Njësia 29: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 135
Hyrje
Më 27 qershor 1844, Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij, Hajrëmi, i cili ishte Ndihmëspresidenti dhe Patriarku i Kishës, u vranë në Karthixh të Ilinoisit. Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve miratoi që shpallja e martirizimit të përfshihej në fund të botimit të vitit 1844 të Doktrinës e Besëlidhjeve, e cila ishte pothuajse gati për t’u botuar. Shpallja u bazua mbi rrëfimet vetjake të Plakut Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards, anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo tani është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 135.
Doktrina e Besëlidhje 135
Shpallet martirizimi i Jozef dhe Hajrëm Smithit
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 135:1. Përfytyroni sikur jeni një anëtar i Kishës që jeton në Navu të Ilinoisit në vitin 1844, dhe mendoni se si do të mund të ndiheshit kur të merrnit këtë lajm tragjik.
Shumë shenjtorë u pushtuan nga dhimbja kur mësuan për vdekjen e Jozef dhe të Hajrëm Smithit. Përsiatni mbi vetë ndjenjat dhe dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith ndërsa mësoni rreth ditëve të fundit të jetës së tij.
Jozef Smithi dhe shenjtorët jetuan në paqe të përkohshme në Ilinois për rreth tre vjet. Megjithatë, në vitin 1842 ata filluan sërish të përjetonin kundërshtim. Mospajtuesit brenda Kishës dhe kundërshtarët jashtë Kishës i ndërthurën përpjekjet e tyre kundër Profetit dhe Kishës. Disa qytetarë të Ilinoisit filluan të frikësoheshin dhe ta përçmonin ndikimin politik të shenjtorëve. Të tjerë filluan të kishin gjithnjë e më shumë lakmi për rritjen ekonomike të Navusë dhe ishin kritikues ndaj fuqisë së qeverisë dhe të milicisë së qytetit të Navusë. Disa filluan të mos i pëlqenin shenjtorët për shkak të keqkuptimeve rreth doktrinës dhe praktikave të veçanta mormone, të tilla si martesa me shumë gra, disa prej të cilave ishin keqpërfaqësuar nga anëtarët braktisës të Kishës. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 263–266, 270–271.)
Në qershor të vitit 1844, armiqësia kundër Kishës ishte shtuar shumë. Disa qytetarë në Ilinois po diskutonin që t’i dëbonin shenjtorët nga shteti, ndërkohë që të tjerë po komplotonin ta vrisnin Jozef Smithin. Disa prej atyre që po thurnin plane kundër Profetit dhe Kishës, qenë ish-anëtarë të Kishës të cilët e kishin braktisur atë. Më 7 qershor 1844, Uilliam Lo, i cili kishte shërbyer si këshilltar i dytë në Presidencën e Parë, dhe braktisës të tjerë shtypën numrin e parë të një gazete të quajtur Nauvoo Expositor [Komentuesi i Navusë]. Në një përpjekje për ta acaruar publikun kundër Profetit dhe Kishës, këta burra e përdorën këtë gazetë që të shpifnin për Jozef Smithin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës. Jozef Smithi dhe shumica e këshillit të qytetit të Navusë, e kuptoi se gazeta intriguese do të çonte drejt dhunës së turmës kundër qytetit. Ata e shpallën gazetën si një bezdi publike dhe urdhëruan që shtypshkronja e Nauvoo Expositor [Komentuesit të Navusë] të shkatërrohej.
Përmbajtjet e Nauvoo Expositor [Komentuesit të Navusë], së bashku me shkatërrimin e shtypshkronjës bënë që armiqësia antimormone të përshkallëzohej. Pronarët e shtypshkronjës ngritën akuza ligjore ndaj Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të qytetit, duke i akuzuar ata se po nxitnin një trazirë. Jozef Smithi u shfajësua prej akuzës nga gjykatësit shenjtorë të ditëve të mëvonshme por edhe jo shenjtorë të ditëve të mëvonshme, por kjo vetëm sa i zemëroi më shumë armiqtë e tij. Kur filluan të qarkullonin zëra se po mblidheshin turma për të sulmuar qytetin e Navusë, Jozef Smithi, si kryebashkiak, e shpalli Navunë se ishte nën ligjin marcial (rregull i përkohshëm ushtarak) dhe nën drejtimin e guvernatorit Tomas Ford të Ilinoisit, Jozefi e urdhëroi Legjionin e Navusë të mbronte qytetin.
Zemërimi në zonë u rrit kaq shumë saqë guvernatori Ford shkoi në Karthixh, qendra e qeverisë për krahinën, që të asnjanësonte situatën e dhunshme. Ai i shkroi Jozef Smithit, duke i thënë se vetëm një gjyq ndaj Profetit dhe udhëheqësve të tjerë përpara një jurie jomormone në Karthixh do t’i kënaqte njerëzit. Guvernatori Ford gjithashtu premtoi mbrojtje të plotë dhe një gjyq të drejtë nëse ata do të vinin vullnetarisht. Jozefi iu përgjigj se jeta e tij gjatë udhëtimit do të ishte në rrezik dhe se ai nuk do të shkonte.
Gjatë kësaj kohe të vështirë dhe pasi u këshilluan së bashku, Profeti ndjeu se nëse ai dhe Hajrëmi do ta linin Navunë dhe do të udhëtonin për në perëndim, shenjtorët në Navu nuk do të lëndoheshin. Duke vepruar mbi këtë frymëzim, Jozefi dhe Hajrëmi kaluan lumin Misisipi për në Ajoua. Megjithatë, disa anëtarë të Kishës në Navu e vunë në dyshim planin e Profetit. Disa prej tyre erdhën tek ai dhe e akuzuan për burracakëri, duke i thënë se po i braktiste shenjtorët dhe po i linte që ta përballonin përndjekjen vetëm. Profeti iu përgjigj: “Nëse jeta ime nuk ka vlerë për miqtë e mi, nuk ka vlerë as edhe për mua” (në History of the Church, 6:549). Pasi u këshilluan së bashku, Jozefi dhe Hajrëmi u kthyen në Navu. Herët në mëngjes, më 24 qershor 1844, ata u nisën për në Karthixh.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 135:4 duke kërkuar profecinë që bëri Jozef Smithi pranë Karthixhit.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Si mendoni ju se mund të ketë qenë për Jozef Smithin të largohej nga familja e tij, duke e ditur se nuk do të kthehej më tek ata?
-
Përse mendoni ju Profeti ishte “i qetë si një mëngjes vere” kur e dinte se po shkonte “si një qengj në thertore”?
-
Profeti e dinte se vdekja e tij do ta mbronte jetën e shenjtorëve.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 135:5 dhe vini re atë që Hajrëmi lexoi dhe shenjoi përpara se të nisej për në Karthixh.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mendoni ju, përse këto vargje nga libri i Ethërit (Ethëri 12:36–38) mund të kenë qenë domethënëse për Hajrëmin që t’i lexonte në atë kohë?
Më 25 qershor 1844, Jozefi, Hajrëmi dhe udhëheqës të tjerë paguan gjobën derisa të mbahej një gjyq zyrtar për të trajtuar akuzën e nxitjes së një trazire. Megjithatë, atë mbrëmje Jozefi dhe Hajrëmi u futën në burgun e Karthixhit me akuzën e tradhtisë, të cilën Jozefi dhe avokatët e tij e kundërshtuan si të paligjshme për shkak se ajo akuzë nuk ishte përmendur në seancën e mëparshme dëgjimore dhe asnjë gjobë nuk mund të paguhej për tradhti, duke i detyruar të qëndronin në Karthixh dhe në rrezik.
Më 26 qershor 1844, Jozefi u takua me guvernatorin Ford në burg. Guvernatori Ford po mendonte të shkonte në Navu dhe Jozefi i kërkoi që të shkonte me të, duke parandier se nuk ishte i sigurt në Karthixh. Guvernatori Ford premtoi se, nëse largohej nga Karthixhi, ai do t’i merrte me vete Jozefin dhe Hajrëmin. Atë mbrëmje, Profeti u dëshmoi rojeve për vërtetësinë e Librit të Mormonit dhe për rivendosjen e ungjillit.
Në mëngjesin e 27 qershorit 1844, Jozefi i shkroi në një letër gruas së tij, Emës: “Jam shumë i gatshëm t’i dorëzohem fatit tim duke e ditur se jam i shfajësuar dhe kam bërë më të mirën që mund të bëja. Jepu dashurinë time fëmijëve dhe të gjithë miqve të mi” (në History of the Church, 6:605). Më vonë atë ditë, pavarësisht se ishte paralajmëruar për planet e sulmit ndaj burgut dhe vrasjes së të burgosurve, guvernatori Ford u largua nga Karthixhi për të folur me qytetarë të Navusë. Ai nuk e mbajti premtimin dhe nuk i mori me vete Jozefin dhe Hajrëmin. Përpara se të largohej, guvernatori Ford i vendosi “Gritë e Karthixhit” – dukshëm, milicët më armiqësorë të mbledhur në Karthixh – në ngarkim me ruajtjen e burgut dhe i shpërndau milicët e tjerë.
Në pasditen e nxehtë dhe të lagësht të 27 qershorit, apostujt Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards ishin me Jozefin dhe Hajrëmin në burgun e Karthixhit. Një parandjenjë e keqe e pushtoi Profetin dhe ata që ishin me të, ndërsa u ulën në dhomën e gjumit të rojës së burgut në katin e dytë të burgut. Profeti i kërkoi Xhon Tejlorit të këndonte “Një Burr’ të Varfër Plot Pik’llim” (shih Himne, nr. 20). Nëse keni qasje ndaj këtij himni (ose nëse mund të hyni te lds.org/music/text/hymns/a-poor-wayfaring-man-of-grief), dëgjojini, këndojini ose lexojini fjalët dhe mendoni përse ato do të ishin domethënëse për Profetin në këtë çast të jetës së tij.
Përpiquni t’i përfytyroni ngjarjet e mëposhtme sikur të ishit me Profetin Jozef Smith në burgun e Karthixhit:
Pak pas orës 17:00, më 27 qershor 1844, një turmë me pothuaj 150–200 burra, me fytyra të lyera për të fshehur identitetin e tyre, e rrethoi burgun. Rojet bën pak qëndresë ndërkohë që disa pjesëtarë të turmës i ngjitën me nxitim shkallët për te dhoma ku gjendeshin Profeti, vëllai i tij, Hajrëmi, dhe shokët e tij.
Jozefi dhe të tjerët po e shtynin derën që të mos e linin turmën ta hapte atë me forcë. Dikush në turmë qëlloi nëpërmjet pjesës së sipërme të derës, duke e goditur Hajrëmin në anën e majtë të hundës. Ai ra me kurriz, duke thirrur: “Unë jam një njeri i vdekur!” (në History of the Church, 6:617). Xhon Tejlori më vonë shkroi: “Nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e thellë të dhimbjes dhe kujdesit të shprehur në fytyrën e Vëlla Jozefit, kur u afrua pranë Hajrëmit dhe duke u përkulur mbi të bërtiti: ‘O! I gjori, vëllai im i dashur Hajrëm!’” (në B. H. Roberts, The Rise and Fall of Nauvoo [1965], f. 443).
Herët atë ditë, një vizitor i kishte dhënë Jozefit një revolver. Për të mbrojtur çdokënd që ishte në dhomë, Jozefi nxitoi për te dera dhe mbërriti te pragu i derës për të qëlluar me pistoletë në korridor. Vetëm tre prej gjashtë plumbave u qëlluan, duke plagosur tre anëtarë të turmës. Atëherë turma i futi me forcë pushkët e tyre përmes derës gjysmë të hapur dhe Xhon Tejlori u përpoq t’i shtynte pas tytat e pushkëve të tyre me një bastun.
Ndërsa grindja në prag të derës u bë më e madhe, Xhon Tejlori u përpoq të largohej nga dhoma nëpërmjet një dritareje. Kur u përpoq të hidhej nga dritarja, ai u godit në kofshë nga [dikush] te dera dhe u godit po ashtu nga dikush që ishte jashtë. Ai ra në dysheme dhe teksa përpiqej të futej nën shtratin pranë dritares, ai u plagos rëndë nga tre të shtëna të tjera. Ndërkohë, Uillard Riçardsi filloi t’i godiste me bastunin e tij pushkët që u futën përmes derës.
Jozef Smithi më pas vendosi t’ia mbathte nga e njëjta dritare, një vendim që Uillard Riçardsi besonte se u bë që të shpëtonte jetën e tij dhe të Xhon Tejlorit. Ndërsa Uillard Riçardsi vazhdoi ta sprapste turmën te dera, Profeti shkoi te dritarja e hapur dhe thirri: “O Zot, Perëndia im!” (në History of the Church, 6:618). Kur e bëri këtë, plumba si nga brenda ashtu edhe nga jashtë burgut e goditën Profetin, i cili ra nga dritarja, duke rënë përdhe. Anëtarët e turmës që ishin brenda burgut, nxituan jashtë për t’u siguruar vetë se Jozefi kishte vdekur. Edhe pse nuk kishte anëtarë të Kishës aty pranë, dikush bërtiti: “Mormonët po vijnë!” dhe e gjithë turma u largua. (Shih History of the Church, 6:618, f. 620–621; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 283.)
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 135:3. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shënoni mendimet apo ndjenjat që keni pas leximit të këtij rrëfimi për martirizimin e Jozef dhe të Hajrëm Smithit.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 135:2 dhe vini re përshkrimin e fatit të Xhon Tejlorit dhe Uillard Riçardsit.
Uillard Riçardsit vetëm sa iu gërvisht veshi i majtë nga një fishek, e cila përmbushi një profeci që Jozefi e kishte bërë më shumë se një vit përpara se, “do të vinte koha kur plumbat do të fluturonin përreth tij si breshër dhe ai do t’i shihte miqtë e tij të binin në të djathtë e në të majtë, por nuk do të kishte as edhe një vrimë në veshjen e tij” (në History of the Church, 6:619).
Vini re frazën “për ta vulosur dëshminë e këtij libri dhe të Librit të Mormonit” te Doktrina e Besëlidhje 135:1. Në këtë kontekst, fraza “ta vulos[ësh]” do të thotë ta përforcosh diçka në mënyrë të përhershme, të tillë siç është një dëshmi. Merreni parasysh ta shkruani këtë shpjegim në shkrimet tuaja të shenjta. Ju gjithashtu mund të doni të vini re fjalën martirizim në vargun 1. Një martir është një person që vuan vdekjen si një dëshmitar për të vërtetën e bindjeve ose të kauzës së tij apo të saj. Fjala martir vjen “nga një fjalë greke që do të thotë ‘dëshmitar’” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Martyr” [“Martir”]).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 135:7, duke kërkuar se për çfarë është dëshmi martirizimi i Jozef dhe Hajrëm Smithit.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mund të ndikojë te dëshmia juaj për ungjillin e rivendosur njohuria se Jozef dhe Hajrëm Smithi e vulosën dëshminë e tyre për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur me jetën e tyre?
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 135 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: