Njësia 22: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 103
Hyrje
Në një mbledhje të këshillit të lartë të Kirtlandit më 24 shkurt 1834, Parli P. Prat dhe Liman Uajti kërkuan udhëzim nga këshilli lidhur me mënyrën se si shenjtorët në Misuri mund të merrnin ndihmë materiale dhe të rifitonin zotërimin e tokave të tyre në kontenë Xhekson. Po në të njëjtën ditë, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 103, në të cilën Zoti premtoi se toka e Sionit do të shëlbehej. Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që të mblidhnin burime materiale dhe rekrutë për t’i ndihmuar shenjtorët në Misuri. Ky grup u bë i njohur si Kampi i Sionit.
Doktrina e Besëlidhje 103:1–21
Zoti premton se Sioni do të shëlbehet
Çfarë armiqsh kanë të drejtët sot?
Mendoni për mënyrën se si armiqtë e Zotit po kërkojnë ta pengojnë përparimin tuaj shpirtëror dhe përparimin e Kishës. Ndërsa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 103, kërkoni doktrina dhe parime që do t’ju ndihmojnë të mposhtni armiq të tillë.
Siç shpjegohet në hyrjen e këtij mësimi, Zoti i dha një zbulesë Profetit Jozef Smith në përgjigje të pyetjeve rreth mënyrës se si t’i ndihmonin shenjtorët në Misuri. Në fillimi të zbulesës, Zoti shpjegoi se përse Ai i lejoi armiqtë e Tij që t’i përndiqnin shenjtorët në Misuri. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:1–4, duke kërkuar arsyet se përse Zoti do të lejonte që t’i ndodhnin gjëra të tilla të tmerrshme popullit të Tij.
Shqyrtoni arsyen përse është domethënëse që Zoti i përmendi ata, të cilët po i përndiqnin shenjtorët, si armiq të Tij.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:5–7 dhe kërkoni përgjigjet për pyetjen vijuese: Nëse shenjtorët do ta kishin ndjekur këshillën e Zotit “që nga [ai] çast”, çfarë bekimesh do të merrnin ata? (Ju mund të doni t’i shenjoni përgjigjet ndërsa i gjeni ato. Vini re se fjala triumfoj do të thotë të jesh më i fortë sesa një kundërshtar ose të jesh fitimtar.)
Këto vargje japin mësim një parim që mund të gjejë zbatim në përpjekjet tuaja për të triumfuar kundër ndikimeve të botës: Kur fillojmë ta ndjekim këshillën e Zotit, ne marrim forcë që të fillojmë të triumfojmë kundër botës.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:8–10, duke kërkuar atë që Zoti paralajmëroi se do të ndodhte, nëse shenjtorët zgjidhnin të mos u bindeshin fjalëve të Tij.
Çfarë parimi na mësoi Zoti në këto vargje lidhur me atë që do të ndodhë nëse dështojmë t’i mbajmë urdhërimet e Tij? Plotësojeni thënien vijuese “nëse–atëherë”: Nëse nuk i bindemi urdhërimeve të Zotit, atëherë .
Lexojeni sërish Doktrinën e Besëlidhjet 103:9. Si mund të jeni “një dritë për botën”? Si mund të jeni një “shpëtimtar”?
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si armiqtë e Zotit përpiqen të triumfojnë kundër anëtarëve të Kishës në kohën tonë?
-
Si mendoni ju, përse dikush që nuk është i bindur ose që është vetëm pjesërisht i bindur ndaj Zotit, mund të mos jetë në gjendje të triumfojë kundër armiqve të Zotit?
-
Kur e keni parë dikë të korrë fitore mbi një armik të Zotit me anë të përpjekjes për t’iu bindur fjalëve të Zotit? (Për shembull, ju mund të mendoni për dikë që ka mposhtur një varësi ose që tani e jeton ungjillin pasi ka pasur një mënyrë jetese si të botës.)
-
-
Shkruani një gjë në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, që ju mund të filloni ta bëni “që nga ky çast” (DeB 103:5) për ta dëgjuar më mirë këshillën e Zotit. Shkruani një plan për mënyrën se si do ta bëni këtë.
Mbani mend se, ndërsa ju mund të mos jeni përsosurisht i bindur ndaj të gjitha fjalëve të Zotit, nëse përpiqeni me zell t’i bindeni Atij dhe nëse pendoheni sinqerisht dhe e kërkoni faljen e Tij nëpërmjet Shlyerjes së Tij kur ju dështoni, Ai do t’ju ndihmojë të triumfoni kundër armiqve të Tij.
Te Doktrina e Besëlidhje 103:11–21 ne lexojmë premtimin e Zotit se pas mundimeve të shenjtorëve, Sioni do të shëlbehej me anë të fuqisë së Tij. Por Ai gjithashtu i paralajmëroi ata se, nëse shenjtorët i ndotnin trashëgimitë e tyre, ata do të hiqeshin prej tyre. Ai foli për Profetin Jozef Smith si një njeri që, ashtu si Moisiu, do ta udhëhiqte popullin (shih DeB 103:16, 21; shih edhe DeB 28:2). Ky krahasim është i vërtetë për çdo President të Kishës (shih DeB 107:91).
Doktrina e Besëlidhje 103:22–40
Zoti zbulon se si duhet të shëlbehet toka e Sionit
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:22–23. Këto vargje përmbajnë udhëzimet e Zotit për udhëheqësit e Kishës në atë kohë, në vitin 1834. Ai i urdhëroi ata që të mblidhnin një grup [burrash] për të shkuar në tokën e Sionit në Misuri dhe për t’i ndihmuar shenjtorët atje. Grupi i burrave që udhëheqësit e Kishës do të mblidhnin së bashku, për t’u udhëhequr nga Profeti Jozef Smith, u bë i njohur si Kampi i Sionit (kamp është një fjalë tjetër për ushtri). Anëtarët e Kampit të Sionit kishin dy qëllime kryesore. Së pari, ata duhej t’u çonin burime materiale shenjtorëve në Misuri. Më këto burime materiale, ata do të siguronin ndihmë për shenjtorët dhe do t’u mundësonin atyre të riktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata do t’i përdornin këto burime për të blerë toka të tjera. Së dyti, ashtu siç ishte autorizuar nga guvernatori Daniel Danklin i Misurit, pasi milicia e shtetit t’i kishte shoqëruar shenjtorët sërish në kontenë Xhekson, Kampi i Sionit do të qëndronte që të ndihmonte në ruajtjen e rregullit dhe të paqes atje.
Hibër C. Kimballi ishte një nga vëllezërit që iu përgjigj besnikërisht thirrjes për t’u bashkuar me Kampin e Sionit. Më vonë ai shërbeu si anëtar i Presidencës së Parë. Ai tregoi për ndjenjat e tij kur u nis me Kampin e Sionit: “Ne u nisëm në 5 maj dhe me të vërtetë ky ishte një mëngjes solemn për mua. U largova nga gruaja e fëmijët dhe miqtë e mi, duke mos pritur që t’i shihja sërish në mish, teksa unë vetë dhe vëllezërit po kërcënoheshim nga armiqtë, si në atë vend edhe në Misuri, se ata do të na shkatërronin dhe asgjësonin nga toka” (në “Extract from the Journal of Heber C. Kimball”, Times and Seasons, 15 janar 1845, f. 771; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 143).
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Nëse do të kishit jetuar në atë kohë, a mendoni se do të kishit qenë i gatshëm të shkonit në kontenë Xhekson për t’i ndihmuar shenjtorët? Përse po ose përse jo?
-
Bashkimi me Kampin e Sionit kërkonte largimin nga përgjegjësitë familjare dhe të punës për të marshuar rreth 1.450 kilometra në kushte rraskapitëse, në një mjedis armiqësor e të rrezikshëm. Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:20. Si mund të ndikojë premtimi te ky varg në vendimin tuaj për të dalë vullnetar?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:27–28, duke kërkuar se çfarë u tha Zoti atyre që do të bashkoheshin me Kampin e Sionit. Ju mund të merrni parasysh t’i shenjoni frazat që japin mësim të vërtetën vijuese: Dishepujt e Jezu Krishtit janë të gatshëm ta japin jetën e tyre për hir të Tij.
Për shenjtorët në Kampin e Sionit, mundësia e humbjes së jetës së tyre ishte e vërtetë. Ndërkohë që ju mund të mos hasni të njëjtin rrezik, kjo e vërtetë mund të gjejë zbatim edhe për ju vetë.
Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha një këndvështrim tjetër për dhënien e jetës për hir të Zotit: “Për shumicën prej nesh, … ajo që na kërkohet nuk është të vdesim për Kishën, por të jetojmë për të. Për shumë njerëz, të jetuarit e një jete si të Krishtit çdo ditë, mund të jetë më e vështirë se dhënia e jetës së dikujt” (“Discipleship”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 22).
-
Kryeni veprimtaritë vijuese:
-
Tregojani thënien nga Presidenti Faust një pjesëtari të familjes ose një shoku/shoqeje dhe pastaj bëni pyetjen vijuese: Si mendoni ju, përse mund të jetë edhe më e vështirë të jetosh për Zotin sesa të vdesësh për Të?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shënoni se kë pyetët dhe shkruajeni përgjigjen e tij apo të saj. Shtoni [edhe] vetë pikëpamjen tuaj rreth thënies së Presidentit Faust dhe pyetjes.
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:30–34, duke kërkuar se sa vullnetarë donte Zoti për Kampin e Sionit.
Sa vullnetarë donte Zoti?
Cili qe numri minimal që kërkoi Zoti?
Në përfundim të mbledhjes së këshillit të lartë, në të cilën udhëheqësit e Kishës diskutuan situatën e shenjtorëve në Misuri, Profeti Jozef Smith lajmëroi se ai do të shkonte në Sion për të ndihmuar në shëlbimin e tij. Afërsisht 30 ose 40 nga burrat e pranishëm dolën gjithashtu vullnetarë. Pastaj Zoti caktoi 8 burra që të shkonin në të gjitha bashkësitë e Kishës dhe të rekrutonin vullnetarë për Kampin e Sionit dhe të kërkonin ndihma në ushqime dhe para për shenjtorët në Misuri (shih DeB 103:37–40).
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 103:35–36 dhe përcaktoni atë që duhej të bënin shenjtorët me qëllim që të kishin sukses në përpjekjet e tyre për ta shëlbyer Sionin. Merrni parasysh që ta shenjoni të vërtetën që Zoti dha mësim në vargun 36, rreth mënyrës se si mund të jemi fitimtarë në kryerjen e punës së Tij.
Reflektoni mbi mënyrën se si djalli kërkon ta pengojë përparimin tuaj shpirtëror. A ka ndonjë mëkat, tundim ose pengesë që po vepron kundër jush në përpjekjet tuaja për ta ndjekur Zotin? Hidhini një sy përgjigjes suaj për veprimtarinë 2 në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë. Si lidhet përgjigjja juaj me të qenit i zellshëm e besnik dhe të luturit me besim? Mbajeni mend se, ashtu si shenjtorët në kohën e Jozef Smithit, edhe ju keni aftësinë të korrni fitore mbi armiqtë e Zotit dhe t’i përmbushni qëllimet e Zotit, ndërsa luteni me besim dhe u bindeni me zell e besnikëri fjalëve të Tij.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 103 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: