrën se si e përshkruan Zoti botën. Përcaktoni zgjidhjen e Zotit për rritjen e ligësisë në botë, të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 18:9.
Mendoni për një send në shtëpinë tuaj që ju ndieni se është i çmuar. A e dini përafërsisht se sa para vlen ai send? Një mënyrë për të vendosur vlerën e një sendi është duke përcaktuar çmimin që dikush është i gatshëm të paguajë për të. Një person mund të pretendojë se një send i veçantë vlen një sasi të caktuar parash, por ai çmim është i saktë vetëm nëse një person tjetër është i gatshëm të paguajë shumën për sendin.
Cila është vlera e një shpirti? Doktrina e Besëlidhje 18:10 jep mësim mbi vlerën e një personi në sytë e Perëndisë. Lexojeni këtë varg, duke kërkuar atë që shpalli Zoti për vlerën tonë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani përse ju mendoni se jeni me vlerë kaq të madhe për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, shpjegoi vlerën tonë për Atin tonë Qiellor: “Perëndia ju sheh jo vetëm si një qenie e vdekshme në një planet të vogël që jeton për një stinë të shkurtër – Ai ju sheh ju si fëmijën e Tij. Ai ju sheh si qenia që jeni të aftë dhe të projektuar që të bëheni. Ai dëshiron që ta dini se ju keni rëndësi për Të” (“Ju Keni Rëndësi për Të”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 22).
Çdo shpirt është i rëndësishëm për Zotin dhe udhëheqësit e Kishës shpesh drejtohen nga Shpirti për t’i shërbyer një individi të veçantë. Për shembull, Presidenti Tomas S. Monson i ndoqi nxitjet e Shpirtit dhe e ndryshoi mesazhin që kishte përgatitur, me qëllim që t’i fliste një vajze të vogël gjatë një konference të përgjithshme:
“Në ballkonin në të majtën time, unë pashë një vajzë të bukur, ndoshta dhjetë vjeçe. Vogëlushe e ëmbël, nuk ta di emrin ose nga ke ardhur. Këtë, sidoqoftë, e di: pafajësia e buzëqeshjes tënde dhe butësia e shprehjes së syve të tu më kanë bindur ta lë mënjanë për një herë tjetër mesazhin që kisha përgatitur për këtë rast. Sot, ndiej mbresën që të të flas ty.”
Pastaj Presidenti Monson tregoi një përvojë që e forcoi kuptueshmërinë e tij për dashurinë e madhe që Jezu Krishti ka për fëmijët. Ai foli rreth 10-vjeçares, Kristal Methvinit, e cila, me familjen e saj, jetonte në Kunjin Shreveport në Luiziana. Kristali qe diagnostikuar me kancer, i cili ishte përhapur në mushkëritë e saj. “Familja Methvin nuk u dëshpërua, por përkundrazi planifikoi një udhëtim për në Solt-Lejk-Siti. Kristali mund të merrte një bekim nga një prej Autoriteteve të Përgjithshme. Familja Methvin nuk njihte personalisht asnjë nga Vëllezërit, kështu që duke hapur përpara Kristalit një fotografi të të gjithë Autoriteteve të Përgjithshme, u bë një përzgjedhje e rastit. Nga një rastësi e plotë, u përzgjodh emri im.
Kristali nuk arriti kurrë të vinte me avion për në Solt-Lejk-Siti. Gjendja e saj u përkeqësua. Fundi u afrua. Por besimi i saj nuk u lëkund. Ajo u tha prindërve të saj: ‘A nuk po afrohet konferenca e kunjit? A nuk caktohet një Autoritet i Përgjithshëm? Dhe përse jo Vëllai Monson? Nëse unë nuk mund të shkoj tek ai, Zoti mund ta sjellë atë tek unë.’
Ndërkohë në Solt-Lejk-Siti, me asnjë njohuri për ngjarjet që po ndodhnin në Shreveport, u zhvillua një situatë e pazakontë. Për fundjavën e Konferencës së Kunjit Shreveport në Luiziana, unë isha caktuar në El-Paso të Teksasit. Presidenti Ezra Taft Benson më thirri në zyrën e tij dhe më shpjegoi se një nga Vëllezërit e tjerë kishte bërë disa punë përgatitore në lidhje me ndarjen e kunjit në El-Paso. Ai pyeti a e kisha problem nëse një tjetër caktohej në El-Paso dhe unë caktohesha diku tjetër. Sigurisht që nuk kishte problem – kudo do të ishte në rregull me mua. Pastaj Presidenti Benson tha: ‘Vëllai Monson, ndiej mbresën që t’ju bëj të vizitoni Kunjin Shreveport në Luiziana’. Detyra u pranua. Dita erdhi. Arrita në Shreveport.
Ajo e shtunë pasdite ishte e mbushur me mbledhje. … Pothuaj në mënyrë shfajësuese, Presidenti i Kunjit, Çarls F. Kejgëlli më pyeti nëse orari im do të më lejonte kohë që t’i jepja një bekim një vajze dhjetëvjeçare që vuante nga kanceri. Emri i saj: Kristal Methvin. U përgjigja se, nëse ishte e mundur, do ta bëja atë dhe pastaj pyeta nëse ajo do të ishte në konferencë, apo në një spital të Shreveportit? Duke e ditur se koha ishte e ngjeshur, Presidenti Kejgëll pothuajse më pëshpëriti se Kristali ishte e mbyllur në shtëpinë e saj – më shumë se 128 kilometra nga Shreveporti!
Kontrollova orarin e mbledhjeve për atë mbrëmje dhe të nesërmen – madje edhe udhëtimin e kthimit. Thjesht nuk kishte kohë në dispozicion. Më erdhi në mendje një sugjerim i ndryshëm. A nuk mund ta kujtonim vajzën e vogël në lutjet tona publike në konferencë? Sigurisht që Zoti do ta kuptonte. Në bazë të kësaj, në vazhduam me mbledhjet e programuara.
Kur fjala iu komunikua familjes Methvin, pati mirëkuptim por edhe njëfarë zhgënjimi. A nuk i kishte dëgjuar Zoti lutjet e tyre? A nuk kishte bërë që Vëllai Monson të vinte në Shreveport? Përsëri familja u lut, duke kërkuar për një favor të fundit – që Kristali e tyre e dashur do ta realizonte dëshirën e saj.
Pikërisht në çastin që familja Methvin u gjunjëzua në lutje, ora në qendrën e kunjit shënoi orën 19:45. Mbledhja e udhëheqësve kishte qenë frymëzuese. Po rregulloja shënimet e mia, duke u përgatitur që të dilja në foltore, kur dëgjova një zë që i foli shpirtit tim. Mesazhi ishte i shkurtër, fjalët të njohura: ‘I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë’. (Marku 10:14.) Shënimet e mia u mjegulluan. Mendimet e mia u kthyen drejt një vajze të vogël që kishte nevojë për një bekim. Vendimi u mor. Orari i mbledhjes u ndryshua. Mbi të gjitha, njerëzit janë më të rëndësishëm se sa mbledhjet. …
Do ta kujtoj gjithmonë dhe kurrë nuk do ta harroj atë udhëtim herët në mëngjes drejt një vendi qiellor, që familja Methvin e quan shtëpi. …
Familja e rrethoi shtratin e Kristalit. Ia ngula sytë një fëmije që ishte tepër e sëmurë për t’u ngritur – pothuaj tepër e dobët për të folur. Sëmundja e kishte verbuar atë tashmë. Kaq i fortë ishte shpirti sa rashë në gjunjë, e mora dorën e saj të brishtë në duart e mia dhe thjesht thashë, ‘Kristal, jam këtu’. Ajo lëvizi paksa buzët dhe pëshpëriti: ‘Vëllai Monson, e dija se do të vinit’. Pashë rreth e rrotull. Askush nuk po qëndronte në këmbë. Çdonjëri ishte gjunjëzuar. Një bekim u dha. Një buzëqeshje e dobët përshkoi fytyrën e Kristalit. Fjala ‘faleminderit’, e pëshpërititur prej saj, siguroi një lutje të përshtatshme mbylljeje. …
Katër ditë më vonë, të enjten, ndërsa anëtarët e Kishës në Shreveport e bashkuan besimin e tyre me familjen Methvin dhe emri i Kristalit u kujtua në një lutje të veçantë ndaj një Ati të mirë dhe të dashur Qiellor, shpirti i pastër i Kristal Methvinit e la trupin e saj të lënguar nga sëmundja dhe hyri në parajsën e Perëndisë. …
Ty, mikes sime të vogël në ballkonin e sipërm, dhe besimtarëve kudo, unë u dëshmoj se Jezusi i Nazaretit i do fëmijët e vegjël dhe se ai i dëgjon lutjet tuaja dhe u përgjigjet atyre” (“The Faith of a Child”, Ensign, nëntor 1975, f. 20–22).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:11–12 duke kërkuar çmimin që pagoi Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, për të na shëlbuar. (Fraza “të gjithë njerëzit” i referohet kujtdo – të gjithë burrave, grave dhe fëmijëve.) Doktrina e Besëlidhje 18:10–11 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni më me lehtësi.)
Për shkak se vlera e çdo shpirti është kaq e madhe, si mendoni se ndihen Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur dikush pendohet dhe e pranon sakrificën e Shpëtimtarit? Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:13 dhe përcaktoni përgjigjen e Zotit. Përsiatni përse ju mendoni që ne i sjellim gëzim të madh Zotit kur pendohemi.
Nga Doktrina e Besëlidhje 18:14 ne mësojmë se Zoti i thirri Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin t’u “shpallni[n] pendim këtyre njerëzve”. Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Të thërrasësh pendim thjesht do të thotë t’i ndihmosh njerëzit të kthehen te Perëndia” (“Preparing for Your Spiritual Destiny” [10 janar 2010], f. 7, speeches.byu.edu).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni disa mënyra se si një person i ri mund ta ndihmojë dikë të pendohet ose të përgatitet për t’u kthyer te Perëndia.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:15–16 duke kërkuar atë që përjetojnë individët kur e ndihmojnë dikë të vijë te Jezu Krishti. (Doktrina e Besëlidhje 18:15–16 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni më me lehtësi.) Bazuar në premtimin e Zotit në këto vargje, plotësoni parimin vijues: Nëse i ndihmojmë të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Zoti, gëzimi ynë .
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth një përvoje në të cilën ju ose dikush që njihni përjetoi gëzim ngaqë ndihmoi dikë për t’u penduar ose për t’u afruar më pranë Zotit. Gjithashtu, shkruani një gjë që do të bëni për të ndihmuar në punën e shpëtimit të shpirtrave. Mendoni për persona të veçantë që ju mund të ndihmoni.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 18:10–11
Shkruajini fjalët në Doktrina e Besëlidhje 18:10–11 në një kartë ose në një fletë të vogël letre. Mbajeni këtë letër me vete dhe referojuni asaj herë pas here gjatë gjithë ditës, që t’ju ndihmojë të kujtoni vlerën tuaj dhe vlerën e të tjerëve në sytë e Perëndisë.
-
Kopjojeni frazën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, duke shkruar emrin tuaj në vendet bosh: Vlera është kaq e madhe sa që Jezu Krishti vuajti dhe vdiq, kështu që të mund të pendohem dhe të kthehem tek Ati Qiellor. Pastaj përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Si mund të ndikojë njohuria e kësaj të vërtete në mënyrën se si e shikoni veten tuaj?
-
Si mund të ndikojë të kujtuarit e çmimit që pagoi Jezu Krishti për shpirtrat e të tjerëve në mënyrën se si i trajtoni ata?
-
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 18:15–16
Ftojeni një anëtar të familjes apo një shok që t’ju ndihmojë të mësoni përmendsh Doktrinën e Besëlidhjet 18:15–16. Le të fillojë një person me rreshtin e parë të fragmentit të zotërimit të shkrimit të shenjtë, siç tregohet më poshtë. Më pas, personi tjetër duhet të përpiqet ta thotë përmendsh rreshtin e parë dhe pastaj të shtojë rreshtin tjetër. Përsëriteni këtë proces, duke kaluar nga njëri te tjetri, duke thënë rreshtin e mëparshëm dhe duke shtuar një rresht të fragmentit derisa ai të plotësohet. Ju mund të doni ta përsëritni këtë proces derisa ta keni thënë fragmentin disa herë.
“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja”
“për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve”,
“dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë”,
“sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të”
“në mbretërinë e Atit Qiellor!”
“Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt”
“që keni sjellë tek unë”
“në mbretërinë e Atit tim”,
“sa i madh do të jetë gëzimi juaj”
“nëse do të më sillni shumë shpirtra!”
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani aq sa mundeni nga ajo që mësuat përmendsh nga ky fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.
Doktrina e Besëlidhje 18:17–25
Jezu Krishti e mëson Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin në lidhje me fuqinë e emrit të Tij
Mendoni për një çast rreth mbiemrit tuaj. A i keni marrë ndonjëherë në shqyrtim bekimet dhe përgjegjësitë që vijnë me emrit që mbani dhe të qenit pjesëtar i familjes tuaj? Disa nga këto privilegje mund të përfshijnë dashurinë dhe pranimin, një vend për të jetuar, siguri dhe njerëz që kujdesen për ju. Përgjegjësitë tuaja mund të përfshijnë trajtimin e pjesëtarëve të familjes me respekt, bërjen e punëve të shtëpisë dhe nderimin e emrit të familjes.
Edhe nëse keni një jetë familjare më pak se idealja dhe ndieni se emri i familjes suaj nuk është i rëndësishëm, ju morët mbi vete emrin e Jezu Krishtit kur u pagëzuat. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:17–25 dhe përcaktoni privilegjet dhe përgjegjësitë që vijnë me marrjen mbi vete të emrit të Tij. Shkruajini përgjigjet tuaja në tabelën e mëposhtme:
Privilegjet |
Përgjegjësitë |
---|---|
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 18:23, përse është e rëndësishme që ta marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani disa mënyra se si mund t’ua bëni të tjerëve të ditur se ju keni marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit.
Doktrina e Besëlidhje 18:26–47
Zoti zbulon thirrjen dhe misionin e Dymbëdhjetë Apostujve
Në konferencën e tij të parë të përgjithshme si një Apostull i sapothirrur, Plaku Xhefri R. Holland tha:
“Qartësisht, emocioni im më i madh dhe më e gëzueshmja nga të gjitha arritjet është që unë kam mundësinë, ashtu siç e shprehu Nefi, që të ‘flas për Krishtin, … [të] gëzohem në Krishtin, … [të] predikoj për Krishtin, [dhe të] profetizoj për Krishtin’ (2 Nefi 25:26) kudo që mund të jem dhe me këdo që mund ta gjej veten, derisa të largohet fryma e fundit e jetës sime. Me siguri nuk mund të ketë qëllim më të lartë apo privilegj më të madh se sa ai i të qenit ‘[dëshmitar i] veçantë [i] emrit të Krishtit në gjithë botën’ (DeB 107:23).
… Përtej fjalëve të mia dhe mësimeve e dëshmisë së dhënë, jeta ime duhet të jetë pjesë e asaj dëshmie për Jezusin. Vetë qenia ime duhet të pasqyrojë hyjnueshmërinë e kësaj pune. Nuk do të mund ta duroja nëse ndonjë gjë që mund ta thosha ose bëja ndonjëherë, do ta zvogëlonte në ndonjë mënyrë besimin tuaj në Krishtin, dashurinë tuaj për këtë kishë apo respektin që ju keni për apostullimin e shenjtë.
Unë ju premtoj – ashtu siç u kam premtuar Zotit dhe këtyre vëllezërve të mi – se do të përpiqem të jetoj i denjë për këtë mirëbesim dhe do të shërbej në përmasën e plotë të aftësisë sime” (“Miracles of the Restoration”, Ensign, nëntor 1994, f. 31).
Zoti iu drejtua thirrjes dhe misionit të Dymbëdhjetë Apostujve te Doktrina e Besëlidhje 18:26–32, 37–47.
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 18:26–29, të Dymbëdhjetë Apostujt thirren për t’ia predikuar dhe administruar ungjillin të gjithë botës. Lexoni vargjet 30–32; më pas në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shënoni se çfarë tjetër tha Zoti që duhej ta bënin Dymbëdhjetë Apostujt.
Përse disa zëra janë më të lehtë për t’u dalluar se sa të tjerët? A e keni ndonjëherë të vështirë ta dalloni zërin e Zotit dhe të dini se kur po ju flet Ai?
Ne mund ta dëgjojmë zërin e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Te Doktrina e Besëlidhje 18, Zoti shpjegoi një mënyrë tjetër se si mund ta dëgjojmë dhe të njihemi me zërin e Tij. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:34–36, 47 duke kërkuar këtë mënyrë të rëndësishme me anë të së cilës Zoti komunikon me ne. Te Doktrina e Besëlidhje 18:34 fraza “këto fjalë” i referohet zbulesave që Zoti i pati dhënë, që tani gjenden te Doktrina e Besëlidhje. Sipas këtyre vargjeve, çfarë do t’i thoshit dikujt që dëshiron të dijë mënyrën se si mund ta dëgjojmë Zotin kur na flet?
Shkruajeni këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta apo në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta: Ne mund ta dëgjojmë zërin e Jezu Krishtit kur i lexojmë shkrimet e shenjta me anë të fuqisë së Shpirtit.
Ne mund ta dëgjojmë zërin e Zotit në mënyra që nuk janë të dëgjueshme për veshët tanë. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund të marrim ndjenja dhe mesazhe në mendjen dhe zemrën tonë (shih DeB 8:2–3). Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Kur ne i lexojmë dhe i studiojmë zbulesat, Shpirti mund të konfirmojë në zemrën tonë të vërtetën që po mësojmë; në këtë mënyrë, zëri i Zotit i flet secilit prej nesh” (“Marvelous Are the Revelations of the Lord”, Ensign, maj 1998, f. 32).
Mendoni për një përvojë kur ju e ndiet Zotin t’ju frymëzojë ndërsa lexuat apo përsiatët shkrimet e shenjta. Përsiatni pyetjet vijuese:
-
Si mund ta ndikojë dijenia që Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë ta dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit kur i lexojmë fjalët e Tij, mënyrën se si mendoni për shkrimet e shenjta?
-
Si mund t’ju udhëheqë kjo e vërtetë kur zgjidhni kohën, vendin apo mjedisin në të cilin ju i lexoni shkrimet e shenjta?
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 18 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: