Seminari
Njësia 6: Dita 4, Doktrina e Besëlidhje 21–23


Njësia 6: Dita 4

Doktrina e Besëlidhje 21–23

Hyrje

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua zyrtarisht më 6 prill 1830. Pothuaj 60 njerëz morën pjesë në shërbesën e parë të adhurimit. Mbledhja u përbë nga lutja, mbështetjet, shugurimet, administrimi i sakramentit dhe konfirmimet. Gjatë kësaj mbledhjeje, Profeti Jozef Smith mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 21. Disa ditë më vonë, Zoti sqaroi se pagëzimi duhet të kryhet nga ata që kanë autoritetin e duhur të priftërisë (shih DeB 22). Ai gjithashtu u dha këshillë vetjake të pesë burrave që dëshironin të dinin detyrën e tyre (shih DeB 23).

Doktrina e Besëlidhje 21

Zoti e cakton Jozef Smithin si profetin dhe shikuesin e parë në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit

Dëgjoni ose lexoni fjalët e himnit “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin” (Himne, nr. 19). Cilat janë disa nga arsyet që ju ndiheni mirënjohës ndaj Perëndisë për një profet? Ndërsa e studioni mësimin e sotëm, kërkoni të vërteta që mund ta rritin mirënjohjen tuaj për profetët.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 21:1 duke kërkuar titujt e ndryshëm me anë të të cilëve do të njihej Jozef Smithi. Ju mund të doni t’i shenjoni këto në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani ato në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Plaku Xhon A. Uidso, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për kuptimin e gjerë të titullit “profet” dhe se si i përfshin titujt e tjerë:

Plaku Xhon  A. Uidso

“Një profet është mësues. Ky është kuptimi thelbësor i fjalës. Ai jep mësim tërësinë e së vërtetës, ungjillin, e zbuluar njerëzve nga Zoti; dhe nëpërmjet frymëzimit e shpjegon atë në përputhje me të kuptuarin e njerëzve. …

Në kuptimin që profeti është një njeri që merr zbulesa nga Zoti, titujt ‘shikues dhe zbulues’ thjesht e shumëfishojnë kuptimin më të madh e gjithëpërfshirës të titullit ‘profet’. …

Një shikues është një person që sheh me sy shpirtërorë. Ai e percepton kuptimin e asaj që duket e paqartë për të tjerët; prandaj ai është një shpjegues dhe sqarues i së vërtetës së përjetshme. Ai e parashikon të ardhmen nga e shkuara dhe e tashmja. Këtë ai e bën përmes fuqisë së Zotit që vepron drejtpërdrejt përmes tij, ose tërthorazi me ndihmën e mjeteve hyjnore të tilla si Urimi dhe Thumimi. Shkurt, ai është një person i cili shikon, i cili ecën në dritën e Zotit me sytë hapur. [Shih Mosia 8:15–17.]

Një zbulues, me ndihmën e Zotit, bën të ditur diçka që nuk dihej më parë. Ajo mund të jetë një e vërtetë e re apo e harruar, ose një zbatim i ri apo i harruar i së vërtetës së ditur për nevojën e njeriut. …

Në përmbledhje: Një profet është mësues i së vërtetës së njohur; një shikues është perceptues i së vërtetës së fshehur; një zbulues është mbartës i së vërtetës së re. Në kuptimin më të gjerë, ai që përdoret më gjerë, titulli profet, i përfshin titujt e tjerë dhe e bën profetin, një mësues, perceptues dhe mbartës të së vërtetës” (Evidences and Reconciliations, përsh. G. Durham, 3 vëll. në 1 [1960], f. 257–258).

Në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta ne mësojmë se një profet është “një njeri i cili është thirrur nga Perëndia dhe flet për Të. Si lajmëtar i Perëndisë, një profet merr urdhërime, profeci dhe zbulesa nga Perëndia. Përgjegjësia e tij është t’i bëjë të njohur njerëzimit vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë dhe të tregojë kuptimin e marrëdhënieve të tij me ta. Një profet e denoncon mëkatin dhe paratregon pasojat e tij. Ai është një predikues i drejtësisë. Me raste, profetët mund të frymëzohen për të parashikuar të ardhmen për të mirën e njerëzimit. Megjithatë, përgjegjësia e tij kryesore, është të japë dëshmi për Krishtin” (“Profet”, scriptures.lds.org).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si ju ndihmojnë titujt që iu dhanë Jozef Smithit te Doktrina e Besëlidhje 21:1 për të kuptuar rëndësinë e rolit të tij dhe të përgjegjësive të ndryshme që ai mbajti në rivendosjen e plotësisë së ungjillit dhe të Kishës së Jezu Krishtit në tokë?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 21:2–3 duke kërkuar fjalë ose fraza që tregojnë se Perëndia e frymëzoi Jozef Smithin që të rivendoste Kishën e Jezu Krishtit. Ju mund të doni t’i shenjoni këto fjalë ose fraza në shkrimet tuaja të shenjta.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni përse ju mendoni se është e rëndësishme të dini se Jozef Smithi u thirr nga Perëndia për të rivendosur dhe udhëhequr Kishën e Jezu Krishtit.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 21:4–5 dhe përcaktoni një mesazh të rëndësishëm që zbuloi Zoti në ditën që u organizua Kisha.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse ndonjëherë mund të kërkojë “durim e besim” për t’ua vënë veshin fjalëve të një profeti?

Presidenti Uillford Udraf

Presidenti Uillford Udraf dha sigurinë se ne gjithmonë mund të kemi besim te profeti i Zotit: “Zoti nuk do të më lejojë kurrë mua apo ndonjë burrë tjetër që qëndron si President i kësaj Kishe, që t’ju udhëheqë në rrugë të gabuar. Nuk është në program. Nuk është në mendjen e Perëndisë. Nëse unë do të përpiqesha ta bëja këtë, Zoti do të më largonte nga kjo detyrë” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 199).

Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith dha një dëshmi të ngjashme: “Nëse [Presidenti i Kishës] do të bëhej jobesnik, Perëndia do ta hiqte nga detyra e tij. Unë dëshmoj në emër të Perëndisë së Izraelit se Ai nuk do ta lejojë kreun e Kishës, atë që Ai e ka zgjedhur për të qëndruar në krye, që t’i shkelë Ligjet e Tij dhe ta braktisë besimin; në çastin që ai do të marrë një drejtim që me kalimin e kohës do të çojë drejt kësaj, Perëndia do ta largonte atë. Përse? Sepse të lejosh një njeri të lig që ta zërë atë pozitë, do të ishte sikurse ta lejoje burimin të bëhet i korruptuar, gjë të cilën Ai nuk do ta lejojë kurrë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 227).

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 21:6 dhe numëroni në shkrimet tuaja të shenjta tre bekimet që u jepen atyre që e pranojnë fjalën e profetit me durim e besim.

Si do t’i përmblidhnit premtimet e dhëna atyre që ua vënë veshin fjalëve të profetit? (Sa më poshtë është një mënyrë për ta shprehur parimin: Nëse ua vëmë veshin fjalëve të profetit, ne do të mbrohemi ndaj kundërshtarit.)

  1. ikona e ditaritShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një rasti kur ju ose dikush që njihni, u bekuat ngaqë ua vutë veshin këshillës dhe fjalëve të profetëve të gjallë. Kjo mund të përfshijë këshillën vijuese dhënë në konferencat e përgjithshme dhe broshurën Për Forcën e Rinisë.

Presidenti Xhejms E. Faust

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, foli për rëndësinë e mbështetjes së profetit të gjallë: “Unë besoj se anëtarët e Kishës nuk mund të jenë në harmoni të plotë me Shpëtimtarin pa e mbështetur profetin e Tij të gjallë në tokë, Presidentin e Kishës. Nëse nuk e mbështetim profetin e gjallë, kushdo që ai mund të jetë, ne vdesim shpirtërisht. Ironikisht, disa njerëz kanë vdekur shpirtërisht duke ndjekur vetëm profetët që kanë vdekur kohë më parë. Të tjerët nuk i mbështetin profetët e gjallë, duke u përpjekur që ta ngrenë lart vetveten nëpërmjet nënvlerësimit të profetëve të gjallë” (“Continuing Revelation”, Ensign, gusht 1996, f. 5).

Përsiatni atë që duhet të bëni për të marrë bekimet e premtuara te Doktrina e Besëlidhje 21:6.

Doktrina e Besëlidhje 22

Zoti zbulon se pagëzimi duhet të kryhet nga autoriteti i duhur

Disa individë që dëshironin të bashkoheshin me Kishën në prill të vitit 1830, ishin pagëzuar në kisha të tjera dhe habiteshin pse duhej të pagëzoheshin sërish (shih hyrjen e seksionit DeB 22). Profeti Jozef Smith e pyeti Zotin rreth nevojës së tyre për t’u ripagëzuar. Në përgjigjen e Tij, Zoti foli rreth një qëllimi të rëndësishëm për Rivendosjen e ungjillit dhe të Kishës.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 22. Çfarë tha Zoti rreth arsyes përse është i nevojshëm pagëzimi me anë të autoritetit të duhur?

Te Doktrina e Besëlidhje 22:1, Zoti foli për “një besëlidhje [të] re dhe [të] pafundme”. Në shpjegimin vijues, shenjoni çdo fjalë që mund t’ju ndihmojë të kuptoni domethënien e kësaj fraze:

Besëlidhja e re dhe e përjetshme është “plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit (DeB 66:2). Është e re çdo herë që zbulohet sërish duke pasuar një periudhë braktisjeje. Është e përjetshme në kuptimin që ajo është besëlidhja e Perëndisë dhe është pëlqyer në çdo periudhë ungjillore, atje ku njerëzit kanë qenë të gatshëm për ta pranuar atë. Besëlidhja e re dhe e përjetshme iu zbulua sërish njerëzve në tokë nga Jezu Krishti nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ajo përmban ordinanca të shenjta, të administruara nga autoriteti i priftërisë – të tilla si pagëzimi dhe martesa në tempull – që sigurojnë shpëtimin, pavdekësinë dhe jetën e përjetshme të njeriut” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje e Re dhe e Përjetshme”, scriptures.lds.org).

Kur ne i kuptojmë këto të vërteta rreth besëlidhjes së re dhe të përjetshme, është e qartë se pagëzimi duhet të kryhet nga një njeri që e ka autoritetin nga Perëndia. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 22:2–4 dhe përcaktoni frazat që tregojnë se Zoti nuk i pranon pagëzimet e kryera pa autoritetin e duhur të priftërisë. Mund të jetë e dobishme të dini se në vargun 2 Zoti iu referua ordinancës së pagëzimit si hyrje “në portën e ngushtë” (shih 2 Nefi 31:17).

  1. ikona e ditaritKisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka autoritetin e priftërisë që është i nevojshëm për të kryer ordinanca thelbësore të tilla si pagëzimi. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si jeni bekuar nga anëtarësia juaj në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit?

Doktrina e Besëlidhje 23

Pesë dishepuj thirren për të forcuar Kishën

Shenjoni emrat e mëposhtëm te Doktrina e Besëlidhje 23: Oliveri, Hajrëmi, Samueli dhe Xhozef Najti. Lexoni hyrjen e seksionit për të mësuar atë që këta burra dëshironin nga Zoti.

Zoti iu drejtua së pari Oliver Kaudërit. Oliveri ishte një ndihmë e madhe për Profetin Jozef Smith gjatë ngjarjeve fillestare të Rivendosjes, duke përfshirë daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe organizimin e Kishës. Ai kishte shumë dhurata dhe dëshira të drejta. Ai u thirr për të qenë plaku i dytë i Kishës (shih DeB 20:3) dhe u caktua, së bashku me Dejvid Uitmerin, që të ndihmonte në përzgjedhjen e Dymbëdhjetë Apostujve. Fatkeqësisht, Oliveri i lejoi shumë prej këtyre privilegjeve të hershme që ta çonin drejt krenarisë dhe ai u largua nga Kisha për njëfarë kohe. Ai më së fundi i pranoi gabimet e veta dhe u pagëzua sërish.

  1. ikona e ditaritLexoni Doktrinën e Besëlidhjet 23:1–2 dhe kërkoni paralajmërimin që Zoti i dha Oliver Kaudërit. Më pas, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund të çojë krenaria në tundim?

    2. Për mendimin tuaj, cilat janë disa mënyra se si mund t’i shmangim ndjenjat e krenarisë që do të na çonin në tundim?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 23:3–5 duke kërkuar ngjashmëri në udhëzimet që Zoti i dha Hajrëm Smithit, Samuel Smithit dhe Jozef Smith Plakut.

Thirrja për të këshilluar i referohet përgjegjësisë për t’u mësuar ungjillin të tjerëve. Vini re mënyrën se si Hajrëmi, Samueli dhe Jozef Smith Plaku, e përmbushën këtë përgjegjësi ndërkohë që lexoni informacionin vijues rreth tyre:

Hajrëm Smithi ndihmoi në botimin e Librit të Mormonit duke punuar drejtpërdrejtë me tipografin. Ai u pagëzua në qershor 1829, pak pasi ishte rivendosur priftëria. Ai shërbeu si president i degës së parë të Kishës në Kollsvill të Nju-Jorkut. I njohur për përulësinë dhe besnikërinë e tij, Hajrëmi ishte besnik ndaj Zotit dhe Kishës gjatë gjithë jetës së tij. Ai vdiq si martir së bashku me vëllanë e tij, Jozefin, në Kartixh të Ilinoisit.

Samuel Smithi, një vëlla më i vogël i Profetit Jozef, u pagëzua në maj 1829, pak pas rivendosjes së Priftërisë Aarone. Ai shpesh nderohet me të qenit misionari i parë i Kishës. Në qershor 1830, ai u nis në një mision dhe e dha një kopje të Librit të Mormonit, që përfundimisht do të çonte në kthimin në besim të Brigam Jangut dhe të shumë prej pjesëtarëve të familjes së tij. Samueli ishte besnik ndaj familjes së tij dhe Kishës gjatë gjithë jetës së tij.

Jozef Smith Plaku, babai i Profetit, u bashkua me Kishën ditën që ajo u organizua. Verën pasuese, ai dhe biri i tij, Don Karlosi, shkuan në një mision në rrethin e gjerë të familjes në Nju-Jork. Ai u bë një prift i lartë dhe më së fundi patriarku i parë i Kishës. Në funeralin e tij, ai u përshkrua si “një njeri besnik ndaj Perëndisë së tij dhe Kishës në çdo situatë, dhe nën të gjitha rrethanat përmes të cilave ai u thirr të kalonte” (Robert B. Thompson, në History of the Church, 4:192).

Personit të fundit që Zoti iu drejtua në Doktrinën e Besëlidhjet 23 është Xhozef Najt Plaku. Ai qe një mik i ngushtë i Jozef Smith të Riut dhe i kishte treguar atij shumë dashamirësi. Ai siguroi furnizime për Profetin, të tilla si letër dhe ushqime, gjatë përkthimit të Librit të Mormonit. Në kohën që u mor Doktrina e Besëlidhje 23, Xhozef Najt Plaku nuk ishte pagëzuar. Ai kishte ndier dëshirë që të pagëzohej me të tjerët ditën që u organizua Kisha, por u përmbajt ngaqë donte ta studionte më tej Librin e Mormonit. Megjithatë më vonë ai shkroi, “Do të [isha] ndier më mirë nëse do të kisha vendosur” që të pagëzohesha (shih Larry Porter, “The Joseph Knight Family”, Ensign, tetor 1978, f. 40; shkrimi me germa të mëdha dhe germëzimi të standardizuara).

Studioni këshillën e Zotit dhënë Xhozef Najt Plakut te Doktrina e Besëlidhje 23:6–7, duke kërkuar atë që Zoti e urdhëroi të bënte. Fraza “të marrësh kryqin tënd” në këtë kontekst do të thotë të bëni diçka që është e vështirë për ju.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse Zoti ndonjëherë mund të na udhëzojë të bëjmë gjëra që nuk janë të rehatshme për t’u bërë?

    2. Çfarë prove shikoni te Doktrina e Besëlidhje 23:7 që tregon se Zoti dëshironte ta bekonte Xhozef Najt Plakun?

Shpjegoni se pak kohë pasi Zoti e dha këtë zbulesë, Xhozef Najt Plaku zgjodhi të pagëzohej. Ai mbeti i përkushtuar ndaj Kishës gjatë gjithë jetës së tij, duke e mbrojtur Profetin Jozef Smith në fshehtësi dhe publikisht. Më vonë Profeti e përshkroi Xhozef Najt Plakun, si “besnik e i vërtetë, dhe i paanshëm e shembullor, dhe i virtytshëm e i sjellshëm, pa u shmangur kurrë djathtas apo majtas” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 494).

Nga Doktrina e Besëlidhje 23, ne mësojmë se kur dëshirojmë t’i shërbejmë Zotit, ne mund të marrim udhëheqje vetjake prej Tij. Ne gjithashtu mësojmë se Zoti do të na bekojë kur ndjekim udhëheqjen që Ai na jep. Përsiatni për udhëheqjen që keni marrë nga Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë, fjalëve të profetëve të gjallë dhe shkrimeve të shenjta. Bëni një plan që të veproni sipas udhëheqjes që keni marrë.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Doktrinën e Besëlidhjet 21–23 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: