Seminari
Njësia 22: Dita 1, Doktrina e Besëlidhje 101:43–101; 102


Njësia 22: Dita 1

Doktrina e Besëlidhje 101:43–101102

Hyrje

Më 16 dhe 17 dhjetor 1833, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë lidhur me shenjtorët në Misuri, të cilët i kishin lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes. Shumë prej atyre shenjtorëve ishin detyruar që t’i linin prapa të gjitha zotërimet e tyre. Zbulesa që mori Profeti, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 101, shqyrtohet në tri mësime. Ky mësim i tretë përfshin shëmbëlltyrën e Zotit për fisnikun dhe pemët e ullirit, duke dhënë mësim vullnetin e Tij lidhur me shëlbimin e Sionit. Ai gjithashtu përfshin këshillat e Zotit që shenjtorët të vazhdonin të mblidheshin së bashku dhe të kërkonin drejtësi për ata që kishin kryer krime kundër tyre.

Doktrina e Besëlidhje 101:43–62

Zoti jep shëmbëlltyrën e fisnikut dhe të pemëve të ullirit

Një shëmbëlltyrë është “një tregim i thjeshtë i përdorur për të ilustruar dhe mësuar një të vërtetë ose parim shpirtëror. Një shëmbëlltyrë bazohet në krahasimin e një objekti ose ngjarjeje të zakonshme me një të vërtetë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”,scriptures.lds.org). Ju ndoshta i kujtoni shëmbëlltyrat që dha mësim Shpëtimtari gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri – shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave e të tjera.

Në mësimin e sotëm, ju do të studioni shëmbëlltyrën e fisnikut dhe të pemëve të ullirit, një shëmbëlltyrë që Shpëtimtari e dha mësim nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Plaku Dallin H. Ouks

Ndërsa e studioni këtë shëmbëlltyrë, merrni parasysh thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Shëmbëlltyrat e [Shpëtimtarit] kishin kuptime apo zbatueshmëri të shumëfishta, sipas pjekurisë shpirtërore të dëgjuesit. Ato kishin një mesazh si për fëmijët edhe për studiuesit e ungjillit” (“Scripture Reading and Revelation”, Ensign, janar 1995, f. 8). Kërkoni për kuptime dhe zbatime të shumëfishta në këtë shëmbëlltyrë (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”).

Zoti e dha shëmbëlltyrën e fisnikut dhe të pemëve të ullirit që ta ndihmonte popullin e Tij të kuptonte “vullnetin [e Tij] lidhur me shëlbimin e Sionit” (DeB 101:43). Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:44–45, duke kërkuar atë që fisniku në shëmbëlltyrë i udhëzoi shërbëtorët e tij të bënin.

pemë ulliri

Përse fisniku i donte rojet në vresht? Përse ai donte një roje në kullë?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:46–50 dhe përcaktoni se sa mirë i ndoqën shërbëtorët e fisnikut këshillat e tij. (Ndërsa e lexoni vargun 50, mund të jetë e dobishme të dini se fraza “nuk binin dakord me njëri-tjetrin” do të thotë se shërbëtorët kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin ose ishin në konflikt me njëri-tjetrin.)

Përse shenjtorët dështuan në ndërtimin e kullës?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:51, duke kërkuar atë që ndodhi për shkak se shërbëtorët nuk e ndërtuan kullën.

Lexojini fjalët e fisnikut për shërbëtorët e tij, te Doktrina e Besëlidhje 101:52–54. Sipas vargut 54, përse fisniku u mërzit që shërbëtorët e tij nuk e kishin ndërtuar një kullë?

Në ç’mënyrë lidhen ngjarjet e përshkruara në këtë shëmbëlltyrë me atë që u ndodhi shenjtorëve në Misuri?

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mund të lidhet kulla në shëmbëlltyrë me tempullin që shenjtorët nuk arritën ta ndërtonin në kontenë Xhekson të Misurit?

  2. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Cilat janë disa parime në këtë shëmbëlltyrë që gjejnë zbatim në jetën tuaj? (Ndërsa i përgjigjeni kësaj pyetjeje, merrni parasysh doktrinat dhe parimet vijuese: Kur i bindemi urdhërimeve të Zotit, ne forcohemi për t’u bërë ballë armiqve shpirtërorë dhe fizikë. Profetët shërbejnë si roje mbi kullë, duke na paralajmëruar për rreziqet e ardhshme. Nëpërmjet punës në tempull, ne përgatitemi për t’i bërë ballë kundërshtarit.)

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:55, në të cilën fisniku në shëmbëlltyrë i jep udhëzime njërit prej shërbëtorëve. Pastaj lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 103:21. Kë përfaqëson ky shërbëtor në shëmbëlltyrë?

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:56–62, duke kërkuar atë që fisniku e urdhëroi shërbëtorin të bënte për shkak se armiku kishte shkatërruar pjesë të vreshtit. Jozef Smithi e ndoqi udhëzimin në këtë shëmbëlltyrë. Ai organizoi një grup të quajtur Kampi i Sionit për të shëlbuar tokën e Sionit. Ata mbërritën në Misuri gjashtë muaj pasi u dha kjo shëmbëlltyrë. Ju do të mësoni më shumë rreth Kampit të Sionit kur të studioni Doktrinën e Besëlidhjet 103 dhe 105.

Doktrina e Besëlidhje 101:63–75

Zoti i këshillon shenjtorët të vazhdojnë punën e mbledhjes

Edhe pse shenjtorët ishin përzënë nga konteja Xhekson në Misuri, Zoti i urdhëroi ata që të vazhdonin ta ndërtonin mbretërinë e Tij. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:63–64, duke kërkuar atë të cilën Zoti premtoi se do të vazhdonte ta bënte.

shoshitja e grurit

Në këtë zbulesë, Zoti iu referua shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrës, në të cilën Ai përshkroi mbledhjen e popullit të Tij (shih edhe Mateu 13:24–30, 36–43). Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:65–66 dhe gjeni elementët vijues të shëmbëlltyrës: hambarin, grurin dhe egjrën.

Në kohët e lashta, hambarët ishin vende ku gruri mblidhej dhe ruhej për siguri. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një kuptim simbolik të fjalës hambarë në këtë shëmbëlltyrë. Ai tha: “Hambarët janë tempujt e shenjtë” (“Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 97). Egjra është një bar që duket si grurë kur është e njomë.

Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni këtë shëmbëlltyrë, ju mund të doni t’i shkruani interpretimet vijuese në shkrimet tuaja të shenjta: hambarët = tempujt e shenjtë; gruri = të drejtët; egjra = të ligjtë.

Në shëmbëlltyrë, gruri mblidhet në hambarë. Në çfarë mënyrash mblidhemi ne në tempuj?

Plotësojini vendet bosh për të shprehur një parim që jep mësim kjo shëmbëlltyrë: Ndërsa mblidhemi në , ne marrim mbrojtje dhe e përgatitim veten tonë për .

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si ju japin mbrojtje dhe ju përgatitin për jetën e përjetshme ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit?

Te Doktrina e Besëlidhje 101:67–75 ne lexojmë që edhe pse shenjtorët ishin dëbuar me forcë jashtë kontesë Xhekson në Misuri, Zoti i këshilloi ata që të vazhdonin të blinin prona atje.

Doktrina e Besëlidhje 101:76–101

Zoti i këshillon shenjtorët që të vazhdojnë të kërkojnë një mënyrë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Misuri

Përveç udhëzimit që shenjtorët të blinin prona, Zoti u tha atyre që të “kërko[nin] dëmshpërblim” për shkak të veprimeve të atyre që i kishin përndjekur (shih DeB 101:76). Me fjalë të tjera, Ai u tha atyre të kërkonin drejtësi nëpërmjet sistemit ligjor të qeverisë. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:76–80 dhe përcaktoni sistemin e ligjeve që do t’i lejonte shenjtorët të kërkonin ndihmë nga udhëheqësit e qeverisë.

Sipas këtyre vargjeve, përse Zoti do që të ruhet Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara?

  1. ikona e ditaritTe Doktrina e Besëlidhje 101:78, vini re frazat “lirinë morale të zgjedhjes” dhe “i përgjegjshëm për mëkatet e veta”. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    1. Përse është përgjegjshmëria – përgjegjësia për veprimet tona – një pjesë e rëndësishme e lirisë për të zgjedhur?

    2. Çfarë do t’i thoshit dikujt që thotë: “Jam i lirë të bëj atë që dua”?

Plotësoni doktrinën vijuese: Perëndia na ka dhënë lirinë e zgjedhjes, fuqinë për të zgjedhur, por ne jemi për zgjedhjet tona.

Zoti përdori një shëmbëlltyrë të tretë për t’i nxitur shenjtorët që të kërkonin ndihmë nga udhëheqësit e tyre të qeverisë. Ajo gjendet te Doktrina e Besëlidhje 101:81–84. (Një variant tjetër i kësaj shëmbëlltyre gjendet te Lluka 18:1–8.) Ndërsa e lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 101:81–84, mendoni për mënyrën se si u zbatua shëmbëlltyra për shenjtorët në Misuri. Ashtu siç shpaloset shëmbëlltyra në këtë zbulesë, e veja përfaqëson anëtarët e Kishës. Gjykatësi mund të përfaqësojë udhëheqësit e qeverisë, të cilëve shenjtorët do t’u kërkonin ndihmë.

Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:85–88, për të parë mënyrën se si e zbatoi Shpëtimtari këtë shëmbëlltyrë për shenjtorët që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Shenjtorët e ndoqën këshillën e Zotit. Ata i kërkuan Daniel Danklinit, guvernatorit të Misurit, që të siguronte mbrojtje ushtarake kur ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ai nuk pranoi, duke thënë se ligji nuk e autorizonte ta bënte një gjë të tillë. Ata gjithashtu i kërkuan Endrju Xheksonit, Presidentit të Shteteve të Bashkuara, që t’u rikthente atyre shtëpitë dhe zotërimet e të siguronte mbrojtjen e tyre, por ai nuk i ndihmoi ata. Në atë kohë, zyrtarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara mendonin se me çështje të tilla duhej të merreshin qeveritë e shteteve. Shenjtorët i bënë një kërkesë edhe organit ligjvënës të Misurit, por edhe ata politikanë nuk pranuan t’i ndihmonin.

Hidhini një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 101:89–91, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth mënyrës se si do të mbaheshin përgjegjës udhëheqësit e qeverisë nëse nuk pranonin t’i ndihmonin shenjtorët. Më pas lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 101:92–95, duke kërkuar atë që Zoti u tha shenjtorëve të bënin për udhëheqësit e tyre të qeverisë.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Çfarë ju mëson Doktrina e Besëlidhje 101:92 rreth Zotit?

Ndërsa i këqyrni këto vargje dhe shkruani rreth vargut 92, gjeni kohën për të përsiatur mbi dashurinë dhe mëshirën e Zotit. Vini re se Ai nuk dëshiron që t’i ndëshkojë njerëzit. Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të pendohen, që Ai të mund të jetë i mëshirshëm me ta.

Te Doktrina e Besëlidhje 101:96–101, ne lexojmë këshillën e Zotit që shenjtorët t’i mbanin pronat e tyre në kontenë Xhekson, edhe pse ata nuk lejoheshin të jetonin atje. Këto vargje përfshijnë gjithashtu një premtim nga Zoti që, nëse shenjtorët do të jetonin denjësisht, një ditë ata do të ishin në gjendje të jetonin atje.

Doktrina e Besëlidhje 102

Zoti e udhëzon këshillin e lartë për procedurën e zgjidhjes së çështjeve të vështira

Doktrina e Besëlidhje 102 përmban udhëzimin e Zotit për mënyrën se si presidentët e kunjit, të ndihmuar nga këshilltarët e tyre dhe anëtarët e këshillit të lartë, duhet t’i drejtojnë këshillat disiplinorë për njerëzit që kanë kryer mëkate të rënda. “Qëllimet e këshillave disiplinorë janë për 1) shpëtimin e shpirtrave të shkelësve, 2) mbrojtjen e të pafajshmit dhe 3) ruajtjen e pastërtisë, paprekshmërisë dhe emrit të mirë të Kishës” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 68). Zoti ia zbulon vullnetin e Tij atyre që kryesojnë mbi këshillat disiplinorë.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:

    Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 101:43–101; 102 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: