Njësia 11: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 45:16–75
Hyrje
Përgjatë historisë, shumë njerëz kanë pasur mendime të ndryshme rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Kjo ishte e vërtetë në mars të vitit 1831 kur u mor zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 45. Në këtë zbulesë Zoti dha hollësi rreth ngjarjeve dhe shenjave të caktuara, që shoqërohen me Ardhjen e Dytë të Tij, duke përfshirë ngritjen e Jerusalemit të Ri (ose Sionit). Zoti gjithashtu e drejtoi Profetin Jozef Smith që të fillonte punën për përkthimin e Dhiatës së Re, që t’i përgatiste shenjtorët për gjërat që do të vinin.
Doktrina e Besëlidhje 45:16–46
Shpëtimtari zbulon shumë shenja dhe ngjarje që do ta paraprijnë Ardhjen e Tij të Dytë
Si e dini se kur po afrohet një stuhi? Përse është e dobishme të dini se cilat janë ato shenja?
Ata që i dinë shenjat e një ngjarjeje që po afrohet, mund të përgatiten për të. Për cilat shenja jeni të vetëdijshëm që ju paralajmërojnë se ngjarjet vijuese janë këtu ose janë duke ardhur?
-
Ditët e fundit
-
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit
Siç tregohet te Doktrina e Besëlidhje 45:16, njerëzit gjatë shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri, sikurse ata gjatë kohës së Jozef Smithit dhe sot, interesoheshin të dinin më shumë rreth ngjarjeve që çonin drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Te Doktrina e Besëlidhje 45 Zoti përshkroi shenjat për të na paralajmëruar për këtë ngjarje që po afrohet. Shumë prej fragmenteve te Doktrina e Besëlidhje 45 janë ato që Zoti ua zbuloi dishepujve të Tij, të cilët jetuan me Të gjatë shërbesës së Tij të vdekshme (shih Mateu 24).
-
Për të përcaktuar shenjat që Shpëtimtari tha se do ta paraprinin Ardhjen e Tij të Dytë, shkruajini referencat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta; shkruajeni secilën referencë në një rresht të veçantë dhe lini ca hapësirë për t’i shkruar shenjat: DeB 45:18–21; DeB 45:22–27; DeB 45:28–31, 33; DeB 45:40–43. Më pas lexoni vargjet në secilën referencë, duke kërkuar shenja që e paraprijnë Ardhjen e Dytë dhe shënojini shenjat pranë referencës. Nëse zgjidhni ta bëni këtë, vizatoni një figurë të asaj që po lexoni në vend që t’i shkruani shenjat.
Disa nga shenjat e Ardhjes së Dytë kanë ndodhur tashmë. Për shembull, tempulli në Jerusalem u shkatërrua nga romakët në vitin 70 ps.K. (shih DeB 45:18–21). Fraza “kohët e Johebrenjve” te Doktrina e Besëlidhje 45:25 i drejtohet kohës kur ungjilli u ofrohet fillimisht johebrenjve, ose atyre që nuk janë të prejardhjes judease, që është koha në të cilën ne jetojmë sot.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:34 duke kërkuar mënyrën se si u ndien dishepujt gjatë shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri, kur Ai ua tha atyre këto gjëra. Si mendoni, përse njerëzit sot mund të kenë ndjenja të ngjashme lidhur me shenjat e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:38 duke kërkuar atë që do të dimë kur t’i shohim shenjat që po vijnë për të ndodhur.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:32, 39. Teksa i studioni këto vargje, përcaktoni atë që pasuesit e Jezu Krishtit në kohën tonë do të bëjnë për të qenë gati për Ardhjen e Tij të Dytë. Shihni vargun 39, poshtëshënimin a për të mësuar një kuptim tjetër për fjalën “frikë”.
Nisur nga ajo që keni studiuar, cili është premtimi i Zotit për ata që qëndrojnë në vende të shenjta dhe e nderojnë Atë? Plotësojeni këtë parim: Nëse qëndrojmë në vende të shenjta dhe vigjilojmë për shenjat, ne do të .
Shpesh ne mendojmë për “vende të shenjta” si për vende të Kishës, të tilla si tempujt ose shtëpitë e mbledhjeve. Teksa lexoni thënien vijuese, kërkoni një mënyrë tjetër se si ne qëndrojmë në vendet e shenjta:
“‘Vendet e shenjta’ mund të kenë të bëjnë më shumë me mënyrën se si dikush jeton, sesa me vendin se ku jeton. Nëse jetojmë të denjë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, atëherë ne qëndrojmë në një vend të shenjtë. …
Një vend i shenjtë është një vend ku një njeri gëzon Shpirtin e Perëndisë” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të. [Church Educational System manual, 2001], f. 196).
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mund të jetojmë në botë sot dhe madje përsëri të qëndrojmë në vende të shenjta?
-
Në çfarë mënyre një pasues i Jezu Krishtit, mbi baza të përditshme, e ka frikë Atë, ose e nderon Atë? Përshkruani një njeri që e dini se e bën këtë gjë.
-
Doktrina e Besëlidhje 45:47–59
Shpëtimtari zbulon shenja dhe mrekulli që do të jenë të pranishme në shfaqjen e Tij te judenjtë
Kur Jezu Krishti të kthehet, Ai do të bëjë disa shfaqje te grupe të veçanta. Ai më pas do të shfaqet në fuqi, madhështi e lavdi të madhe, në një mënyrë të tillë që e gjithë bota do ta shohë Atë. Gjatë një prej shfaqjeve të Tij, Ai do të qëndrojë në Malin e Ullinjve në Jerusalem, ndërkohë që judenjtë po sulmohen. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:48 duke kërkuar se çfarë do t’i ndodhë këtij mali dhe tokës kur Shpëtimtari të qëndrojë mbi të.
Plotësojeni tabelën vijuese duke lexuar vargjet dhe duke iu përgjigjur pyetjeve me fjalët tuaja:
DeB 45:49–50: Çfarë do t’u ndodhë kombeve të tokës në Ardhjen e Dytë? |
DeB 45:51–53: Përse do të vajtojnë judenjtë kur Zoti të kthehet? |
---|---|
Nëse nuk e dini shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, lexoni Mateun 25:1–13. Në ç’mënyra ishin pesë prej virgjëreshave të mençura? Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:56–57 duke kërkuar mënyrën se si të jeni të mençur në përgatitjen tuaj për Ardhjen e Dytë. Merrni parasysh të shenjoni atë që gjeni.
Shkruani një parim “Nëse–Atëherë” duke shpjeguar atë që duhet të bëjmë për të qenë të mençur dhe për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë:
Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth kësaj shëmbëlltyre dhe asaj që përfaqësojnë dhjetë virgjëreshat: “Aritmetika e kësaj shëmbëlltyre është drithëruese. Dhjetë virgjëreshat në mënyrë të qartë përfaqësojnë anëtarët e Kishës së Krishtit, sepse të gjitha u ftuan në festën e dasmës dhe të gjitha e dinin se çfarë po u kërkohej për t’u pranuar kur të vinte dhëndri. Por vetëm gjysma ishin gati kur ai erdhi” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 8).
Presidenti Spenser W. Kimball e përdori shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave për të na mësuar rreth mënyrës se si mund të jemi të gatshëm për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit:
“Unë besoj se Dhjetë Virgjëreshat përfaqësojnë njerëzit e Kishës së Jezu Krishtit dhe jo rangjet e klasat e botës. Të gjitha virgjëreshat, të mençura dhe budallaçka, e kishin pranuar ftesën për në darkën e dasmës; ato kishin njohuri për programin dhe ishin paralajmëruar për ditën e rëndësishme që do të vinte. …
Në mesnatë! Pikërisht në orën më të errët, kur pritej më pak, dhëndri erdhi. Kur bota është plot me mundime dhe nevojitet ndihmë, por duket se koha ka kaluar tashmë dhe shpresa është e kotë, atëherë Krishti do të vijë. Mesnatat e jetës janë kohët kur qielli vjen për të ofruar gëzimin e tij për lodhjen e njeriut. Por kur thirrja dëgjohet, nuk ka kohë për përgatitje. …
Budallaçkat u kërkuan të tjerave ta ndanin vajin e tyre, por përgatitja shpirtërore nuk mund të ndahet në një çast. Të mençurat duhej të shkonin, përndryshe dhëndri do të kishte shkuar i pamirëpritur. Atyre iu nevojitej i gjithë vaji për veten e tyre; ato nuk mund t’i shpëtonin budallaçkat. Përgjegjësia ishte secila për veten e vet.
Kjo nuk ishte egoizëm apo mosmirësi. Lloji i vajit që nevojitet për ta ndriçuar udhën dhe për t’i bërë dritë errësirës, nuk është i ndashëm. Si mund të ndajë dikush bindjen ndaj parimit të së dhjetës; një mendje në paqe nga të jetuarit e drejtë; një grumbullim të diturisë? Si mund ta ndajë dikush besimin ose dëshminë? Si mund të ndajë dikush sjelljen ose dëlirësinë, apo përvojën e një misioni? Si mund t’i ndajë dikush privilegjet e tempullit? Secili duhet ta fitojë atë lloj vaji për veten e tij.
Virgjëreshat budallaçka nuk ishin kundërshtuese ndaj blerjes së vajit. Ato e dinin se duhej të kishin vaj. Ato thjesht e shtynë, duke mos e ditur kur do të vinte dhëndri.
Në shëmbëlltyrë, vaji mund të blihet në treg. Në jetën tonë, vaji i përgatitjes grumbullohet pikë pas pike nëpërmjet të jetuarit të drejtë. Pjesëmarrja në mbledhjet e sakramentit iu shton vaj llambave tona, pikë pas pike, përgjatë viteve. Agjërimi, lutja familjare, mësimi i shtëpisë, kontrolli i orekseve trupore, predikimi i ungjillit, studimi i shkrimeve të shenjta – çdo vepër përkushtimi dhe bindjeje është një pikë e shtuar në rezervën tonë. Veprat e mirësisë, pagimi i ofertave dhe i të dhjetave, mendimet dhe veprimet e dëlira, martesa në besëlidhje për përjetësi – këto, gjithashtu, kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme te vaji me të cilin ne mund t’i rimbushim në mesnatë llambat tona të shteruara” (Faith Precedes the Miracle [1972], f. 253–256).
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si po përgatiteni për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit duke e pranuar të vërtetën dhe duke e marrë Shpirtin e Shenjtë si udhërrëfyesin tuaj?
Shpjegoni se Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për rëndësinë e të pasurit të Shpirtit në kohë të trazuara:
“Ne jetojmë në kohë të trazuara – kohë shumë të trazuara. Ne shpresojmë, ne lutemi, për ditë më të mira. Por ajo nuk ndodh. Profecitë na e thonë atë. Ne nuk do të përjashtohemi nga sprovat që do të vijnë as si një popull, as si familje apo si individë. …
Nuk është e nevojshme të jetojmë me frikën e së ardhmes. Ne kemi çdo arsye që të gëzohemi dhe pak arsye që të frikësohemi. Nëse i ndjekim nxitjet e Shpirtit, ne do të jemi të sigurt, çfarëdo që të përmbajë e ardhmja. Do të na tregohet se çfarë të bëjmë” (“The Cloven Tongues of Fire”, Ensign, maj 2000, f. 8).
Doktrina e Besëlidhje 45:60–61
Zoti e udhëzon Profetin Jozef Smith që të fillojë përkthimin e tij për Dhiatën e Re
Lexoni ose citoni Nenin e tetë të Besimit. Çfarë sugjeron rreth Biblës fraza “për aq sa ajo përkthehet me saktësi”? Jozef Smithi iu kthye fragmenteve në Bibël kur ai kërkoi të dinte se me cilën kishë të bashkohej. Ai e donte Biblën dhe gjeti ngushëllim të madh nga fjalët e saj. Megjithatë, teksa e studionte atë, ai vuri re gabime e kundërshtime dhe ndjeu se një pjesë e informacionit mungonte ose ishte e paplotë, dhe ai shpjegoi: “Ishte e dukshme se shumë pika të rëndësishme që preknin shpëtimin e njeriut, ishin hequr nga Bibla ose kishin humbur përpara se të hartohej ajo” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 229; shih edhe Bible Dictionary, “Bible”).
Ai gjithashtu tha: “Unë e besoj Biblën siç lexonte kur erdhi nga pena e shkruesve të parë. Përkthyes të paditur, kopjues të pakujdesshëm, apo priftërinj mashtrues dhe të korruptuar kanë kryer shumë gabime” (Mësimet: Jozef Smithi, f. 217; shih edhe 1 Nefi 13:25–29).
Pranë vjeshtës së vitit 1830, Zoti e urdhëroi Profetin Jozef Smith që të përkthente Biblën. Ky “përkthim” nuk ishte nga një gjuhë në një tjetër, as nuk kishte Profeti një dorëshkrim biblik origjinal nga i cili të punonte. Në vend të kësaj, ai do të lexonte e studionte fragmente nga varianti i Mbretit Xhejms të Biblës dhe do të bënte korrigjime e shtesa siç frymëzohej nga Shpirti. Me rishikimet e tij të frymëzuara, Përkthimi prej Joseph Smith-it (PJS) e ka bekuar botën duke qartësuar përmbajtje doktrinore në Bibël, veçanërisht lidhur me misionin e Jezu Krishtit dhe natyrën e Perëndisë.
Kur zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 45 u dha më 7 mars 1831, Jozef Smithi po punonte për rishikimin e tij të frymëzuar të Dhiatës së Vjetër. Ditën pasi Jozefi e mori këtë zbulesë, ai filloi të përkthente Dhiatën e Re. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:60–61 për të zbuluar përse.
Doktrina e Besëlidhje 45:62–64
Shenjtorët paralajmërohen për t’u mbledhur në shtetet perëndimore
Zoti i drejtoi shenjtorët e hershëm që të lëviznin drejt perëndimit, “nga tokat e lindjes” (DeB 45:64). Shikoni hartën vijuese për ta përfytyruar këtë zonë.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:62–64 për të përcaktuar një arsye përse Zoti i urdhëroi shenjtorët e Tij që të mblidheshin drejt “shtete[ve] perëndimore” (DeB 45:64).
Çfarë tha Zoti se ishte “madje … në dyert tuaja” (DeB 45:63)?
Përsiatni se çfarë mendoni që do të thotë shprehja figurative “madje … në dyert tuaja”.
Në vitin 1831 kufiri perëndimor i Shteteve të Bashkuara shtrihej deri në anën perëndimore të Misurit. Zoti më vonë do t’i udhëhiqte shenjtorët madje drejt perëndimit edhe më larg – drejt një vendi të njohur si Juta. Ndërsa shenjtorët iu bindën këshillës së Zotit, ata u udhëhoqën larg prej fatkeqësive që u lidhën me Luftën Civile në Amerikë (1861–1865).
Doktrina e Besëlidhje 45:65–75
Zoti përshkruan Jerusalemin e Ri (Sionin)
Nëse do të mund të jetonit në çfarëdo vendi, ku do të donit të jetonit? Përse?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:65–67 duke kërkuar emrin e tokës së trashëgimit të shenjtorëve dhe arsyet përse do të ishte për ta një vend i dëshirueshëm për të jetuar.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni arsyet përse Jerusalemi i Ri do të ishte një vend ku do t’ju pëlqente të jetonit.
Këto vargje na mësojnë se Jerusalemi i Ri do të jetë një vend paqeje e sigurie dhe lavdia e Zotit do të jetë atje. Te Doktrina e Besëlidhje 45:67, vini re atë që do të jetë atje përveç lavdisë së Zotit. Çfarë tha Zoti se ishte një rrjedhojë e pasjes edhe të “tmerri[t të] Zotit” të pranishëm atje?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 45:68–71 duke kërkuar se cilët do të mblidhen në Jerusalemin e Ri (Sionin).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta mbarojeni këtë thënie: Për shkak të asaj që kam mësuar sot, unë do të përgatitem për gjërat që do të vijnë duke …
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 45:16–75 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: