Njësia 26: Dita 1
Doktrina e Besëlidhje 121:1–10; 122
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 121–123 përmban pjesë të zgjedhura të një letre nga Profeti Jozef Smith drejtuar Kishës, që daton më 20 mars 1839. Jozef Smithi e diktoi letrën ndërsa ai dhe disa shokë ishin të burgosur në burgun e Libertisë. Në letër, Jozefi përfshiu disa prej lutjeve të tij për shenjtorët, të cilët po vuanin për shkak të veprimeve të armiqve të tyre. Ai gjithashtu përfshiu përgjigjet që i kishte marrë prej atyre lutjeve. (Shih History of the Church, 3:289–305.) Ju do ta studioni Doktrinën e Besëlidhjet 121–123 në katër mësime ditore këtë javë.
Doktrina e Besëlidhje 121:1–6
Jozef Smithi lutet për shenjtorët e vuajtur
Përfytyroni sikur një shoqe po kalon një përvojë të vështirë. Shoqja ju thotë që ajo nuk e kupton përse po përjeton mjerime të tilla dhe ndien sikur Perëndia e ka braktisur atë. Çfarë do t’i thoshit shoqes suaj?
Çfarë do të bënit nëse do të ishit ju personi që po përjetonte mjerimet?
Ndërsa i studioni lutjet e Profetit Jozef Smith në burgun e Libertisë dhe këshillën e Zotit dhënë atij, kërkoni doktrina e parime që mund t’ju ndihmojnë për t’i duruar besnikërisht sprovat e mjerimet.
Më 31 tetor 1838, Xhorxh Hinkli, një anëtar i Kishës dhe një kolonel në milicinë e shtetit të Misurit, e tradhtoi Jozef Smithin. Hinkli i tha Jozefit se njerëzit që i kishin sulmuar shenjtorët në Far-Uest të Misurit, dëshironin të takoheshin për një intervistë paqësore që t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet. Kur Jozefi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës mbërritën për intervistën, milicia i mori forcërisht si të burgosur lufte. Gjatë muajit në vazhdim, Jozef Smithi dhe bashkëpunëtorët e tij u keqtrajtuan dhe u fyen, ndërkohë që armiqtë e tyre i mbajtën ata në disa burgje anembanë krahinës dhe i sollën përpara gjykatësve të shumtë.
Ndërkohë që Profeti Jozef Smith, Plaku Parli P. Prat dhe udhëheqës të tjerë të Kishës mbaheshin padrejtësisht në një burg në Riçmond të Misurit, ata i dëgjuan rojet e burgut të përshkruanin, me një gjuhë të ndyrë, veprimet e tmerrshme të plaçkitjes, përdhunimit dhe vrasjes kundër shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Në përshkrimin e tij për përvojën, Plaku Prat shkroi:
“Në një nga ato net të lodhshme, ne ishim shtrirë sikur ishim në gjumë derisa kishte kaluar ora e mesnatës, dhe veshët e zemrat na dhembnin, ndërkohë që kishim dëgjuar për orë të tëra talljet e pahijshme, betimet e lemerishme, blasfemitë e llahtarshme dhe gjuhën e ndyrë të rojeve tona. …
Dëgjova derisa u neverita, u habita, u tmerrova kaq shumë, dhe u mbusha kaq shumë me shpirtin e një drejtësie të indinjuar saqë mezi munda ta përmbaja veten që të mos ngrihesha në këmbë e t’i qortoja rojet; por nuk i pata thënë asgjë Jozefit, … edhe pse ndodhesha i shtrirë pranë tij dhe e dija që ishte zgjuar. Befas ai u ngrit në këmbë dhe foli me një zë bubullime, apo si luani që gjëmon, duke shqiptuar, me aq sa mund të kujtoj, fjalët e mëposhtme:
‘QETËSI, ju djaj të humnerës së skëterrës. Në emrin e Jezu Krishtit unë ju qortoj dhe ju urdhëroj të heshtni; nuk do të jetoj asnjë minutë tjetër dhe të dëgjoj fjalë të tilla. Ndërpriteni këtë të folur, ose o unë o ju do të vdesim KËTË ÇAST!’
Ai pushoi së foluri. Qëndronte drejt në këmbë me një madhështi të jashtëzakonshme. I lidhur me zinxhirë dhe pa asnjë armë; i qetë, gjakftohtë dhe madhështor si një engjëll, ai i vështroi rojet e trembura, gjunjët e të cilëve dridheshin dhe që, të zmbrapsur në një cep, ose të bërë kruspull te këmbët e tij, i kërkuan falje dhe ndenjën të heshtur derisa u ndërruan rojet.
I kam parë shërbestarët e drejtësisë, të veshur me rrobat magjistrale, … ndërkohë që fryma mbahej pezull në gjykatat e Anglisë; kam qenë dëshmitar në Kongres në një sesion solemn për t’i dhënë ligje kombeve; jam përpjekur të përfytyroj mbretër, oborre mbretërorë, frone e kurora; dhe perandorë të mbledhur për të vendosur fatin e mbretërive; por dinjitet e madhështi kam parë vetëm një herë, ndërsa qëndronte në zinxhirë, në mesnatë, në një birucë në një fshat të panjohur të Misurit” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 210–211).
Ndërkohë që ende prisnin gjyqin, të bazuar në akuza të rreme dhe pa një proces gjykimi të paanshëm, më 30 nëntor Jozef Smithi dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës u çuan drejt një burgu në Liberti të Misurit. (Shih History of the Church, 3:188–189, 215.)
Gjatë katër muajve pasues, Profeti, vëllai i tij, Hajrëmi, Aleksandër Mek-Rei, Liman Uajti dhe Kejlëb Bolduini u mbajtën në birucën e poshtme të burgut të Libertisë gjatë një dimri hidhësisht të ftohtë. Sidni Rigdoni ishte gjithashtu me ta për njëfarë kohe, por ai u lirua në fillim të shkurtit. Dyshemeja e birucës ishte rreth 4,3 metra me 4,3 metra. Tavani ishte midis 1,8 dhe 2 metra i lartë. Dy dritare të vogla, me hekura ofronin shumë pak dritë dhe nga jashtë këtyre dritareve, njerëzit i përqeshnin dhe i tallnin të burgosurit. Të burgosurit flinin në dysheme, mbi kashtë të ndotur dhe për ca kohë Jozefi nuk pati asnjë batanije. Ushqimi me raste ishte i helmuar dhe, herë të tjera, ishte kaq i neveritshëm sa ata mund ta hanin vetëm për shkak të urisë së skajshme. Rrallëherë u lejoheshin vizitorë dhe hidhëroheshin thellësisht kur dëgjonin për vuajtjen e shenjtorëve, të cilët ishin dëbuar nga Misuri në mes të dimrit.
Letra nga e cila u mor Doktrina e Besëlidhje 121–123, përfshinte disa nga lutjet e Jozefit Smithit drejtuar Zotit. Nëse do të ishit në gjendjen e Profetit, për çfarë do të luteshit?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 121:1–6 dhe vini re se për çfarë u lut Profeti, përfshirë pyetjet që bëri ai. Ju mund të doni të shenjoni fraza që janë domethënëse për ju. (Teksa lexoni vargjet 1 dhe 4, mund të jetë e dobishme të dini se një tendë është një ndërtesë ose një strukturë tjetër që siguron mbulim.)
Doktrina e Besëlidhje 121:7–10; 122
Zoti e ngushëllon Jozef Smithin
Përgjigjja e Zotit ndaj lutjes së Jozef Smithit gjendet te Doktrina e Besëlidhje 121:7–46 dhe 122:1–9. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 121:7–9, duke kërkuar të vërtetat që do t’i kishin ndihmuar Jozefin dhe shokët e tij gjatë kohës së tyre në burgun e Libertisë.
-
Ndërsa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 121:7–9, plotësoni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Shkruani të paktën dy të vërteta që i gjeni në këto vargje. Shpjegoni se si këto parime ose doktrina mund t’i kishin ndihmuar Jozefin dhe shokët e tij.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese: Si mendoni ju, cili është ndryshimi midis durimit të një sprove dhe durimit mirë të një sprove? Zoti tha se fatkeqësia dhe mjerimet e Jozef Smithit do të ishin “veçse një çast i shkurtër” (DeB 121:7). Si mendoni ju, çfarë do të thotë kjo? Si mund të na ndihmojë ky këndvështrim për t’i duruar mirë sprovat tona?
-
Në dy ose tri fjali, shkruani rreth dikujt që e njihni, i cili është një shembull i asaj që i duron mirë sprovat.
-
-
Mendoni sërish për situatën e përshkruar në fillim të këtij mësimi – një shoqe që po vuan dhe mendon se Perëndia e ka braktisur atë. Shkruajini një letër ngushëllimi kësaj shoqeje, duke përdorur të vërtetat që i përcaktuat te Doktrina e Besëlidhje 121:7–9. Shpjegoni mënyrën se si këto të vërteta mund ta ndihmojnë atë. Ju mund të doni të citoni një pjesë ose të gjithë vargun 9 në letër.
Përsiatni për forcën që merrni nga njohuria juaj se, kur i bëjmë thirrje Zotit në kohë fatkeqësie dhe mjerimi ne mund ta marrim paqen e Tij dhe, nëse i durojmë mirë sprovat në vdekshmëri, Perëndia do të na bekojë tani dhe në përjetësitë.
Te Doktrina e Besëlidhje 122, ne lexojmë këshilla dhe ngushëllim shtesë që Zoti ia dha Jozef Smithit. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 122:1–4, duke kërkuar bekimet që Zoti ia premtoi Jozefit. Si mendoni ju, si do ta kishin ndihmuar këto premtime Profetin gjatë kësaj kohe të vështirë?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 122:5–7, duke kërkuar një parim që Zoti i mësoi Jozef Smithit rreth arsyes se përse ne përjetojmë mjerime. Ju mund të doni t’i shenjoni fjalët dhe frazat që janë të rëndësishme për ju.
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje për një qëllim të mjerimeve? Plotësojeni fjalinë vijuese: Mjerimet mund të na japin dhe mund të jenë për tonë.
Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si mjerimet mund të na japin përvojë dhe mund të jenë për të mirën tonë.
“Ju mund të ndiheni të vetmuar kur fatkeqësia hyn në jetën tuaj. Ju tundni kokën dhe e pyesni veten: ‘Përse mua?’
Por në fakt, radha në rrotën e vuajtjeve i bie gjithsecilit prej nesh. Herët ose vonë, secili duhet të përjetojë hidhërim. Asnjë nuk është i përjashtuar. …
Të mësosh t’i durosh periudhat e zhgënjimit, vuajtjes dhe hidhërimit është pjesë e punës sonë stërvitore. Këto përvoja, ndërsa janë shpeshherë të vështira të durohen në atë kohë, janë pikërisht lloji i përvojave që e zgjerojnë kuptimin tonë, e ndërtojnë karakterin tonë dhe e rritin dhembshurinë tonë për të tjerët” (“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 27).
Plaku Orson F. Uitni, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi gjithashtu se mjerimet mund të jenë për të mirën tonë: “Asnjë dhembje që vuajmë, asnjë sprovë që përjetojmë, nuk shkon dëm. Ajo i shërben edukimit tonë, zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, qëndresa dhe përulësia. Gjithçka që vuajmë dhe gjithçka që e durojmë, veçanërisht nëse i qëndrojmë asaj me durim, e ndërton karakterin tonë, e pastron zemrën tonë, e zgjeron shpirtin tonë dhe na bën më të butë e më bamirës, më të denjë që të quhemi fëmijët e Perëndisë … dhe ndodh përmes hidhërimit dhe vuajtjes, mundimit dhe fatkeqësisë, që ne e marrim atë edukim të cilin erdhëm ta marrim këtu” (në Spencer W. Kimball, Faith Precedes the Miracle [1972], f. 98).
Profeti Jozef Smith përjetoi shumë më tepër mjerime pasi vuajti në burgun e Libertisë. Presidenti Brigam Jang tha: “Jozefi nuk mund të ishte bërë i përsosur, edhe sikur të kishte jetuar për një mijë vjet, nëse nuk do të ishte përndjekur. Nëse do të kishte jetuar një mijë vjet dhe ta kishte udhëhequr këtë popull, dhe ta kishte predikuar Ungjillin pa përndjekje, ai nuk do të ishte bërë i përsosur aq sa u bë kur ishte në moshën [tridhjetë e tetë] vjeç” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 264).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth një përvoje të vështirë që ka qenë për të mirën tuaj.
A i keni dëgjuar ndonjëherë njerëzit të thonë se askush nuk i kupton sprovat që ata po përjetojnë? Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 122:8, duke kërkuar atë që Zoti mund të thotë në përgjigje të këtij komenti. Për ta rritur kuptueshmërinë tuaj për frazën “zbrit[i] nën këto të gjitha”, lexoni 2 Nefin 9:20–21; Almën 7:11 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 88:5–6. Ju mund të merrni parasysh ta shkruani doktrinën vijuese pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 122:8: Shpëtimtari vuajti dhembjet dhe mjerimet e të gjithë njerëzve.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Si mendoni se kjo doktrinë mund t’i kishte ndihmuar Profetin Jozef Smith dhe shokët e tij në burgun e Libertisë?
-
Si mund t’ju ndihmojë kjo doktrinë ndërkohë që po përjetoni sprova?
-
Plaku Uirthlin na mësoi:
“Ngaqë Jezu Krishti vuajti shumë, Ai e kupton vuajtjen tonë. Ai e kupton brengosjen tonë. Ne përjetojmë gjëra të rënda që ne gjithashtu të mund të kemi dhembshuri dhe kuptueshmëri të shtuar për të tjerët.
Mbajini mend fjalët madhështore të Shpëtimtarit drejtuar Profetit Jozef Smith kur ai po vuante me shokët e tij në errësirën mbytëse të burgut të Libertisë:
‘Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu’. (DeB 121:7–8.)
Me atë këndvështrim të përjetshëm, Jozefi gjeti ngushëllim nga këto fjalë dhe po ashtu mundemi ne” (“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, f. 27).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 122:9, dhe mendoni rreth mënyrës se si lidhet ky varg me jetën dhe shërbesën e Profetit Jozef Smith.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mund t’ju forcojnë fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 122:9 gjatë përvojave tuaja të vështira?
Pak kohë pasi u shkrua kjo letër, Zoti krijoi një mënyrë që Jozef Smithi dhe shokët e tij të bashkoheshin sërish me shenjtorët në Ilinois. Perëndia ishte me shërbëtorin e Tij, Jozef Smithin, gjatë gjithë jetës së Jozefit. Më vonë, një vit e gjysmë përpara se të martirizohej, Jozef Smithi shpalli: “Perëndia i Plotfuqishëm është mburoja ime; dhe çfarë mund të bëjë njeriu në qoftë se Perëndia është miku im?” (në History of the Church, 5:259). Nëse mbetemi besnikë në mjerimet tona, Perëndia gjithashtu do të jetë me ne për të na forcuar e mbështetur përgjithmonë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 121:1–10; 122:1–9 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: