Njësia 14: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 64:1–19
Hyrje
Në shtator 1831, Profeti Jozef Smith dhe një numër pleqsh ishin kthyer së fundmi në Ohajo nga udhëtimi i tyre për të përkushtuar tokën dhe vendin e tempullit në Sion apo në Indipendëns të Misurit. Gjatë këtij udhëtimi, pleqtë kishin përjetuar disa mosmarrëveshje dhe ndjenja jo të mira, por shumica ishin në gjendje të pajtoheshin me njëri-tjetrin. Më 11 shtator, Profeti mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 64.
Doktrina e Besëlidhje 64:1–7
Zoti i siguron pleqtë për gatishmërinë e Tij për të falur
Mendoni për një rast kur u lënduat nga fjalët apo veprimet e një personi tjetër dhe mënyrën se si reaguat në atë situatë.
Profeti Jozef Smith e mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 64, rreth një muaj pasi ai dhe një grup pleqsh ishin kthyer nga Indipendënsi i Misurit në Ohajo. Këta pleq dhe anëtarë të tjerë të Kishës kishin kaluar vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve dhe ndjenjave të pakëndshme mes tyre. Në këtë zbulesë, Zoti tha: “Ka mes jush nga ata që kanë mëkatuar” (DeB 64:3). Fjalët e Zotit në këtë zbulesë na mësojnë se si të përgjigjemi kur të tjerët na kanë lënduar.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:1–4 duke kërkuar frazat që përshkruajnë mënyrën se si Zoti iu përgjigj atyre që kishin mëkatuar. Shkruajini ato në tabelën e mëposhtme. (Ju mund të doni t’i shenjoni ato edhe në shkrimet tuaja të shenjta.)
-
Doktrina e Besëlidhje 64:1–4 na mëson se Zoti është i dhembshur, falës dhe i mëshirshëm. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani përse ky parim rreth Shpëtimtarit është i rëndësishëm për ju.
Në kohën që u mor kjo zbulesë, disa anëtarë të Kishës, përfshirë disa pleq që kishin udhëtuar me Jozef Smithin, ishin bërë kritikues ndaj Profetit. Te Doktrina e Besëlidhje 64:6 Zoti iu referua kritikave ndaj Profetit duke përdorur frazën “kanë kërkuar rast kundër tij”. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:5–6 duke kërkuar atë që dha mësim Zoti.
Përsiatni pyetjet vijuese:
-
Çfarë tha Zoti rreth Jozef Smithit?
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje?
Zoti gjithashtu shpjegoi disa nga kushtet e faljes. Sipas Doktrinës e Besëlidhjes 64:7 çfarë duhet të bëjmë që të marrim faljen e Zotit?
Doktrina e Besëlidhje 64:8–19
Zoti i urdhëron shërbëtorët e Tij ta falin njëri-tjetrin
Përveç të ndjerit të dhimbjes fizike, çfarë emocionesh mendoni se do të ndienit nëse do të kafshoheshit ose pickoheshit nga një kafshë helmuese? Gjarpërinjtë me zile janë gjarpërinj helmues të zakonshëm në kontinentet amerikane. Kafshimet e gjarpërinjve me zile shkaktojnë dhimbje, fryrje, mpirje dhe ndryshim të ngjyrës. Nëse lihen pa u kuruar, ato mund të çojnë në dëmtim të përhershëm të indeve madje edhe vdekje.
Plaku Marion D. Henks, i Të Shtatëdhjetëve, foli rreth zgjedhjeve që has një njeri nëse është kafshuar nga një gjarpër me zile: “Ka dy mënyra veprimesh për t’i ndjekur kur dikush kafshohet nga një gjarpër me zile. Dikush, në zemërim e sipër, frikë ose hakmarrje, e ndjek kafshën dhe e vret atë. Ose ai mund të nxitojë që ta nxjerrë sa më shpejt helmin nga organizmi i tij” (“Forgiveness: The Ultimate Form of Love”, Ensign, janar 1974, f. 21).
Cila nga këto dy mënyra veprimi mendoni se është më e mençur? Përse?
Plaku Henks tha: “Nëse ndjekim mënyrën [e dytë] ka shumë të ngjarë që të mbijetojmë, por në qoftë se përpiqemi të ndjekim mënyrën [e parë], mund të mos mbetemi gjallë për të pasur kohën e mjaftueshme për ta vrarë atë” (“Forgiveness”, f. 21).
Zgjedhjet e një njeriu pasi kafshohet nga një gjarpër me zile, mund të krahasohen me zgjedhjet tona kur ne ndihemi të lënduar për shkak të fjalëve apo të veprimeve të një njeriu tjetër. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:8 duke kërkuar pasojat që po hasnin disa nga dishepujt e Zotit për shkak se nuk pranuan ta falnin njëri-tjetrin.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mund të vuajë (ose lëndohet) një njeri ngaqë nuk i fal të tjerët?
-
Në ç’mënyrë është kjo e ngjashme me pasojat e një njeriu duke ndjekur një gjarpër me zile që e ka kafshuar atë?
-
Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 64:9 duke kërkuar një pasojë tjetër të mosfaljes së të tjerëve.
Ne mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 64:9 se nëse nuk i falim të tjerët, ne mbetemi të dënuar përpara Zotit.
Mësimi më i dobishëm që mund të mësojmë nga ky fragment është që të falim. Ne marrim paqe të madhe në jetën tonë kur i falim të tjerët. Teksa lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve, mendoni se si lidhet ajo me këtë të vërtetë: “Mund të jetë shumë e vështirë t’ia falim dikujt dhembjen e madhe që na ka shkaktuar, por kur e bëjmë këtë, arrijmë të kemi para vetes një të ardhme më të mirë. Të ligat që të tjerët na kanë bërë, nuk e kontrollojnë më jetën tonë. Kur i falim të tjerët, ne bëhemi të lirë të zgjedhim se si do ta jetojmë jetën tonë. Falje do të thotë që problemet e së kaluarës nuk e diktojnë më fatin tonë dhe ne mund të përqendrohemi tek e ardhmja, duke pasur dashurinë e Perëndisë në zemrën tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 12).
Lexoni me kujdes Doktrinën e Besëlidhjet 64:10–11 dhe përcaktoni parime të mëtejshme që Zoti i dha mësim rreth faljes.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shpjegoni se si parimet që i mësuat nga Doktrina e Besëlidhje 64:10–11, mund ta ndihmojnë një njeri në situatat vijuese:
-
Një e re është e lënduar dhe në siklet pasi mësoi se disa nga bashkëmoshatarët e saj kanë përhapur thashetheme për të. Më vonë, disa prej këtyre njerëzve kërkojnë falje, por të tjerët nuk kërkojnë. E reja i fal ata që i kërkuan falje, por mban mëri ndaj të tjerëve.
-
Një i ri shkel një urdhërim. Ai lutet për falje dhe e diskuton problemin me peshkopin e tij. Megjithatë, edhe pasi peshkopi e ka siguruar të riun se ai është penduar plotësisht, i riu vazhdon të ndihet i padenjë për shkak të mëkatit të tij të kaluar.
-
Një e re ndihet e pikëlluar dhe e pështjelluar për shkak të veprimeve të babait të saj. Ai e ka braktisur familjen e tij. Përpara se të largohej, ai rrallë tregonte dashuri për familjen dhe shpesh ishte mizor. Ajo nuk e kupton përse babai i saj vepronte në këtë mënyrë dhe ka ndjenja zemërimi ndaj tij. Ajo e di se duhet të përpiqet që ta falë atë, por mendon se nuk mund ta bëjë.
-
Merrni në shqyrtim nëse ka ndonjë njeri të cilin duhet ta falni. Ka raste kur mund të jetë tejet e vështirë të falësh një tjetër. Ndërsa lexoni këshillën vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli, kërkoni atë që mund të bëni nëse po hasni vështirësi për të falur dikë: “Nëse ka ndonjë njeri që e ushqen zemrën e tij me ndjenja shkatërruese të armiqësisë ndaj një tjetri, unë lutem me ju që t’i kërkoni Zotit forcë që të falni. … Mund të mos jetë e lehtë dhe mund të mos vijë shpejt. Por nëse do ta kërkoni me sinqeritet dhe do ta kultivoni atë, ajo do të vijë” (“Of You It Is Required to Forgive”, Ensign, qershor 1991, f. 5).
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni, përse lutja për forcë mund t’ju ndihmojë të falni?
Studioni Doktrinën e Besëlidhjet 64:12–14. Vini re që Zoti dha mësim se zgjedhja jonë për t’i falur të tjerët nuk i çliron ata nga përgjegjësia për veprimet e tyre. Ata janë ende përgjegjës ndaj Zotit për padrejtësitë që kanë bërë.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 64:15–17 dhe vini re që Zoti tha veçanërisht se Ai do t’i falte dy nga shërbëtorët e tij, Isak Morlin dhe Eduard Partrixhin, ngaqë ata do të pendoheshin për mëkatet e tyre.
Në fillim të këtij mësimi, ju mësuat se Zoti është i dhembshur, falës dhe i mëshirshëm. Kur falni, ju mund të bëheni më shumë si Ai. Vendosni se si mund t’i zbatoni parimet e faljes që keni mësuar sot.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Doktrina e Besëlidhje 64:9–11
Harxhoni disa minuta për të lexuar me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 64:9–11. Kur ta keni përsëritur fragmentin e shkrimeve të shenjta të paktën pesë herë, gjeni një motër ose vëlla, prind apo mik, i cili do t’ju ndihmojë të praktikoni të mësuarit e tij përmendsh. Përsëritjani fragmentin e shkrimit të shenjtë këtij personi derisa të mund ta thoni përmendsh. Shpjegojini personit se si parimet në këto vargje mund t’ju ndihmojnë gjatë gjithë jetës suaj. Pastaj kërkojini personit që të firmosë shënimin e sotëm në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 64:1–19 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: