Njësia 27: Dita 3
Doktrina e Besëlidhje 127; 128:1–11
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 127 përmban një letër nga Profeti Jozef Smith, të datës 1 shtator 1842, e cila i udhëzoi shenjtorët të mbanin anale për pagëzimet që kryenin për të vdekurit. Rreth një javë më vonë, Jozefi shkroi një letër tjetër mbi temën e pagëzimit për të vdekurit. Doktrina e Besëlidhje 128 përmban këtë letër, e cila na mëson arsyen përse ne i mbajmë analet e ordinancave të shpëtimit që kryhen.
Doktrina e Besëlidhje 127:1–4
Jozef Smithi lëvdohet në përndjekje dhe mundim
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 127:1, duke kërkuar se çfarë mundimi po përjetonte Profeti Jozef Smith në Navu të Ilinoisit në vitin 1842.
Në maj të vitit 1842, Liburn W. Bogsi, ish-guvernatori i Misurit, i cili nxori urdhrin e shfarosjes ndaj shenjtorëve, u plagos nga një i ashtuquajtur vrasës i panjohur. Autoritetet e Misurit e akuzuan Profetin Jozef Smith se organizoi dikë që ta vriste Bogsin, dhe u përpoqën ta sillnin sërish Profetin në Misuri për gjyq. Jozef Smithi ishte larguar nga Misuri vite më parë dhe po jetonte në zonën e Navusë së Ilinoisit në atë kohë. Duke e ditur se po të kthehej në Misuri ai do të vritej, Profeti iu shpëtoi zyrtarëve të Misurit për njëfarë kohe, për t’iu shmangur arrestimit të paligjshëm. Në janar të vitit 1843 u vendos se procedurat për ta arrestuar Jozef Smithin dhe për t’ia dorëzuar atë shtetit të Misurit ishin të paligjshme.
Doktrina e Besëlidhje 127 ishte një letër, që datonte më 1 shtator 1842, të cilën Profeti Jozef Smith ia shkroi Kishës ndërkohë që lëvizte nga një vend në tjetrin për t’iu shmangur arrestimit të rremë nga zyrtarët e Misurit. Kjo letër u lexua nga shenjtorët në Navu disa ditë më vonë.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 127:2, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Jozefi ndaj mundimeve. Ndërsa lexoni, mund të jetë e dobishme të dini se fjala mësuar do të thotë të dish se si ta bësh diçka.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Cili ishte qëndrimi i Jozef Smithit kundrejt mundimeve?
-
Si mund të na ndihmojë ky shembull?
-
Duke u nisur nga ajo që u shkroi Profeti shenjtorëve, ne mund të mësojmë se mirëbesimi ndaj Atit Qiellor mund të na ndihmojë që ta durojmë mundimin. Shqyrtojeni Doktrinën e Besëlidhjet 127:2 dhe merreni parasysh t’i shënoni fjalët ose frazat që na e mësojnë këtë të vërtetë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë, shkruani emrin e një njeriu që e njihni (ose për të cilin keni mësuar), i cili ishte në gjendje ta duronte mundimin ngaqë ai ose ajo i mirëbesoi Atit Qiellor. Si e ndihmoi këtë njeri mirëbesimi tek Ati Qiellor për ta duruar mundimin?
Profeti Jozef Smith i siguroi shenjtorët se ata mund të gëzoheshin ngaqë “Perëndia i Izraelit është Perëndia i tyre” (DeB 127:3). Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 127:4, duke kërkuar atë çka Zoti u premtoi atyre që do ta duronin përndjekjen.
Përsiatni mbi besimin e shenjtorëve të cilët vazhduan ta ndërtonin Tempullin e Navusë edhe kur ishin nën kërcënimin e përndjekjes. Si mund të ndikojë te ju shembulli i tyre kur hasni sfida të vështira?
Doktrina e Besëlidhje 127:5–12
Profeti Jozef Smith i këshillon shenjtorët të mbajnë anale për pagëzimet që kryejnë për të vdekurit
Kujtoni se gati një vit e gjysmë përpara se Jozef Smithi ta shkruante letrën, tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 127, Zoti u kishte thënë shenjtorëve se ordinanca e pagëzimit për të vdekurit duhej të kryhej në tempull (shih DeB 124:30). Megjithatë, Zoti i lejoi shenjtorët t’i kryenin pagëzimet për të vdekurit në lumin dhe rrëketë aty pranë, derisa një vaskë pagëzimi të ishte gati në tempull. Sapo vaska ishte gati, ordinanca e pagëzimit për të vdekurit ishte e pranueshme vetëm në tempull. Shenjtorët filluan të kryenin pagëzime për të vdekurit në Tempullin e Navusë në nëntor të vitit 1841.
A keni mundur të shkoni në tempull dhe të kryeni pagëzime për të vdekurit? Nëse po, a e vutë re nëse dikush ishte ulur pranë vaskës së pagëzimit?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 127:5–9, duke kërkuar se kush nevojitet të jetë i pranishëm kur kryhen pagëzimet për të vdekurit.
Sipas vargut 7, përse është e rëndësishme që një regjistrues të jetë një dëshmitar okular për pagëzimet?
Përveç nevojës për një regjistrues, ne gjithashtu mund të mësojmë nga vargu 7 se ordinancat e tempullit që i kryejmë në tokë janë lidhëse në qiell. Ju mund të doni t’i shenjoni fjalët ose frazat që e japin mësim këtë doktrinë. Të jetë lidhëse në qiell do të thotë që ordinancat janë të vlefshme në sytë e Atit Qiellor.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë: Si mund të ndikojë te ju kjo doktrinë kur merrni pjesë në ordinanca për të vdekurit?
Te Doktrina e Besëlidhje 127:10–12, ne mësojmë se Jozef Smithi donte t’u mësonte shenjtorëve më shumë rreth pagëzimit për të vdekurit, por ngaqë ai ishte i fshehur, nuk mund ta bënte dot atë gjë. Ai premtoi t’u shkruante shenjtorëve letra të tjera rreth pagëzimit për të vdekurit dhe çështjeve të tjera të rëndësishme.
Doktrina e Besëlidhje 128:1–11
Jozef Smithi shpjegon përse ne i mbajmë analet për ordinancat e shpëtimit
Rreth një javë pasi e shkroi letrën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 127, Profeti Jozef Smith u shkroi një letër tjetër shenjtorëve lidhur me pagëzimin për të vdekurit. Përmbajtja e kësaj letre është te Doktrina e Besëlidhje 128.
Te Doktrina e Besëlidhje 128:1–5, Jozef Smithi dha mësim se duhej të caktoheshin regjistrues vendorë për të dëshmuar dhe për ta regjistruar ordinancën e pagëzimit për të vdekurit. Ai gjithashtu dha mësim se duhej të caktohej një regjistrues i përgjithshëm për t’i përmbledhur analet vendore në një anal të përgjithshëm të Kishës.
A keni parë ndonjëherë një pasaportë? Ç’lloj privilegjesh ka të drejtë të ketë mbajtësi i pasaportës? Përse pasaporta e një njeriu tjetër nuk do t’ju kualifikojë të hyni në një shtet tjetër? Çfarë do të ndodhte nëse do të përpiqeshit të hynit në një shtet tjetër, por informacioni në pasaportën tuaj nuk do të ishte i plotë?
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:6–7, duke kërkuar se cilat anale do të përdoren për të përcaktuar nëse kualifikohemi që të pranohemi në praninë e Perëndisë. Vini re se Apostulli Gjon dhe Profeti Jozef Smith përmendën më shumë se një anal. Ata folën për “librat [që] u hapën; dhe … një libër tjetër, që është libri i jetës” (DeB 128:6; shih edhe Zbulesa 20:12). Librat e parë, për të cilët foli Gjoni, janë analet e mbajtura në tokë dhe libri i jetës është anali i mbajtur në qiell. Këta libra përmbajnë një anal të veprave tona.
Ashtu si një njeri ka nevojë që informacion i veçantë të shënohet në pasaportën e tij ose të saj që të pranohet në një shtet tjetër, ashtu ne kemi nevojë që informacion i veçantë të shënohet në këta libra me qëllim që të pranohemi në praninë e Perëndisë.
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Pavarësisht nga nënshtetësia apo raca, qofshim mashkull apo femër, pavarësisht nga punësimi, pavarësisht nga arsimimi juaj, pavarësisht nga brezi në të cilin jetoni, jeta është një udhëtim drejt shtëpisë për të gjithë ne, që të kthehemi në praninë e Perëndisë në mbretërinë e Tij çelestiale.
Ordinancat dhe besëlidhjet bëhen kualifikimet tona për t’u pranuar në praninë e Tij. T’i marrim ato denjësisht është synimi i gjithë jetës; t’i mbajmë ato pasi i marrim, është sfida e vdekshmërisë” (“Covenants”, Ensign, maj 1987, f. 24).
Merreni parasysh ta shenjoni frazën “çfarëdo që lidhni në tokë, do të lidhet në qiell” te Doktrina e Besëlidhje 128:8. Më pas lexojeni sërish Doktrinën e Besëlidhjet 128:8, duke kërkuar “përkthimin nga një këndvështrim tjetër” që dha Jozef Smithi për këtë thënie. Ju mund të doni ta shenjoni atë frazë gjithashtu.
Teksa e lexoni vargun 8, mund të jetë e dobishme të dini se fraza personin e tyre do të thotë të veprosh në emër të vetes tënde dhe u referohet njerëzve që pagëzohen për veten e tyre. Fraza “përfaqësuesve të tyre” u referohet atyre njerëzve që nuk janë në gjendje t’i marrin ordinancat shpëtuese të pagëzimit gjatë vdekshmërisë dhe kanë nevojë për veprues – njerëz të tjerë – që të pagëzohen për ta.
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 128:8, cilat janë dy gjëra që duhet të ndodhin me qëllim që ordinancat të jenë lidhëse në tokë dhe në qiell? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, plotësoni hapësirat bosh të doktrinës vijuese: Kur një ordinancë kryhet nga priftëria dhe mbahet një i duhur, ordinanca është lidhëse në tokë dhe në qiell.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Çfarë mendoni se do të thotë që një ordinancë të jetë lidhëse në qiell?
-
Si ndiheni kur mendoni rreth pjesëmarrjes suaj në ordinancat e tempullit për pagëzimin dhe konfirmimin, duke u sjellë bekime njerëzve në botën e shpirtrave?
-
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:9, duke kërkuar atë që tha Jozef Smithi rreth këtij parimi.
Një nga gjërat që mësojmë në vargun 9 është që, në çdo periudhë ungjillore të priftërisë, Zoti e ka autorizuar të paktën njërin prej shërbëtorëve të Tij që t’i mbajë dhe përdorë çelësat vulosës të priftërisë.
Lexojeni Doktrinën e Besëlidhjet 128:10–11, duke kërkuar atë që Shpëtimtari ia dha Pjetrit.
Ashtu sikurse Shpëtimtari ia dha Pjetrit çelësat vulosës të priftërisë, Ai i ka dhënë sërish çelësat në kohën tonë.
-
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
-
Pse është e rëndësishme që ordinancat, të tilla si pagëzimet për të vdekurit, të bëhen me autoritetin e duhur?
-
Çfarë do të bëni për shkak të asaj që keni mësuar sot?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimit të shenjtë:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 127; 128:1–11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: