Seminari
Njësia 16: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 72–74


Njësia 16: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 72–74

Hyrje

Më 4 dhjetor 1831, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 72, në të cilën Zoti thirri një peshkop të ri në Ohajo dhe zbuloi disa nga detyrat e tij. Te Doktrina e Besëlidhje 73, dhënë në janar 1832, Zoti e udhëzoi Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin që të rifillonin punën e tyre për përkthimin e Biblës. Si rrjedhojë e punës së tyre të përkthimit, Zoti dha zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 74, e cila është një shpjegim i 1 Korintasve 7:14.

Doktrina e Besëlidhje 72:1–8

Zoti e thërret Njull K. Uitnin si peshkop në Ohajo

A keni marrë ndonjëherë një thirrje ose a ju është kërkuar të bëni diçka të vështirë në Kishë dhe jeni ndier i mbingarkuar apo i paaftë për ta bërë atë? Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 72:1–2, duke kërkuar thirrjen që ishte e nevojshme të bëhej në Ohajo (“këtë pjesë të vreshtit të Zotit”).

Në verën e vitit 1831, Peshkopi Eduard Partrixh, peshkopi i parë i thirrur në Kishë, u shpërngul pothuaj 1448 kilometra në perëndim nga Kirtlandi i Ohajos për në Indipendëns të Misurit, për të shërbyer si peshkop në Sion. Si rrjedhojë, Zoti shpalli se nevojitej një peshkop i ri në Ohajo. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 72:3–6 dhe përcaktoni frazat që shpjegojnë se përse shenjtorëve në Ohajo, të cilët ishin kujdestarë që po e jetonin ligjin e përkushtimit, u nevojitej një peshkop. (Ju u njohët me ligjin e përkushtimit në materialin mësimor “Njësia 10: Dita 3” për Doktrinën e Besëlidhjet 42:30–42 në këtë udhëzues studimor.)

Përsiatni se si peshkopi apo presidenti i degës suaj, ju ndihmojnë të jeni të përgjegjshëm për përgjegjësitë tuaja si anëtar i Kishës sot.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 72:7–8 dhe vini re se kë thirri Zoti si peshkop të ri në Ohajo.

Jozef Smithi dhe Njull K. Uitni

Kur Njull K. Uitni u thirr për të qenë peshkopi në Ohajo, ai ndjeu se ishte i papërshtatshëm për të shërbyer në një pozicion të tillë. Informacioni vijues nga nipi i tij, Plaku Orson F. Uitni i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ndihmon të kuptojmë se si u ndie Njull K. Uitni dhe se çfarë mësoi ai lidhur me atë se nga kishte ardhur thirrja e tij:

Orson F. Uitni

“Mendimi i marrjes së kësaj përgjegjësie të rëndësishme (detyrës së peshkopit) ishte pothuaj më tepër nga sa ai mund të duronte. Megjithëse nga pikëpamja e dhuratave të lindura pak njerëz ishin më të kualifikuar për një pozicion të tillë, ai gjithsesi nuk i besonte aftësisë së tij dhe [ndihej] i paaftë për të kryer mirëbesimin e lartë dhe të shenjtë. Në pështjellimin e tij, ai i bëri thirrje Profetit:

‘Vëlla Jozef, nuk mund të shoh një peshkop te vetja ime; por nëse ju thoni se është vullneti i Zotit, unë do të përpiqem’.

‘Ju nuk duhet të bazoheni vetëm te fjala ime’; iu përgjigj me dashamirësi Profeti, ‘Shko dhe pyete vetë Atin.’

Njulli … vendosi të bënte ashtu siç e këshilloi [Profeti]. Lutja e tij e përulur dhe e ndier mori përgjigje. Në heshtjen e natës dhe në vetminë e dhomës së tij, ai dëgjoi një zë nga qielli: ‘Forca jote është në mua’. Fjalët ishin të pakta dhe të thjeshta, por ato ishin pafundësisht domethënëse. Dyshimet e tij u davaritën si vesa para agimit. Ai e kërkoi menjëherë Profetin, i tha se ishte i kënaqur dhe qe i gatshëm ta pranonte detyrën për të cilën qe thirrur” (në B. H. Roberts, A Comprehensive History of the Church, 1:271).

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni situatës vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përfytyroni sikur një mik apo një pjesëtar i familjes merr një thirrje për të shërbyer në Kishë dhe ndihet i mbingarkuar dhe i paaftë për ta përmbushur thirrjen. Bazuar në atë që keni mësuar te Doktrina e Besëlidhje 72 dhe në përvojën që pati Njull K. Uitni lidhur me thirrjen e tij, shkruani disa fjali me këshilla apo dëshmi që ju do të jepnit për ta ndihmuar këtë person të ndihej i sigurt për pranimin dhe përmbushjen e thirrjes.

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim gjithashtu rreth burimit të thirrjeve për të shërbyer në Kishë:

Presidenti Henri B. Ajring

“Për çdokënd, burrë ose grua, vajzë ose djalë, që është thirrur ose që ende do të thirret, ju jap këshillën time. Ka disa gjëra të cilat ju duhet t’i dini se janë të vërteta. …

Së pari, ju jeni thirrur nga Perëndia. Zoti ju njeh. Ai e di se kush duhet të shërbejë në çdo pozitë në Kishën e Tij. Ai ju zgjodhi juve. … Personat që u frymëzuan t’ju rekomandojnë për këtë thirrje, nuk e bënë sepse ju pëlqyen, ose ngaqë u nevojitej dikush për të bërë një detyrë të veçantë. Ata u lutën dhe ndien një përgjigje që ishit ju ai që duhej të thirreshit.

Personi që ju thirri nuk e dha thirrjen thjesht sepse kuptoi nga intervista se ju ishit të denjë dhe të gatshëm për të shërbyer. Ai u lut për të ditur vullnetin e Zotit për ju. Ishte lutja dhe zbulesa dhënë atyre që janë të autorizuar nga Zoti, që ju solli këtu” (“Rise to Your Call”, Ensign, nëntor 2002, f. 75–76).

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit se thirrjet për të shërbyer në Kishën e Zotit vijnë nga Perëndia, për t’i pranuar thirrjet tuaja dhe për t’u përpjekur me zell që t’i përmbushni ato?

Doktrina e Besëlidhje 72:9–26

Zoti shpjegon detyrat e një peshkopi

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e peshkopëve dhe të presidentëve të degëve të cilat ju vijnë ndërmend.

Te Doktrina e Besëlidhje 72:9–26, Zoti zbuloi disa nga detyrat e Peshkopit Njull K. Uitni. Detyrat që dha Zoti ishin kryesisht të lidhura me rolin e Peshkopit Uitni për ligjin e përkushtimit. Megjithatë, disa nga përgjegjësitë e peshkopëve dhe të presidentëve të degëve në Kishë sot, lidhen me këto detyra të peshkopëve të parë në Kishë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 72:10–12, duke kërkuar detyrat që Zoti i dha Peshkopit Uitni. Qarkoni cilëndo prej detyrave që ju renditët në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, që janë të ngjashme me ato të përshkruara në këto vargje.

Disa nga detyrat që Zoti e urdhëroi Peshkopin Uitni të përmbushte janë të ngjashme me përgjegjësitë që kërkohen nga peshkopët sot. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 72:16–18, duke kërkuar atë që Peshkopi Uitni duhej t’u jepte anëtarëve të Kishës që po shpërnguleshin për në Misuri.

Shenjtorët që po shpërnguleshin për në Misuri duhej t’i çonin një certifikatë Peshkopit Partrixh, peshkopit në Sion, për të vërtetuar se ishin të denjë për një trashëgimi në Sion. Në kohën tonë, rekomandimet e tempullit shërbejnë si një lloj “certifikate” që peshkopët dhe presidentët e degëve u japin anëtarëve të Kishës, për të vërtetuar denjësinë e tyre dhe që i lejon ata të hyjnë në tempujt e shenjtë.

Nga kjo zbulesë lidhur me detyrat e Peshkopit Uitni, ne mund të mësojmë se peshkopët dhe presidentët e degëve administrojnë çështjet materiale dhe shpirtërore të Kishës në lagjet dhe degët e tyre. (Fjala materiale i referohet gjërave që i përkasin jetës fizike, të tilla si veshje, ushqim, zotërime dhe para.)

Merrni në shqyrtim mënyrat se si është bekuar jeta juaj ngaqë Zoti e ka thirrur peshkopin apo presidentin tuaj të degës që t’ju shërbejë juve dhe familjes suaj.

Doktrina e Besëlidhje 73

Zoti e udhëzon Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin të vazhdojnë përkthimin e Biblës

Jozef Smithi duke përkthyer Biblën

Lexojeni hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 73 dhe kërkoni atë që Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni po bënin që nga fillimi i dhjetorit 1831.

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni kishin qenë duke predikuar që të ndihmonin për të luftuar keqinformimin rreth Kishës, e cila kishte ardhur si pasojë e botimit të letrave të Ezra Buthit. Te Doktrina e Besëlidhje 73:1–2, Zoti zbuloi se edhe pleqtë që kishin qenë duke predikuar, duhej të vazhdonin ta bënin këtë deri në konferencën e ardhshme. Kjo konferencë do të mbahej dy javë më vonë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 73:3–4, duke kërkuar se në cilën punë Zoti e kishte urdhëruar Jozefin dhe Sidnin të përqendroheshin në atë kohë. Kjo “vepër e përkthimit” në të cilën Jozefi dhe Sidni duhej të përqendroheshin sërish, ishte rishikimi i frymëzuar i Biblës. Shumë prej rishikimeve të frymëzuara të Profetit Jozef Smith gjenden aktualisht në poshtëshënimet (JST) kudo në Bibël dhe në një seksion në shtojcën e Biblës (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it (PJS) te botimi shdm i Biblës dhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Libri i Moisiut dhe Joseph Smith – Mateu te Perla me Vlerë të Madhe janë gjithashtu nga përkthimi i frymëzuar.

Doktrina e Besëlidhje 74

Zoti shpjegon kuptimin e 1 Korintasve 7:14

Përfytyroni sikur po shërbeni si një misionar kohëplotë i Kishës. Ndërsa flisni me një çift të martuar që po heton Kishën, ju mësoni se ata kishin një djalë që vdiq kur ishte vetëm disa muajsh. Çiftit iu tha nga udhëheqësi i tyre fetar se fëmija nuk ishte në gjendje të shkonte në qiell, sepse nuk ishte pagëzuar përpara se të vdiste. Prindërit ndjenë pikëllim të madh për shkak të humbjes së fëmijës dhe të bindjes së tyre se foshnja e kishte humbur shpëtimin e tij.

Çfarë do t’u thoshit këtyre prindërve? (Ju do të keni mundësi ta shkruani përgjigjen tuaj më vonë gjatë këtij mësimi.)

Doktrina e Besëlidhje 74 përmban shpjegimin e Zotit për 1 Korintasve 7:14. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 74, të cilat janë fjalët e Apostullit Pal nga 1 Korintasve 7:14. Fjala jobesimtarvargun 1 i referohet judenjve që nuk e kishin pranuar ungjillin e Jezu Krishtit. Pali nuk po thoshte se një person mund të shpëtohej nga drejtësia e bashkëshortit/es të/së saj/tij, por se kthimi në besim i njërit prej bashkëshortëve mund të sillte një ndikim shenjtërues në familje. Fraza “përndryshe fëmijët do të ishin të papastër” te 1 Korintasve 7:14 është përdorur për të justifikuar praktikën e pagëzimit të foshnjave.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 74:2–6, duke kërkuar problemet që ishin krijuar në kohën e Apostullit Pal, kur një bashkëshort/e në martesë kthehej në besim në ungjillin e Jezu Krishtit dhe tjetri ende zbatonte ligjin e Moisiut.

Shlyerja e Jezu Krishtit e përmbushi ligjin e Moisiut dhe rrethprerja nuk kërkohej më. Megjithatë, judenjtë që zbatonin ligjin e Moisiut, besonin se një fëmijë mashkull ishte i papastër nëse nuk rrethpritej, gjë e cila zakonisht kryhej kur fëmija ishte tetë ditësh. Te Doktrina e Besëlidhjet 74:2–6, Zoti shpjegoi se si këto bindje të gabuara rreth gjendjes shpirtërore të fëmijëve dhe praktika e rrethprerjes kishin shkaktuar probleme në familje, në të cilat një prind besonte në ungjillin e Jezu Krishtit dhe tjetri besonte në ligjin e Moisiut. Konflikte të ngjashme në bindjet e praktikat fetare mund të ndodhin sot në familje, në të cilat një bashkëshort/e është anëtar/e i/e Kishës dhe tjetri nuk është.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 74:7 dhe merrni parasysh të shenjoni doktrinën që Zoti dha mësim rreth fëmijëve të vegjël. Pastaj lexojeni Moronin 8:8–12. Përsiatni se si këto vargje gjejnë zbatim në situatën misionare të paraqitur më herët. Ju mund të doni ta shkruani Moronin 8:8–12 si një referencë kryq pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 74:7.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që do t’i mësonit çiftit të martuar, të cilët besojnë se foshnja e tyre e vdekur nuk është në gjendje të shkojë në qiell. Si do t’i ndihmonit ata të kuptojnë doktrinën e dhënë mësim në këto vargje që fëmijët e vegjël janë të shenjtë, duke qenë të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Plaku Shejn M. Bouen, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, tregoi një përvojë që pati kur ishte misionar i ri kohëplotë në Kili. Vini re ndikimin që të mësuarit e doktrinës së vërtetë se fëmijët e vegjël shenjtërohen përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, pati te gruaja që Plaku Bouen dhe shoku i tij po mësonin.

Plaku Shein M. Bouen

“Motra Ramirez përparoi shpejt me mësimet. Ajo qe plot dëshirë për të mësuar të gjithë doktrinën që ne i mësonim. Një mbrëmje, teksa po diskutonim për pagëzimin e foshnjave, ne i mësuam se fëmijët e vegjël janë të pafajshëm dhe nuk kanë nevojë të pagëzohen. Ne e ftuam që të lexonte te libri i Moronit: [Moroni 8:10–12]. …

Pasi e lexoi këtë shkrim të shenjtë, motra Ramirez filloi të qante me dënesë. Unë dhe shoku im i misionit u hutuam. Unë e pyeta: ‘Motra Ramirez, mos kemi thënë ose bërë diçka që ju ka fyer?’

Ajo tha: ‘Oh jo, Elder [Plak], ju nuk keni bërë asgjë të gabuar. Gjashtë vjet më parë linda një djalë. Ai vdiq përpara se të mund ta pagëzonim. Prifti ynë na tha se, meqë ai nuk ishte pagëzuar, ai, për gjithë përjetësinë, do të qëndronte në limbo [vendi ku shkojnë shpirtrat e të papagëzuarve pas vdekjes sipas fesë katolike]. Për gjashtë vjet e kam mbartur këtë dhimbje dhe faj. Pasi lexova këtë shkrim të shenjtë, e di me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se ai është i vërtetë. Kam ndier të më hiqet një barrë e rëndë nga vetja, dhe këta janë lot gëzimi.’ …

Pasi vuajti hidhërim e dhimbje thuajse të padurueshme për gjashtë vjet, doktrina e vërtetë, e zbuluar nga një Atë i dashur në Qiell nëpërmjet një profeti të gjallë, i solli të ëmblën paqe kësaj gruaje të munduar. Është e panevojshme të thuhet se motra Ramirez dhe fëmijët e saj që ishin tetë vjeç e sipër u pagëzuan” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 15–16).

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 72–74 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: