Njësia 1: Dita 1
Plani i Shpëtimit
Hyrje
A e keni pyetur ndonjëherë veten përse Perëndia na ka urdhëruar t’i bëjmë disa gjëra dhe të mos i bëjmë gjëra të tjera? Një përmbledhje e planit të Atit Qiellor për shpëtimin tonë, nganjëherë i quajtur plani i lumturisë, mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë qëllimin e urdhërimeve të Tij. Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Një dituri e planit të lumturisë, qoftë edhe në formë përvijimi, mund t’iu japë mendjeve të reja një ‘përse’” (“The Great Plan of Happiness” [fjalim drejtuar mësuesve fetarë të SAK-ut, 10 gusht 1993], f. 3, si.lds.org).
Ky mësim jep një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit. Ai përqendrohet te Shlyerja e Jezu Krishtit, që është, sikurse na mësoi Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “fakti qendror, themeli i rëndësishëm dhe doktrina kryesore e planit të madh dhe të përjetshëm të shpëtimit” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 8).
Plani i Atit Qiellor për Lumturinë Tonë
Perëndia ia zbuloi qëllimin e planit të Tij të shpëtimit Moisiut, ndërkohë që folën ballë për ballë në një mal. Lexoni Moisiun 1:39 dhe kërkoni atë që Perëndia tha se është qëllimi i Tij.
A e dini ndryshimin midis “pavdekësi[së]” dhe “jetë[s së] përjetshme”? Pavdekësia është të jetuarit përgjithmonë në një gjendje të ringjallur. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë ata që vijnë në tokë për të marrë një trup fizik, do ta marrin këtë dhuratë. Jeta e përjetshme ose ekzaltimi, është të jetuarit përgjithmonë si familje në praninë e Perëndisë. Kjo dhuratë gjithashtu mundësohet nëpërmjet Shlyerjes, por vetëm për ata që kualifikohen.
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:“Sikurse përdoret në shkrimet e shenjta, jeta e përjetshme është emri i dhënë llojit të jetës që jeton Ati ynë i Amshuar. … Jeta e Perëndisë është jeta e përjetshme; jeta e përjetshme është jeta e Perëndisë – shprehjet janë sinonime” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 237).
Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Pavdekësia ka të bëjë me sasinë. Jeta e përjetshme është rreth cilësisë. …
Jeta e përjetshme është pika kulmore e ekzistencës. Si fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, ju dhe unë jemi trashëgimtarë të këtij fati të paçmuar, përfitues të një të ardhmeje të lavdishme, marrës të hirit.
Nëse pavdekësia është vepra e Perëndisë, atëherë jeta e përjetshme është lavdia e Perëndisë” (“What Is the Difference between Immortality and Eternal Life?” New Era, shkurt 2006, f. 8).
Jeta e përjetshme është të jetuarit në prani të Perëndisë, bërja si Ai në trup e karakter dhe marrja e gjithçkaje që Ai ka, duke përfshirë të pasurin e një familjeje të përjetshme.
Prej asaj që keni mësuar nga Moisiu 1:39, plotësoni thënien doktrinore që vijon lidhur me planin e Atit Qiellor: Qëllimi i planit të Atit Qiellor është që ne të marrim .
Në jetën tonë paratokësore ne jetuam si shpirtra në praninë e Atit tonë Qiellor. Atje ne mësuam rreth planit të Tij për lumturinë tonë dhe mënyrën se si ndjekja e atij plani do të na ndihmonte për t’i përmbushur qëllimet e Tij për ne. (Shih DeB 138:55–56; Abrahami 3:22–28.)
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Siç e kuptoni ju, si ishim ne të ndryshëm nga Ati ynë Qiellor në jetën paratokësore?
-
Çfarë na paraqiti dhe vuri në veprim Ati Qiellor që të na ndihmojë të bëhemi si Ai?
-
-
Plani i Atit tonë Qiellor na kërkon që të largohemi nga prania e Tij dhe të përjetojmë jetën në tokë. Jeta jonë në tokë shpesh quhet vdekshmëri. Përsiatni për një çast arsyen përse ne kishim nevojë të largoheshim nga prania e Perëndisë dhe mënyrën se si vdekshmëria na ndihmon të rritemi dhe të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor. Shkruajini mendimet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Lidhur me jetën tonë të vdekshme në tokë, Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Perëndia na ka dhënë një plan. Ai na ka dërguar të gjithëve në tokë për të marrë trupa dhe për të fituar përvojë e rritje” (The Teachings of Spencer W. Kimball, bot. Edward L. Kimball [1982], f. 25; theksimi i shtuar). Si mund të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Ati Qiellor marrja e një trupi fizik dhe të fituarit e përvojës këtu në tokë? Çfarë roli kanë në përpjekjet tona për të marrë jetë të përjetshme dhe për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor sfida të tilla si tundimi, sëmundja, pikëllimi, dhembja, shkurajimi, paaftësia trupore dhe vështirësi të tjera në vdekshmëri?
Një pengesë e madhe që hasim në vdekshmëri është mëkati. Mëkati na parandalon që të bëhemi si Ati ynë Qiellor dhe që të kthehemi të jetojmë me Të (shih DeB 20:18–20; Moisiu 6:57). Jo vetëm që mëkati na bën të papastër, por të mëkatosh është gjithashtu në kundërshtim me natyrën e Perëndisë – ne nuk mund të vazhdojmë të mëkatojmë dhe akoma të arrijmë qëllimin tonë të bërjes si Ati Qiellor (shih Alma 41:10–11).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 76:40–42 dhe shenjoni mënyrën që na e dha Ati Qiellor për mposhtjen e mëkatit.
E vërteta që Jezu Krishti vuajti dhe u kryqëzua për mëkatet e të gjithë njerëzve, është doktrina qendrore në planin e Atit Qiellor për ne dhe mund t’iu japë shpresë të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Harxhoni një çast për të menduar rreth domethënies që ka për ju flijimi i Shpëtimtarit.
Duke e paguar gjobën për mëkatet tona, Jezu Krishti, megjithatë, nuk e përjashtoi përgjegjësinë tonë vetjake. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 18:22–23; 25:13, 15 dhe kërkoni atë që na kërkohet me qëllim që të marrim fuqinë pastruese të Shlyerjes dhe të kthehemi për të jetuar në praninë e Atit Qiellor. Mund të dëshironi ta shenjoni atë që gjeni.
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 18:22–23; 25:13, 15, çfarë duhet të bëjmë që të vijmë te Jezu Krishti dhe të marrim bekimet e sakrificës së Tij shlyese? Shkruajeni përgjigjen tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Nëse jemi të bindur ndaj parimeve dhe ordinancave të ungjillit, ne mund ta mposhtim mëkatin nëpërmjet hirit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Moroni 10:32–33). Për shkak të Shlyerjes, ndërkohë që e mbajmë besëlidhjen që bëmë në pagëzim, ne mund të pendohemi dhe të falemi për mëkatet tona dhe të marrim udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të na drejtuar përgjatë shtegut drejt jetës së përjetshme.
Përveç mëkatit, ka një pengesë tjetër që duhet ta mposhtim me qëllim që të marrim jetë të përjetshme. Lexoni Almën 12:24 dhe përcaktoni pengesën.
Shpjegoni se kur vdesim, shpirtrat tanë dhe trupat tanë ndahen. Nëse shpirtrat dhe trupat tanë do të ndaheshin përgjithmonë, do të ishte e pamundur që të bëhemi si Perëndia. Ne nuk mund të jemi si Ati Qiellor pa një trup prej mishi dhe kockash (shih DeB 93:33–34; 130:22).
Lexoni Almën 11:42–45 dhe përcaktoni mënyrën se si mposhtet ndarja e shpirtrave dhe trupave tanë që ndodh kur vdesim.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Përse ishte një lajm i gëzuar për këdo Ringjallja e Jezu Krishtit?
-
Si ju sjell gëzim shpresa e Ringjalljes?
-
Siç e lexuat më parë, vdekshmëria është një dhuratë e Shlyerjes së Jezu Krishtit që të gjithë njerëzit do ta marrin, pavarësisht nëse bëjnë mirë apo keq gjatë vdekshmërisë (shih Alma 11:42–45; DeB 138:14–17). Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, gjithë njerëzimi do të ringjallet dhe do të jetojë përgjithmonë. Megjithatë, jeta e përjetshme është dhurata e Perëndisë vetëm për ata që u binden ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij (shih DeB 14:7).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përmblidhni atë që keni mësuar rreth planit të Atit Qiellor për lumturinë tonë. Gjeni një kohë që t’ia mësoni atë që keni mësuar rreth planit të Atit Qiellor për shpëtimin tonë, një pjesëtari të familjes ose një shoku ballë për ballë. Ju mund të vizatoni skicën shoqëruese teksa e shpjegoni atë. Jini të përgatitur që t’ia tregoni përvojën tuaj mësuesit tuaj.
Ky mësim ka paraqitur vetëm një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit. Në studimin tuaj të Doktrinës e Besëlidhjeve këtë vit, ju do të mësoni shumë më tepër të vërteta lidhur me planin e shpëtimit. Teksa mësoni më shumë rreth planit, vëzhgoni atë që Perëndia ka bërë për ju dhe jini të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit rreth asaj që keni nevojë për të bërë që të merrni bekimet e plota që i ofron Ati Qiellor.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar mësimin “Plani i Shpëtimit” dhe e përfundova më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: