Njësia 27: Dita 1
Doktrina e Besëlidhje 124:1–83
Hyrje
Gjatë dimrit të viteve 1838–1839, shenjtorët u larguan me të shpejtë nga Misuri dhe u vendosën në Ilinois pranë lumit Misisipi. Atje shenjtorët filluan të ngrenë një qytet në zonën e një kolonie të vogël, të quajtur Komers. Pas përndjekjeve dhe vështirësive që patën përjetuar, shenjtorët tani kishin një vend ku mund të mblidheshin e të ngrinin një qytet në paqe. Ata e zhvilluan komunitetin e tyre dhe i vunë emrin e ri Navu. Kur Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 124 më 19 janar 1841, shenjtorët kishin qenë në Navu të Ilinoisit për gati dy vjet. Në këtë zbulesë, Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një tempull dhe shpjegoi bekimet që do të ishin në dispozicion për ta, nëse do të ishin të zellshëm për ta ndërtuar atë.
Doktrina e Besëlidhje 124:1–41, 56–83
Zoti i urdhëron shenjtorët të ndërtojnë një tempull dhe një shtëpi për vizitorët në Navu
Çfarë është diçka që e keni përmbushur, e cila kërkoi një sasi të madhe kohe, përpjekjeje ose sakrifice nga ana juaj? Përse ia vlejti koha, përpjekja ose sakrifica që kërkoi?
Zoti e filloi zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 124 duke urdhëruar që të shkruhej një shpallje drejtuar sundimtarëve të tokës rreth rivendosjes së ungjillit (shih DeB 124:1–14). Në përmbushje të këtij urdhri, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve botoi një shpallje më 6 prill 1845, që filloi:
“Dijeni: –
Që mbretëria e Perëndisë ka ardhur, sikurse është parashikuar nga profetët e lashtë dhe për të cilën janë thënë lutje në të gjitha epokat; madje ajo mbretëri që do të mbulojë tërë tokën dhe do të qëndrojë përgjithmonë” (në James R. Clark, përm., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. [1965–1975], 1:253).
Njëqind e tridhjetë vjet më vonë, Presidenti Ezra Taft Benson që po shërbente atëherë si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një bisedë në një konferencë të përgjithshme në të cilën ai e ripohoi mesazhin e asaj shpalljeje (shih “A Message to the World”, Ensign, nëntor 1975, f. 33–34).
Përveç urdhrit që të shkruhej një shpallje, Zoti u dha një urdhërim shenjtorëve që do të kërkonte sakrificë të madhe nga ana e tyre. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:25–27, duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi shenjtorët të bënin në Navu.
Çfarë donte Zoti që shenjtorët të përdornin për ta ndërtuar tempullin?
Deri në kohën kur shenjtorët u rivendosën në Navu të Ilinoisit, shumë njerëz i kishin humbur pothuajse të gjithë pronat dhe zotërimet e tyre. Përsiatni se si bindja ndaj urdhërimit për të ndërtuar një tempull tjetër mund të ketë kërkuar besim dhe sakrificë nga shenjtorët.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:28, duke kërkuar përse Zoti tha që shenjtorët duhej të ndërtonin një tempull. Shënojeni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta.
Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim sa vijon rreth “plotësisë së priftërisë”: “Çdo njeri që është besnik dhe do t’i marrë këto ordinanca e bekime, fiton një plotësi të priftërisë dhe Zoti ka thënë se ‘ai i bën ata të barabartë në fuqi dhe në pushtet, dhe në sundim’. [DeB 76:95; shih edhe DeB 88:107.] … Zoti ka bërë të mundur që çdo njeri në këtë Kishë, nëpërmjet bindjes së tij, ta marrë plotësinë e priftërisë nëpërmjet ordinancave të tempullit të Zotit. Kjo nuk mund të merret askund” (Doctrines of Salvation, përm. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:132–133).
Të gjithë anëtarët e Kishës – burra e gra – mund ta marrin plotësinë e bekimeve të priftërisë nëpërmjet marrjes së të gjitha ordinancave të tempullit. Nëpërmjet këtyre ordinancave ne mund të fitojmë të drejtën e marrjes së të gjitha bekimeve që Ati Qiellor dëshiron t’i japë fëmijëve të Tij. Rivendosja e ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit filloi në Tempullin e Kirtlandit, por nuk u plotësua atje. Ndërtimi i një tempulli në Navu do të lejonte që rivendosja e ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit të vazhdonte (shih DeB 124:28, 40–41).
-
Lexojini dy paragrafët e parë nën temën “Ordinanca” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.lds.org); ose Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin ([2005], f. 105–106). Më pas përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë është një ordinancë?
Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin dhe shumë prej këtyre ordinancave shpëtuese mund të kryhen vetëm në tempuj. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:29, duke kërkuar një prej këtyre ordinancave thelbësore të tempullit, që Zoti vuri në dukje se ishte e nevojshme të rivendosej.
Më 15 gusht 1840, Profeti Jozef Smith fillimisht dha mësim se shenjtorët mund të kryenin ordinanca shpëtuese, si pagëzimi në emër të miqve të tyre të vdekur dhe të pjesëtarëve të vdekur të familjes së tyre, të cilët nuk e kishin pasur mundësinë për ta pranuar ungjillin (shih Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 413; shih edhe 1 Korintasve 15:29). Pas kësaj shpalljeje, në lumin Misisipi apo në përrenjtë aty pranë u kryen shumë pagëzime për të vdekurit.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:30–34 dhe kërkoni udhëzimin e Zotit lidhur me vendin ku duhet të kryhet ordinanca e pagëzimit për të vdekurit me qëllim që të pranohet nga Ai.
Edhe pse Zoti tha se ordinanca e pagëzimit për të vdekurit duhej të kryhej në tempull, përse i lejoi Ai shenjtorët të kryenin pagëzime jashtë tempullit përkohësisht?
Pasi Jozef Smithi e mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 124, puna për tempullin në Navu përparoi me shpejtësi. Më 3 tetor 1841, pasi ishte gërmuar kati përdhes i tempullit, Jozef Smithi u tha shenjtorëve: “Nuk do të ketë më pagëzime për të vdekurit, derisa ordinanca të mund të kryhet në Shtëpinë e Zotit. … Sepse kështu thotë Zoti!” (Mësimet: Jozef Smith, f. 501). Më 21 nëntor 1841, pasi një vaskë e përkohshme pagëzimi ishte ndërtuar dhe përkushtuar në katin përdhes të tempullit të Navusë, pagëzimet për të vdekurit rifilluan. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 251–252; shih edhe Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 501–502.)
Doktrina e Besëlidhje 124 na mëson të vërtetën vijuese: Tempulli është i vetmi vend ku ne mund të marrim plotësinë e ordinancave të priftërisë për shëlbimin e të gjallëve dhe të të vdekurve.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani se si mendoni që kjo e vërtetë mund t’i kishte nxitur shenjtorët të bënin sakrificat e nevojshme për të ndërtuar një tempull në Navu.
Shenjojini fjalët ose frazat që ju bëjnë përshtypje në mësimin vijues nga Presidenti Tomas S. Monson mbi rëndësinë e kësaj të vërtete rreth tempullit: “Ata që i kuptojnë bekimet e përjetshme, të cilat vijnë nga tempulli, e dinë se nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që t’i marrin ato bekime. Ata do të udhëtojnë në çfarëdo largësie, do të kapërcejnë çfarëdo pengese dhe do të durojnë çdo shqetësim. Ata e kuptojnë se ordinancat shpëtuese të marra në tempull, që na lejojnë të kthehemi një ditë tek Ati ynë Qiellor në një marrëdhënie familjare të përjetshme dhe që të na jepen bekime dhe fuqi nga lart, ia vlejnë çdo sakrificë dhe çdo përpjekje” (“Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 92).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani disa fjali duke përshkruar përse marrja e ordinancave të tempullit është e rëndësishme për ju.
Përsiatni mbi atë që po bëni në jetën tuaj për t’u përgatitur që të hyni në tempull dhe për të marrë plotësinë e ordinancave të priftërisë për veten tuaj. Shkruani në një ditar vetjak ose në një fletë letre atë që ndieni se duhet ta bëni tani për t’u kualifikuar që të merrni ordinancat e tempullit.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:38–41, duke kërkuar përse Zoti e urdhëroi Moisiun të ndërtonte një tabernakull në shkretëtirë dhe përse e udhëzoi popullin e Tij që të ndërtonte një tempull në tokën e premtimit.
Vini re se për sa kohë, sipas këtyre vargjeve, kanë ekzistuar ordinancat shpëtuese të tempullit.
-
Përfytyroni sikur keni një shok që ju bën pyetjet vijuese dhe më pas përgjigjuni atyre në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Përse i ndërton Kisha tempujt?
-
Përse është tempulli i rëndësishëm për ju?
-
Te Doktrina e Besëlidhje 124:22–24, 56–83, Zoti i udhëzoi gjithashtu shenjtorët që të ndërtonin një godinë tjetër, të quajtur Shtëpia e Navusë, ku mund të qëndronin ata që vizitonin Navunë.
Doktrina e Besëlidhje 124:42–55
Zoti shpjegon se çfarë do të ndodhë nëse shenjtorët i binden urdhërimit për të ndërtuar një tempull
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:42–45, duke kërkuar atë që Zoti tha se do të ndodhte nëse shenjtorët do ta ndërtonin tempullin në Navu të Ilinoisit dhe do t’i bindeshin zërit të Tij dhe zërit të shërbëtorëve të Tij.
Te Doktrina e Besëlidhje 124:46–54, Zoti shpjegoi se çfarë do të ndodhte nëse shenjtorët do ta ndërtonin tempullin, por më pas nuk do t’i bindeshin zërit të Tij ose zërit të shërbëtorëve të Tij. Ai gjithashtu shpjegoi se do t’i pranonte përpjekjet e shenjtorëve për ta përmbushur punën e Zotit (përfshirë ndërtimin e tempujve), edhe nëse do të pengoheshin në bërjen e kësaj për shkak të përndjekjes që po hasnin.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:55, duke kërkuar atë që Zoti shpalli se shenjtorët do t’i provonin Atij nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimit të Tij për ta ndërtuar tempullin e Navusë.
Sipas vargut 55, çfarë i provojmë Zotit kur iu bindemi urdhërimeve të Tij?
Ju mund të doni ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë vargut 55: Nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Zotit, ne provojmë besnikërinë tonë.
-
Përsiatni për raste në jetën tuaj kur i jeni të bindur një urdhërimi për shkak të një dëshire që të ishit besnik dhe i besueshëm ndaj Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth njërës prej këtyre përvojave dhe ndjenjave tuaja për t’i treguar Zotit besnikërinë dhe besueshmërinë tuaj ndaj Tij.
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 124:55, çfarë bekimesh shtesë u premtoi Zoti shenjtorëve nëse ata do të ndërtonin një tempull në Navu?
-
Bekimet e nderit, pavdekësisë dhe jetës së përjetshme të premtuara te vargu 55, janë të një natyre të përjetshme. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani pse ju mendoni se është e rëndësishme të kuptojmë se disa nga bekimet që marrim për besnikërinë tonë ndaj Zotit, mund të mos jenë të menjëhershme.
Sfidojeni veten tuaj për t’ia provuar besnikërinë tuaj Perëndisë nëpërmjet bindjes me besnikëri ndaj urdhërimeve të Tij.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 124:1–83 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: