Njësia 12: Dita 4
Doktrina e Besëlidhje 53–56
Hyrje
Në qershor të vitit 1831, Profeti Jozef Smith mori zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 53–55. Zbulesat përmbanin udhëzimet e Zotit për disa anëtarë të Kishës që jetonin në Ohajo, por që shpejt do të lëviznin për në Misuri. Në këto zbulesa, Zoti i foli Sidni Gilbertit, Njull Najtit dhe Uilliam W. Felpsit, duke iu dhënë atyre udhëzime që ishin të veçanta për detyrat e tyre në Kishë dhe për talentet e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 53
Zoti e thërret Sidni Gilbertin që të ishte një plak dhe të udhëtonte me Jozef Smithin për në Misuri
Pasi Sidni Gilberti mësoi se emri i tij nuk ishte në listën e misionarëve të thirrur që të udhëtonin për në Misuri (shih DeB 52:22–32), ai shkoi te Profeti Jozef Smith dhe kërkoi se çfarë donte Zoti që ai të bënte. Jozefi i kërkoi Zotit dhe mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 53. Në këtë zbulesë, Zoti e udhëzoi Vëllanë Gilbert që të shugurohej një plak dhe të vepronte si përfaqësues për Peshkopin Eduard Partrixh. Roli i Vëllait Gilbert si përfaqësues për peshkopin, shpjegohet më tërësisht te Doktrina e Besëlidhje 57:6–10, 15.) Zoti gjithashtu e urdhëroi Sidnin që të shkonte në Misuri me Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin.
Merrni parasysh përvojën vijuese të një të reje, e cila gjithashtu pyeste veten se çfarë donte Zoti që ajo të bënte:
“Ishte në Kinë që Alisha Krejmër mori përgjigje për lutjet e saj. Përgjigjja ishte e thjeshtë, prapëseprapë e vështirë për ta bërë në të njëjtën kohë. Ajo do të duhej t’i braktiste ëndrrat që i kishte pasur tërë jetën e saj, të kthehej në shtëpi dhe të jetonte jetën e një studenteje të zakonshme të kolegjit. Përgjigjja e habiti, por ajo ishte e gatshme t’i bënte gjërat që Zoti i tha të bënte.
Alisha … kishte arritur të ishte një nga lojtaret më të dalluara në futboll. I kishte arritur shumicën e synimeve të saj, duke punuar që të bëhej një pjesëtare e ekipit kombëtar të femrave të Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë asaj një mundësi që të luante në Kupën Botërore dhe në Lojërat Olimpike të vitit 2004.
Ia kishte dalë mbanë. Por kjo nuk po e bënte të lumtur.
‘Kisha gjithçka’, tha Alisha. ‘Kisha një familje të mirë. Kisha miq. Po shkoja në shkollë tek UBJ-ja. Po luaja vërtet mirë për ekipin kombëtar. Por, a do të vazhdoja të punoja drejt arritjes në ekipin e Kupës Botërore dhe ende ta ndieja këtë zbrazëti?’
Atëherë, ndërkohë që ishte në Kinë për të luajtur në ndeshjet përgatitore, Alisha u zgjua një natë duke qarë. Ajo pati një ndjenjë të mrekullueshme, të ngrohtë, ngushëlluese. ‘Më kujtohet që e vura dorën në zemër dhe atëherë menjëherë i pata gjithë këto mendime: “Nevojitet ta lësh ekipin kombëtar. Nuk është mirë që ti ta shkelësh ditën e Shabatit. Është mirë për ty që të ecësh në një shteg të ndryshëm. Gjërat do të rregullohen.”’ Ajo përshkroi se u mbush me Shpirtin dhe e pati përvojën të përsëritur disa net me radhë.
Edhe pse kishte qenë anëtare e Kishës tërë jetën e saj, interesi i Alishës për ungjillin ishte duke u rritur. Ajo po i lexonte shkrimet e saj të shenjta të paktën 30 minuta çdo ditë dhe kishte vënë re se lutjet e saj po ndryshonin. Po i kërkonte Zotit se çfarë donte Ai që ajo të bënte. Dhe në Kinë, ajo e mori përgjigjen.
‘Nuk i kisha pasur kurrë më parë ato ndjenja, ngushëllimin dhe ngrohtësinë. Sa do të doja të mund t’i kisha ato përvoja çdo herë që kam pyetje. Gjithçka u duk kaq e qartë. Kishte kaq shumë kuptim.’
Alisha veproi sipas frymëzimit që mori. Ajo tha: ‘Kur merr frymëzim, duhet ta ndjekësh atë menjëherë. Nëse do të kisha thënë: “Po, kjo është e drejtë. Por unë me të vërtetë dua të luaj në Kupën Botërore, kështu që do ta bëj pas saj”, atëherë gjërat mund të mos kishin dalë ashtu siç priteshin.’ …
Të mos qenit në ekipin kombëtar i dha kohë Alishës që të provonte disa gjëra të reja. Ishte gjatë kësaj kohe që ajo filloi të dilte me një djalë të ri, që po i mësonte asaj t’i binte kitarës, dhe më pas ata u martuan në tempull.
‘Jam e sigurt që u përgatita për këtë ndryshim nga ajo që ndodhi në Kinë. Hoqa dorë nga diçka dhe mora diçka shumë më të mirë’, tha Alisha.
… Ajo akoma dëshiron të punojë shumë, por tani do të jetë që të punojë shumë për vetë familjen e saj.
[Alisha] po e dëgjon trajnerin më të madhërishëm të të gjithëve, Atin e saj Qiellor, atë që mund të ndihmojë për ta udhëzuar atë dhe për t’i dhënë asaj drejtim e frymëzim. Sikurse tha Alisha: ‘Zoti e njeh secilin prej nesh. Për mua kjo është kaq e mirë që ta di dhe që të kem një dëshmi për të’” (Janet Thomas, “The Playmaker”, New Era, nëntor 2003, f. 21, 23).
Përsiatni mënyra se si mund të merrni drejtim nga Zoti rreth jetës suaj.
Doktrina e Besëlidhje 54
Zoti e udhëzon Njull Najtin që t’i udhëheqë shenjtorët e Kollsvillit për në Misuri
Në prill të vitit 1831, Njull Najti e udhëhoqi një grup shenjtorësh nga Kollsvilli në Nju-Jork që të bashkoheshin me shenjtorët në Ohajo. Në maj, Profeti Jozef Smith e udhëzoi Peshkopin Eduard Partrixh që t’i bënte ata shenjtorë të vendoseshin në Tomson të Ohajos në tokën, të cilën Liman Kopli e kishte besëlidhur (ose premtuar) më parë që ta jepte për atë qëllim. Ata mbollën të lashta atje dhe filluan t’i bënin përmirësime të tjera pronës. Por edhe pse punuan së bashku për ta përmirësuar tokën, ata filluan të bëheshin egoistë dhe lakmitarë. Gjendja e tyre u keqësua kur Liman Kopli u kthye nga misioni i tij për te shejkërat (shih DeB 49) dhe filloi ta vinte në dyshim besimin e tij. Ai e mohoi dëshminë e tij që po i zhvillohej për ungjillin e rivendosur dhe i urdhëroi shenjtorët të largoheshin nga toka. Ai gjithashtu u kërkoi 60 dollarë pagesë. Ngaqë Limani e kishte shkelur besëlidhjen e tij, këta shenjtorë tani nuk kishin se ku të jetonin. Njull Najti dhe njerëz të tjerë i kërkuan Profetit se çfarë duhej të bënin.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 54:1–3 dhe shenjoni atë që Zoti dëshironte të bënin këta shenjtorë për të ndihmuar në përmirësimin e situatës së tyre. Më pas përsiatni pyetjen vijuese: Si mendoni ju, përse pendimi dhe përulësia do t’i ndihmonin këta shenjtorë?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 54:6 dhe shenjoni një bekim i cili iu dha atyre që e mbajtën besëlidhjen për t’i përkushtuar pronat e tyre.
Bazuar në mësimet e dhëna nga Zoti te Doktrina e Besëlidhje 54:1–6, plotësoni parimin vijues: Nëse i mbajmë besëlidhjet tona dhe u bindemi urdhërimeve të Zotit, ne do të fitojmë .
Çdo bekim që marrim është një veprim i mëshirës së Zotit. Një shembull i mëshirës së Zotit është kur Ai na fal për mëkatet tona. Kur i mbajmë besëlidhjet që bëjmë në pagëzim dhe u bindemi urdhërimeve të Perëndisë, ne jo vetëm që do të marrim mëshirë në këtë jetë, por do të na shtrihet mëshirë edhe në Gjykimin Përfundimtar.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi disa mënyra që Zoti na shtrin mëshirë, kur ne i mbajmë besëlidhjet tona:
“Mëshirat e dhembshura të Zotit janë bekimet tepër personale dhe individuale, forcë, mbrojtje, siguri, drejtim, dashamirësi, ngushëllim, mbështetje dhe dhuratat shpirtërore të cilat i marrin nga dhe nëpërmjet Zotit Jezu Krisht. …
… Mëshirat e dhembshura të Zotit nuk ndodhin rastësisht ose thjesht për koincidencë. Besnikëria, bindja dhe përulësia i ftojnë mëshirat e dhembshura në jetën tonë dhe shpesh është koha e zgjedhur nga Zoti që na lejon t’i kuptojmë dhe çmojmë këto bekime të rëndësishme” (“Mëshirat e Dhembshura të Zotit”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 99–100).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani rreth disa prej bekimeve që i ndjeni se Zoti jua ka dhënë kohët e fundit për shkak të besnikërisë suaj te besëlidhjet tuaja dhe të bindjes suaj ndaj urdhërimeve të Tij.
Te Doktrina e Besëlidhje 54:7–10 ne lexojmë se pasi këta shenjtorë i humbën shtëpitë e tyre në tokën e Liman Koplit, Zoti i urdhëroi ata të udhëtonin drejt Misurit. Ata duhej të caktonin dikë që të paguante për shpenzimet përgjatë udhës dhe duhej të punonin për jetesën e tyre atje, derisa Zoti të përgatiste një vend për ta që të vendoseshin. Zoti gjithashtu i këshilloi të ishin të duruar në vuajtje.
Doktrina e Besëlidhje 55
Zoti e thërret Uilliam W. Felpsin për të ndihmuar në shkrimin dhe shtypjen e materialeve të Kishës
Mendoni për disa prej talenteve ose aftësive tuaja. Më pas mendoni për disa talente ose aftësi që i ka njëri prej shokëve tuaj. Për shkak të larmisë së aftësive tona, ne mund të ndihmojmë në punën e Zotit në mënyra të ndryshme. Perëndia mund t’i përdorë talentet, aftësitë dhe zotësitë tona për t’i bekuar fëmijët e Tij. Uilliam W. Felpsi është një shembull i këtij parimi. Përpara se të mbërrinte në Kirtland të Ohajos, ai kishte blerë një kopje të Librit të Mormonit dy javë pasi u ofrua për shitje. Kjo çoi në kthimin e tij në besim.
Lexoni hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 55 duke kërkuar një prej aftësive ose zotësive të Uilliam W. Felpsit. Më pas lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 55:4 duke kërkuar një tjetër prej talenteve të tij. Zoti e thirri Vëllanë Felps që t’i përdorte talentet dhe aftësitë e tij për të ndihmuar për shkrimin dhe shtypjen e materialeve të Kishës në Misuri (shih DeB 55:5). Përpjekjet e Vëllait Felps atje e bekuan Kishën në shumë mënyra.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Kur e keni parë Zotin t’i përdorë talentet dhe aftësitë e njerëzve për t’i bekuar të tjerët?
-
Si mund t’i bekojnë e lartësojnë të tjerët talentet ose aftësitë tuaja dhe si mund ta çojnë ato përpara veprën e Zotit?
-
Doktrina e Besëlidhje 56:1–13
Zoti ia anulon thirrjen e misionit Ezra Thajrit dhe e paralajmëron atë të pendohet
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth dikujt që e njihni, i cili hoqi dorë prej diçkaje të rëndësishme me qëllim që t’i bindej një urdhërimi. (Shembujt mund të përfshijnë dikë që sakrifikoi për t’u bashkuar me Kishën, për të shkuar në një mision apo për t’iu bindur standardeve të caktuara të Kishës.)
Ezra Thajri ishte caktuar të jetonte dhe punonte me Jozef Smith Plakun në fermën e Frederik G. Uilliamit në Kirtland të Ohajos. Përveç të punuarit në fermë, Ezra gjithashtu ndihmoi të paguante për një pjesë të borxhit që kishin për tokën. Kur u thirr në një mision për në Misuri me Tomas B. Marshin (shih DeB 52:22), ai kërkoi një akt pronësie të pjesës së tokës së Kishës, për të cilën ai ndjeu se i takonte. Për shkak të shqetësimeve të tij rreth pronës dhe parave të tij, Ezra Thajri nuk ishte i përgatitur që të largohej për në atë mision kur Tomasi ishte gati, kështu që Tomasi shkoi te Profeti Jozef Smith dhe i kërkoi se çfarë duhej të bënte.
Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 56, Zoti ia anuloi thirrjen për mision Ezra Thajrit dhe caktoi një shoqërues të ri për Vëllanë Marsh. Zoti më pas paralajmëroi kundër krenarisë dhe i mësoi shenjtorët se Ai ka ruajtur më shumë bekime për ta sesa tokë dhe para.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 56:3–5 duke kërkuar atë që ndodhi ngaqë Ezra Thajri nuk ishte gati që të shkonte me Tomas B. Marshin në Misuri. Teksa lexoni, mund të jetë e dobishme të dini se fjala anuloj do të thotë të hiqet ose të merret përsëri. Çfarë humbi Ezra ngaqë nuk ishte gati të shkonte me Vëllanë Marsh?
Doktrina e Besëlidhje 56:4 na mëson se Zoti mund të urdhërojë ose mund ta anulojë një urdhërim siç e sheh Ai të përshtatshme. Ju mund të doni t’i shenjoni fjalët ose frazat që e vënë në dukje këtë parim.
Sa vijojnë janë pak shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga historia e Kishës për Zotin duke dhënë ose duke e anuluar një urdhër:
-
Pasi Zoti i ofroi një ligj më të lartë Moisiut dhe popullit të tij, fëmijët e Izraelit ngritën krye dhe filluan të adhuronin një viç të artë. Atëherë Zoti u dha atyre një ligj më të ulët. (Shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Eksodi 32:14; 33:20; 34:1–2 [në shtojcën e Biblës].)
-
Gjatë shërbesës në tokë të Shpëtimtarit, Ai u tha Apostujve t’u predikonin vetëm judenjve (shih Mateu 10:5). Pak kohë pas vdekjes së Shpëtimtarit, Pjetri mori një zbulesë se ishte koha që t’ua predikonin ungjillin njerëzve të të gjitha kombeve (shih Mateu 28:19).
-
Në këtë periudhë ungjillore, Zoti i urdhëroi disa nga shenjtorët e hershëm të praktikonin martesën me më shumë se një grua. Profeti Jozef Smith dhe shumë nga udhëheqësit e tjerë të Kishës e patën të vështirë këtë urdhërim, por ata iu bindën atij. Vite më vonë, pasi mori zbulesë, Presidenti Uillford Udraf nxori një deklaratë të shkruar – Manifestin – e cila u pranua nga Kisha si autoritare dhe detyruese më 6 tetor 1890. Kjo çoi në përfundimin e praktikës së martesës në Kishë me më shumë se një grua (shih Deklarata Zyrtare 1).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 56:8–11 duke kërkuar atë që Zoti e urdhëroi të bënte Ezra Thajrin pasi iu anulua thirrja e tij e misionit. Për fat të mirë, Ezra zgjodhi të pendohej dhe shtatë muaj më vonë ai u thirr përsëri të shërbente si misionar me Tomas B. Marshin (shih DeB 75:31).
Doktrina e Besëlidhje 56:14–20
Zoti i paralajmëron shenjtorët kundër lakmisë dhe zemrave krenare
Nganjëherë njerëzit mendojnë se krenaria është një karakteristikë që gjendet vetëm në zemrën e pasanikut. Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, sikurse do ta mësoni nga vargjet vijuese.
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 56:16–17 duke kërkuar mënyrën se si një zemër e papenduar mund të shfaqet te dikush që është i pasur, si edhe te dikush që është i varfër. Merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni. Përsiatni përse krenaria dhe lakmia mund të jenë tipare të përbashkëta si për të pasurit, ashtu edhe të varfrit?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 56:18 duke kërkuar përshkrimin e Zotit për zemrat dhe shpirtrat e atyre që do të bekohen. Përdorni shënimet në fund të faqes për të kuptuar disa prej fjalëve që përdori Zoti.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi: “Kur kërkoni bekimin e kthimit në besim, ju mund t’i ofroni Zotit dhuratën e zemrës suaj të thyer, apo penduese, dhe të shpirtit tuaj të penduar, apo të bindur. Në të vërtetë, ajo është të dhuruarit e vetes – e asaj që jeni dhe e asaj që po bëheni” (“When Thou Art Converted”, Ensign, maj 2004, f. 12).
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 56:19–20 duke kërkuar bekimet që Zoti ua premtoi atyre që kanë zemra të përulura. Mund të jetë e dobishme që të dini se “shpërblimi” i Zotit do të thotë që Ai do të bëjë pagim për çdo të mirë dhe çdo të ligë që është bërë.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si krahasohen bekimet e përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 56:18–20 me pronën dhe paratë për të cilat Ezra Thajri dhe shenjtorët e tjerë të hershëm mund të kenë qenë të shqetësuar?
-
Çfarë mund të bëni për ta pasur llojin e zemrës që do të marrë bekimet e renditura në këto vargje?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 53–56 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: