Njësia 27: Dita 2
Doktrina e Besëlidhje 124:84–145; 125–126
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 124:84–145, e marrë më 19 janar 1841, përmban këshillat e Zotit drejtuar anëtarëve individualë të Kishës. Ai gjithashtu dha emrat e atyre që duhej të shërbenin në detyra të ndryshme udhëheqëse të priftërisë. Në mars të vitit 1841, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 125, në të cilën Zoti zbuloi vullnetin e Tij lidhur me mbledhjen e shenjtorëve në Territorin e Ajouas. Më 9 korrik 1841, Profeti mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 126, në të cilën Zoti i tha Brigam Jangut se atij nuk do t’i kërkohej më që ta linte familjen e tij për të shërbyer në misione.
Doktrina e Besëlidhje 124:84–122
Zoti u jep këshilla individëve të veçantë
Mendoni për një rast kur ju morët këshillë nga dikush që donte t’ju ndihmonte. A e ndoqët atë këshillë? Përse po ose përse jo?
Te Doktrina e Besëlidhje 124:84–118, Zoti u dha këshilla individuale anëtarëve të caktuar të Kishës që, nëse ndiqeshin, ato premtonin bekime të mëdha. Lexojini fragmentet vijuese, duke kërkuar për një ngjashmëri në këshillat që iu dhanë këtyre individëve. (Mund të jetë e dobishme të dini se fjala këshillë i drejtohet udhërrëfimit, drejtimit ose udhëzimit. Ju mund të doni t’i shenjoni këshillat që janë të ngjashme.)
-
Vargjet 89–90 (Uilliam Lou)
-
Vargjet 94–96 (Hajrëm Smithi)
-
Vargjet 111–114 (Amos Dejvisi)
-
Vargjet 115–118 (Robert Fosteri)
Rishikojini vargjet që lexuat, duke kërkuar bekimet që premtoi Zoti në qoftë se këta njerëz do t’i ndiqnin këshillat që Ai u dha atyre. Në hapësirën e dhënë, renditni bekimet që Zoti u premtoi atyre:
Një parim që mësojmë nga këto vargje, i cili gjen zbatim për të gjithë fëmijët e Perëndisë është që, nëse ia vëmë veshin këshillës së profetëve, do të jetë mirë për ne.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Çfarë këshille të veçantë ka dhënë Presidenti i Kishës në vitet e fundit?
-
Kur jeni bekuar nëpërmjet ndjekjes së këshillës së profetëve?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:84, duke kërkuar atë që Zoti tha se një anëtar i Kishës, i quajtur Almon Babiti, ishte duke bërë në vend që të ndiqte këshillën e Presidencës së Kishës. Mund të jetë e dobishme të dini që “një viç i artë” i referohet një idhulli ose një perëndie të rreme që Aaroni e bëri për fëmijët e Izraelit ndërsa profeti Moisi ishte në malin Sinai (shih Eksodi 32). Ai është simbol i gjërave të botës, të cilat mund të na e largojnë vëmendjen dhe na pengojnë nga marrja e bekimeve shpirtërore.
Sipas vargut 84, “viçi i artë” i Almon Babitit ishte se ai dëshironte të jepte këshillën e tij në vend të këshillës së Presidencës së Parë.
Lexojeni paralajmërimin e Presidentit Spenser W. Kimball rreth perëndive të rreme e të shumta që njerëzit i adhurojnë sot, dhe merreni parasysh mënyrën se si këta idhuj të ditëve moderne mund ta zëvendësojnë ndjekjen e këshillës së profetëve të gjallë:
“Idhuj modernë ose perëndi të rreme mund të marrin forma të tilla si veshje, shtëpi, biznese, makineri, automobila, barka për qejf dhe gjëra të shumta të kësaj bote që na devijojnë nga shtegu i perëndishmërisë. Çfarë ndryshimi ndodh nëse objekti i shqetësimit nuk është në formën e një idhulli? …
Gjëra jo të prekshme mund të bëhen po aq lehtë perëndi të rreme. Grada shkencore dhe çmime arritjeje, dhe tituj postesh mund të bëhen idhuj. … Diploma [e kolegjit] dhe pasuria e siguria që vijnë nëpërmjet saj, duken aq të dëshirueshme saqë [shërbimi në një] mision zë vendin e dytë. Disa njerëz e lënë pas dore shërbimin në Kishë gjatë viteve të kolegjit, duke menduar që t’i japin parapëlqim trajnimit laik dhe duke i shpërfillur besëlidhjet shpirtërore që kanë bërë. …
Shumë njerëz adhurojnë gjuetinë, udhëtimin për peshkim, pushimet, piknikët e shëtitjet për fundjavë. Të tjerë kanë si idhuj të tyre lojërat sportive, bejsbollin, futbollin, ndeshjen me dema, ose golfin. Këto veprimtari më shpesh nga ç’mendohet, ndërhyjnë me adhurimin e Zotit dhe me dhënien e shërbimit për ngritjen e mbretërisë së Perëndisë. Për pjesëmarrësit ky theksim mund të mos duket serioz, por ai tregon se ku janë përkushtimi dhe besnikëria e tyre.
Përsëri, një tjetër shëmbëlltyrë që njerëzit e adhurojnë, është ajo e pushtetit dhe prestigjit. Shumë veta i nëpërkëmbin vlerat shpirtërore dhe shpesh vlerat morale në ngjitjen e tyre drejt suksesit. Këto perëndi të pushtetit, pasurisë dhe ndikimit marrin shumë nga koha jonë dhe janë po aq të vërtetë sa viçat e artë të fëmijëve të Izraelit në shkretëtirë” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 40–42).
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Cilat janë disa nga mënyrat se si njerëzit mund ta vendosin këshillën e tyre përpara këshillës që Zoti na e jep sot nëpërmjet profetëve të Tij?
Mbajeni mend, ju mund të keni besim në ndjekjen e këshillës dhe udhëzimeve të profetëve, sepse ata flasin fjalët e Zotit (shih DeB 1:38).
Doktrina e Besëlidhje 124:119–122 përmban udhëzime drejtuar Kishës lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Navusë, që duhej të ishte një hotel në pronësi të Kishës.
Doktrina e Besëlidhje 124:123–145
Zoti jep emrat e atyre që duhet të shërbejnë në detyra të ndryshme udhëheqëse të priftërisë
Renditni disa detyra udhëheqëse të priftërisë në Kishë:
Te Doktrina e Besëlidhje 124:123–145, Zoti përmendi individë të veçantë për të shërbyer në detyra të ndryshme udhëheqëse të priftërisë. Lexojini vargjet 123–142, duke kërkuar detyrat udhëheqëse të priftërisë që Zoti i përmendi. Shtoni ndonjë që nuk e kishit në listën tuaj.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 124:143, duke kërkuar arsyet përse Zoti thërret udhëheqës të priftërisë dhe jep çelësa të priftërisë.
Në këtë varg ne mësojmë të vërtetën vijuese: Zoti i thërret udhëheqësit e priftërisë që të qeverisin punën e shërbesës dhe të ndihmojnë për t’i përsosur shenjtorët. (Puna e shërbesës dhe e përsosjes së shenjtorëve i referohet punës për t’i ndihmuar të gjithë fëmijët e Atit Qiellor që të afrohen më shumë me Të dhe të kthehen me denjësi në praninë e Tij.) Merreni parasysh t’i shenjoni fjalët ose frazat që e japin mësim këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani rreth një ose dy mënyrave se si udhëheqësit tuaj të priftërisë ju kanë ndihmuar të afroheni më shumë me Atin tuaj Qiellor.
Doktrina e Besëlidhje 125
Zoti i udhëzon shenjtorët të mblidhen në vendet që Ai cakton
Pasi shenjtorët u dëbuan nga Misuri në dimrin e viteve 1838–1839, ata udhëtuan drejt Ilinoisit dhe Ajouas, ku ngritën koloni në të dy anët e lumit Misisipi. Zbulesa që përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 125, u mor në mars të vitit 1841 dhe zbulon vullnetin e Zotit lidhur me shenjtorët në Territorin e Ajouas. Ndërsa e lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 125, kërkoni udhëzimet që Zoti u dha këtyre shenjtorëve.
Doktrina e Besëlidhje 126
Brigam Jangut nuk i kërkohet më që ta lërë familjen e tij për të shërbyer në misione të tjera
Përfytyroni se si do të ishte ta linit familjen tuaj për të shërbyer misione për Zotin gjatë pesë stinëve të ardhshme të verës dhe, më pas, të thirreshit për të shërbyer një mision në një vend të huaj për gati dy vjet. Si do të ndiheshit rreth largimit nga familja juaj kaq shumë herë? Si do të ndiheshit rreth largimit nga familja nëse ju do të ishit përgjegjës për nevojat e familjes suaj?
Pasi Brigam Jangu u bashkua me Kishën në prill të vitit 1832, ai shërbeu shtatë misione gjatë nëntë viteve pasues. Misioni i tij i parë ishte gjatë dimrit pasi u pagëzua. Pesë misione të tjera, përfshirë pjesëmarrjen e tij në Kampin e Sionit, ndodhën çdo verë nga viti 1833 deri në vitin 1837. Këto misione ishin të gjata, nga tre deri në pesë muaj. Në vitin 1839, Brigam Jangu, me Apostujt e tjerë, u thirrën që të shërbenin në një mision në Britaninë e Madhe. Ata e ndoqën udhëzimin e Zotit që të largoheshin për në këtë mision nga Far-Uesti në Misuri, më 26 prill 1839 (shih DeB 118). Brigami dhe Apostujt e tjerë i kaluan disa nga muajt pasues në Ajoua dhe Ilinois, duke bërë përgatitje të mëtejshme për të udhëtuar për në Britaninë e Madhe. Një epidemi e malaries goditi zonën në verën e vitit 1839 dhe ata, gjithashtu, u sëmurën.
Lexojeni thënien vijuese nga Brigam Jangu, duke kërkuar provën e qëndrimit që kishte Brigami për shërbimin ndaj Zotit, pavarësisht se ishte kaq i sëmurë sa nuk mund të hipte në karrocë pa u ndihmuar kur po largohej: “Isha i vendosur të shkoja në Angli ose të vdisja duke u përpjekur. Vendimi im i patundur ishte se unë do të bëja atë që po më kërkohej të bëja në Ungjillin e jetës dhe të shpëtimit, ose unë do të vdisja duke u përpjekur ta bëja atë” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 5).
Shërbimi misionar i Brigam Jangut kërkoi sakrificë edhe nga ana e familjes së tij. Lexojeni përmbledhjen vijuese për rrethanat e familjes së Brigamit kur ai u largua për në misionin e tij në Britaninë e Madhe:
Brigam Jangu u largua nga Montrosi në Ajoua për në Britaninë e Madhe më 14 shtator 1839, vetëm 10 ditë pasi gruaja e tij, Meri Ana, lindi fëmijën e tyre të katërt. Meri Ana gjithashtu po vuante nga malaria. Kjo ishte hera e pestë që kur ata ishin martuar që ajo e kishte përcjellë Brigamin për në mision. Pasi u dëbuan nga shtëpia e tyre dhe pasi e humbën shumicën e zotërimeve të tyre në Misuri në vit më parë, ata ishin në kulmin e varfërisë. Brigami mundi ta linte Meri Anën vetëm me 2,72 dollarë për familjen e tyre. Brigami dhe Meri Ana mirëbesonin se Zoti do të siguronte për ta dhe u mbështetën në një premtim nga Zoti se nevojat e familjeve të Apostujve do të plotësoheshin ndërkohë që Apostujt ishin larg në misionet e tyre (shih DeB 118:3).
Ndërsa Pleqtë Brigam Jang, Hibër C. Kimball dhe Xhorxh A. Smith udhëtonin drejt lindjes së Shteteve të Bashkuara për në misionin e tyre drejt Britanisë së Madhe, “Brigami kërkonte në sëndukun e tij dhe gjithmonë gjente para të mjaftueshme për të paguar tarifën tjetër të udhëtimit me karrocë. Ai mendonte se Hibëri po e rimbushte fondin, por më vonë zbuloi se nuk e kishte bërë. Vëllezërit e filluan udhëtimin e tyre me 13,50 dollarë nga dhurimet, prapëseprapë ata harxhuan më shumë se 87 dollarë për tarifat e karrocës. Ata nuk kishin asnjë ide se si paratë shtesë ishin gjetur në sënduk ‘veçse nëpërmjet një vepruesi të paparë nga bota Qiellore për ta çuar përpara shpalljen e Ungjillit’ [në Leonard J. Arrington, Brigham Young: American Moses [1985], f. 77.]” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 228).
Ndërkohë që ai e drejtoi zgjerimin e punës misionare anembanë Ishujve Britanikë, Brigam Jangu shfaqi aftësi të mëdha shpirtërore dhe administrative. Nën drejtimin e Brigam Jangut dhe Apostujve të tjerë, Kisha përjetoi një rritje të jashtëzakonshme në Britaninë e Madhe. Deri në kohën kur shumica e Apostujve i përfunduan misionet e tyre në Ishujt Britanikë në fund të prillit të vitit 1841, më shumë se 5.000 njerëz ishin bashkuar me Kishën, ku afërsisht 1.000 prej tyre kishin emigruar drejt Navusë pak muaj më parë.
“Ky mision ishte një kohë e rëndësishme për ushtrimin dhe pjekjen e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Brigam Jangu ishte në gjendje t’i forconte aftësitë udhëheqëse që ai shpejt do të thirrej t’i ushtronte në Navu. … Përmes sprovave dhe sakrificave në Britani, si edhe të punuarit për një synim të përbashkët, Të Dymbëdhjetët ishin të bashkuar në një mënyrë që i siguroi Kishës udhëheqje të fortë në vitet e ardhshme” (Church History in the Fulness of Times,f. 234).
Pasi e udhëhoqi punën misionare të Kishës në Britaninë e Madhe, Brigam Jangu mbërriti në Navu të Ilinoisit më 1 korrik 1841. Profeti Jozef Smithi e mori zbulesën që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 126 tetë ditë më vonë.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 126:1–3, duke kërkuar atë që Zoti i tha Brigamit rreth shërbimit të tij. Kur e keni ndier se Zoti u kënaq me shërbimin tuaj?
Nga ajo që mësoni në vargjet 1–2, përfundoni parimin vijues lidhur me shërbimin që japim: Nëse punojmë me zell për Zotin, Ai do ta ofertën tonë të drejtë.
“Pas kësaj zbulese, përveçse ishte në gjendje të shpenzonte më shumë kohë me familjen e tij sesa kishte mundur të bënte disa vite më parë, Brigam Jangu ishte gjithashtu pranë Profetit Jozef Smith në pjesën më të madhe të kohës (njëzet e tetë muaj nga tridhjetë e gjashtë muajt e fundit të jetës së Jozefit).
Duket qartë që Zoti, duke e ditur të ardhmen e Brigam Jangut dhe të ardhmen e Kishës, e mbajti Brigamin pranë Jozefit me qëllim që ai të mund të mësonte se çfarë kishte nevojë të dinte për ta udhëhequr Kishën pas vdekjes së Jozefit” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 313).
Edhe pse Brigam Jangut nuk i kërkohej më ta linte familjen e tij për të shërbyer misione të tjera, ai do të shërbente disa misione afatshkurtra përpara vdekjes së Profetit. Zoti i pranoi ofertat e drejta dhe përpjekjet e zellshme të Brigam Jangut në punën e Tij.
-
Mendoni rreth mundësive që keni për t’i shërbyer Zotit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani disa fjali që shpjegojnë se si mund ta ndiqni ju shembullin e udhëheqësve të tillë si Brigam Jangu për të punuar me zell në këto mundësi.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 124:84–145; 125–126 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: